Mendime
Astrit Lulushi: Hallkë e vetmuar
E marte, 18.01.2011, 05:15 PM
Hallkë e vetmuar
Nga Astrit Lulushi
Shqiptarët shpesh flasin për traditën, megjithëse jo në pak raste me keqardhje ndjejnë se ajo mungon dhe se një brez a më shumë janë shkëputur prej saj. Fjala “traditë” ka të ngjarë të mos përdoret kur flitet për artistë, aktorë, shkrimtarë e poetë - vdekur a gjallë – të një periudhe jo shumë të largët. Për ata thuhet se i përkasin një epoke të vecantë kur tradita e vërtetë shkelmohej. Ishte kohë çmendurie kur një grup njerëzish i kishye vënë vetes qëllim të krijonte shqiptarin e ri, por e pengonte tradita, filli i cili mban të
lidhur vargun që ky zgjatet nga e shkuara në të tashmen duke i bërë njerëzit të ndjehen “komb” dhe t’a shohin të ardhmen me sy të njësuar.
Por diabolikët sundojnë, vetëm të mirët qeverisin, Dhe tradita sigurisht u shkon përshtat atyre të cilër prej vitesh gënjejnë veten.
Ata mendojnë se dijnë të drejtojnë a të merren me politikë, ose bëjnë sikur dijnë për të mashtruar të tjerët, sepse e tillë është tradita sic janë mësuar t’a kuptojnë. Brezi i sotëm dhe ai menjeherë para-ardhës mbajnë mend periudhën e përlyer, amorale, frikë, mohim,
vrasje, dhunë e korrupsion. Vetëm brezi i ri dhe tjetri pas tij – me ndjenjë ndryshe për jetën - do t’a kuptojnë se historia shqiptare prej disa dekadash ngjan më shumë me një marshim njerëzish grindavecë që pengojnë njeri tjetrin ndërsa ecin nëpër terr në rrugë pa rrugë.
Popuj më pak homogjenë, p.sh. zviceranët – si vendin e të cilëve shqiptarët endërrojnë trojet e tyre t’i bëjnë - e fillojnë historinë e shtetit që në shekullin e XIII, por shqiptarët tregojnë se ende nuk kanë rilindur kur thonë se themelet e shtetit të tyre (të cunguar) u hodhën më 1912, ose më turp akoma, "kur hidheshin themelet" më 1944.
Një nënvetëdije e thellë të bën të mendosh se mos shqiptarët e sotëm janë më shumë pjesë e një helenizimi, romanizimi a osmanizimi sesa e një shqiptarizimi ilir e arbnor. Dikur, në periudhën e Skënderbeut, ishin shqiptarët që trokisnin në dyert e Evropës dhe priteshin me respekt. Sot duket se eshtë Evropa që u lutet atyre të merren vesh me
njëri tjetrin për të hyrë në rrugën e integrimit evropian. Dhe këta vazhdojnë të enden kapur pas një filli të shkurtër që është tradita që u kane mësuar. Disa me syte nga lindja, të tjerë me këmbët që trupin tërheqin drejt perëndimit, ata i ngjajnë vërtet shqiponjës dy
krerëshe, por të shpërfytyruar.
Njerëzit nuk duhet të ndjehen keq - dhe të sëmurëve nuk duhet t’u ndalohet jeta - sepse shprehin atë që mendojnë kur lexojnë një libër, kur shohin një vepër arti apo kur dëgjojnë një lajm që i bën të ndjejnë dhimbje a rebelohen për dëmet që i shkaktohen vendit nga
sjellja e politikanëve. Shqiptarët gjithmonë kanë vuajtur nga politikanët e tyre. Këta, pasi kane “larë hesapet” me njëri tjetrin, i janë kthyer popullit a thua se pa ‘të mund të ekzistojnë. Ndoshta edhe po, por jo gjIthmonë. Gjithësesi, nuk duhet harruar se zhvillimi është i pashmangshëm si frymë-marrja, rit i domosdoshëm.
Një nga vecoritë që është vënë re gjatë kësaj periudhe pa diktaturë është së shumë njerëz si zogu i lindur në kafaz, e kanë të vështirë të dallojnë ndryshimin me jetën jashtë telave. Kjo sjell edhe prirjen këmbëngulëse të disave për të vleresuar pikërisht ata që ulin kokat a
ndjejnë turp kur kujtojnë punët e tyre të dikurshme, sot të ripunuara. Çfarë arsye tjetër mund të ekzistojë për këtë, vec nënturpit.
Menjëherë pas rrenies së diktaturës, të gjithë u bënë të “djathtë”; askush nuk fliste a të gjithë heshtnin për filmat, këngët, pikturat, skulpturat, librat, gjthë ky arti i detyruar i realizuar pa frymëzim gjatë periudhës së errët; bustet e pikturat u mbyllën bodrumeve,
ndërsa emrin e diktatorit askush nuk guxonte – të paktën moralisht - t’a zinte në gojë për të mirë.
Nëse traditë do të thotë ndjekje verbërisht e rrugës së brezit që sapo ka kaluar, “tradita” pozitivisht duhet shkurajuar. Eshtë pikërisht një nga ato raste për të cilin T.S. Eliot do të thoshte se ndonjherë “rruga e pashkelur eshtë më e mirë sesa rruga shtruar.”
Në fakt, tradita i ngjan një pasurie të madhe që nuk është krijuar me punën e një njeriu dhe nuk i përket një brezi të vetëm. Nëse duan të kenë një traditë, njerëzit duhet të punojnë shumë për të kuptuar të kaluarën e shkuar, por edhe të tashmen. Që një shkrimtar të lexohet përtej kohës së tij, që një politikan të kujtohet si burrë shteti nga brezat pasardhës, secili duhet veprojë jo thjesht duke patur parasysh bashkekohësit e vet, por duke menduar se gjithë letërsia, që nga koha e Buzukut i cili shkroi shqip kur thuajse asnjë shqiptar nuk dinte të lexonte, dhe se gjithë arti qeverisës që nga Teuta i cila dinte të
bënte vetëm armiq, e Skënderbeu që luftonte e njëkohësisht përpiqej për aleanca të brenshme, të gjitha, janë hallka të një zinxhiri; vazhdimësi, që vetëm së bashku përbëjnë atë qe quhet traditë.