E shtune, 27.04.2024, 11:42 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Femrat e emigracionit, sfida shqiptare 3 çerek milionëshe

E diele, 16.12.2007, 02:32 AM


Nga Ylli Polovina - Shqip

Nëse ka një pamje inkurajuese të femrës sonë që jeton kushtet e vendit të vet, ka edhe një tablo tjetër të atyre që kanë emigruar. Nuk bëhet fjalë për dhjetë mijë apo edhe dyfishin e tyre. Shqiptarja e emigruar nëpër të gjithë botën, ajo që të paktën është larguar pas rënies së diktaturës, përbën një popullsi treçerek milioni. Çdo të thotë të jesh femër në emigrim dhe cilat janë rrugët që mund të përshkosh ose jo? Luftë për mbijetesë apo karrierë ambicioze?

Në historinë e shqiptarëve, një popull ndër më autoktonët në gadishullin ballkanik dhe zotëruesit e një ndër gjuhëve më të vjetra të kontinentit, jo çdo gjë tjetër ka qenë dhe është në nivelin e këtyre dy standardeve të lëvdueshëm. Identiteti ynë ka qoshet e tij të ashpëra, ka anët e squllëta, ka edhe plot pjesë të palëmuara. Megjithatë për një gjë mund të ndihemi se na bën dritë të bukur: një nga prijësit e fiseve tona ka qenë mbretëreshë. Të gjithë e dinë se quhej Teuta. Në nderim të saj shumë bashkëkombëse brez pas brezi mbajnë këtë emër.

Mbretëresha Teutë nuk ishte një “gjakblu” e zakonshme. Ajo mbeti në histori jo sepse bëri një akt, për shembull si Kleopatra, e cila gjestin e saj historik e kishte dashuror. Teuta shqiptare nuk hodhi rrënjë në histori as si Helena, princesha greke për të cilën ose me pretekstin e të cilës u mbrujt një nga aktet më të spikatshme në historinë botërore: lufta tronditëse dhe e përgjakshme e Trojës.

Mbretëresha Teutë mbeti në histori sepse ishte kokëfortë pas lirisë dhe pavarësisë së trojeve dhe popullit të saj dhe për këtë gjë i ktheu mbrapsht të dërguarit e Perandorisë së stërfuqishme romake, të cilët i kërkonin paktin e dorëzimit.
Më pas, nëpër njëqindvjeçarë të tërë njëri pas tjetrit nuk është se tradita e femrës në krye të pushtetit apo të autoritetit publik mes shqiptarëve ka lulëzuar. Megjithatë në mesjetë, ndërsa rikrijoheshin e forcoheshin autoritetet lokale dhe principatat, të dhënat e pakta për “zonjat e para” të princërve, dukëve apo të kontëve tanë nuk lënë pas boshllëk. Mund t’ua gjesh me durim gjurmët. Dëshmohet se ato kanë qenë plot dinjitet.

Vetë Skënderbeu, i cili ishte një njeri i fortë pushteti, gjithë jetën e tij në rezistencë ndaj superperandorisë osmane, la nëpër kronika si dëshmi dy portrete mjaft interesante femrash gjithë autoritet. Ishte e motra, Mamica dhe e shoqja, Donika. Të dyja ishin administratore me mjaft aftësi dhe ekuilibër të levave të ngatërruara e të ashpëra të pushtetit.

Duket sikur diçka nuk duhet të ketë shkuar mirë, në fatin e femrës shqiptare, me rënien mbi viset tona, të pushtimit të gjatë osman. Qytetërimi i ri që kapulloi jetën e shqiptarëve, kishte shumë karakteristika, të cilat binin ndesh mjaft rëndë me traditën tërësisht europiane të tyre. Por këtu nuk ishte fjala për një lloj tjetër administrate, uniforme ushtarake apo ngjyre lëkure, për gjuhën e panjohur lindore apo kulturën e re të kuzhinës, llojëra gjellësh e gatimesh që disa të joshnin e disa të tjera ta sillnin në grykë. Mëkatet më të mëdhenj të atij pushtimi të gjatë nuk janë një e dy, por ajo që ndodhi me fatin e femrës shqiptare mund të konsiderohet një dëm kolosal shoqëror. Zhvillimi i saj i natyrshëm u frenua, pastaj bëri vrulltazi mbrapsht. Nga një grua me autoritet të përafërt me burrin ajo u shndërrua në një vasale të tij. Nga partnere në pothuaj shërbyese. U bë më e rëndë kjo pasojë atje ku edhe tradita lokale, si në verilindje, edhe që para pushtimit osman, nuk përmbante vlerësim për femrën.

Rilindja Kombëtare apo shkëputja administrative dhe shpirtërore nga pushtimi i gjatë oriental duhej të ishte më së pari edhe çlirimi i femrës. E deklaroi këtë më shumë se dy dekada para se pavarësimi të ndodhte Naim Frashëri. Ai si edhe i vëllai i tij shumë i ditur, Samiu, ua bënë të ditur bashkëkombësve të tyre që një shoqëri e lirë nuk mund të ishte kurrë e tillë pa lirinë e gjysmës së saj, femrës. Naim Frashëri nguli këmbë se personi më i sigurtë për miredukimin social të fëmijëve ishte nëna. Kjo ishte e mbetet një ide nga më humanet e shkëlqimtaret në Rilindjen tonë. Poeti ynë kombëtar nuk ia besonte femrës tundjen e djepit apo veshjen e ushqimin e fëmijës, por formimin shoqëror. Kjo donte të thoshte se i besonte vetë të ardhmen e vendit.

Kështu, bashkë me pavarësimin, Rilindja Kombëtare pohoi: femra shqiptare duhej rikthyer në vendin e saj të merituar në shoqëri. Më pas kësaj dukurie iu vu emri “emancipim”. Por rreth tij u luajt edhe shumë hipokrizi.

Në Zvicër e drejta e femrës për të votuar është realizuar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të shkuar. Kështu doemos që në këtë anë ne shqiptarët jemi më të përparuar, e kemi realizuar menjëherë pas luftës, edhe pse kujt i duhej ai emancipim shoqëror e politik, kur kjo e drejtë erdhi bashkë me diktaturën. Në Zvicër u vonua mundësia e femrës për të zgjedhur, por nuk ja vjedh njeri votën. Gjithë dekadat e regjimit stalinist nuk u bë veç kjo punë, zanat, i cili akoma nuk është zhdukur përfundimisht edhe tani, në shoqërinë tonë në hapje e sipër.

Sidoqoftë, edhe pse ishte emancipim i komanduar dhe i nënshtruar nga politika, shpesh propagandistik e jo real, kur diktatura ra femra shqiptare kishte fituar një pjesë të të drejtave të saj të mohuara. Tani pluralizmi politik dhe ekonomia e tregut nuk mund veç t’i jepnin përkrahje të vërtetë e të sinqertë për të arritur edhe atë pjesë që i mungonte. Ka shtatëmbëdhjetë vite që femra shqiptare provon të marrë atë që ia kufizojnë me të gjithë hiletë bizantine. Mashkulli ynë në rastet kur është prapanik, megjithëse duke bërë potere dhe u ankuar se “u prish dynjaja”, ka nisur të lëshojë hapësirë. Rikthimi i femrës me të gjitha të drejtat e saj të natyrshme është një rrugë e gjatë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për shoqëri shumë të zhvilluara, por rënia e diktaturës dhe e të gjitha regjimeve këtij procesi pa kthim i bëri shumë mirë. Tani Shqipëria e Tirana njohin një vajzë jo vetëm të bukur kur del si folëse në ekran, kur kërcen balet modern apo këndon deri në Festivalin Europian, por edhe të mënçur kur drejton një departament zyre shtetërore apo një shoqatë joqeveritare, kur bën redaktoren në një media apo inxhinieren e ndërtimit të pallateve me arkitekturë moderne. Në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera, anketat e sociologëve thonë se mashkulli i ri shqiptar, ai i lindur bashkë me rënien e diktaturës, është shumë më i butë dhe i ndruajtur se femra bashkëmoshatare. Këto janë mjaft më ambicioze, më agresive dhe më realizuese. Një tablo saktësisht e tillë gjendet edhe në vendet më të mbrodhësuara të Perëndimit.

Por nëse ka një pamje të tillë inkurajuese të femrës sonë që jeton kushtet e vendit të vet, ka edhe një tablo tjetër të atyre që kanë emigruar. Nuk bëhet fjalë për dhjetë mijë apo edhe dyfishin e tyre. Shqiptarja e emigruar nëpër të gjithë botën, ajo që të paktën është larguar pas rënies së diktaturës, përbën një popullsi sa e gjithë Tirana. Kjo do të thotë treçerek milion. Këtu dukuria e emancipimit të saj jo vetëm është mjaft interesante, por edhe shumë e trazuar e kontradiktore. Njëkohësisht shumë shpresëdhënëse.

Për shumicën e shqiptareve, që për nevoja ekonomike emigruan, ky kalim në gjendjen e re ishte si rënia kokëposhtë në një humbellë të thellë, prej ku për vite të tëra nuk dukej se do të dilej një ditë. Një pjesë e madhe e tyre, të pajisura me diploma universitare, jo rrallë me vlerësime të shkëlqyera, përfunduan menjëherë në shtëpiake. Ishte një grackë e madhe që i priste sapo kapërcyen kufirin dhe ato, sigurisht, nuk e dinin. Duke bërë përkujdesësen e fëmijëve më pak dhe më shumë të të moshuarve apo të sëmurëve ato humbën lirinë e të bërit përparim profesional. Në rast se gjithkujt i heq mundësinë për të mbrodhësuar intelektualisht atëherë i ke marrë të drejtën më thelbësore të këtij mijëvjeçari që sapo ka nisur. Sepse tani, ndryshe nga shumë dekada më parë, nuk bëhet fjalë se të heqin të drejtën e të jetuarit. Një rrobë për t’u veshur e një pjatë gjellë në Perëndim i gjen nëpër mensat popullore apo në ato të mëshirës së krishterë. Shqiptaret me diploma mjekeje, inxhiniereje, gazetareje, ekonomisteje, mësueseje të kthyer në pastruese shtëpish apo shkallësh të pallateve ka qenë e mbetet një dallgë e madhe regresi që u ka rënë mbi fatet e tyre.

Megjithatë ka që dalin pak nga pak prej kësaj gjeratoreje dhe notojnë në jetën e madhe e të lirë të profesionit, për ku kanë investuar vitet e rinisë. Ndryshe nga bashkëshortët, gratë e kërkojnë këtë dalje, atyre u vihet re më shumë se shoku i tyre i jetës ambicia e mosambientimit, dëshira për ndërrim më të shpeshtë të punës në kërkim të variantit më të mirë. Ndërkohë ato bashkëkombëse që janë më të reja apo sapo përfundojnë universitetet vendase, shprehin një shkathtësi të habitshme për të fituar konkurset për vendet e reja të punës dhe kanë një dhunti të spikatur për ta mbajtur pozicionin e ri jo duke mbetur profesionalisht në vendqëndro, por duke u ngjitur më lart në kualifikim. Ky është vazhdim i gëzuar i një dukurie të njohur që në shkollat e mesme, ku në krahasim me shokët e tyre, vajzat manifestojnë një epërsi të dukshme gare intelektuale. Në fund të muajit tetor në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme, njëri nga departamentet e tij, Instituti Kombëtar i Diasporës, promovoi librin "Ndërhyrje e ligjshme apo shkelje e së drejtës ndërkombëtare" të autores njëzetë e tre vjeçare Klentiana Mahmutaj, e cila është edhe anëtare e Klubit të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit. Botimi ishte një mbrojtje mjaft inteligjente e çështjes së pavarësimit të domosdoshëm të Kosovës. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëkombësja shumë e re në moshë, Laura Mersini-Houghton, është kozmologe dhe punon si profesore asistente në Universitetin e North Caroline në Chapel Hill. Raste të tilla janë të panumërta.

Megjithatë, duke e përfytyruar shumë të ndritur fatin profesional të gjeneratës së re femërore shqiptare në vendet e zhvilluara të botës, dukuria që është mjaft e veçantë ka të bëjë me një karakteristikë tjetër. Më të përparuarit nga bashkëkombësit tanë jashtë vendit në muzikë, letërsi dhe politikë janë femra. Elsa Lila në Itali, duke mbërritur gjer në Festivalin e Sanremos dhe e komplimentuar shumë nga shtypi vendas, u bë një imazh që e pa e gjithë bota, jo vetëm ajo latine. Eshtë aktualisht femra shqiptare më e parë në televizion, më e njohura. Kjo nuk do të thotë se Inva Mula, kjo gjigante e artit shqiptar në botë, kjo ikonë e vërtetë e profesionalizmit muzikor, është më pak e vlerësuar, përkundrazi. Këngëtaret shqiptare nëpër hapësirat e globit janë me qindra dhe të gjitha të mirëpritura nga opinioni vendas. Këtu nuk është fjala vetëm për Merita Halilin, Aurela Gaçen, Parashqevi Simakun, Ermira Babaliun apo Alida Hiskun. Po ngjitet në karrierë sopranoja Ermonela Jaho, pianistet Dhurata Bejleri apo Ermira Gjoni. Në Gjermani grupin e njohur muzikor “Preluders”, pesë vajza njëra më e bukur dhe më e talentuar se tjetra (Annthu, Rebecca, Tertia, Patrizia) i drejtoi, deri sa u shpërnda, një shqiptare: Miriam Cani. Kjo akoma është një “pop idol” i gjermanëve.

Ndërkohë në fushën e letrave nga bashkëkombësit tanë jashtë vendit më e njohura e brezit të pasdiktaturës është po ashtu një femër: Elvira Dones. Libri i saj “Vendi ku nuk vdiset” (“Il paese dove non si muore”), prej italishtes ku u botua për herë të parë (në vitin 1991 Dones u vendos në qytetin e Brerës, sepse tashmë prej vitesh banon në Paris), po përkthehet në shumë gjuhë të tjera. Talenti i saj është bërë subjekt i kërkuar nga gazeta të mëdha austriake, zvicerane dhe gjermane.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një dukuri pothuaj shkëlqimtare. Atje bashkëkombësja jonë po përparon me një shpejtësi befasuese. Krijesa më entuziaste në atë shoqëri mjaft moderne si SHBA, është shqiptaro-amerikania. Ato të bëjnë të besosh sa realisht vlera të çlirueshme ka femra jonë, mjafton vetëm që ajo të ndërrojë ambientin dhe nivelin e qytetërimit. Shqiptaro-amerikanet tregojnë me realizimet e tyre të spikatshme sa hak u ka ngrënë dhe u ha bashkëkombëseve tona shoqëria jonë me paragjykimet që vegjetojnë në të. Shqiptaro-amerikanet të shtrëngojnë të sjellësh ndërmend se të parfumuara dhe të veshura me elegancë, ato kanë ditur të mos harrojnë se janë po ashtu Shote Galica. Kur Kosova kërkonte të bashkoheshin me çështjen e çlirimit të saj ato nuk u gjendën vetëm në demonstrime, mbledhje fondesh, shkrime nëpër gazeta e debate nëpër televizionet lokalë, por edhe në kampet e grumbullimit dhe të përkujdesjes për refugjatët bashkëkombës. Emrat e tyre mund t’i rreshtosh pa fund si të jenë ruaza vezulluese në një gjerdan: Rozi Theohari, Rajmonda Moisiu, Albana Lifschin, Aida Dismondy, Afërdita Dauti, Argentina Tanushi, Medije Vreniqi, Mimoza Dajçi, Linda Afezolli, Lindita Çoku.....Merita Bajraktari McCormack është një nga organizatoret më të dashura të tyre, ndoshta nga më të shkathtat. Rreth saj është një grup grash dhe vajzash shqiptare që komunikojnë në internet. Të gjitha shqiptaro-amerikanet me bashkëkombëset e tyre nëpër botë kanë botuar një “Antologji për Nënën”, një libër i ndjerë, i cili dëshmon se nuk janë ndarë kurrë me tokën dhe prindërit e tyre. Ilirjana Sulkuqi, poete, por edhe nënë, shkruan “Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe, ose Mëmëdhe, që mua më duket më intime si fjalë. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se "... m'u bë Atdhe i Dytë", mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim-poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je? U përgjigj: Nga vendi më i bukur në botë!"

Të jesh shqiptaro-amerikane nënkupton jo pak edhe të admirosh modelin Hillari Klinton, si një "my role-model", shembulli femëror për t’u ndjekur në karrierën politike.

Ndërsa bashkëkombësja më e njohur jashtë vendit në fushën e politikës, më e spikatura dhe më e mbrodhësuara se të gjithë burrat e djemtë shqiptarë në diasporë, Mirela Bogdani, adhuron modelin Margaret Theçer. Ish-kryetare e Forumit të Gruas Republikane në Shqipëri ajo aktualisht jeton në Britaninë e Madhe dhe punon si pedagoge e "Politikave të Bashkimit Europian" në Universitetin e Kardifit. Kohë më parë ajo pati rastin, që në një audiencë private, për disa minuta, të bashkëbisedonte me "Zonjën e Hekurt". Ky fat iu mundësua sepse përveçse anëtare në Partinë Konservatore Britanike, ajo është edhe pjesëmarrëse në grupin "Conservative Way Forward", grupi Thatcherian i djathtë në këtë parti. Në pritjen dhe darkën e posaçme ishin ftuar vetëm 30 përfaqësues nga Kuvendi dhe Dhoma e Lordëve. Ndoshta arsyeja për
pjesëmarrjen hutuese të Mirela Bogdanit ishte ajo që tha deputeti britanik Chris Chope: “Ne nuk kemi shumë anëtarë të partisë sonë nga Europa Lindore, aq më tepër nga një vend si Shqipëria...".

Këtu ky shkrim mbaron, sepse kaq mund të mbajnë teknikisht katër faqet e rubrikës “Aktualitet” të revitës “Shqip”. Shpirtërisht jo vetëm autori i këtij shkrimi, por pambarimisht bashkëkombës si ai, do të rinisnin nga fillimi, për shqiptaret jashtë vendit, edhe mijëra artikuj të tjerë.

Për shumicën e shqiptareve që për nevoja ekonomike emigruan ky kalim në gjendjen e re ishte si rënia kokëposhtë në një humbellë të thellë, prej ku për vite të tëra nuk dukej se do të dilej një ditë. Një pjesë e madhe e tyre, të pajisura me diploma universitare, jo rrallë me vlerësime të shkëlqyera, përfunduan menjëherë në shtëpiake. Ishte një grackë e madhe që i priste sapo kapërcyen kufirin dhe ato, sigurisht, nuk e dinin. Duke bërë përkujdesësen e fëmijëve më pak dhe më shumë të të moshuarve, apo të sëmurëve ato humbën lirinë e të bërit përparim profesional. Në rast se gjithkujt i heq mundësinë për të mbrodhësuar intelektualisht atëherë i ke marrë të drejtën më thelbësore të këtij mijëvjeçari që sapo ka nisur.

Më të përparuarit nga bashkëkombësit tanë jashtë vendit në muzikë, letërsi dhe politikë janë femra. Elsa Lila në Itali, duke mbërritur gjer në Festivalin e Sanremos dhe e komplimentuar shumë nga shtypi vendas, u bë një imazh që e pa e gjithë bota, jo vetëm ajo latine. Eshtë aktualisht femra shqiptare më e parë në televizion, më e njohura. Kjo nuk do të thotë se Inva Mula, kjo gjigante e artit shqiptar në botë, kjo ikonë e vërtetë e profesionalizmit muzikor, është më pak e vlerësuar, përkundrazi.

Këngëtaret shqiptare nëpër hapësirat e globit janë me qindra dhe të gjitha të mirëpritura nga opinioni vendas. Këtu nuk është fjala vetëm për Merita Halilin, Aurela Gaçen, Parashqevi Simakun, Ermira Babaliun apo Alida Hiskun. Po ngjitet në karrierë sopranoja Ermonela Jaho, pianistet Dhurata Bejleri apo Ermira Gjoni. Në Gjermani grupin e njohur muzikor “Preluders”, pesë vajza njëra më e bukur dhe më e talentuar se tjetra (Annthu, Rebecca, Tertia, Patrizia) i drejtoi, deri sa u shpërnda, një shqiptare: Miriam Cani. Kjo akoma është një “pop idol” i gjermanëve.

Në fushën e letrave nga bashkëkombësit tanë jashtë vendit më e njohura e brezit të pasdiktaturës është po ashtu një femër: Elvira Dones. Libri i saj “Vendi ku nuk vdiset” (“Il paese dove non si muore”), prej italishtes ku u botua për herë të parë (në vitin 1991 Dones u vendos në qytetin e Brerës, sepse tashmë prej vitesh banon në Paris), po përkthehet në shumë gjuhë të tjera. Talenti i saj është bërë subjekt i kërkuar nga gazeta të mëdha austriake, zvicerane dhe gjermane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora