E shtune, 27.04.2024, 06:58 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Servete Kulla: Vrasja e 20-vjeçares më se 6 vjet më parë në Xhenova të Italisë

E enjte, 27.12.2007, 11:34 AM


ALMA ÇUKA - METROPOL

Njohja me Genci Hysën dhe shfrytëzimi si prostitutë

Më se 6 vjet më parë, në Xhenova të Italisë, në një kazan plehrash, u gjet trupi i masakruar e pa jetë i Servete Kullës. Dyshimet për këtë vrasje, ranë mbi bashkëshortin e saj Genci Hysa, i cili e kishte detyruar të prostituonte. Pas kësaj vrasje u arrestuan personat e dyshuar, ndaj të cilëve ka filluar prej disa vitesh një proces i stërzgjatur gjyqësor.Viktima Servete Kulla me banim në Gjoricaj të rrethit të Durrësit, ishte njohur me bashkëshortin e saj Genci Hysa në fillim të vitit 2000. Prindërit e saj, kryesisht babai, nuk ishin dakord. Por, pasi ka këmbëngulur Genci e ka rrëmbyer. E ka dërguar në shtëpi dhe e ka prezantuar si nusen e tij.

Pas këtij veprimi, dy familjet, ajo e të pandehurit Genci Hysa dhe e vajzës kanë rënë dakord që të pajtoheshin.

Në Itali

Në shkurt të vitit 2000, Genci Hysa, pasi largohet për në Itali me nusen e tij, Servete Kulla, merr një banesë me qira në Xhenova. Bashkë me Serveten në këtë apartament jetonin dy vajza rumune dhe dy motra nga Kruja, Mirjeta dhe Teuta Lika. Vetëm ditët e para kanë qenë të mira për Serveten. Më pas ajo është detyruar nga bashkëshorti për të dalë në rrugë si prostitutë, ndërsa mësohet se nuk ka pranuar. Në survejim të dy rumuneve dhe të nuses nga Gjoricaj u vunë dy motrat, Mirjeta dhe Teuta Lika. Ndërsa Genci Hysa, së bashku me një shokun e tij, Kujtim Dani i ndiqnin në çdo moment me makinë. Nga hetimet e bëra pas vrasjes së Servete Kullës, u mësua se, vajzat që prostituonin në llogari të të pandehurve dilnin në orën 21:00 të mbrëmjes nga shtëpia dhe ktheheshin në orën 03.00 të mëngjesit me tren. Pasi ktheheshin, çantat e tyre kontrolloheshin nga e pandehura Teuta Lika. Secila nga vajzat duhet të dorëzonte në natë 300 euro.

Sipas gjykatës, e pandehura Teuta Lika ka patur lidhje me të pandehurin Kujtim Dani. Pra, të dyja motrat punonin për llogari të Kujtim Danit.

Vrasja

Në datën 25 prill 2001, në një kazan plehrash është gjetur kufoma e një vajze. Ajo kishte veshur një palë geta rrjete të zeza, minifund, xhup lëkure, mbathje të brendshme të bardha. Sipas gjykatës, kjo veshje tregonte se vajza ishte prostitutë. Është bërë menjëherë identifikimi i saj. Ka rezultuar se ishte vajza me emrin Servete Kulla nga Shqipëria. Autoritetet italiane kanë bërë verifikimet e mundshme. Në orarin që është kryer vrasja, vajza ka qenë duke prostituuar. Në survejim të tyre kanë qenë të pandehurit, të cilët kanë folur edhe në telefon.

Vajza, e identifikuar si Servete Kulla, mësohet se ishte therur me një thikë, tehu i së cilës ishte 15 cm i gjatë. Pas ngjarjes në datën 25 prill 2001, Genci Hysa ndryshoi banesë.

Akuzat

Genci Hysa dhe Kujtim Dani (Xhaferri) janë të dyshuarit, të cilët për më se dy vjet, sipas edhe hetimit gjyqësor, kanë drejtuar një rrjet prostitucioni, kryesisht në provincat e Xhenovës në Itali. Dy motrat, Mirjeta dhe Teuta Lika, akuzohen se kanë kryer të njëjtën vepër penale, duke shtuar edhe atë të blerjes dhe survejimit të prostitutave. Por këto të fundit janë përdorur si prostituta nga dy të pandehurit Hysa dhe Dani për qëllime fitimi. Ndërsa, Genci Hysa dhe Kujtim Dani gjatë gjithë kohës ishin në bankën e të akuzuarve, dy motrat që tashmë familjen e kanë në Durrës, u gjykuan në mungesë. Ato janë hetuar në gjendjen e arrestit me “Burg pa afat”.

Të pandehurit kanë rënë në pranga, pas gjetjes së një vajze të therur në një kazan plehrash në Xhenova, afër vendit ku kryente profesionin e prostitutës. Kjo vajzë pas verifikimeve ka dalë se është Servete Kulla, nga fshati Gjoricaj, Durrës.

Provat

Letërporosia e ardhur nga Italia për gjykatën është një provë e madhe. Dosja përmbante 1228 fletë. Janë pyetur 52 dëshmitarë. Shumica e dëshmitarëve janë klientë të rregullt të vajzës së vrarë, Servete Kullës.

Të gjithë dëshmitarët e pyetur para autoriteteve italiane, kanë pohuar se e njihnin Serveten, pasi ajo dallohej mes të tjerave, pasi ishte e bukur. Po kështu kanë dhënë dëshminë e tyre edhe prostitutat rumune dhe disa të tjera. Të gjitha provat janë sjellë nga autoritetet italiane.

Genci Hysa ka pranuar para gjykatës se e ka trafikuar Serveten, por nuk ka pranuar vrasjen e saj.

Ai është shprehur se nuk ka gisht në vrasje, edhe pse disa herë ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Prindërit e viktimës akuzuan dhe denoncuan dhëndrin

Genci Hysa u arrestua një vit më pas së bashku me Kujtim Danin (Xhaferrin)

Genci Hysa u arrestua më 19 gusht 2002 në Durrës. Genci Hysa lindur dhe banues në fshatin Borizanë të Fushë-Krujës, në momentin e ndalimit është kapur me një shtetase, e cila ishte prostitutë në Greqi.

Denoncimi erdhi i menjëhershëm nga familja e viktimës.

Prangat pas Hysës ranë edhe mbi Kujtim Danin, i cili pas arrestimit fitoi lirinë me kusht nga gjykata e Krujës dhe apelimi i Prokurorisë e riktheu në burg.

Nga hetimet e policisë italiane dhe asaj shqiptare rezulton se 20–vjeçarja, Servete Kulla ka qenë viktimë e rrjeteve të prostitucionit, të cilat e kanë goditur pikërisht në momentin kur vajza tentonte që të largohej nga rruga ku ishte futur.

Ditët e fundit të jetës së saj Servetja, mësohet se kishte telefonuar të afërmit dhe u kishte treguar se Hysa e shfrytëzonte si prostitutë dhe se i vinte shumë turp nga kjo gjë. Pas këtyre telefonatave, Servete Kulla u gjet e masakruar me thikë.

Familja e vajzës më 3 maj 2002 ka denoncuar në polici 26-vjeçarin Hysa. Ky sipas denoncimit ishte kthyer vetëm disa ditë pas vrasjes së vajzës në vendlindje dhe nuk kishte shkuar të takojë familjen e bashkëshortes së vrarë.

Sipas akuzës, i arrestuari kishte dy vjet që jetonte me 20-vjeçaren dhe e kishte rrëmbyer atë nga familja. I ati i vajzës ka dëshmuar para gjykatës të gjitha detajet. Ai ka deklaruar se vajzën e tij Serveten e kishte martuar te familja Hysa. Në fillim ata nuk kishin qenë dakord me këtë lidhje, por viktima kishte shkuar në shtëpinë e Genci Hysës. Më pas familjet kishin pirë kafet sipas zakonit.

Avokatët e Genci Hysës dhe Kujtim Danit kanë siguruar në Itali, një vendim gjykate që fajëson një italian

Krimet e Rënda lirojnë të dënuarit për vrasjen e Servete Kullës

Gjykata liron të akuzuarit e të dënuarit për vrasjen e Servete Kullës. Genci Hysa dhe Kujtim Dani (Xhaferri) janë liruar në mënyrë të fshehtë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Vendimi për lirimin e dy të dënuarve për vrasjen e Servete Kullës në natën midis 24 e 25 prillit 2001 në Xhenova të Italisë, u dha pasi më parë u shpreh edhe organi i Prokurorisë.

Dy të dënuarit për shfrytëzimin si prostitutë me pasojë vdekjen e Servete Kullës, janë liruar duke u dërguar në “Arrest shtëpie”. Vendimi është dhënë të hënën në orët e mesditës nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ka qenë një vendim i dhënë në mënyrë të fshehtë.

Genci Hysa dhe Kujtim Dani (Xhaferri) edhe pse ishin dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, arritën të rikthejnë dosjen për rigjykim te Krimet e Rënda.

Kujtim Xheferri është dënuar si bashkëpunëtori kryesor i Genci Hysës së bashku me motrat Lika, të cilat kishin për detyrë të tërhiqnin prostituta në rrjet. Për sa i përket vrasjes këta shtetas nuk kanë deklaruar asgjë dhe kanë kërkuar gjatë gjithë kohës që të gjykohen vetëm për “trafik prostitucioni”, ndërsa për vrasjen ata kanë deklaruar se nuk dinë asgjë dhe se janë informuar për vdekjen e Servetes vetëm nga televizionet italiane.

Vendimi

Genci Hysa ka qenë vetëm i pranishëm në seancën e së hënës. Ndërsa Kujtim Dani ka dërguar një shkresë nëpërmjet së cilës autorizonte avokatin Qazim Gjonaj ta përfaqësonte.

Kujtim Dani ndodhet në burgun e Peqinit, pasi kishte marrë masën e dënimit, ndërsa Genci Hysa në burgun e Burrelit.

Si shkak për lirimin e dy të dënuarve ka shërbyer një vendim i gjykatës italiane, e cila i ka nxjerr të pafajshëm dhe për vrasjen e Servete Kullës ka deklaruar fajtor një shtetas italian.

Këtë provë e ka siguruar avokati mbrojtës Qazim Gjonaj, që ka shkuar në Itali dhe e ka marr dorazi.

Pasi është lexuar vendimi ka dalë se, për vrasjen e Servete Kullës është marr në cilësinë e të pandehurit një shtetas italian, të cilit i janë gjetur edhe gjurmët e gishtave pas disa vitesh nga kryerja e ekspertimit.

Të akuzuarit

Pas këtij vendimi do të jenë autoritetet e burgut ato që do ta zbatojnë lirimin e Genci Hysës dhe Kujtim Danit.

Të dënuarit do të lirohen dhe dërgohen në shtëpi, ndërsa do të jenë në gatishmëri për t’u paraqitur sërish në gjykatë kur të vij vendimi zyrtar nga autoritetet italiane për pafajësinë e tyre. Genci Hysa dhe Kujtim Dani pretendojnë tashmë të marrin pafajësi dhe të lihen të lirë nga gjykata.

Lirimin e dy të dënuarve, Genci Hysa dhe Kujtim dani e konfirmon edhe drejtori i burgut të Burrelit, Shyqyrti Dyshku.

Ky deklaroi dje në mesditë se Genci Hysa pasi ka marr vendimin e lirimit në arrest shtëpia nga Gjykata e Krimeve të Rënda është shoqëruar në burg, por ende nuk ka dalë prej andej.

Gjykata është shprehur se do ta nis vendimin me faks gjë që për Shyqyri Dushkun është e padrejtë. Megjithatë, drejtori i burgut të Burrelit sqaroi se nëse do t’i kërkohet lirimi i Genci Hysës do të nisej nga Lezha ku ndodhej dhe do të firmoste lirimin e tij.

Gjykimi

Që nga tetori i vitit 2005 kur u dha vendimi nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda, kjo dosje ka kaluar nëpër shkallët e tjera të gjykimit në heshtje.

Shkalla e parë e Krimeve të Rënda, gjyqtari Gurali Brahimllari e dënoi Genci Hysën me burgim të përjetshëm dhe Kujtim Danin me 25 vjet burg. Ndërkohë që akuza për të dy të pandehurit kërkoi burgim të përjetshëm.

Vendimi për të dy të pandehurit erdhi duke u zvogëluar nëpër shkallët e tjera të gjykimit.

Apeli ndryshoi gjithçka. Genci Hysa nga burgim i përjetshëm u dënua nga Apeli me 23 vjet burg, ndërsa Kujtim Dani me 20 vjet nga 25 vjet.

Gjykata e Lartë ndryshoi gjithçka.

Avokati Qazim Gjonaj arriti të shkoj në Itali dhe të siguroj atje një provë, e cila do të rikthente çështjen edhe një herë në shkallë të parë.

Pasi është rikthyer çështja në shkallën e parë për Genci Hysën dhe Kujtim Danin janë zhvilluar seancat e para.

Kronologjia e gjykimit

Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda

Një dënim të përjetshëm dhe një me 25 vjet burg

Nga ky vendimi, vetëm njëri i ka shpëtuar dënimit maksimal. Kujtim Dani (Xhaferri), i hetuar dhe gjykuar për veprat penale të trafikimit të femrave për prostitucion, me pasojë vdekjen e Servete Kullës dhe falsifikim dokumentesh, i ka shpëtuar burgut të përjetshëm, sikurse u dënua Genci Hysa. Ai u dënua me 25 vjet burg. Në 2 tetor 2005 Krimet e Rënda dhanë vendimin për të pandehurit. Për gjykatën, Kujtim Xhaferri nuk ka patur lidhje direkte me trafikimin e Servete Kullës në Itali, por ka dhënë ndihmën e tij në këtë vepër. Ai ka bashkëpunuar me Genci Hysën, por nuk ka ndikuar direkt në nxjerrjen e Servete Kullës në rrugë. Ndërkohë që gjithçka ka rënduar mbi bashkëshortin e Kullës, Genci Hysa.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda

Një dënim me 23 vjet burg dhe një dënim me 20 vjet

Të pandehurit e deklaruar fajtorë për vrasjen e Servete Kullës, Genci Hysa dhe Kujtim Dani (Xhaferri) së bashku me dy motrat nga Durrësi, drejt Apelit të Krimeve të Rënda, shkuan të ndarë. Genci Hysa, bashkëshorti i Kullës, i cili mori nga gjykata dënimin maksimal “burgim të përjetshëm” përgatiti ankim të veçantë. Ndërsa, dy motrat Teuta dhe Mirjeta Lika, së bashku me kushëririn e Hysës, Kujtim Dani, u gjykuan së bashku. Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, pasi shqyrtoi provat për secilin nga të pandehurit vendosi të prish vendimin e Shkallës së Parë dhe të ul në maksimum dënimin për të pandehurin Genci Hysi. Nga burgim i përjetshëm Genci Hysi u dënua nga Apeli me 23 vjet burg, ndërsa Kujtim Dani (Xhaferri) u dënua me 20 vjet burg. Seanca në Apel u bë në mënyrë të fshehtë.

Gjykata e Lartë

Shfuqizoi dy vendimet, riktheu dosjen për rigjykimi

Pas vendimit të dhënë nga Apeli dosja shkoi në Gjykatën e Lartë. Avokati mbrojtës Qazim Gjonaj nuk qe dakord as me vendimin e dytë të dhënë nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda. Në vitin 2006 Gjykata e Lartë mori në shqyrtim çështjen. Pas shumë ecejakesh Gjykata e Lartë vendosi të prish vendimet e të dyja gjykatave të tjera dhe ta rikthejë çështjen për rigjykim, sërish te Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda. Vendimi i rikthimit qe i papritur dhe përsëri është dhënë në mënyrë tepër të fshehtë nga gjykata. Avokati Qazim Gjonaj paraqiti në Gjykatën e Lartë pretendimin se klientët e mbrojtur prej tyre janë të pafajshëm për shkak të disa provave të reja të dala në Itali, të cilat ai i kishte siguruar privatisht.

Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda

Liron dy të pandehurit, jep masën “arrest në shtëpi”

Më datë 24 dhjetor 2007, në orët e pasdites Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda zhvillon seancën gjyqësore ndaj dy të pandehurve Genci Hysa dhe Kujtim Dani (Xhaferri). Në listën e gjyqeve emrat e dy të pandehurve nuk ndodheshin edhe pse ajo ishte afishuar. Asnjë lajmërim nuk ishte publikuar në ambientet e kësaj gjykate, ndërsa ajo vendosi të prishë vendimet e saj të marra më parë duke u dhënë lirinë dy të dënuarve për vrasjen e Servete Kullës. Në orët e mesditës Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda ndryshoi masën e sigurimit për të pandehurit Hysi dhe Dani nga ajo e burgut në “arrest shtëpie”. Pas këtij vendimi të pandehurit janë të detyruar të lënë qelitë e burgut për t’u rikthyer në shtëpi. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora