E shtune, 27.04.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Falsifikatori i kampeve hitleriane

E hene, 17.12.2007, 09:22 PM


Flet akoma numri 64401". Kështu titullohej libri i parë i Adolf Burger, që tregon për numrin e paharrueshëm, akoma qartë i lexueshëm në krahun e tij të majtë, si një kujtim nga horrori i Holokaustit. Në libër ishin publikuar dhjetë foto të fotografuara nga vetë ai, që sapo doli nga kampi i "Ebenses" më datën 5 mars të vitit 1945.

"Kur amerikanët më liruan, më dhanë të mbaja një pistoletë me vete, sepse atëherë isha një nënoficer i ushtrisë çekosllovake dhe ashtu, i veshur me uniformën e kampit, u nisa më këmbë drejt fshatit më të afërt. Kur mbërrita gjeta një zonjë bashkë me vajzat e saj, të cilat kur më panë të armatosur u trembën. "Mos u shqetësoni, nuk ju bëj keq. Më jepni vetëm aparatin fotografik bashkë me filmin, nëse i keni", i fola pikërisht në këtë mënyrë. Fatmirësisht ajo e kishte një të tillë dhe unë menjëherë u ktheva në kamp për të bërë fotot. Fotot janë të domosdoshme, sepse dikush mund të shkruajë shumë histori të tilla, por nëse nuk i bashkëngjit foto, atëherë vështirë se do të të besojnë. Si mund të besojë një person normal, gjithmonë në mungesë të fotove, se në Birkenau çdo javë 600 njerëz qëndronin në radhë totalisht të zhveshur, ku një mjek i vetëm kalonte përpara tyre duke treguar me gisht të gjitha ata që nuk ishin të dobishëm dhe më pas këta të fundit dërgoheshin për në dhomat e gazit"? Adolf Burger është 90 vjeç, i mbushi më 12 gusht. Në fakt, edhe pse kaq i moshuar, vështirë se e jep veten. Është i gjallë dhe e tregon historinë e tij plot energji. "Nuk kam pirë kurrë duhan, as alkool, madje asnjë gllënjkë birrë, prandaj edhe ndihem kaq mirë. Por nuk është se të jetosh kështu nuk do kesh probleme. Pikërisht në shkollën e nënoficerëve, pas stërvitjeve të ndryshme, të gjithë shkonin për të pirë. Të tjerët porosisnin birrë, kurse unë kërkoja qumësht me çokollatë dhe menjëherë pas porosisë time të gjithë qeshnin si të çmendur".

Po e shkruaj këtë artikull me rastin e publikimit të librit të tretë nga ana e zotit Burger. Libri titullohet "Fabrika e djallit", i shkruar në gjermanisht. Libri flet për operacionin sekret me anë të së cilit Reiç vendosi të prodhonte kartëmonedha false të vendeve armike, si Britania e Madhe dhe SHBA, me objektiv shkatërrimin e ekonomisë së këtyre vendeve. Madje nga ky libër ka dalë edhe një film i titulluar "Operacioni i falsifikimit Bernhar". Burger ishte një nga këta falsifikatorë dhe rrëfimi i tij bëhet një udhëtim emocionues në memorien e një njeriu që ka përjetuar ngjarje dramatike.

Lindi në Velka Lominka, një fshat sllovak. Kur ishte i ri punonte si tipograf. "Në atë epokë tipografët profesionistë ishin të rrallë dhe unë isha i privilegjuar. Nuk duhej ta mbaja yllin dhe kështu më jepej mundësia të ndihmoja shumë hebrenj për të bërë dokumente false. Militoja në një lëvizje sioniste dhe atëherë kishim ëndërr të ndërtonim Palestinën tonë. Por jo gjithçka shkoi ashtu siç duhej". Atë e arrestuan në vitin 1942, në moshën 25-vjeçare, bashkë me bashkëshorten e tij, Xhizela. Tri ditë nën pyetësor dhe pastaj e nisën për në Aushvic. Aty qëndroi vetëm për gjashtë javë dhe më pas e çuan në Birkenau, një ferr i vërtetë. "Nëse bëjmë një krahasim, Aushvici ishte mrekulli, pasi aty të paktën e kisha një krevat timin. Hitleri kishte vendosur që në Birkenau të mos ndërtonte ndërtesa të mirëfillta për njerëz të cilët ishin destinuar për të vdekur, pasi ishte e kotë. Stallat mjaftonin. Në një stallë flinim rreth 800 persona, pesë për krevat, në krevate katërkatëshe". Madje na tregon se si bënin edhe eksperimente me ta. Atij i kishin bërë disa injeksione për sëmundjen e tifos, nga grupi i kimikëve "IG Farben". Kaloi gjashtë javë me temperaturë deri në 42 gradë. Por kjo i shpëtoi jetën, sepse e transferuan menjëherë në një tjetër sektor. "Aty ku ndodhesha në fillim të gjithë i çuan në dhomat e gazit". Pastaj kujton punën në "Komando Kanada", ku SS-të thërrisnin të burgosurit për të përzgjedhur bagazhet e të ardhurve të rinj, deri sa bëhej apeli special. "Çdo natë bëhej apeli dhe nga altoparlanti dëgjoheshin thirrjet: dhjetë zdrukthëtarë, kuzhinierë, karpentierë, zanate të ndryshme… Ndërsa një natë filluan të thërrisnin me numra. Thirrën edhe numrin 64401, numri im ky: Të prezantohet te komandanti Hess. Gjithë natën më zuri paniku". Kështu pra filloi dhe eksperienca e tij si falsifikator. U paraqit te komandanti. "Thashë numrin tim. Ne nuk e kishim të drejtën e një emri. Por ai u përgjigj: Zoti Burger, ju jeni tipograf? Kemi nevojë për ju në Berlin". I premtoi punë dhe një jetë normale si individ i lirë. "Nuk arrija ta besoja. Birkenau ishte fundi për të gjithë ne që ndodheshim atje. E dija që ata njëqindmijë burra dhe njëzetmijë gra ishin të destinuar për të vdekur. Ishte e sigurt që të gjithë do të përfundonin në dhoma gazi. Atje ishte kufiri i fundit me jetën. Më mbajtën tri javë të izoluar, për të evituar ndonjë infeksion në Berlin. Pas kësaj më hipën në një automjet të vërtetë dhe jo në ato karrocat për kafshët me të cilat sillnin të internuarit dhe menjëherë më nisën drejt Berlinit. Kur mbërrita në qytet fillova të shihja burra, gra e fëmijë të veshur normalisht. Një skenë që nuk e shihja prej vitesh. Për një çast mendova se mrekullitë ekzistonin vërtet. Destinacioni ishte Sashenhauzen, një tjetër kamp. Rrethimi ishte vetëm me tel gjembaç dhe porta ishte e lartë rreth tri metra, por në krahasim me atë që kisha hequr, më dukej vetja si me pushime. Mund të haja atë që dëshiroja dhe kisha një krevat krejt timin, madje me mbulesa. Kisha një radio dhe një tavolinë pingpongu. Bëra një lojë me një SS. Unë, një hebre, që luaja pingpong me një SS! Jetoja në një barakë bashkë me 140 hebrenj të tjerë (edhe ata të gjithë tipografë). Të gjithë hebrenj. Sepse ishte një operacion sekret i Reiç dhe në momentin e duhur mund të na zhduknin pa më të voglin problem. Nuk duhej të kishte dëshmitarë. Kështu që darkave, pasi mbaroja punën, mendoja që sigurisht në krahasim me të kaluarën isha me pushime, por ama i vdekur". Në Sashenhauzen u stampuan 132 milionë sterlina në kartëmonedhë, disa përfunduan nëpër banka, të tjerat u përdorën për të blerë armë dhe Burger kujton se Çiçeros, emër në kod i spiunit më të madh gjerman, iu bënë dhuratë 300 mijë sterlina, të gjitha false, të stampuara prej tyre. Të sabotoje nuk ishte e lehtë, pasi SS-të kishin ngarkuar në detyrë njëzetë ekspertë bankarë për të kontrolluar çdo kartëmonedhë një për një dhe nëse zbuloheshin gabime të vetëdijshme, vdekja ishte e menjëhershme. Por ne donim të lëshonim një sinjal që të kapej nga jashtë dhe të ngarkuarve për t‘i ‘vjetërsuar‘ kartëmonedhat- i shtypnim në vitet 1983-1984, por sipër shkruhej viti 1937 -u kërkonim që t‘i zhubravisnin, por edhe t‘i shponin me gjilpërë sipër fotos së mbretëreshës. Asnjë anglez nuk e lejonte këtë gjë, as që nuk e imagjinonte dot një kartëmonedhë ku ishte shpuar imazhi i mbretëreshës. Kjo ishte mënyra për t‘ua bërë të ditur që ishin false, sepse ndryshe nuk kuptoheshin, ishin perfekte. Madje as unë nuk mund t‘i dalloja nga ato të vërtetat. Mbas luftës shkova në bankën e shtetit në Pragë dhe fillova të zbavitesha me punonjësit, duke u treguar sterlinat false, të cilat i dalloja duke i drejtuar drejt dritës që hynte nga dritarja.

Miku më i mirë i Burger në Sashenhauzen ishte një hebre rus, Smolianof, në film quhet Sorowitsh. Ai ishte i vetmi kriminel atje, një falsifikator i vërtetë, i cili kërkohej që përpara luftës. Ishte ai që më bëri një portret perfekt, vetëm me laps. Ishte i jashtëzakonshëm, por pavarësisht nga kjo zotësi e tij, riprodhimi i dollarit ishte i vështirë. Veç kësaj, nga radioja dëgjonim se lufta ishte duke përfunduar dhe ne nuk donim që me dollarët tanë të ndihmonim Reiçin ta zgjaste akoma. Kështu që vendosëm të përzienim xhelatinën e stampimit me substanca të tjera. Imazhi i Presidentit mbi dollar ishte perfekt, por boja nuk ishte e mirë dhe mbi të gjitha aleatët ishin fare pranë". Burger u lirua në Ebense, ku e çuan SS-të, të cilët ishin duke u arratisur nga Sashenhauzen bashkë me disa kasa plot me kartëmonedha false, që i hodhën në liqenin e Toplitz. Në vitin 2000, një trupë amerikane shkoi të xhironte një dokumentar në Toplitz. Me aparatura moderne dhe me zhytës profesionist ata arritën të nxjerrin kasat nga fundi i liqenit dhe kështu thirrën Burger për ta intervistuar. "Shkova, por i bëra që të nxehen me mua, sepse mora 2 kartëmonedha. Nuk donin të m‘i jepnin, sepse ishin destinuar për një ekspozitë në Los Anxhelos. Por në fund u dorëzuan, sepse ndryshe nuk u jepja intervistë.

Tashmë kam akoma shumë për të bërë. Edhe pse jam 90 vjeç, nuk dua ta lëshoj veten. Kam shumë dokumente dhe foto të asaj epoke që duhen rishikuar e përpunuar". Për 20 vjet kishte zgjedhur heshtjen. Pas luftës u stabilizua në Pragë dhe pas librit të parë nuk foli më rreth 20 vjet për Holokaustin. "Doja ta mbyllja me të kaluarën. Deri në vitin 1972, kur disa miq falsifikatorë të asaj kohe më dërguan nga Gjermania një trakt: Neonazisti Eruin Skoenberg mohonte Holokaustin dhe i ofronte dhjetëmijë marka kujtdo që nuk do të dëshmonte se kishte parë një person të përfundonte në dhomën e gazit. Atëherë nuk mund të heshtja më. Fillova të mbledh dokumente në Evropë, të lëvizja nëpër Gjermani dhe të mbaja konferenca në universitete dhe lice. Rrëfeja dhe tregoja imazhe nga Aushvic dhe Birkenau. U thosha: "Ju jeni gjenerata e re, nuk duhet të ndiheni fajtorë sepse ju jeni të pafajshëm. Por nëse qëndroni në qarkun e neonazistëve, do të ktheheni në vrasës. Për shumë nga ata me të cilët kam folur mund të jem një i çmendur, por jam i bindur që asnjë prej tyre nuk është bërë neonazist".

Që prej atëherë, Burger nuk ka reshtur kurrë së kërkuari dokumente, të shkruajë, të flasë, një zgjedhje kjo shumë guximtare. "Por çfarë kurajë. Kur mendoj se edhe unë kam qenë ndër ata 600 burrat, të gjithë të zhveshur, që qëndronin në radhë përballë mjekut i cili tregonte me gisht dhe që mund të më kishte treguar edhe mua, çfarë do më gjejë tani? Deri tani nuk kam takuar asnjë nga SS-të që njihja. Nuk e di se si do të kisha reaguar. Por gjithmonë e kam ndjekur jetën e Krugerit, komandantit të Sashenhauzenit. Ai u fsheh menjëherë pas luftës dhe u gjet vetëm dhjetë vjet më vonë. U bë një proces për të, por nuk u dënua për krimin e falsifikatorit, sepse nuk ishte ligj i asaj kohe (disa gjëra të komplikuara legjislative). Gjithsesi ai nuk u dënua as për aktin e ekzekutimit të gjashtë personave. U justifikua duke thënë se kishte ndjekur vetëm urdhrat e SS-ve. Si njeri i lirë ka jetuar në Hamburg, i izoluar dhe i lënë mënjanë, por në një farë mënyre unë arrita t‘i bëj një foto në banesën e tij. Nuk ka shumë që ndërroi jetë. Madje kam edhe certifikatën e tij të vdekjes". Sipas tij, gjermanët vetëm me kalimin e viteve filluan t‘i bënin hesapet me të kaluarën dhe filmi "Falsifikatori" është një shenjë pozitive. "I vetmi kusht që u vura producentëve ishte që të mos jepnin ndonjë gënjeshtër. E rishikova disa herë, për të hequr sa më shumë nga ato budallallëqet si ajo që kishim prodhuar gjoja miliona dollarë, por në fakt kemi stampuar vetëm 200. E di që e vërteta është e vështirë për t‘u gjetur, por ama le ti eliminojmë gënjeshtrat". Me thjeshtësinë dhe korrektësinë didaktike të rrëfimit të tij, Adolf Burgerin e tradhtojnë emocionet kur fillon të kujtojë Xhizelën, gruan e tij, e cila u arrestua bashkë me të. "Sapo zbriti nga treni u zgjodh menjëherë në grupin që do të nisej për në Birkenau, për në dhomat e gazit. Ndodhi një javë përpara Krishtlindjeve dhe ajo ishte vetëm 22 vjeç. U rimartova në vitin 1947 dhe me gruan e dytë kalova 50 vjet martesë. Ndërroi jetë katër vjet më parë. Filmi ‘Falsifikatori‘ u shfaq vetëm një javë më parë në republikën çeke. Kinemaja ka treguar shpesh për horrorin e Holokaustit, por më në fund të gjithë do ta dinë që gjermanët ishin jo vetëm nazistë vrasës, por edhe falsifikatorë të zotë". Por ai nuk akuzon popullin gjerman. "Historia nuk përsëritet, por ecën. Unë mund të vlerësoj vetëm pjesët e historisë që njoh dhe duhet të them që nuk ndjej aspak urrejtje. Nuk mund të urrej 60 milionë gjermanë për atë çka bëri Hitleri bashkë me disa të tjerë, ashtu siç nuk mund të kritikoj të gjithë katolikët për horroret e Inkuizicionit, ose të gjithë italianët meqë Neroni i hidhte të krishterët si ushqim për egërsirat. Do të doja vetëm që të dënoheshin grupe industriale si "IG Farben", që ndërtuan fabrikat e mëdha në moçalet e Polonisë me djersën e të burgosurve, tridhjetëmijë punëtorëve që pas gjashtë javësh përfunduan në dhomat e gazit". I bindur se do ta mbajë gjallë memorien e tij për të shkuarën, Adolf Burger reflekton mbi realitetin e sotshëm: "Ndjek atë çfarë sot po ndodh në botë, gjithçka varet nga ata burra që kanë fuqinë për të vepruar. E kuptoj që askush i vetëm nuk mund ta ndryshojë realitetin, atëherë unë e prek ashtu siç është dhe mendoj se do të gjykohemi pas 50 vjetësh, ashti siç ne mund të gjykojmë sot atë çfarë ndodhi 50 vjet më parë. Nëse do të reflektoja çdo ditë mbi atë që ndodh në çdo pjesë të botës, atëherë do të kisha vdekur me kohë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora