E diele, 13.10.2024, 12:14 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kamikazët, bombat njerëzore

E diele, 25.11.2007, 04:34 PM


Terrorizmi ndërkombëtar, shtohen sulmet vetëvrasëse. Një studim sjell identikitet e autorëve dhe objektivat e rinj

Një strategji pa kufij. Nga Sri Lanka në Kabul, nga Londra në Bali

Një nga atentatet e fundit shënon më datë 6 të këtij muaji. Në Baghlan, 150 kilometra në veri të Kabulit, sulmi vetëvrasës i një terroristi kundër një delegacioni të Parlamentit shkaktoi më shumë se 50 të vdekur. Atentati më i rëndë i kohëve të fundit në Afganistan, i cili bashkohet me zinxhirin e vdekjes dhe derdhjes së gjakut, që duket sikur nuk njeh kufij. Vetëm në Irak, në më pak se tetë muaj, kamikazët kanë kryer më shumë se 800 atentate, duke shkaktuar më shumë se 150 mijë viktima, ndër të vdekur dhe të plagosur. Duke u bazuar në statistikat e fundit që nxirren nga kompani të ndryshme botërore, shifrat e viktimave po rriten në mënyrë të frikshme. Në shumicën e atentateve që kryejnë, kamikazët zgjedhin "semtex", eksplozivin e tyre të preferuar. Eksplozivi tepër i fuqishëm ka prekur rrugët e Londrës, diskotekat e Balit, teatrot, xhamitë irakiane, merkatot e Islamabadit etj. Dhe nuk bën përjashtime ndër fëmijë, gra, turistë, pelegrinë, ushtarakë, civilë, të gjithë shënjestra të ligjshme për kamikazët e luftërave fetare dhe konflikteve rajonale. Tashmë kamikazi është bërë një armë strategjike. I kanë vënë nofkën "bomba që mendon" dhe në fushën e betejës krahasohet me tankun, kallashnikovin dhe predhat. Ndërsa armët e zakonshme janë të identifikueshme, ose të paktën teorikisht të kundërshtueshme, ato kamikaze janë të paprekshme dhe të paparashikueshme. Ndryshe nga bombat e thjeshta, nga minat antinjeri, nga plumbat blindëshpues dhe nga armët atomike, bombat kamikaze kanë një ndezës të gjatë, që aktivizohet vite e vite përpara dhe dëmet i bën shumë vjet më mbrapa. Madje janë parë edhe fëmijë të vegjël, jo më shumë se dy vjeç, që mbanin veshur rripin plot me eksploziv përgjatë paradave të ndryshme të grupeve ekstremiste. Në fakt, kamikazët, pra "njerëzit bombë", përgatiten që në fëmijëri. Shumë komandantë nga brigadat e vetëvrasësve e kanë pohuar këtë fakt në intervista të ndryshme, duke pranuar se të gjitha trupat e tyre zgjidhen me kujdes në familje, të cilat i janë përkushtuar me shpirt suksesit të çështjes. Që të vegjël ndahen nga bashkëmoshatarët e tyre, vendosin një marrëdhënie të privilegjuar me liderin e tyre dhe realiteti që i rrethon "filtrohet" nga kjo marrëdhënie e komuniteti i jep një status shenjtori. I trajtojnë si ata që i ka sjellë fati, me devotshmërinë dhe ekzaltimin tipik të fanatizmit sportiv, politik dhe fetar. Ata janë të përzgjedhurit, fati donte që ata të bëheshin dora ndëshkuese e Zotit, ose e partisë dhe komuniteti i tyre i admiron e i respekton për këto arsye.

Internacionalja e vdekjes

Nëse kohë më parë e ashtuquajtura fabrika e kamikazëve ishte një industri me karakter familjar, artizanal, për të pasur vetëm një ndikim ose një figurë sipërfaqësore, edhe pse vdekjeprurëse dhe e bujshme, vetëm pas pushtimit të Irakut nga ana e forcave amerikane, regjistrat e internacionales patën një rritje të numrit të atentateve dhe krijuan laboratorë për të studiuar e eksperimentuar taktika e teknika, të cilat më vonë bëheshin konkrete në nivel botëror. Nuk është se grupet e ndryshme po i mësojnë njëra-tjetrës me dëshirë, por duke parë dhe analizuar mënyrat me të cilat, duke filluar nga viti 2001, organizatat e ndryshme terroriste dhe grupet e çlirimit nacional po përdorin pak a shumë modele të njëjta sulmi, arrijmë në përfundimin se këto grupe të paktën po e kopjojnë njëra-tjetrën. Po të shohim me vëmendje operacionet vetëvrasëse pas pushtimit të Irakut, janë përmirësuar mjaft mirë, kjo nga pikëpamja e suksesit dhe e forcës shkatërruese. Ndërsa në rastin e Afganistanit vihet re një rritje jo vetëm e sulmeve, por edhe e tipologjisë së objektivave të zgjedhur, të cilët sa vijnë e bëhen akoma më strategjikë.

Modeli Kabul

Nëse bëjmë disa llogari dhe kërkime na rezulton se sulmet vetëvrasëse në Afganistan, të cilët ishin gati të panjohur në vitin 2001, janë shumëfishuar me kalimin e viteve: në vitin 2001 shënohet një sulm vetëvrasës; në vitin 2003, tri të tilla; në vitin 2006, 118 sulme vetëvrasëse. Kohët e fundit, gati 50% e operacioneve të organizuara nga talebanët, bazohen në sulme vetëvrasëse. Dhe, për këtë fakt, nuk duhet të habitemi, pasi talebanët i adaptuan, sepse këto sulme patën tepër sukses dhe figuruan tepër strategjikë në Irak.

Vejushat e Zeza

Situatat e Irakut ndikuan edhe në Çeçeni, ku lufta për çlirim kundër rusëve filloi të shënonte episode tepër gjakderdhëse nga të dyja palët, me një rritje të numrit të sulmeve vetëvrasëse. Një nga të rejat më të fundit në konfliktin e Kaukazit është roli i femrave. Ato janë pagëzuar me emrin Vejushat e Zeza, për shkak të veshjes së tyre të zezë dhe deri në fund të vitit 2006 ato kishin realizuar 42% të atentateve. U bënë legjendare atentatet e motrave Amanat dhe Rosa Nagayeva, që në dy aksione të ndara, një në shtator të vitit 2004 me rrëzimin e një avioni dhe tjetri me shpërthimin në metropolitanen e Moskës, shkaktuan njëqind viktima. Tepër rastësisht (ndoshta jo) edhe atentati i parë vetëvrasës çeçen u krye nga një femër. U realizua në qershorin e vitit 2000 në qytetin Alkhan-Yurt nga 19-vjeçarja Khava Barayeva dhe shkaktoi vdekjen e 27 ushtarëve rusë. Gjithsesi, në Çeçeni është formuar një lidhje ndërmjet aspiratave shekullore dhe ato fetare të forcave rezistuese, kjo e ndikuar edhe nga ngurrimi me të cilën komuniteti ndërkombëtar i ka bërë presion Rusisë për të arritur në një zgjidhje të menjëhershme për rajonin, por sulmet vetëvrasëse këtu jo gjithmonë identifikohen me besimin dhe mbi të gjitha me atë islamik. Provë e këtij fakti janë Tigri Tamil, trupat e të cilëve në pjesën më të madhe janë marksiste e hindu dhe që e përdorin këtë lloj arme që në vitin 1987. Atentati i fundit i kryer në tetor të vitit 2006 nga një ushtar i vetëm Tamil kundër një flote detare Sri Lanka, vrau 95 marinarë. Madje, Tigri Tamil ka formuar dy lloje trupash të specializuara për sulmet vetëvrasëse: Tigrat e Zinj, djem nga mosha 14 deri në moshën 16 vjeç dhe Zogjtë e Lirisë, vajza të së njëjtës moshë. Rasti i Tigri Tamil më shumë se është përjashtim, përfaqëson gati-gati një rregull. Po të analizosh natyrën e sulmeve vetëvrasëse të ditëve të sotme, duke filluar që nga fillimi i luftës civile libaneze të viteve tetëdhjetë, nxjerr në pah se nga 362 atentatet e regjistruar deri në fund të vitit 2003 në zona si Sri Lanka, Izrael, Palestinë, Çeçeni, Irak dhe Nju-Jork, në të cilët u aktivizuan 462 kamikazë, vetëm 43% ishin organizuar nga grupe besimtare.

Fanatik dhe heronj

Por deri kur njerëzit bombë do të konsiderohen si fanatikë nga liderët e tyre dhe do të jenë në gatishmëri për të sulmuar? Që janë të gjithë persona psikologjikisht të tjetërsuar, kjo është e vërtetë. Në raste të tjera, një njeri bombë është një person që ka kaluar një traumë psikologjike në rastet kur ka humbur një familjar ose të afërm dhe shtyhet nga persona të caktuar për t‘u përgatitur dhe për të dhënë jetën për një çështje të caktuar. Por, tashmë jemi duke përjetuar një tjetër fenomen: kandidatët për vetëvrasje kanë gjithmonë e më shumë një përgatitje të madhe se sa një shtysë personale. Janë persona kompetentë ashtu siç na dëshmoi edhe tragjedia që ndodhi me dy kullat në Nju-Jork. Janë njerëz që kanë sukses në jetë dhe që arrijnë në atë vendim, sepse kanë një tjetër koncept për dashurinë e atdheut, për nderin e familjes ose një respekt të madh për klanin ku bëjnë pjesë dhe nevojat e tij. Dhe, në një aspekt më të ngushtë, ata zotërojnë një sens të fortë vetëmohimi. Por kjo nuk duhet të na duket e çuditshme. Perandori të tëra janë ndërtuar në bazë të këtyre themeleve. Ato që ne i konsiderojmë akte vetëvrasëse, në një kontekst kulturor të ndryshëm, mund edhe të konsiderohen si akte heroike. Nëse bëhet fjalë për akte vetëmohuese, gjithsesi nuk realizohen në mënyrë të thjeshtë dhe individuale. Ndodh e kundërta. Planifikohen me kujdesin më të madh, në mënyrë që të shkaktojnë sa më shumë dëme. Për shembull, xhamitë sulmohen gjatë celebrimeve të mëdha, ose gjatë orëve të lutjeve. Tregjet dhe vendet publike sulmohen në oraret më të populluara dhe madje me sulme të dyfishta. Një njeri bombë sulmon në ekstremin e vendit të populluar, në mënyrë që ta shtyjë turmën drejtë atentatorit tjetër, që ndoshta ndodhet në mes të sheshit, aty ku të gjithë do të mblidheshin pas shpërthimit të parë. Kështu, kamikazi i dytë, ndoshta edhe një i tretë, është gati të sulmojë në mes të turmës për të shkaktuar sa më shumë viktima dhe për të bërë sa më shumë bujë. Popullata duhet të dijë që kamikazët janë të padukshëm dhe në fakt ata janë vërtet të tillë, nuk dihet kurrsesi ku dhe kur ata do të sulmojnë sërish.

Përgatiti: Endrit Veleshnja - Shqip 

Bombat e transportuara nga njeriu

Në përgjithësi ato fshihen brenda një rripi, brenda rrobave, madje edhe të qepura brenda tyre, në një çantë, valixhe ose kuti. Pesha e eksplozivit varion nga 3 deri në 7 kilogramë. Rrezja e shpërthimit nga ai shkatërrues deri në atë të moderuar është 10 deri në 30 metra. Rrezja e goditjes maksimale: 60 metra. Dëmet varen edhe nga natyra e shënjestrës, sasia e eksplozivit, copat e metalit që futen në bombë dhe nga pozicioni i sulmuesit.

Bombat e transportuara nga një mjet

Motobomba

Pesha e ngarkesës eksplozive: nga 10 deri në 30 kilogramë

Rrezja e dëmeve maksimale: nga 30 deri në 50 m

Rrezja e dëmeve minimale: deri në 100 m

Autobomba

Pesha e ngarkesës eksplozive: nga 200 deri në 400 kilogramë
Rrezja e dëmeve maksimale: 80 m
Rrezja e dëmeve minimale: deri në 600 metra

Furgon i vogël

Pesha e ngarkesës eksplozive: 1500 deri në 2000 kilogramë
Rrezja e dëmeve maksimale: më shumë se 100 m
Rrezja e dëmeve minimale: më shumë se 900 metra

Furgon i madh

Pesha e ngarkesës eksplozive: më shumë se 4500 kilogramë
Rrezja e dëmeve maksimale: më shumë se 250 m
Rrezja e dëmeve minimale: më shumë se 1300 m

Kamionë të vegjël dhe autocisternë

Pesha e ngarkesës eksplozive: 14 mijë kilogramë
Rrezja e dëmeve maksimale: më shumë se 400 m
Rrezja e dëmeve minimale: më shumë se 1500 m

Kamionë të mëdhenj

Pesha e ngarkesës eksplozive: më shumë se 25 mijë kilogramë
Rrezja e dëmeve maksimale: më shumë se 600 m
Rrezja e dëmeve minimale: më shumë se 2 mijë m



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora