E hene, 11.11.2024, 01:13 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Përkujtohet, 12 dhjetori i '90, dita e rilindjes së shpresës së madhe të shqiptarëve, krijimit të pluralizmit

E merkure, 12.12.2007, 07:54 PM


17 vjet më parë, PD rrëzonte diktaturën

Partia Demokratike festoi dje, në Pallatin e Kongreseve, 17-vjetorin e formimit të saj. Në pritjen e organizuar merrnin pjesë qindra aktivistë, demokratë e qytetarë shqiptarë, që i janë bashkuar festës në nder të asaj që kurorëzoi ëndrrat e mbarë shqiptarëve dhe u solli atyre lirinë, demokracinë dhe integrimin. Në këtë ceremoni, kryeministri Berisha ka falenderuar të gjithë ata që me forcën intelektuale të tyre, me vullnetin dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa, formuan Partinë Demokratike, partinë e parë opozitare, që mblodhi në gjirin e saj të gjitha ëndrrat e shqiptarëve për të qenë të lirë.

"Sot, ne festojmë dhe nderojmë së bashku 17-vjetorin e themelimit të pluralizmit politik në Shqipëri, si ditën e rilindjes së Lirive dhe të Drejtave Njerëzore për qytetarët shqiptarë, pas rreth gjysmë shekulli të diktaturës enveriane, regjimit më represiv dhe më të egër që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij. Kjo datë, një ndër më të mëdhatë në historinë tonë kombëtare, lidhet me themelimin e PDSH, partisë së parë opozitare, pas një monizmi ekstrem gjysmë shekullor, një monizmi total". Më pas, kreu i Partisë Demokratike solli ndërmend disa çaste nga data e formimit të kësaj partie. "Rreth orës 23 të datës 11 dhjetor të vitit 1990, studentë të Universitetit të Tiranës, që u shfaqën në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti si engjëj të vërtetë të aspiratave demokratike të qytetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga tribuni i lirisë, studenti Azem Hajdari, profesorë, pedagogë dhe asistentë të këtyre universiteteve, intelektualë dhe punonjës të Tiranës, themeluan në vendin e diktaturës më të egër, vendin e lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me kushtetutë dhe hiperkolektivizmit total, në vendin e izolimit më të thellë në Evropë, Partinë Demokratike".

Përqafime, shtrëngime duarsh e urime të shumta

Në këtë pritje mernin pjesë edhe shumë qytetarë të thjeshtë, të cilët, të përlotur, kanë përshëndetur kryeministrin Berisha dhe e kanë uruar për këtë përvjetor të shtatëmbëdhjetë. Kryeministri Berisha, një prej krijuesve të Partisë Demokratike, është përshëndetur me të gjithë pjesëmarrësit, duke i falenderuar ata për kontributin e tyre gjatë këtyre viteve. Përqafime, shtrëngime duarsh e urime të shumta janë dhënë nga të gjithë të pranishmit. Të gjithë kanë ngritur lart kontributin e çmuar që Partia Demokratike ka dhënë në zhvillimin e vendit. Rolin që kjo parti, edhe pse me vështirësi të shumta, pasi kishte marrë vendin në dorë nga një hendek i thellë i krijuar gjatë 45 vjetëve diktaturë, ta nxirrte atë në dritë, në mënyrën më të mirë të mundshme. Partia Demokratike përmblodhi ëndrrat e të gjithë shqiptarëve pa dallim moshe, krahine, feje e ideje dhe u dha atyre lirinë. Lirinë e fjalës, lirinë e lëvizjes, lirinë e gjithçkaje të mohuar padrejtësisht më parë. Rruga që kjo parti ka përshkuar gjatë këtyre viteve nuk ka qenë një rrugë e drejtë dhe pa vështirësi, por duke patur parasysh se në politikën e kësaj partie qëndronin të mbështjella mirë dëshirat e një populli të rraskapitur e të torturuar, rruga që ka përshkuar është bërë më e lehtë, me synimin që shqiptarët të kishin Shqipërinë atje ku e donin, në Europë e të zhvilluar si vendet e tjera të lira.

Shqipëria, më pranë se kurrë integrimit në BE dhe NATO

Ishte kjo forcë politike që me shpejtësi rroku aspiratat e çdo shqiptari dhe i ktheu ato në integrim gradual të vendit. Edhe pse nën një presion të madh, edhe pse pa asnjë mbrojtje ligjore apo shtetërore, kjo forcë e re politike, e ushqyer prej gjakut të mijëra shqiptarëve demokratë, gjeti rrugën e lirisë e të dinjitetit dhe ua solli atë të gjithë shqiptarëve.

"Në 4 vitet e para të qeverisjes së saj, PD ia doli që Shqipërinë e izolimit më të thellë ta shndërrojë në një vend të hapur, që ecën i sigurt drejt rikthimit të tij në familjen e kombeve që u takon. Ia doli të mbrojë interesin kombëtar të shqiptarëve si kushtin më vendimtar për ecjen e tyre në rrugën e lirisë dhe demokracisë. Ia doli ta anëtarësojë Shqipërinë në Këshillin e Evropës. Ia doli të zëvendësojë hiperkolektivizmin total me ekonominë e lirë të tregut, si dhe të vendosë marrëdhënie të shkëlqyera partneriteti me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe marrëdhënie të fortë tregtare dhe të tjera me BE", tha kryeministri Berisha. Të gjithë të pranishmit, duke shkëmbyer urime e përshëndetje, i kanë uruar Partisë Demokratike veprimtari të pasur në jetën e saj politike.

Në këtë ceremoni nuk mungonin as pjesëmarrës nga opozita, personalitete të shumta të jetës së vendit, figura të njohura të ekranit si dhe dashamirë që janë bashkuar me gëzimin e një ditëlindjeje të partisë së parë opozitare në vend, që bëri të pamundurën të mundur dhe solli pluralizmin dhe lirinë në Shqipëri.

Kreu i Partisë Demokratike tha gjithashtu se kjo forcë politike tashmë prej dy vjetësh në qeveri, po jep rezultatin maksimal, duke e çuar vendin drejt një rruge zhvillimi demokratik. "Në dy vjet, Partia Demokratike i dha vendit qeverisjen më të vogël që ka patur në historinë e tij dhe ndoshta qeverisjen më të vogël në Evropë. U angazhua në një betejë të pandërprerë kundër krimit të organizuar, sot Shqipëria është një ndër vendet më të sigurta të rajonit dhe më gjerë. E angazhuar në një betejë të ashpër me korrupsionin dhe ia doli që administrata e saj të shkurtojë shpenzimet me mbi 100 milion euro, sikundër rriti të ardhurat me mbi 1 miliard dollarë, që të gjitha si rezultat i luftës kundër evazionit, kontrabandës dhe korrupsionit".

Të solidarizuar me këto arritje kanë qenë të gjithë pjesëmarrësit, ashtu siç janë të gjithë shqiptarët që e duan dhe e mbrojnë demokracinë.

PD lindi katër ditë pas protestave të mëdha të studentëve

17 vjet më parë, më 12 dhjetor 1990, u krijua Partia Demokratike e Shqipërisë, e para parti opozitare me diktaturën më të egër në Europë. Partia Demokratike lindi vetëm katër ditë pas shpërthimit të protestave në Qytetin "Studenti" dhe u vu menjëherë në krye të kësaj lëvizjeje mbarëpopullore, për liri dhe demokraci. 12 dhjetorit i parapriu Lëvizja Studentore, prijës i të cilës ishte Azem Hajdari. Bashkë me studentët që u përleshën me policinë dhe forcat speciale, u bashkuan edhe intelektualë të shquar, por edhe i gjithë populli që ishte i etur për liri dhe demokraci. Lëvizja Studentore u kthye në një revoltë popullore kundër regjimit më të egër. Menjëherë tek studentët shkuan edhe Prof. Dr. Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Arben Imami, Preç Zogaj, e shumë intelektualë të tjerë.

Themelimi i PDSH u shpall në Tiranë, më 12 dhjetor, në orën 16.00, në një miting historik madhështor, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike, dhe u komunikua programi minimal i PDSH. 12 dhjetorin e përgatitën dhe e sollën aspirata e hershme popullore për liri dhe demokraci, revolta masive që vlonte si vullkan ndaj diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Formimin e kësaj force të dëshirave të shqiptarëve e sollën demonstratat dhe manifestimet e tjera në Kavajë, Shkodër, Tiranë.

Lindja e kësaj partie erdhi si domosdoshmëri për shembjen e sistemit totalitar dhe si rrjedhojë, PD gjeti mbështetje të fuqishme në të gjithë vendin. Partia Demokratike, e konceptuar dhe e ndërtuar si parti e vërtetë moderne demokratike, hartoi dhe shpalosi përpara vendit një program konkret, shkencor, të qartë dhe të zbatueshëm, që u bë ideator për lëvizjet dhe transformimet demokratike në Shqipëri.

Orët e para të PD, takime dhe mbështetje madhështore në Tiranë

11 dhjetor ora 9.00

Filloi mitingu i ditës. Pjesëmarrje e jashtëzakonshme, sepse tashmë Qyteti "Studenti" ishte çliruar nga komunizmi. U komunikua se R.Alia priste një përfaqësi prej 30 vetësh në takim, në mbrëmje. Çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet.

Ora 10:00-16:00

Vazhdoi zgjedhja e delegatëve nëpër fakultete.

11 dhjetor ora 18.00

Arriti autobusi dhe në mënyrë madhështore u bë nisja e studentëve dhe pedagogëve për takim me Presidentin komunist Alia.

Ora 20.00

Nëpërmjet RTV u komunikua deklarimi i pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH.

Ora 21.00

Delegacioni u kthye me një pritje entuziaste e madhështore. Delegacioni i cilësoi bisedimet të suksesshme dhe u tha se do të formohej opozita e parë. Pati disa propozime për emrin e partisë së re dhe u la për të nesërmen në mitingun e madh të pasdites.

12 dhjetor, ora 9.00

U mbajt mitingu i parë i punëtorëve në Qytetin "Studenti", ndërkohë që prej darkës së parë në godinën 15 vazhdonte hartimi i dokumentave prezantuese të PD. U mblodhën 365 nënshkrime të domosdoshme për themelimin e një partie, nga të cilët 194 ishin studentë.

Ora 16.00

Në një miting historik madhështor u shpall themelimi i PDSH, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u komunikua programi minimal i PDSH.

Studentët, përplasja e madhe me policinë

Çfarë do të ndodhë më pas? Kjo ka qenë pyetja që ka stërmunduar studentët protestues më 9 dhjetor, të cilët kishin guxuar të sulmonin shtetin e diktaturës së proletariatit një natë më parë. Studentët apo drejtuesit e tyre me në krye Azem Hajdarin kanë filluar të mendojnë për përplasjen e madhe. Duhet thënë se në këtë kohë nuk ka patur bartës të autorizuar për të sulmuar rregullin tragjik të gjërave të sistemit. Ka patur vetëm spontanitet. Këta njerëz ishin antikomunistë dhe të dielën më 9 dhjetor, preokupimi kryesor i tyre ka qenë që të bëheshin shumicë. Për këtë ata duhet të dilnin në Sheshin "Skënderbej" me shpresë se do të gjenin përkrahjen e Tiranës. Nga ora 8-9 e mëngjesit studentët konviktorë, por edhe të tjerë nga Tirana, si dhe pedagogë janë grumbulluar në Sheshin "Demokracia". Aty është vendosur që të marshonin drejt Tiranës. Në orën 9 të mëngjesit ka filluar Lëvizja e Studentëve me në krye Azem Hajdari. Kjo ishte një përpjekje madhështore për të integruar Tiranën në revolucionin studentor, në mënyrë që regjimi të mos i izolonte, të mos i thyente me metodat e tij të hekurta të dhunës. Duke qenë të rrethuar dhe nën mbikqyrjen e fortë të regjimit, studentët kësaj radhe nuk kanë zgjedhur Rrugën "Budi", si një rrugë ters, ku u përplasën një natë më parë me policinë. Ata kanë marrë rrugën tjetër që të çon drejt qëndrës së Tiranës në drejtim të Fakultetit Histori Filologji, pra, rrugën e "Elbasanit". Rreth orës dhjetë, në afërsi të Shkollës së Mesme Artistike, e njohur në Tiranë si Liceu, protestuesit kanë hasur në një gardh të trefishtë policësh, forcash speciale të ndërhyrjes së shpejtë, sigurimsash të veshur civilë dhe makinash ushtarake. Rruga ishte ndërprerë. Studentët kanë filluar të hidhnin parrullat "Nuk duam si në Kosovë", "Hiqni policinë", "Nuk duam dhunë", "Jemi për paqe", etj. Aty është hedhur për herë të parë sllogani "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". Ky slogan ngjante tepër sfidues në gojën e studentëve të rrethuar nga kordona policësh. Komunikimi me policinë ka qenë i prerë. Studentët kanë deklaruar se i kërkonin Ramiz Alisë të bënte publik personin që kishte urdhëruar që të përdorej dhuna një natë më parë, për ndryshe marshimi i tyre do të ndalej vetëm në Sheshin "Skënderbej". Lëvizja është si puna e historisë. Aty ku duket se gjithçka mund të marrë fund, ajo rilind. Studentët po tregonin vullnet të fortë. Njëri prej tyre u thotë shokëve për rreth se, "kemi me vete edhe pedagogë", ndwrsa bashkw me ta ishte pedagogu, Sali Berisha

Berisha, i pari nga intelektualët që ju bashkua studentëve

Berisha ishte ndër të parët intelektualët shqiptarë me reputacion mbarëkombëtar dhe europian, që u bashkohet protestave studentore. Siç shprehet studiusi i shquar Elez Biberaj tek libri i tij, "Shqipëria në tranzicion", intelektualët deri në atë kohë ishin mosdashës ndaj një ballafaqimi të hapur me regjimin, ndaj veprimtarive antiqeveritare". Pavarësisht pse Berisha dhe Pashko ishin shfaqur si intelektualë të prirur për reforma, vetëm të rinjtë ishin të gatshëm për t'u përleshur me qeverinë, vëren ai. Në këtë kohë, Berisha ishte bërë një figurë e njohur për shkak të konfrontimit me Ramiz Alinë, në një takim që ky i fundit kishte mbajtur me intelektualët në Gusht 1990. Por edhe për shkak të artikujve të tij, të cilët siç shkruan edhe Biberaj, "kishin provokuar pluralizmin politik". Siç ka thënë vetë Azem Hajdari, në të gjallë të tij, të gjithë studentët kishin gjetur tek Berisha njeriun me vizion, mbrojtësin e palëkundur, si dhe ideatorin e madh. Berisha siç duket kishte zgjedhur përfundimisht që të dilte hapur kundër regjimit. Në fakt, ai qysh në takimin e gushtit ishte dalluar prej intelektualëve të tjerë në konfrontimin me Presidentin komunist Alia. Por, ndërsa gjendja në vend vinte duke u përkeqësuar, regjmi nuk po thyhej, biles as nga kolapsi i plotë ekonomik dhe as nga kushtet që i kishte vënë komuniteti ndërkombëtar pas ngjarjes të 2 Korrikut, ku rreth 5000 të rinj të Tiranës patën hyrë në ambasadat perëndimore. Ata i patën dhënë një të goditur të fortë sistemit të hekurt, por dhe tërhequr vëmendjen e Perëndimit rreth asaj që po vazhdonte të eksperimentohej në Shqipëri. Në verën e vitit 1990, Berisha pati dhënë një intervistë për gazetën "Drita", organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e cila i konsiderua mjaft liberale apo e avancuar për kohën. Nëpërmjet kësaj interviste dhënë gazetarit të njohur të "Dritës", Skënder Buçpapaj, ai pati hedhur ide të guximshme, të cilat nuk patën kaluar pa një debat të fortë në opinionin publik në tërësi dhe veçanërisht në radhët e rinisë shkollore. Autori i intervistës pati befasuar rrethet intelektuale dhe artistike të Tiranës, jo vetëm për idetë e avancuara politike, por edhe për kulturën sfiduese që prezantonte ai. Berisha dha të kuptojë nëpërmjet kësaj interviste, se ishte jo vetëm një njohës i mirë i tendencës për ndryshim të shpirtit kombëtar, por edhe i kulturës dhe politikës perëndimore, i të drejtave të njeriut dhe hapjes, elemente këto për të cilat kishte nevojë shoqëria shqiptare, pas rreth 46 vjetëve diktaturë. Në Shtator 1990, Berisha kishte botuar një tjetër artikull në gazetën "Bashkimi", ku bënte thirrje për pluralizëm politik. Ai u drejtohet intelektualëve me apelin që të mbështesnin demokratizimin e vendit. Ndërkohë që Kadare largohet nga Shqipëria, duke shpallur më 25 tetor të atij viti azilin e tij politik në Francë, me shpresa të thyer për një premisë pluralizmi politik në Shqipëri, Berisha vendos të luftojë deri në fund me diktaturën. Në Nëntor 1990, ai boton një tjetër artikull tek "Zëri i Popullit", në të cilin shprehet se vendit i duhet pluralizmi politik dhe jo pluralizmi i ideve, siç kishte deklaruar Ramiz Alia. Në këtë mënyrë pedagogu dhe shkencëtari i shquar shqiptar Sali Berisha, ishte bërë interpreti më i besueshëm i shqiptarëve për liri dhe demokraci. Atij i kishte munguar deri tani vetëm masa e njerëzve revolucionarë për të ndërtuar idetë e tij dhe pikërisht tani kishte gjetur. Prandaj edhe gjendej në mes të tyre. Ai ishte një nga ata që besonte se fati i historisë mund të ndryshonte në të mirë për shqiptarët. Ai ishte njeriu që i duhej këtij revolucioni të madh. Studentët, pasi panë vendosmërinë e tij pranuan atë në shtabin e drejtimit të demostratave. Biles e kishin kërkuar atë si edhe disa pedagogë të tjerë qysh më 8 dhjetor, kohë kur ai do të kthehej nga një shërbim jashtë shtetit.

 

 

Remzi Lani: Ndër ditët më të rëndësishme të shqiptarëve

Sigurisht është një ditë e rëndësishme, ndër më të rëndësishmet në historinë e shqiptarëve dhe një gjë është e sigurt, Shqipëria e sotme me Shqipërinë e asaj kohe është një vend tjetër dhe kjo është gjëja më e rëndësishme dhe krahasimet nuk hyjnë. PD ka qenë forca më e rëndësishme transformuese e Shqipërisë në këtë periudhë.

- Çfarë duhet të mbesë ende e ruajtur dhe çfarë duhet të ndryshojë në ecjen e PD-së përpara?

Mendoj se reformimi i vazhdueshëm është sfida themelore e PD-së dhe jo vetëm e PD-së.

Genc Ruli: Misioni i 12 dhjetorit '90 është i realizuar

Shqipëria sot është, në mënyrë të pakthyeshme, ajo që ne donim në atë kohë të ishte dhe vërtet këtu është një meritë, së pari, e vetë PD-së që përgjithësisht në gjithë jetën e saj historike e mbajti këtë flamur të mesazhit të ditës së parë, është meritë e gjithë shqiptarëve që demokracinë e bënë shumë shpejt mentalitet të qenies së tyre dhe të shtetit të tyre

Koha nxjerr në pah dy fenomene që i humbasim shpesh në memorien tonë: përmasën e vërtetë historike të asaj ngjarjeje, sepse bëhet pjesë e të përditshmes sonë dhe mendojmë që ka qenë një ditë po kaq normale vetëm me entuziazmin e asaj që është sot. Do të thoja që pikërisht ne që kemi patur fatin të ishim aktorët e atij momenti, jemi të parët që duhet t'ua kujtojmë dhe t'ua themi të tjerëve madhështinë e vërtetë që ka ajo datë. Ajo erdhi vërtet shumë spontanisht, u bë shumë shpejt pjesë e jetës historike të Shqipërisë, e jetës sonë individuale, por unë do ta rendisja me pak fjalë: "Ditët e mëdhaja të historisë së Shqipërisë". Simbolika e saj rrezaton shumë më tepër se sa themelimi i një partie, është partia e parë e opozitës, është sfida e parë e një regjimi 50-vjeçar. Kjo ishte kurajoja e parë civile dhe politike e shqiptarëve, që fati e dha që të ishim ne protagonistë, rastisi që ne të ndanim po atë guxim, po atë protestë, po atë besim që e ardhmja erdhi për të gjithë shqiptarët. Sot nuk duhet të kemi asnjë vështrim kritik në lidhje me madhështinë e asaj dite. Mesazhi dhe misioni i asaj dite është i realizuar, është më se i realizuar. Shqipëria sot është shumë më tepër se ajo që mendonim dhe shpresonim në atë kohë të ishte. Shqipëria sot është, në mënyrë të pakthyeshme, ajo që ne donim në atë kohë të ishte dhe vërtet këtu është një meritë, së pari, e vetë PD-së që përgjithësisht në gjithë jetën e saj historike e mbajti këtë flamur të mesazhit të ditës së parë, është meritë e gjithë shqiptarëve që demokracinë e bënë shumë shpejt mentalitet të qenies së tyre dhe të shtetit të tyre.

Arben Imami: PD realizoi misionin historik

E rëndësishme është që PD arriti të konkretizojë pluralizmin politik, arriti të kryejë reforma serioze për ekonominë e tregut në Shqipëri, por besoj se në tërësinë e saj PD ka realizuar edhe atë mision historik të saj, që ka qenë i lidhur me lirinë e fjalës, të mendimit, besimit, lëvizjes, të pronës, që janë të domosdoshme.

Valentina Leskaj: PD është një forcë e madhe

- Si e vlerësoni rolin e PD-së pas kaq vitesh që ajo feston krijimin e saj?

Natyrisht që ne jemi këtu për të uruar festën e PD-së. Doemos që PD-ja, ashtu si e gjithë shoqëria shqiptare, ka lëvizur. Unë shpresoj që edhe në të ardhmen, PD të vijë duke u përmirësuar, të jetë një parti që të ofrojë një qeverisje më të mirë, pasi, për fat të keq, për hir të së vërtetës, ajo që ka ofruar deri tani përsa i përket qeverisjes, nuk është se premton ndonjë gjë për shqiptarët, por gjithsesi në këtë ditë feste nuk dua të flas për problemet, por dua të flas për atë që PD është një forcë e madhe, është një forcë e rëndësishme, që ka luajtur një rol në Shqipëri, në opozitë për 8 vjet, tani luan një rol në qeverisje, është pjesë e domosdoshme e shoqërisë shqiptare, është pjesë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme e demokracisë shqiptare.

- Ju keni ardhur këtu sonte për të uruar, gjë kjo që nuk ka ndodhur më parë. Si e vlerësoni këtë?

Unë besoj se kjo është dhe duhet të mbetet një gjë normale në shoqëritë demokratike, që partitë dhe forcat e ndryshme politike, pavarësisht nga diferencat që kanë, gjëra si festat apo celebrimin e ditëve, duhet të shkojnë tek njëra-tjetra, besoj se kjo është shenjë e emancipimit të politikës shqiptare. Prezenca jonë sot këtu është shenjë e emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe e politikës, gjithashtu që është pjesë e kësaj shoqërie. Nuk më duket një gjë anormale, më duket një gjë që duhet të funksionojë në shoqërinë shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora