E shtune, 27.04.2024, 04:28 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Fëmijëri pa Babagjyshin e Vitit të Ri

E merkure, 26.12.2007, 04:10 PM


Si përjetohen festat në familjen Avdyli që jeton në varfëri të plotë

Një oborr plot dhe, gurë dhe i pisët nuk mund të jetë vend i urryer për Artanin, Arianin, Zamirën dhe ndonjë shok të tyre. Është vendi i lodrave dhe argëtimit. Atmosfera festive nuk ka mbërritur te ta, madje as me shashkat që fëmijët e moshës së tyre rëndom përdorin në rrugët e qytetit bregdetar të Durrësit. Asnjë nga ata nuk i ka shkruar asnjë letër Santa Klausit, a Babagjyshit të Vitit të Ri, sepse nuk besojnë në të dhe pse janë fëmijë. Pemën festive e shohin në vitrinat e lokaleve të mëdha dhe festat e fundvitit përjetohen nga rrugët e zbukuruara dhe dritat e trageteve të shumta që ankorohen jo larg shtëpisë së tyre. Jeta në varfëri i ka zhveshur nga besimi në legjenda dhe përralla. Imagjinata, fantazia fëminore kanë mbetur larg tyre. Janë me këmbë në tokë, pranojnë realitetin dhe dhuratat që ai afron pa bujari. Ëndrrat dhe besimi te Babagjyshi u përkasin fëmijëve të tjerë, familjet e të cilëve mund të përmbushin kërkesat që i drejtohen Babagjyshit duke i kthyer në realitet poshtë pemës së ndriçuar të festave të fundvitit. Po mungesa e tyre nuk ua ka rrëmbyer buzëqeshjen dhe të argëtuarin me ato pak gjëra që gjejnë përreth. Dy këlyshë të vegjël qeni janë bashkudhëtarë të lojërave të tyre. Artani 7-vjeçar luan në oborrin e vogël plot gurë dhe dhé të shtëpisë së tij. Shtëpi i thënçin, nëse mund të quhet e tillë një ish-ambient magazinimi i ndarë në disa pjesë nga familjet e pastreha. Fare pranë tyre janë vagonët e braktisur të trenave që janë kthyer në vendstrehim të narkomanëve, atyre që prostituojnë dhe pre të njerëzve që e sigurojnë bukën e gojës nga mbledhja e skrapit. Pak më tutje shihen tragetet që zhurmshëm këtë fundviti zbarkojnë emigrantët me çanta dhe automjete plot e përplot me dhurata për familjarët. Ky është vendi ku jeton Artan Avdyli me vëllain e madh, dy motrat dhe prindërit. Në pjesën pranë shtëpisë të rrethuar me llamarina, por edhe brenda saj sheh pirgje me rroba të ndryshme të keqpërdorura dhe të falura për familjen. Të tjera janë mbledhur nëpër kazanët urbanë. Zana, gruaja e shtëpisë, ndihet e turpëruar kur e pyet për to. "Na i falin dhe mundohemi t‘i shesim për të fituar ndonjë gjë me to. Po janë krejt të kalbura, të prishura", thotë ajo ndërsa është veshur me një tis pluhuri të bardhë në rrobat që mban dhe duar. Meqë është ditë feste po gatuan një byrek për fëmijët dhe burrin e saj që nuk gjendet në shtëpi. Një byrek me miell të dhuruar. Zana beson te vëllezërit e saj dhe te ndihmat që merr nga një organizatë humanitare. Edhe këtë herë ata do e ndihmojnë të përgatisë një tryezë me ushqimet më të domosdoshme për natën e ndërrimit të viteve dhe ditët e para të vitit të ri 2008. Ka dhembje në sytë dhe fjalët e saj. E mundon jeta që bën dhe ajo që u ofron fëmijëve të saj, ndonëse është e bindur se bashkë me të shoqin bëjnë më të mirën, madje dhe përtej mundësive që kanë për ta. Artani 7-vjeçar vuan nga astma, ndërsa njëra prej vajzave ka probleme me sytë. Zana vetë thotë se vuan nga probleme kardiake. Po dashuria që ndiejnë për njëri-tjetrin anëtarët e kësaj familjeje të ardhur vite më parë nga Rrogozhina duket se u pakëson vuajtjet dhe varfërinë që i ka mbytur. Nuk mbahet shtëpia me miell hua. Është kjo shprehja që rëndom kryefamiljari përdor teksa merr ndonjë mbështetje materiale dhe përpiqet të punojë. Po sa e vështirë është të sigurosh para kur nuk ke një vend pune… Kjo situatë krijon dhe mjaft tensione mes tij dhe pjesës tjetër të familjes, ndërsa një vit tjetër i ri po u troket në derë. Nuk besojnë se ai do të ndryshojë diçka në jetën e tyre po shpresojnë që fëmijët, nxënës të 8-vjeçares të arsimohen dhe të bëhen të zotët e vetes. Sa e vështirë është kjo në kushtet e tyre? E dinë, po shpresojnë pasi shpresën nuk mund t‘ua heqë as varfëria, as dhembja. Grumbujt e rrobave dhe materialeve të çfarëdoshme të mbledhura andej-këndej, ambienti brenda dhe jashtë shtëpisë ish-magazinë dëshmojnë varfërinë dhe mënyrën e pasigurt që përdoret nga kjo familje, po dhe shumë të tjera në gjendjen e saj, për të siguruar jetesën. Gjithsesi, nesër është një ditë e re. Pak ditë më pas, një vit i ri. Mosbesimi te Babagjyshi nuk do i mbajë larg festës që natyrshëm përjetohet më shumë se kushdo nga fëmijët në natën e ndërrimit të viteve. Ndonëse pa lodra dhe me shumë stres në familjen e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora