E diele, 28.04.2024, 11:58 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Parajsa private e Berluskonit

E hene, 07.01.2008, 12:33 AM


Edeni" i supermiliarderit italian në Karaibe është i përbërë nga shtatë vila përrallore

Numri i rezidencave të ish-kryeministrit, të ndërtuara në zonat më të bukura të globit, shkon në 14. Arsyeja? Zgjerimi i familjes

Berluskoni
Iu desh të nisej me një prej avionëve të tij privatë drejt e nga Sardenja, bashkë me mikun dhe bashkëpunëtorin e vjetër, Xhani Gamondi, arkitektin peizazhist të specializuar në komplekset turistike, resorte e vila VIP-ash të shpërndara në pikat më të bukura të globit, i cili i ka ndërtuar disa prej vilave dhe e këshillon mbi gjithçka ka të bëjë me shtëpitë: nga investimet në para, deri te bimët që duhen për të zbukuruar kopshtet e mrekullueshme.

U nisën vetëm ata të dy, madje edhe pa bashkëshorten e Berluskonit, Veronikën, të shoqëruar nga një truprojë të përbërë vetëm prej tre njerëzish. Destinacioni, Antilet e Vogla, ai rrip ishujsh përrallorë që nis në jug të Majamit e përfundon shumë pranë Venezuelës. Shkuan aty për t‘i dhënë lustrën e fundit vilës në Antigua, e fundit e serisë (sipas asaj që kanë thënë burime shumë pranë ish-kryeministrit të vendit fqinj). Cili ishte ky problem që e detyroi të nisej me kaq urgjencë? Lulishtari kishte gabuar zgjedhjen e disa bimëve, ndërkohë që, siç saktësoi edhe vetë Berluskoni, donte të ishte vetë i pranishëm që gjithçka të bëhej ashtu siç duhej. Dhe ndoshta mund të jetë edhe vërtet kështu.

Ndërkohë që urgjenca me të cilën u nis Berluskoni pa marrë parasysh se i duhej të kalonte gjithë sipërfaqen e oqeanit për të qëndruar aty vetëm katër ditë, me shumë gjasa mund të fshehë interesa të tjera, shumë më të rëndësishme se zgjedhja e bimëve. Pasi në të vërtetë, në atë Eden të mrekullueshëm karaibik, miliarderi italian zotëron jo një, por shtatë vila.

Një numër i konsiderueshëm pronash të paluajtshme që praktikisht i shumëzon me dy rezidencat e tij, të cilat tani arrijnë në 14. gjashtë të mëparshmet janë: Maçerio, Arkore, Portofino, La Çertoza, e vetmja nga 7-8 shtëpitë që u ka shitur rusëve dhe amerikanëve gjatë viteve të fundit. Duhen marrë parasysh edhe dy vilat në Bermudë, gjithnjë në zonën e Karaibeve, njërën prej të cilave ia ka dhuruar së bijës. Duhet llogaritur edhe një pallat gjigant në Çernobio, e blerë së fundmi, të cilën po e ristrukturon tërësisht. Dhe nëse miliarderi italian vendos të pranojë edhe ofertën e mikut Vladimir Putin për blerjen e një vile në një kompleks të ri që po mbin në buzë të Detit Baltik, jo shumë larg nga Shën Petërburgut (po e merr seriozisht në konsideratë propozimin) numri i përgjithshëm do të shkonte në 15.

Përse shtatë vila në Antigua? "Për të afërmit dhe miqtë e panumërt", shpjegoi dikush që e njeh mirë dhe i qëndron vazhdimisht pranë. Në Antigua nuk ka qenë, por siguron se bëhet fjalë për ndërtime të ulëta, të cilat i përshtaten për mrekulli bimësisë së zonës.

Përse gjithë ky zgjerim? Duhet mbajtur parasysh që familja po shtohet, duke pasur parasysh këtu bijtë e nipat, por edhe për shkak të tendencës së re të miliarderit për t‘u rrethuar nga shumë miq e të afërt, gjë që më mirë të bëhet në ambiente madhështore. Dhe në fakt, kur përpara disa viteve i hodhi sytë për herë të parë nga Antigua, përzgjodhi një vilë madhështore faranike, ku gjithçka qe gati, por në lojën e rritjes së ofertës (mendohet se shifra u vërtit rreth 40 milionë dollarëve) ia la fitoren një grupi amerikan.

Që këtu erdhi edhe vendimi për të ndërtuar komplekse vilash, i cili gjithashtu përbën edhe një investim mjaft të mirë në zonën superluksoze që Gamondi (autor i një kompleksi të mrekullueshëm për stilistin Krizia, si edhe të vilës së një futbollisti të famshëm) po përpiqet ta reklamojë në gjithë botën. Bëhet fjalë për gjirin Nonsuç të Emerald Kove, një gji në ngjyrë të smeraldtë që ofron peizazhe që zor se gjenden gjëkundi tjetër.

"2 mijë e 8 qind kilometra breg përrallor, një gadishull kodrinor që sheh përballë barrierës së koraleve", shkruhet në sitin zyrtar ku reklamohet ky breg i smeraldtë i Karaibeve. Një ëndërr që arkitekti po përpiqet ta kthejë në realitet që nga vitet ‘90.

Njeriu që kontribuoi fort për ndërtimin e bregut të smeraldtë në vendin fqinj (i famshmi Porto Rotondo mban firmën e tij) u josh tani nga diçka e re, me përmasa shumë më ndërkombëtare. Një vend krejt i veçuar dhe ekskluziv, ku të pasurit e planetit të mund t‘i largohen dimrit të ftohtë në vendet e tyre, ku mund të gjejnë paqe me ardhjen e moshës së pensionit, duke shpëtuar nga metropolet e mbipopulluara ku jeta po bëhet gjithnjë e më e padurueshme, apo ku thjesht për një farë kohe mund të shijojnë diellin, puhitë e lehta dhe detin e kristaltë. Madje, edhe pa u ngarkuar me ato taksa të tmerrshme luksi nga të cilat zor se mund të shpëtohet gjetkë. Sipas të dhënave që vijnë nga OSBE-ja Antigua renditet si një prej parajsave fiskale të planetit.

"Parajsa e cila respekton të gjitha normat e ruajtjes së ambientit", sigurisht përfshin një fushë gjigante golfi, bashkë me klubin përkatës me një pamje të mrekullueshme nga gjiri, "Klubin e Lundrimit" (janë disa barkat me vela në dispozicion), një klub tenisi dhe një klub bar në anë të një pishine gjigante. Shtëpitë e zhytura në bimësi përbëhen nga ambiente të mëdha, të gjitha me tarraca që shohin nga deti, ndërkohë që mobiliet janë ndërtuar me materiale që ofron bimësia lokale, ashtu siç e kërkon tradita karaibike. Megjithatë, Gamondi nuk harron të sjellë edhe diçka nga Italia, siç janë disa mobilie që zor se arrin t‘ia ofrojë industria vendase.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora