Shtesë » Lajme
Kryeministri italian, 8 orë në Tiranë. Bashkon politikën shqiptare në Pallatin e Brigadave
E merkure, 05.12.2007, 12:09 AM
Prodi: Nxitoni me reformat
VIZITA/ Kryeministri italian, 8 orë në Tiranë. Bashkon politikën shqiptare në Pallatin e Brigadave. Batutat mes Berishës e Ramës
Prodi dhe Berisha |
Batutat Berisha-Rama gjatë takimit me Kryeministrin italian
Dy orë pas mesazhit të dhënë nga Kryeministri italian në konferencën për shtyp në Kryeministri për bashkëpunim të politikës shqiptare si kusht për anëtarësimin në NATO dhe në BE, krerët e spektrit të djathtë dhe të majtë janë mbledhur në Pallatin e Brigadave në pritjen e organizuar nga Kryeministri Berisha për nder të Kryeministrit italian, Romano Prodi. Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ulen në një tavolinë në Pallatin e Brigadave për nder të Kryeministrit Prodi. Në drekën e shtruar për nder të Kryeministrit Prodi kanë qenë të pranishëm të gjithë aleatët e PD-së, përfshi edhe ata të PS-së, përveç kreut të PSD-së, Skënder Gjinushit. Gjatë drekës nuk kanë munguar as batutat e Kryeministrit Berisha në adresë të rivalit të tij politik, Edi Rama. Duke e njohur Kryeministrin Prodi me krerët e politikës shqiptare, Kryeministrit Berisha nuk i kanë munguar as notat e humorit, kur është ndodhur përballë kreut të Partisë Socialiste. "Ky është kryetari i bashkisë së Tiranës dhe po përpiqet të bëhet edhe kryetar i Partisë Socialiste dhe që në të ardhmen aspiron edhe për vendin e Kryeministrit", është shprehur Berisha përballë Prodit dhe Ramës. Ky i fundit ka preferuar t‘i anashkalojë me buzëqeshje batutat e Kryeministrit shqiptar.
Vizita zyrtare e Prodit në Tiranë ka zgjatur rreth 8 orë. Delegacioni italian, i përbërë nga pesë bashkëpunëtorët e Kryeministrit Prodi, është pritur në orën 10.05 në Aeroportin e Rinasit nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, dhe stafi diplomatik italian i akredituar në Tiranë. Katër makinave diplomatike të nisura nga Aeroporti i Rinasit u janë dashur vetëm 25 minuta për të mbërritur në godinën e Kryeministrisë dhe janë pritur në ambientet jashtë saj nga kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i cili e ka konsideruar homologun e tij italian si "mik i madh shqiptarëve, italian i madh dhe evropian i madh".
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, dy kryeministrat kanë zhvilluar një takim kokë më kokë në ambientet e brendshme të Kryeministrisë, takim ky që zgjati afro 40 minuta dhe që ishte një nga arsyet që ndryshoi itinerarin e axhendës së Kryeministrit italian. Në orën 11.10 u zhvillua në godinën e Këshillit të Ministrave takimi zyrtar i dy delegacioneve. Delegacioni italian përbëhej nga Kryeministri Romano Prodi, zëdhënësi i qeverisë italiane, Silvio Sircana, drejtori i kabinetit qeveritar, Daniele De Giovanni, këshilltari diplomatik, Ferdinando Gentlini, drejtoresha e informacionit, Sandra Zampa dhe koordinatori i axhendës, Giorgio Marini. Në delegacionin shqiptar ishin të përfshirë edhe tre ministrat e qeverisë shqiptare, Genc Pollo, Genc Ruli, Enkelejd Alibeaj dhe stafi i Kryeministrit. Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë para zhvillimit të konferencës së përbashkët për shtyp, në të cilën u prekën çështje të rëndësishme, si garancia e Italisë për Shqipërinë në NATO dhe BE-së, pavarësia e Kosovës, marrëveshjet e ekstradimit dhe të energjisë, përfshi edhe zgjedhjet më të fundit në Rusi. Ndonëse një orë me vonesë, Kryeministri italian është nisur drejt Parlamentit ku është takuar me Kryetaren e Kuvendit dhe ka mbajtur një fjalim në sallën e Parlamentit. Pasditen e djeshme, Kryeministri Prodi është takuar me liderin e PS-së në një nga lokalet në parkun "Rinia" në Tiranë, më pas është takuar me Presidentin Topi dhe më vonë është nisur drejt ambasadës italiane në Tiranë dhe në orët e fundit të pasdites është nisur drejt Rinasit për t‘i dhënë fund vizitës së tij të pestë në Shqipëri.
Batuta e Berishës
Gjatë drekës nuk kanë munguar as batutat e Kryeministrit Berisha në adresë të rivalit të tij politik, Edi Rama. Duke e njohur Kryeministrin Prodi me krerët e politikës shqiptare, Kryeministrit Berisha nuk i kanë munguar as notat e humorit, kur është ndodhur përballë kreut të Partisë Socialiste. "Ky është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe po përpiqet të bëhet edhe kryetar i Partisë Socialiste dhe që në të ardhmen aspiron edhe për vendin e Kryeministrit", është shprehur Berisha përballë Prodit dhe Ramës. Ky i fundit ka preferuar t‘i anashkalojë me buzëqeshje batutat e Kryeministrit shqiptar.