E shtune, 12.10.2024, 11:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Greqia të ndryshojë politikat ndaj shqiptarëve

E shtune, 24.11.2007, 07:06 PM


Numri i lartë i emigrantëve shumë shpejt do të kthehet në faktor vendimtar në shtetin helen

Ambasadori Minarolli ka kërkuar ndihmë për pajisjen e emigrantëve me dokumente të rregullta

Shqipëria kërkon nga shteti grek ndryshimin e politikës që ndjek ndaj shqiptarëve dhe hartimin e strategjive që do të jenë më shumë në ndihmë të tyre. Një qëndrim i tillë mbështetet në numrin e madh të shqiptarëve që janë në këtë shtet, si dhe në kontributin që ata japin në ndihmë të tij. “Qeveria greke duhet të zbusë qëndrimin ndaj emigrantëve shqiptarë, pasi këta të fundit brenda një kohe të shkurtër do të bëhen faktori kyç i politikës greke, duke parë dhe përhapjen masive të tyre në këtë vend”. Kjo është deklarata e bërë nga ambasadori ynë në Greqi, Vili Minarolli, gjatë takimit të zhvilluar me kreun e Partisë Parlamentare Greke “Synaspizmo”, Aleko Alavano.

Një ndër çështjet më të rëndësishme që është diskutuar gjatë këtij takimi ka qenë ajo e pajisjes së emigrantëve, sidomos atyre të brezit të dytë, me letra të rregullta, në mënyrë të tillë që të mos paraqiten pengesa gjatë lëvizjes së tyre ndërmjet vendeve. Përveç këtij problemi, diskutime janë zhvilluar dhe në lidhje me çështjen e Kosovës, si dhe të ndryshimeve që do të priten në të. Pavarësisht qëndrimeve, pala greke ka premtuar se do të bëjë më shumë në trajtimin e emigrantëve.

Qëndrimi

Gjatë takimit, Minarolli është shprehur se shqiptarët për pak kohë do të mund të kushtëzojnë dhe përcaktojnë qeverisjen në Greqi. Ajo që ishte për t’u shënuar ka të bëjë me faktin se për herë të parë gjatë bisedimeve të tilla del hapur mendimi se shqiptarët, përveçse faktor shoqëror dhe ekonomik, do të kthehen edhe në faktor politik ,sapo t’u jepet e drejta e votës. Në lidhje me këtë qëndrim, ambasadori Minarolli i ka kërkuar përfaqësuesit grek se duhet kontributi i të gjitha partive parlamentare e çdo segmenti të politikëbërjes që të ndihmohen emigrantët që të jetojnë sa më mirë. Një ndër çështjet më të rëndësishme që është diskutuar ka qenë ajo e pajisjes së emigrantëve me letra të rregullta. Kështu, ambasadori ka përmendur brezin e dytë të emigrantëve shqiptarë, që tashmë janë rritur dhe shkolluar në Greqi, si një brez ndaj të cilit politika greke duhet të jetë më vullnetmirë. Kjo kategori është rritur në këtë vend dhe meriton që të trajtohet në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë grekë. Në këtë mënyrë, trajtimi i barabartë i tyre duhet të përfshijë sigurisht dhënien e të gjitha të drejtave ekonomike, shoqërore dhe politike, duke përfshirë si kusht kryesor pajisjen e tyre me dokumentacionin e plotë e të nevojshëm në bazë të nivelit evropian të kërkesave.

Marrëdhëniet

Gjatë takimit, ambasadori ynë ka vlerësuar qëndrimin konstruktiv të kësaj partie në lidhje me emigrantët shqiptarë, si dhe nismat pozitive që u premtuan se do të ndërmerren në trajtimin e tyre. Sipas Minarollit, tashmë niveli i marrëdhënieve mes dy vendeve tona është konsoliduar dhe duhet të shohë vetëm përpara. Këtë e tregon më së miri ekzistenca e faktorit shqiptar në Greqi, si dhe komuniteti i minoritetit grek në Shqipëri që duhet të shihen si dy ura të shëndosha të marrëdhënieve dypalëshe.

Emigrantët shqiptarë të rritur në këtë shtet

Kërkohet ndihmë për marrjen e nënshtetësisë

Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimit ndërmjet dy palëve ka qenë dhe pajisja e emigrantëve me dokumentet e duhura. Kështu, është cilësuar si e pajustifikueshme që emigrantë shqiptarë që mbushin moshën 18 vjeç e janë rritur në Greqi apo edhe vazhdojnë të shkollohen, të mos kenë dokumente për të lëvizur lirisht ndërmjet dy vendeve apo atyre të tjera. Lidhur me këtë problem, ambasadori i ka kërkuar kreut të partisë greke që të ndërhyjë pranë legjislativit grek ,që të ndryshojnë këtë situatë.

“Greqia duhet të bëjë më shumë veçanërisht për të rinjtë, brezin e dytë të emigrantëve që u rrit në Greqi, mori kulturën greke. Diskutuam edhe çështje të tjera. Gjetëm mirëkuptim të plotë. Sigurisht, duke mbajtur secili mendimin e tij dhe duke respektuar njëri-tjetrin”, deklaroi Minarolli. Kërkesë kjo që është pritur me nota pozitive nga përfaqësuesi grek, pasi do të ndikojë në krijimin e marrëdhënieve më të mira ndërmjet dy vendeve, si dhe zhdukjen e racizmit që ekziston në këtë drejtim. “Kjo do të thotë që të gjithë fëmijët që lindin në Greqi të kenë të drejtën e nënshtetësisë dhe të gjithë emigrantët shqiptarë pas një 5-vjeçari të kenë të drejtën e kërkesës për nënshtetësinë greke”, ka deklaruar Alvaro gjatë takimit. Përveç këtyre, është premtuar se do të bëhet më shumë në trajtimin e emigrantëve shqiptarë si në përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, në anën sociale, ashtu dhe në atë ekonomike. “Në pjesën më të madhe të çështjeve të diskutuara kemi rënë dakord në lidhje me propozimet. Sigurisht që z. kryetar kishte mendimin se shqiptarët, përveçse një faktor shoqëror dhe ekonomik, shihen edhe si faktor politik tashmë”, ka përfunduar ambasadori Minarolli. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora