E diele, 28.04.2024, 12:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Dyert e lirisë u hapën më 8 dhjetor

E shtune, 08.12.2007, 11:00 PM


Nga Sali BERISHA

Heroi i Demokracise, Azem Hajdari
Ne rikujtojmë së bashku 8 dhjetorin, ditën e dhjetorit të madh, siç do ta quanin atë vit, ditën në të cilën rinia studentore shqiptare nisi betejën për çlirimin e këtij vendi, këtij kombi, nga tirania më e egër që shqiptarët kishin njohur në gjithë ekzistencën e tyre. 8 Dhjetori i vitit '90 shënon përballjen e parë të fuqishme në rrugët e Tiranës, të studentëve të udhëhequr nga lideri i tyre legjendar Azem Hajdari, në rrugët e Tiranës, me diktaturën orvelliane hoxhiste, në një betejë tmerrësisht të rrezikshme, tërësisht të pabarabartë, por me një vendosmëri që me shpejtësi të madhe do të krijonte në vend uraganin popullor më të paparë në historinë e tij. 8 dhjetori çeli për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e lirisë për çdo qytetar shqiptar, rrugën drejt dinjitetit të munguar njerëzor. Ishte Lëvizja Studentore shqiptare, të rinjtë e universiteteve të Tiranës dhe më pas të universiteteve të tjera të vendit që, në kuptimin më të plotë, morën në duart e tyre flamurin e lirisë, të cilin do ta shëtisnin në qindra e qindra takime në të katër anët e një vendi tmerrësisht të rraskapitur, një populli që luhatej në shkajet e ekzistencës së tij për ta zgjuar, për ta ngritur, inkurajuar. Në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Lëvizja Studentore e vitit '90 është lëvizja më e lavdishme, më idealiste, më madhështore që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij. Studentët kishin një ëndërr: Shqipërinë demokratike, Shqipërinë si Europa. Ëndrra e tyre sot nuk është realizuar ende, por është më afër se kurrë realizimit. Secili prej atyre që u përball në rrugët e Tiranës me tanket, shkopinjtë e gomës, me gazin lotsjellës, por edhe me plumbat, sot gjen një vend shumë afër idealeve, aspiratave për të cilat luftoi. Ata gjejnë një Shqipëri krejtësisht tjetër, një Shqipëri të qytetarëve të lirë që ecën me besim të plotë drejt integrimit në BE dhe NATO. Të shprehim së bashku nderimin më të thellë për studentët e universiteteve të Tiranës, liderin e tyre legjendar Azem Hajdari, atë grup intelektualësh që u bashkua në orët e para me ta. Të gjithë qytetarët e Tiranës që u bënë një mburojë njerëzore për engjëjt e demokracisë. Le të shprehim nderimin më të madh për ta sot!

Nga Lëvizja e Dhjetorit kam shumë momente. Do të flas për momentin e parë kur unë bashkë me dy miq të mi, më 8 dhjetor, pasi morëm vesh se studentët janë në demonstratë, për shkak se vendi ishte krejt i rrethuar me një prani ushtarake dhe policore të jashtëzakonshme, kemi mundur që nëpërmjet rrugicave të dalim e të gjendemi vetëm pak metra nga studentët që demonstronin. Ata ishin të vendosur në Rrugën e "Elbasanit", mund të them 15-20 metra mbi rezidencën e ambasadorit italian që në atë kohë ishte muzeu "Lenin-Stalin" dhe po hidhnin parrulla: "Liri, Demokraci!", "Poshtë dinastia!". Aty kam parë për herë të parë liderin e tyre Azem Hajdari, të cilin e ngrinin mbi shpatullat e tyre për të hedhur parrulla. Brenda një kohe të shkurtër është bërë ndërhyrja më brutale kundër tyre, një ndërhyrje çnjerëzore, duke u vërsulur mbi ta forca të panumërta nga të dyja anët e rrugës, të cilët i kanë goditur në mënyrë çnjerëzore. Forcat ishin të armatosura, ndër të tjera edhe me sopata, dhe natyrisht bashkë me dy miqtë e mi protestuam, iu thamë se ky është një akt barbar, çnjerëzor, për të cilin ne do t'iu denoncojmë. Na thanë se studentët na gjuajtën me gurë, por fatmirësisht në rrugë nuk kishte asnjë gur. U thamë se ky është një mashtrim dhe ju jeni sjellë në mënyrën më barbare ndaj tyre.

Integrimi europian ishte ëndrra e tyre. Kjo është më afër realizimit se sa kurrë më parë. Natyrisht, integrimi i plotë i Shqipërisë në BE dhe NATO është realizimi i plotë i ëndrrës së tyre, i ëndrrës së shqiptarëve. Tani ndodhet më afër se asnjëherë dhe ndodhet afër jo vetëm si aspiratë, por si proces i garantuar nga një seri marrëveshjesh në zbatim e sipër.

8 dhjetori, një plan i Zotit për shqiptarët

Nga Mujë BUÇPAPAJ

8 dhjetori 1990 është dita e parë e lirisë dhe pluralizmit, pas rreth 45 vjetësh diktaturë komuniste. Studentët e Universitetit të Tiranës mbartin edhe përgjegjësinë, edhe guximin për suksesin e kësaj dite. Suksesi i lirisë qëndron tek zgjedhjet që bëjnë njerëzit, si dhe tek guximi i tyre.

Studentët e Universitetit të Tiranës patën guximin e duhur për të shkuar përpara, por edhe vizionin e qartë për të bërë zgjedhjen. Ata themeluan traditën e lëvizjes në një kohë shpresash të lëkundura dhe parashikimesh të zymta. Pas rënies së "perdes së hekurt" në Evropë, vetëm vende si Kuba, Koreja e Jugut, Kina dhe Shqipëria kishin mbetur komuniste. Azem Hajdari, Arben Broci, Avdyl Matoshi dhe mijëra të tjerë rreth tyre patën gatishmërinë për të sakrifikuar si dhe kthjelltësinë për të rikrijuar lirinë dhe atdheun, pa komunizmin dhe veglat e diktaturës. Më 8 dhjetor, studentët ngritën dorë kundër kontrollit të shtetit në jetën njerëzore, kundër shoqërisë së kazermës dhe hafijeve të regjimit. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh, diku në periferi të Tiranës, me baltë dhe terr, siç ishte Qyteti "Studenti", kishin dalë jashtë kontrollit të diktaturës. Thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa" dhe "Poshtë diktatura," goditën në themel regjimin, duke i ndryshuar faqen Shqipërisë. 8 dhjetori është një ngjarje e madhe.

8 dhjetori i dha fund dilemës se nga do të shkonte shoqëria shqiptare.

Një ideologji e vjetër dhe e egër si komunizmi, më 8 dhjetor ra duke goditur rëndë diktaturën.

Planifikimi i centralizuar, telat me gjemba, përndjekja e intelektualëve dhe komandimi i shoqërisë morën fund më 8 dhjetor. Të rinjtë rebelë provuan të ishin më të fortë se diktatura, sepse kur kombet bëhen të lira, diktaturat dobësohen dhe shkërmoqën, deri sa shkatërrohen.

Në këto 17 vjet, ne kemi parë përparimet e shpejta të lirisë, përmes historish të gjalla dhe shpesh tronditëse.

Gjatë këtyre 17 vjetëve, ne jemi dëshmitarë të dobësive të demokracisë shqiptare, madje edhe dështimeve të saj. Ne i njohim shumë mirë shkaqet e lindjes së tyre si dhe pasojat. Në këto vite, komunistët dëshmuan se sa herë që t'u jepej mundësia, ata janë po ata që kanë qenë, intolerantë dhe të papajtueshëm me lirinë.

Pas 17 vjetësh pluralizëm, ne kemi mësuar se ekziston vetëm një forcë, e cila shmang sundimin e urrejtjes dhe të mllefit, një forcë që rimëkëmb besimin dhe humanizmin, e kjo është forca e lirisë njerëzore.

Edhe në të ardhmen, shqiptarët do ta përshkruajnë 8 dhjetorin si një ditë të mbarë për kombin shqiptar, sepse themeloi filozofinë e lirisë, hapjes dhe integrimit mbarëshqiptar. Studentët e Dhjetorit 1990 iu paraprinë shqiptarëve. Vizioni i tyre i lirisë ishte i plotë dhe thelbësor. Shqipëria është një vend i lirë, i hapur dhe i begatë, një vend që respekton liritë dhe të të Drejtat themelore të Njeriut, që zhvillon ekonominë e tregut, një Shqipëri e integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Dalja e Shqipërisë nga diktatura 17 vjet më parë, ishte e zymtë dhe dramatike. Varfëri ekonomike, zi buke dhe uri kishte kudo. Vrasjet nëpër rrugë dhe në kufi vazhdonin. Regjimi komunist ishte penduar pse kishte lejuar pluralizmin, sido nën presionin e SHBA-ve dhe të protestave studentore.

Gjatë këtyre 17 viteve kemi parë vitalitetin dhe energjitë e pafundme të shoqërisë shqiptare, progresin ekonomik dhe social të saj. Liria ekonomike i çoi shqiptarët drejt suksesit, drejt integrimit në NATO dhe BE.

Nuk do pyetje, shkalla e lirisë përcakton zhvillimin dhe begatimin e një vendi.

Duke folur për lirinë, Presidenti amerikan George Ë. Bush ka theksuar se "liria nderon dhe çliron aftësitë krijuese njerëzore, kurse aftësitë përcaktojnë forcën dhe pasurinë e kombeve. Liria është plani i Zotit për njerëzimin dhe shpresa më e mirë për progres këtu në tokë", Dhe ky progres mund të shihet edhe sot, nën qeverinë demokratike.

8 dhjetori, po të perifrazojmë Presidentin amerikan, ka qenë një plan i Zotit për shqiptarët. Liria dhe 8 dhjetori kishin qenë një objektiv i disa brezave nën diktaturën komuniste, nën tirani, një ëndërr e mijëra të dënuarve politikë, grave dhe burrave që shkruan me gjak emrin e tyre mureve të burgjeve, mijëra dhe mijëra disidentëve të heshtur që nuk u pajtuan kurrë me regjimin.

Çdo komb bën zgjedhjen e vet, por zgjedhja e 8 dhjetorit ka qenë një nga zgjedhjet më fatlume të tij, zgjedhja më e moralshme për një komb evropian, zgjedhje për lirinë, për aleancat e reja, për miqtë strategjikë, siç ishin SHBA-të. Nuk ka dyshim se SHBA-të ishin modeli i lirisë për të rinjtë e Lëvizjes së Dhjetorit, por edhe për të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, etj., që u solidarizuan me këtë lëvizje dhe udhëheqjen që doli prej saj, nën drejtimin e Prof. Sali Berishës e studentit liberator Azem Hajdari.

Si një personazh i kësaj lëvizjeje idealistësh, jam i bindur se liria u vjen vetëm atyre që e dashurojnë atë dhe studentët e deshën lirinë, e deshën Shqipërinë si gjithë Evropa, në miqësi të përhershme me SHBA-të.

8 dhjetori dëshmon atë që dikur kishte shkruar edhe Linkoln se, "ata që u mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë atë për vete dhe sa të sundojë drejtësia e Perëndisë, nuk mund ta mbajnë atë gjatë".

Kryeministri vlerësoi se demonstratat studentore të vitit '90 i hapën rrugën vendit drejt zhvillimit dhe demokracisë

Berisha: Më 8 dhjetor '90 nisi uragani antidiktaturë

RD

Lëvizja Studentore e Dhjetorit e vitit `90 u përkujtua në mënyrë madhështore dje, në Ditën e Rinisë, si lëvizja që i hapi dyert vendit drejt aspiratave të mëdha euroatlantike. Kryeministri Berisha e cilësoi 8 dhjetorin e vitit `90 si pikënisjen e përballjes së madhe të shqiptarëve me diktaturën komuniste më të egër të Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Vetë kryeministri Sali Berisha ka qenë një nga figurat që solli përmbysjen e diktaturës komuniste, një nga intelektualët e parë që dolën në mbështetje të studentëve për përmbysjen e regjimit diktatorial. Në fjalën e tij, Berisha gjithashtu edhe kryetar i Partisë Demokratike ka folur për simbolikën e kësaj dite, për vlerën e madhe kombëtare që ka pasur kjo lëvizje, duke e quajtur atë lëvizjen më madhështore dhe më idealiste të të gjitha kohërave. "Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990 është lëvizja më idealiste dhe më madhështorja e të gjitha kohërave. Shqiptarët kishin ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa, dhe falë këtij grupimi të mbështetur nga të gjithë shqiptarët, ne gjejmë një Shqipëri tjetër që ecën drejt integrimit europian", vlerësoi kreu i qeverisë. Por, Lëvizja Studentore nuk do të kishte kujtesën e duhur pa përmendur dhe drejtuesin e saj, Martirin e Demokracisë, Azem Hajdari.

"8 Dhjetori i vitit `90 shënon përballjen e parë të fuqishme në rrugët e Tiranës të studentëve, të udhëhequr nga lideri i tyre legjendar, Azem Hajdari, me diktaturën orvelliane hoxhiste në një betejë tmerrësisht të rrezikshme dhe tërësisht të pabarabartë, por me një vendosmëri që me shpejtësi të madhe do të krijonte në vend uraganin popullor më të paparë në historinë e tij", nënvizoi Berisha. Ai theksoi, se ishte Lëvizja Studentore shqiptare, të rinjtë e Universiteteve të Tiranës dhe më pas të universiteteve të tjera të vendit, që morën në duart e tyre flamurin e lirisë, të cilin do ta shëtisnin në qindra e qindra takime në të katër anët e një vendi tmerrësisht të rraskapitur, një populli që luhatej në skajet e ekzistencës së tij, për ta zgjuar dhe për ta ngritur e inkurajuar atë. Duke iu referuar motiveve që i jepnin jetë kësaj lëvizje të fuqishme mbarëpopullore, Berisha theksoi se, ëndrra e kësaj lëvizje për integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike është më afër realizimit se kurrë më parë. "Studentët kishin një ëndërr; Shqipërinë demokratike, Shqipërinë si Europa. Ëndrra e tyre sot nuk është realizuar ende, por është më afër realizimit se kurrë më parë. Secili prej atyre që u përball në rrugët e Tiranës me tanket, shkopinjtë e gomës me gazin lotsjellës, por edhe me plumbat, sot gjen një vend shumë afër idealeve dhe aspiratave për të cilat luftuan. Ata gjejnë një Shqipëri krejtësisht tjetër, një Shqipëri të qytetarëve të lirë, që ecën me besim të plotë drejt integrimit në BE dhe NATO", nënvizoi kryeministri Berisha, gjatë vizitës në ekspozitën e hapur në ambientet e Muzeut Kombëtar me këtë rast. Kryeministri shprehu nderimet më të thella për studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, dhe ndaj liderit të tyre legjendar, Azem Hajdari, dhe grupit të intelektualëve që u bashkuan në orët e para me ta. Gjithashtu, kryeministri shprehu nderimet për qytetarët e Tiranës, që u bënë mburojë njerëzore për engjëjt e demokracisë në përballjen me diktaturën më të egër që kishte përjetuar vendi.

Pango: Lëvizja, fytyra e rinisë për demokracinë

Ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, u shpreh dje se fryma e Lëvizjes së Dhjetorit të vitit '90 solli në Shqipëri filozofinë pluraliste dhe vendosjen e demokracisë. "Ky pluralizëm mban dhe ka fytyrën e rinisë sonë, e cila inicioi lëvizjen e madhe demokratike, por ka njëkohësisht firmën e të parës Parti Demokratike të vendit tonë dhe të kryetarit të saj, Presidentit të parë të Shqipërisë pluraliste shqiptare, njëkohësisht kryeministrit të sotëm, Sali Berisha", deklaroi Pango gjatë aktiviteteve të organizuara me rastin e kësaj dite. "Ne kujtojmë një rrugë të gjatë, jo të lehtë që kemi përshkruar për të ardhur sot, pas 17 vjetësh më pranë se kurrë integrimit të Shqipërisë në Komunitetin Europian", theksoi më tej Pango, duke shprehur besimin se rinia e sotme, ashtu sikurse në dhjetor të vitit '90, do të vazhdojë të ecë dhe të luajë rolin kryesor në këtë integrim, të jetë promotore dhe të jetë gjithmonë iniciatore e lëvizjeve, të cilat kanë çuar kaq pranë drejt integrimit në Komunitetin Europian. Në hapjen e ekspozitës së djeshme me fotografi që sillnin në vëmendje momente vendimtare të Lëvizjes së Dhjetorit, është ndjekur një dokumentar nga protestat studentore të 8 dhjetorit 1990. Më pas, në ambjentet e Muzeut është interpretuar një numër koreografik, i cili simbolizonte daljen e shqiptarëve pas një diktature 45-vjeçare në dritën e lirisë e demokracisë.

Kur e pashë për herë të parë Azem Hajdarin

Duke iu përgjigjur interesit të madh të medias si një nga protagonistët e Lëvizjes së Dhjetorit, kryeministri Berisha ka risjellë në vëmendje momentet e vështira të dhunës fizike e psikologjike të diktaturës komuniste ndaj studentëve dhe organizatorëve të kësaj lëvizjeje. "Nga Lëvizja e Dhjetorit kam shumë momente, por meqenëse pyet për një moment do të flas për momentin e parë. Momenti i parë: Unë bashkë me dy miq të mi, më 8 dhjetor, pasi morëm vesh se studentët janë në demonstratë kemi mundur që nëpërmjet rrugicave, pasi vendi ishte krejt i rrethuar me një prani ushtarake dhe policore të jashtëzakonshme, ne ia dolëm që të gjendemi vetëm pak metra nga studentët që demonstronin. Ata ishin të vendosur në rrugën e Elbasanit, mund të them 15-20 metra mbi rezidencën e ambasadorit italian. Në atë kohë, ishte muzeu Lenin-Stalin, dhe ata po hidhnin parrulla: Liri Demokraci, Poshtë Dinastia", rikujtoi kryeministri Berisha. Aty kam parë për herë të parë liderin e tyre, Azem Hajdarin, vijoi më tej ai, duke shtuar se brenda një kohe të shkurtër është bërë një ndërhyrje brutale kundër tyre, një ndërhyrje ç`njerëzore, ku forca të panumërta janë vërsulur nga të dyja anët e rrugës dhe i kanë goditur në mënyrë barbare. Kryeministri theksoi se, ëndrra e kësaj lëvizje ishte integrimi europian i Shqipërisë, duke shtuar se realizimi i kësaj ëndrre është më afër se kurrë, jo vetëm si aspiratë, por ndodhet afër si proces i garantuar nga një seri marrëveshjesh në zbatim e sipër. Në fund të këtij aktiviteti, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, si dhe kryeministri Sali Berisha ndanë çertifikata për studentët që kanë marrë pjesë në trajnimin me temë: "Lidershipi Rinor".

Ekspozita, dëshmia e gjallë e etjes për demokraci

Një moment pikant përbënin për këtë ditë fotografitë e ekspozuara në Muzeun Kombëtar, si dëshmi për ata që kanë marrë pjesë në këtë lëvizje, por edhe për ata që nuk kanë qenë që të bëhen pjesë e një çasti historik në jetën e shqiptarëve. Momente të ndryshme ishin paraqitur nga objektivi i aparatit fotografitë bardh e zi të ekspozuara në këtë ceremoni. Çaste nga thirrjet e qytetarëve për përmbysjen e diktaturës, momente të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, ku turmat e mëdhaja të etura për lirinë e fjalës e për lirinë e gjithçkaje, që solli demokracinë, thërrisnin e shtyheshin se kush të prekte me dorë atë dëshirë të mohuar për 45 vjet. Së bashku me bashkëshorten dhe të pranishmit e tjerë, kryeministri risolli edhe një herë ndërmend çaste të dhjetorit të vitit 1990, nëpërmjet fotove të ekspozuara. Ky aktivitet, i cili u zhvillua në përkujtim të lëvizjeve studentore të dhjetorit '90, u konceptua si ekspozitë me foto bardh e zi, të marra nga arkivi i ATSH-së, të cilat në ditët e sotme perceptohen si grimca historike ku dokumentohen ngjarje dhe personazhe të kohës.

QNK "Arbnori", forum me temë "Fol, Fol, Fol"

Aktivitet me rastin e ditës kombëtare të rinisë ka zhvilluar edhe "Qendra Kombëtare e Kulturës Arbnori", e cila është organizuar nga Grupimi i Dhjetorit 1990. Kjo ceremoni është hapur me foto-ekspozitën e fotografit Gani Xhengo, i cili ka paraqitur me anë të objektivit imazhe të ndryshme të dhjetorit të vitit 1990.

Më pas, ky grupim ka hapur forumin, "Flasin protagonistë, dëgjojnë ata që kanë vesh". Ideja e këtij forumi qendronte në atë që mediat dhe të pranishmit e tjerë të rikujtonin vitin e rrëzimit të diktaturës nëpërmjet atyre që kanë qenë protagonistë të kësaj lëvizje. Përfaqësuesi i Grupimit të Dhjetorit, Bislim Ahmetaj, ka thënë se 8 Dhjetori është ngjarja më historike dhe më e paharrueshme pas 28 Nëntorit të vitit 1912.

Ai ka falenderuar të rinjtë e Tiranës, të cilët kanë ndihmuar këtë grupim, që janë treguar të gatshëm të rrëzojnë një diktaturë që mbyste ëndrrat dhe vlerat e shqiptarëve. Gjithashtu, në emër të këtij grupimi, ai ka falenderuar edhe intelektualët e asaj kohe në Tiranë me në krye Sali Berishën dhe gjithë njerëzit që kanë themeluar pluralizmin shqiptar. Në këtë takim janë recituar vargje kushtuar një prej pishtarëve të demokracisë, prijës të kësaj lëvizje që ju solli shqiptarëve lirinë Azem Hajdarit. Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, i pranishëm në këtë forum tha se, 8 Dhjetori është një moment rikujtimi e reflektimi për të gjithë shqiptarët. "Me këtë ditë, një erë e re filloi për popullin tonë. Kjo datë do të mbetet historike për hapjen e një rruge të re për kombin tonë", tha Basha. Mesila Doda, një prej pjesëmarrësve të Lëvizjes së Dhjetorit, sot kryetare e KKRT-së tha se, mediat shqiptare po himnizojnë diktaturë 45-vjeçare shqiptare. "Ajo kohë nuk ka asgjë të mirë, ato janë vite kriminale që nuk meritojnë as të përmenden", ka thënë Doda.

Nga të pranishmit, Lëvizja e Dhjetorit është quajtur Lëvizja më inteligjente dhe më e guximshme, pasi ndryshe nga lëvizjet përmbysëse që kanë pasur shumë vende të tjera nuk ka pasur shkatërrime, djegie apo thyerje. Nga ana e studentëve nuk është përdorur asnjë formë e dhunës, dhe krahasuar me epërsinë e forcave të policisë, grupimet e dhjetorit kanë qenë fare të pambrojtura. Të tjerë të ftuar në këtë takim, sollën për të pranishmit momente të tjera nga ngjarjet e asaj kohe. Një ish-pedagog i Universitetit Bujqësor tha se, disa media po rilevojnë vlera të paqena të një sistemi të urryer. Më pas, po në këtë sallë ku zhvillohej takimi është shfaqur një dokumentar për Azem Hajdarin, tribun i Lirisë, me momentet më kulmore të jetës së tij politike. Po kështu, ish-pjesëmarrësit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 kanë debatuar për Pluralizmin 17 vjet më vonë, pas rrëzimit të diktaturës. Ku kanë diskutuar për disa nga çastet që ka përjetuar Shqipëria pas 8 Dhjetorit të vitit 1990.

Kryeministri theksoi se aspiratat e vendit për integrim 17 vjet pas Lëvizjes së Dhjetorit janë më pranë realizimit se kurrë më parë

Berisha: Shqipëria, e sigurt drejt NATO-s dhe BE-së

Sheshi qendror i kryeqytetit u shndërrua dje në një arenë festive me rastin e Ditës së Rinisë, e cila shënon edhe fillimin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit në vitin '90, kundër regjimit diktatorial komunist. Pjesëmarrës në këtë lëvizje, por edhe breza më të rinj dhe më të moshuar mbushën Sheshin "Skënderbej" nga të katër anët, në përkujtim të kësaj lëvizje, e cila u hapi rrugën proceseve demokratike në Shqipëri. Koncerti festiv i organizuar në përkujtim të fillimit të kësaj lëvizjeje u përshëndet edhe nga kryeministri Berisha, i cili e vlerësoi 8 dhjetorin e 17 viteve më parë si një moment historik për popullin shqiptar. Berisha i uroi të pranishmit për festën e lirisë dhe pluralizmit, duke e cilësuar Lëvizjen Studentore si më emancipuesen dhe më të fuqishmen në festën e pluralizmit. "Të dashur të reja dhe të rinj të pranishëm në këtë shesh, të reja, të rinj, kudo që ndodheni: Gëzuar festën tuaj, festën e lirisë, festën e pluralizmit! Gëzuar 17-vjetorin e Lëvizjes Studentore, lëvizjes më emancipuese, më të fuqishme që shqiptartët kanë njohur ndonjëherë", u shpreh kreu i mazhorancës, duke iu adresuar të pranishmëve të shumtë në sheshin qendror të kryeqytetit. "17 vjet më parë, në Shqipërinë që përjetonte skamjen e vërtetë komuniste, në rrugët e Tiranës u shfaqën engjëjt e lirisë, studentët liberatorë, të cilët u përballën me diktaturën më të egër. Nder përjetë atyre që më 8 dhjetor të vitit '90 mbushën rrugët e Qytetit "Studenti" dhe të Tiranës, në emër të idealeve njerëzore, lirisë dhe demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe integrimit në Europë!", vlerësoi më tej Berisha. Ai theksoi se sot, pas 17 vitesh, populli shqiptar përulet me nderim të madh para tribunit legjendar të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari. Kryeministri ripërsëriti me vendomëri qëndrimin se Shqipëria do të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, duke përmbushur në këtë mënyrë ëndrrat e studentëve të Dhjetorit, por edhe aspiratat e të gjithë shqiptarëve. "Sot, pas 17 vitesh, ne përulemi me nderim të madh para tyre, para tribunit legjendar të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, me zotimin solemn se ëndrrën e tyre do ta bëjmë realitet. Shqipëria do të shkojë në BE e NATO dhe ajo do të mbetet vendi i qytetarëve të lirë, vend i qytetarëve me dinjitetin që meritojnë", nëvizoi më tej Berisha. Më pas, kryeministri ka ndjekur për disa minuta koncertin festiv të organizuar me rastin e Ditës së Rinisë.

Presidenti i atribuoi medaljen "Pishtari i Demokracisë" lëvizjes që mundësoi vendosjen e demokracisë në Shqipëri

Topi dekoron "Lëvizjen Dhjetori '90"

Presidenti Bamir Topi i dha dje shoqatës "Grupimi Dhjetori '90" medaljen "Pishtar i Demokracisë" për ndërtimin, konsolidimin dhe mbrojtjen e vlerave të demokracisë në Shqipëri. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes "Dhjetori '90", Bislim Ahmetaj, i cili, duke e cilësuar ditën e djeshme si një eveniment të rëndësishëm, falenderoi Topin për dekorimin që i bëri kësaj lëvizjeje, pas dekorimeve që i janë bërë në vitet '92-'96. "Sot nuk është një rast krejt i veçantë, pasi 17-vjetori nuk është një jubile, por është një eveniment i rëndësishëm për "Grupimin Dhjetor '90", prej një palce idealiste që ngeli për 17 vjet e tillë dhe Presidenti Bamir Topi, pas dekorimeve që janë bërë në vitet '92-'96 për protagonistët e drejtpërdrejtë, ish-studentë dhe pedagogë të asaj lëvizjeje, sot dekoron lëvizjen që jo vetëm në vitet e para të pluralizmit politik, por edhe pas vitit '97, kur pluralizmi dhe liria u vunë në rrezik. Ishte kjo bërthamë idealistësh që me protestat e qytetarëve arriti të mbajë gjallë flakën e pluralizmit të demokracisë të Lëvizjes Studentore, flakë të cilën Azem Hajdari dhe studentët, pedagogët, qytetarë të Tiranës, ndezën në 8 Dhjetor '90", është shprehur Ahmetaj. I pranishëm në dekorimin e "Lëvizjes Dhjetori '90" ka qenë edhe zëvendëskryeministri Gazmend Oketa. Ky i fundit, duke iu drejtuar kolegëve si student, i ka falenderuar ata për kontributin e madh që kanë dhënë në ato vite, për ta kthyer Shqipërinë nga një vend komunist, në një vend që aspiron për integrimin në Bashkimin Evropian. "Realisht ndjehem i emocionuar, kur, pas çdo viti që kalon tashmë, i bie pas 17 vitesh, takoj disa prej atyre të rinjve studentë, të cilët, 17 vite më parë, iniciuan një lëvizje të fuqishme që do të shënonte fundin e regjimit komunist", është shprehur Oketa, duke kërkuar nga të pranishmit në këtë ceremoni që të përshëndesnin dhe njihnin kontributin e shumë prej kolegëve të tyre që nuk ndodhen në Shqipëri, por që në vitet '90 kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar. Më tej, ai u ka kërkuar kolegëve të tij që çdo 17 dhjetor të mblidhen së bashku dhe të kujtojnë emocionet e bukura dhe ditët e paharrueshme të grevës së urisë. Gjithashtu, i pranishëm në ceremoninë e dekorimit të "Lëvizjes Dhjetori '90" nga Presidenti i Republikës ka qenë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i cili i ka uruar të gjithë për këtë ditë të veçantë. Gjatë fjalës së tij, ai ka falenderuar të gjithë kolegët e tij që në vitet '90 kanë dhënë kontributin e tyre për të çliruar vendin nga diktatura dhe për ta kthyer atë në një vend demokratik. Në mënyrë të veçantë, ai ka falenderuar edhe Ahmetajn për kontributin e veçantë që ka dhënë gjatë atyre viteve. "Vërtet "Lëvizja Dhjetor '90" është për t'u falenderuar, që vazhdimisht na rikujton atë periudhë që nuk ka patur shqiptar që nuk e ka përjetuar me emocion të veçantë. Ne e filluam sot me një aktivitet në Muzeun Kombëtar, ku inauguruam një ekspozitë, ku pamë ato pamje emocionuese dhe tani duke parë edhe pjesën më të madhe të njerëzve që kanë marrë pjesë në atë lëvizje, i shikojmë të gjalla. Do të thosha që Bislimi dhe lëvizja mbeten të rinj gjithmonë, sepse janë ata që, siç e tha dhe kryeministri, i dhanë fytyrën e parë demokracisë", tha Pango. Më tej, ministri i Kulturës i ka kërkuar rinisë së sotme që ashtu si rinia e viteve 90', të kontribuojë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. "Nëse PD ishte firma e parë, fytyra e parë ishte fytyra e rinisë. Kështu që edhe në të gjitha këto festime që ne kemi bërë, kemi zgjedhur moton tonë: "Rini, demokraci dhe integrim". Pra, rini që na dhuroi këtë lëvizje, demokraci dhe pluralizëm që ne kemi 17 vjet që jemi futur, dhe integrim që është ndoshta fundi i rrugës, por ndoshta edhe fillimi i rrugës së re, ku duam të shkojmë dhe ku jemi më pranë se kurrë", përfundoi Pango.

Bode: Lëvizja Studentore dhe PD, të pandarë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, njëherësh ministër i Financave, Ridvan Bode, përshëndeti dje dekorimin e "Lëvizjes Dhjetori '90" nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Gjatë fjalës së tij, Bode ka falenderuar përfaqësuesit e lëvizjes për protagonizmin e pamohueshëm që kanë dhënë në instalimin e demokracisë në vend. Bode theksoi se midis PD-së dhe Lëvizjes Studentore ka një binjakëzim që nuk mund të ndahen, pasi, sipas tij, ka qenë Lëvizja Studentore ajo që çoi në krijimin e Partisë Demokratike, që është aktualisht partia më e madhe në vend. "Përshëndes në emër të PD-së pjesëmarrësit në këtë takim dhe shpreh respektin dhe mirënjohjen për protagonizmin tuaj të pamohueshëm për instalimin e demokracisë dhe të pluralizmit në Shqipëri. Midis PD-së dhe Lëvizjes Studentore ka një binjakëzim që është e vështirë të ndahen, pasi ka qenë Lëvizja Studentore ajo që çoi në themelimin e PD-së dhe ka qenë kjo lëvizje, anëtarët dhe protagonistët e saj që kanë qenë pjesa aktore në rritjen dhe zhvillimin e PD-së në këtë periudhë 17-vjeçare", është shprehur Bode gjatë fjalës së tij në ceremoninë e dekorimit të kësaj lëvizje. Më tej, ai ka falenderuar të gjithë ata protagonistë që në ditët më të vështira të opozitës janë bashkuar me njëri-tjetrin dhe i kanë dhënë vlera lirisë dhe demokracisë. "Sot është një ditë e veçantë, sepse kjo dekoron lëvizjen e cila mori një forum të organizuar. Unë do të shprehja mirënjohjen për të gjithë ata protagonistë të "Lëvizjes Dhjetori '90", që në vitet e vështira të opozitës, në vitet e vështira të mbijetesës së demokracisë në Shqipëri, mundësuan që të gjejmë njëri-tjetrin dhe të bëhemi mbrojtës të vlerave të lirisë dhe të demokracisë në '90. Me këtë dekoratë sot, mendoj se të gjithë ndihemi krenarë për qëndresën e pamohueshme që ka dëshmuar ajo pjesë e idealistëve, militantëve, edhe kur ishim në opozitë", përfundoi Bode.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora