E diele, 09.02.2025, 04:17 AM (GMT)

Speciale

Alexander Thomson: Shtigje biblike në Shqipërinë e Rilindjes Kombëtare (III)

E diele, 02.01.2011, 07:59 PM


SHTIGJE BIBLIKE NË SHQIPËRINË E RILINDJES KOMBËTARE

 

Nga Alexander Thomson

 

Shkodra

 

Në fund afër orës 2 pasdite erdhëm në Shkodër, atë qytet të lashtë i cili ishte një vend i rëndësishëm në ditët e triumviratit të parë romak (treshe sundimtarësh), i cili është i njohur se ka sfiduar pushtetin e po atij Muhameti i cili zuri Kostandinopolin, dhe me të cilin në begati dhe në mjerim fati i Shqipërisë së Veriut është lidhur pazgjidhshmërisht.

U kënaqa kur vura re mjaft shenja të progresit, pasi e kisha vizituar herën e fundit më 1863. Një doganë e re dhe komode ishte ndërtuar, si dhe mjaft dyqane private dhe shtëpi, dhe mjediset publike në disa raste ishin murosur. Në tërësi qyteti paraqiste më shumë risi dhe rehati se më parë.

Mirëpo tiparet e mëdha mbetën të pandryshuara. Fortesa e zymtë historike varte buzët akoma nga kryesia e saj e lartësuar, liqeni akoma shtrinte gjoksin e tij të gjerë të shpuar me ishuj, ujërat e Bojanës rridhnin po aq rrëmbyeshëm sa më parë, dhe fusha e bollshme gjatë buzës së liqenit, mbi të cilën shtriheshin banesat e popullit të Shkodrës, akoma dukej po aq mikpritëse sa më parë me lëndinat e saj të blerta dhe pemët e saj hijedhënëse.

Ne u vonuam për pak kohë në Doganë, dhe gjatë kësaj kohe zbulova që të gjithë zyrtarët që ishin atje në 1863 ishin spostuar në vende të tjera, me përjashtim të një njeriu të vetëm, një zezak, i cili rikujtoi vizitën time dhe të cilin e njoha dhe unë gjithashtu.

Rrugët e pazarit paraqitën një pamje mjaft të ngjashme me atë që ishte më parë, ku shumica prej tyre ishin të ngushta dhe jo tepër të pastra, dhe të mbushura me një popullatë me veprimtari të gjallëruar.

Pas afro një gjysmë ore ne u larguam nga pazari ose lagjja e dyqaneve dhe u nisëm drejt shtëpisë së Z. von Laer, e cila ndodhej pranë konsullatës britanike afro 1,5 km nga dogana. Ne na erdhi keq kur pamë se Richard Reade, Konsulli i Madhështisë së Saj, nuk ndodhej atëherë në Shkodër, ndonëse pritej të vinte pas disa ditësh. Më parë më ka rënë rasti të përmend interesin e ngrohtë i cili është treguar nga Z. Reade në veprimet e Shoqatës ndërkohë që Z. Riedel ka qenë agjent atje, dhe po kështu kam për të treguar se Z. von Laer ka përjetuar të njëjtën miqësi dhe të njëjtën gatishmëri për ta ndihmuar si me këshilla ashtu dhe me përkrahje zyrtare ose të kujdesshme. Për këto arsye kisha parashikuar me kënaqësi të madhe të njihesha me Z. Reade, një dëshirë kjo e cila mezi më besohej që u plotësua kur pashë dhe shtrëngova duart me të katër ditë më pas në bregdet në Gjirin e Antivarit.

Ngaqë ishte e shtunë pasdite dhe donim me patjetër të mbanim shërbesën hyjnore në Ditën e Zotit, ne bëmë vizitë tek Z. Cooper i Zyrës Telegrafike, i cili me mirësjellje lejoi shërbesën të kryhej në dhomën e tij të pritjes. Konstatuam se Z. dhe Znj. Cooper ishin njerëz shumë të këndshëm, dhe morëm prej tyre një mikpritje shumë të përzemërt. Vizitova gjithashtu edhe Z. Holroyd, një inxhinier, të cilin e kisha njohur në Kostandinopol dhe e kisha parë edhe në vizitën e mëparshme që kisha bërë në Shkodër, por mjerisht ai lejoi faktorë të parëndësishëm të ndalonin atë dhe Znj. Holroyd për të marrë pjesë.

Mirëpo shërbesa u krye dhe ishte mirë që në një qytet ku papizmi [katolicizmi] dhe injoranca sundojnë në triumf të bëhej një përpjekje e përulur për ta adhuruar Atin e Frymërave tona në një mënyrë shumë më të lartë “në Frymë dhe në të Vërtetën”.

Të hënën bëmë vizitë tek Pashai i cili na u duk tepër i këndshëm dhe gati për të na dhënë gjithë lirinë dhe mbrojtjen që mund të dëshironim për veprimet tona. Ai foli me një krenari të ndershme, ndonëse siç menduam me ndonjë mbitheksim të pakët, për përpjekjet e tij për shtypjen e grindjeve dhe gjakderdhjes nëpër krahinën e qeverisjes së tij, jo me dhunë ose thjesht me kufizime policore, por me themelimin e shkollave dhe vendeve të kultit.

Pastaj vajtëm tek Rushdi Mekteb, ose shkolla qeveritare, të cilën e kisha gjetur më parë në një gjendje shumë efikase. Ajo mbante ende reputacionin e saj. Daond Efendi, pedagogu, ishte ende atje, po aq energjik sa më parë, dhe pjesëmarrja ishte rritur aq shumë saqë ndërtesa në të cilën ishte më parë ishte lënë për degën e ciklit të ulët, ndërkohë që Daond Efendi me nxënësit më të mëdhenj ishin zhvendosur në salla më komode në një godinë të bashkangjitur. Dr. Koelle dhe unë u kënaqëm shumë që patëm mundësi të vizitonim këtë shkollë, sepse Daond Efendi ishte një njeri i arsimuar, dhe me karakter entuziast dhe energjik, dhe dukej qartë se kishte fituar ndjenjat e dashura të nxënësve të tij, dhe i kishte frymëzuar me një pjesë jo të vogël të zellit të vet. Kjo në vetvete ishte një pamje e pëlqyeshme, dhe megjithëse ajo u dobësua deri diku nga mendimi që karakteri i cili formohej në atë shkollë do të ishte i ngarkuar me nocione dhe ndjenja islame mjaft të forta, prapë dukej në përgjithësi më mirë që popullit t’i mësoheshin elementet e diturisë, si p.sh. këndimi, shkrimi, gramatika, gjeografia etj., edhe nën një mbikëqyrje jo të favorshme, sesa të lihej fare pas dore. Daond Efendi na priti me përzemërsi të madhe, dhe mund t’i bënim komplimentin më se të ndershëm që ai ndodhej në krye të shkollës islame më të begatshme që kishim parë gjëkundi në Turqi.

Shkolla gjendet në pjerrësinë e thepisur të kodrës mbi të cilën është ndërtuar fortesa, dhe ngaqë Pasha me mirësjellje na kishte dërguar një oficer për të na përcjellë tek shkolla, dhe çdo vend tjetër që mund të zgjidhnim, ne vendosëm të përfitonim nga shoqëria e tij për të vizituar të famshmen qytezë të vjetër.

Nuk do të përshkruaj pamjen interesante dhe të gjerë që ne pamë nga bedenat, por vetëm do të vë në dukje se një pjesë e konsiderueshme e fortesës është mbajtur mirë, por disa gjyle prej guri, disa prej tyre të paktën 45 cm në diametër, janë të gjitha që kanë mbetur prej artilerisë gjigante e cila u përdor nga Muhameti II gjatë rrethimit të qytetit, e cila u vendos aty afër. Pas karrierës së Mustafa Pashës, gati dyzet vjet më parë, konsiderohej e rrezikshme të lije makina të një fuqie kaq të madhe në dispozicion të një guvernatori krahinor, besnikëria e të cilit mund të ishte vetëm e brishtë. Prandaj topat u shkatërruan, por gjylet u ruajtën si përmendore të aftësisë turke në ditë të tjera. Oficeri i cili na shoqëroi na siguroi se në djalërinë e tij ai ishte futur shpesh tinëzisht në ata topa. Shkurt nuk kam dyshim që Shkodra mund të mburrte në ditët e mëparshme tre-katër topa, që të gjithë po aq të mëdhenj, ose ndoshta më të mëdhenj se i famshmi Mons Meg i cili shikonte buzëvarur mbi bedenat e Kështjellës së Edinburgut, dhe vë re faktin që ata datohen pak a shumë nga e njëjta periudhë me atë top të njohur.

Mund të kishim kaluar shumë kohë në zbulimin e topografisë së vendit, por sado që na joshte kjo temë, ne nuk patëm as kohën e lirë as veprat historike në dorë të cilat do të na nevojiteshin për këtë qëllim.

Pasi zbritëm në qytet Dr. Koelle nisi t’i ofronte Shkrimet turqisht për t’u shitur në pazar ndërsa unë u ktheva tek Z. von Laer për të rregulluar çështje të biznesit dhe për të bërë vizitë në njerëz të caktuar të cilët i kisha parë më parë në 1863.

Një nga këta të fundit më interesoi shumë. Ishte plak mbi moshën tetëdhjetë, dhe kishte punuar si farmacist. Në 1863 ai kishte shprehur jo pak simpati me kauzën e lirisë në Itali, si politike ashtu dhe fetare, dhe kishte blerë prej meje një Dhiatë italisht, të cilën tha se do ta lexonte pavarësisht se ç’do të thoshin priftërinjtë. Por tani, ardhur në skajin e jetës tokësore, i ngarkuar rëndë me dobësitë e plakjes, dhe jo i paprekur nga frika e mungesës dhe e varësisë, ai ishte bërë shumë më i nënshtruar ndaj klerisë, dhe ndonëse u gëzua të më shihte, dhe ma ktheu vizitën, ai tregoi kujdes për të përmendur vazhdimisht jezuitët në bisedën e tij, dhe për të shprehur marrëveshjen e plotë që kishte me mësimin e tij. Vështirësia që përjetuam unë dhe Z. von Laer ndërsa u përpoqëm t’i jepnim plakut koncepte të qarta për shpëtimin e ungjillit, më la një përshtypje të thellë për nevojën që kanë njerëzit për të kujtuar Krijuesin e tyre në ditët e rinisë së tyre, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat kanë për të thënë: “Nuk gjej asnjë kënaqësi në to”.

Për rëndësinë e Shkodrës nuk mund të kihet asnjë dyshim, por është po aq e sigurt që deri tani relativisht pak është kryer për shpërndarjen e Fjalës së Perëndisë në qytet, ose midis papistëve të krahinës. Mirëpo është ngritur lart një dëshmi, dhe me bekimin e Perëndisë ajo nuk do të jetë e kotë.

Nga ndjenja e fortë kombëtare që gjallëron tërë popullin shqiptar, do të shpresoja që me kalimin e kohës dëshira për të zhvilluar gjuhën e tyre kombëtare, pavarësisht nga faktorë të tjerë, do t’i shtyjë të blejnë Shkrimet shqip të Shoqatës. Pa dyshim ka disa pengesa në rrugë, njëra prej këtyre është përdorimi nga ana e Shoqatës i një ortografie disi të ndryshme nga ndonjë i cili përdoret nga ndonjë klasë e popullatës, qofshin myslimanë, grekë ose papistë. Por madje edhe në këtë pikë, ndihem se rruga jonë ka qenë e drejtë, dhe se kur Fryma fillon të bëjë që e vërteta të përshkojë me fuqi në zemër, çdo mal do të bëhet fushë.

 

1868

Shqipëria dhe Mali i Zi

 

Në këto krahina interesante, të cilat vetëm sot po fillojnë të marrin njëfarë vëmendje e cila u drejtohet nevojave të tyre shpirtërore, më vjen mirë të raportoj se puna e qarkullimit të Biblës po ecën gjithnjë përpara dhe po jep kudo një efekt të dalluar, ndonëse pengesa të llojeve të ndryshme dalin pothuaj gjithmonë për të pakësuar atë që në rast të kundërt do të ishte rezultati i punës.

Në pranverë Shqipëria e Jugut u trazua nga frikërat e një Revolucioni, ose të një pushtimi grek, kështu që mendjet e njerëzve u shqetësuan së tepërmi, qarkullonin thashetheme nga më të padëgjuarat, dhe udhëtimi në disa rrethe u bë i rrezikshëm, edhe sikur populli të kishte dëshirë të blinte Shkrimet.

 

Alexander G. Davidson

 

Këto rrethana e ndaluan Z. Davidson të bënte shumë gjëra në pranverë; pastaj ai u ndalua nga sëmundja e ashpër të merrte përsipër ndonjë turne; dhe më në fund kur në vjeshtë ai kishte mundësi dhe dëshirë të etur për t’u nisur, ai u ndalua nga sjellja e Pashës, i cili hodhi në rrugën e tij çdo pengesë dhe portretizoi gjendjen e trazuar të vendit të jetë e tillë saqë ai refuzoi të garantonte sigurinë e Z. Davidson. Në këtë mënyrë humbi një kohë tjetër shumë e rëndësishme, deri sa Z. Davidson, duke vepruar sipas opinionit të Major Stuart, konsullit të Madhështisë së Saj në Janinë, dhe sipas udhëzimeve nga unë, vendosi të vazhdonte i përgjegjshëm për veten e tij.

Turneu i Z. Davidson në fakt ishte shumë i vonë për rajonet e egra malore nëpër të cilat ai kaloi, mirëpo ai nuk u has as me rrezik personal as me dëm të zgjatur për shëndetin e tij, ndërsa rezultatet ishin të tilla që e shpërblyen me bollëk dhe i dhanë zemër në punën e tij. Turneu i zuri kohën nga 30 shtator në 6 dhjetor, dhe ishte tepër interesant….

 

Korça

 

Qyteti tjetër me rëndësi ku bëri vizitë ishte Korça, ku gjuha e folur është shqipja dhe ku ai gjeti një shkollë fillore të lulëzuar për djemtë në një ndërtesë të madhe me pjesëmarrjen e rreth 300 nxënësve gjatë beharit, dhe 500 në dimër, kur barinjtë zbresin në fushat. Shkolla është ngritur dhe pajisur me fonde nga një vendës i qytetit. Ka edhe një shkollë më të lartë për djemtë dhe një shkollë për vajzat, për të cilën një mësuese sapo ishte sjellë nga Athina. Këtu ai shiti 23 kopje në toskërisht, dhe mbaroi plotësisht atë pjesë të stoqeve të tij.

Shitjet e tij të tjera ishin gjithashtu inkurajuese, dhe ka mundësi se do të kishin qenë akoma më të mëdha, nëse protosingulos-i, ose kishtari kryesor, në qytet në mos kishte nxjerrë urdhra duke ndaluar rreptësisht çdo blerje.

Drejtori i shkollës nuk besonte dot që puna ishte e tillë, dhe ia mbushi mendjen Z. Davidson të vinte me të tek kishtari, dhe të hiqte atë që e ndiente me siguri se duhet të ishte ndonjë keqkuptim. Por gjithçka ishte më kot; librat mund të ishin shumë të mirë dhe protosingulosi vetë nuk kishte asgjë për të thënë kundër tyre, por ata ishin ndaluar nga patriarku, dhe për sa kohë që ky ndalim mbetej i paanulluar, ai e kishte për detyrë ta zbatonte.

Madje pranë Z. Davidson u vendos një njeri që të ndalonte blerjet nga ana e atyre që synuan të blinin, dhe ndonëse disa kopje u shpërndanë pavarësisht nga ky Arguo sypishë, nuk ka asnjë dyshim që në këtë mënyrë u pengua shumë qarkullimi i Shkrimeve të Shenjta.

 

Berati

 

Stina kishte ecur shumë, por ngaqë moti ishte i favorshëm, Z. Davidson vendosi të vizitonte Beratin, kufirin më verior të krahinës së tij. Mirëpo ndryshimet e motit në krahinat malore janë njohur si të papritura, dhe do t’ju jap me fjalët e vetë Z. Davidson një tregim të udhëtimit të tij:

Gjatë gjithë natës dëbora ka rënë shumë, dhe kur u nisëm në mëngjes pas agimit, nuk na u paraqit asnjë perspektivë ngazëlluese me 15-18 cm dëborë përtokë, që vazhdonte të binte, dhe 12 orë përpara nesh nëpër një shteg i cili nuk ishte i mirë as në behar. U nisëm afro 30 veta në një karvan, gjithsecili i armatosur gjer në dhëmbë me pushkë, revolvere dhe jataganë. Asnjë vrasje ose vjedhje nuk ka ndodhur për rreth tre vjet, por rruga ka një nam aq të keq saqë as edhe një polic i hipur në kalë nuk do të shkojë vetëm.

Me të vërtetë kaluam një ditë të keqe, herë duke ecur haprëndë nëpër dëborën që arrinte deri në gju, herë duke kaluar me një thëllim që e çonte dëborën në fytyrat tona. Drejtuesit e mushkave ishin aq të ftohtë, saqë, ndonëse janë mësuar me punë të tilla, në vend që të përparonin drejt hanit, ata ndaluan pas një udhëtimi nëntë orësh në fshatin e Dusçarit.

Flokët e mia ishin ngrirë pas kapelës, dhe m’u desh të rrija ulur për ca kohë para se të mund ta hiqja, kur një zjarr i fortë shkriu akullin në rrobat tona.

Fshati është i vogël dhe krejtësisht mysliman, ndonëse është kthyer vetëm kohët e fundit nga krishterimi, dhe zotëron një kishë, por nuk ka asnjë njeri që të përvetësojë emrin e krishterë.

Të nesërmen ashpërsia e motit ishte zbutur disi, dhe pas një kalimi prej 13 orësh në shpatet me dëborë të Malit Tomor, ata arritën shëndoshë e mirë në Berat dy orë pasi ishte ngrysur. Ngaqë unë kisha bërë vizitë në Berat, dhe kisha kaluar pesë ditë atje në fund të majit të kaluar, nuk mund të pritej që Z. Davidson mund të shiste shumë. Megjithatë, ai shiti disa kopje dhe u has me një pritje shumë miqësore.

Por një hoxhë fanatik deklaroi se, po të kishte të hollat, do të blinte tërë stokun e tij dhe do të hidhte librat në lum, dhe se po të ishte Ungjilli i mirëfilltë ai që po shiste, Perëndia do t’ia kthente kokën në gur që njerëzit të kalonin mbi të në ditë shiu, sepse atë libër të shenjtë e kishte nxjerrë haptas për t’u shitur në treg. Mirëpo zelli i hoxhës së nderuar gjeti rrugëdalje të mjaftueshme me fjalë, dhe kolporteri juaj u lejua t’ua ofronte librin pa u bezdisur, të gjithë atyre që vendosën ta shqyrtonin.

 

Përmeti

 

Qyteti tjetër me rëndësi ku bëri vizitë ishte Përmeti. Distanca ishte një udhëtim dyditor, dhe u ndeshëm me një rrezik jo të vogël kur na u desh të kalonim me va lumenjtë tejet të fryrë.

Kur erdhi në qytet ai gjeti të gjitha klasat aq të forta në paragjykime dhe aq të paditura saqë arriti të shiste vetëm një libër. Kjo i takonte pjesërisht faktit që qyteti, për aq sa dimë ne, nuk ishte vizituar kurrë më parë nga asnjë kolporter, dhe pjesërisht, urdhrave prej protosingulosit të Korçës, të cilat u zbatuan menjëherë nga i njëjti qeveritar në Përmet. Prapë, puna kishte filluar. Shumë biseda u zhvilluan me njerëz të ndryshëm, dhe me kaq rruga është më e hapur për përpjekje të ardhshme.

 

Konica

 

Qyteti tjetër dhe i fundit me rëndësi në këtë rrugë ishte Konica, ku ai shiti vetëm një-dy kopje, por si më parë ai pati kënaqësinë e fillimit të punës së mirë në një vend të ri.

Megjithatë, ai gjeti një mik të ngrohtë dhe të zgjuar të Shoqatës tek një tregtar grek i cili kishte blerë një Bibël prej tij dy vjet më përpara në Janinë. Ai e siguroi se e merrte me vete në udhëtimet e tij, dhe se e kishte një burim të padështuar të ngushëllimit. Ai ishte nxitur shumë herë ta dorëzonte, por me ngulm e kishte refuzuar këtë, dhe shprehu haptazi admirimin e tij për përpjekjet e Shoqatës, ndërsa murgët i karakterizoi si dembelë, të paditur dhe shumë shpesh robër të pavlerë. Një bir i këtij tregtari ishte mësues i degës së lartë të shkollave publike, dhe Z. Davidson pati shumë kënaqësi kur vërejti mënyrën e përkryer në të cilën ai i mbante klasat e tij. Ushqehen disa shpresa që Dhiata e Re të mund të futet atje si libër shkollor.

I tillë qe ku turne prej dy muajsh apo më shumë, gjatë të cilit me vetëmohim dhe këmbëngulje të madhe Z. Davidson bëri vizitë në të paktën katër qytete të konsiderueshme për herën e parë.

Kaq i gjerë është territori që i është caktuar atij, dhe kaq të vështira dhe të lodhshme janë mjetet e kalimit, saqë edhe gjatë tre vjetëve, ndonëse ka vizituar shumë vende herë pas here, ai nuk ka arritur të vizitojë të gjithë vendin qoftë edhe një herë të vetme. Ne shpresojmë që ai mund të jetë në gjendje ta arrijë këtë sivjet, sepse nuk mund të imagjinojmë asnjë mënyrë më të mirë për të bërë të mirën për çdo qytet në gjithçka e cila ka të bëjë me interesat e larta të besimit fetar, arsimit dhe tolerancës, sesa një vizitë nga një nga Agjentët e përulur të Shoqatës suaj.

 

Edward von Laer

 

Për mundimet e Z. von Laer në Shqipërinë e Veriut dhe Malin e Zi më vjen mirë të flas me termat më të larta. Duke banuar në Shkodër mes një popullate fanatike, të paditur dhe të dhënë verbërisht pas gabimeve të papacisë dhe në skllavërinë më të plotë ndaj autoritetit të priftërinjve, Z. von Laer i është shmangur çdo ndeshjeje të pakëndshme me ta, ndërkohë që ka ngritur lart një dëshmim për të vërtetën, dhe ka çuar përpara punët e tij me kujdes dhe sukses të madh.

Vërtet, vetëm pak nga papistët e Shkodrës kanë blerë deri tani Ungjijtë shqip, por disa kopje u blenë nga disa prej priftërinjve të cilët dukeshin të interesuar për librin dhe mbajtën dëshmi për elegancën e stilit të tij.

Z. Laer kreu vjet pesë udhëtime, një në bregdetin e Durrësit në shkurt, një të dytë në Riekë dhe Ketinjë të Malit të Zi gjatë gjysmës së parë të marsit, një të tretë në Ostrok të krahinës veriore të Malit të Zi, një të katërt nga jugu në Tiranë, duke u kthyer me Dr. Koelle dhe mua për në Shkodër duke kaluar nga Kruja dhe Lezha, dhe së fundi pas një intervali të detyruar të mosveprimit shkaktuar nga sëmundja, një udhëtim të pestë në Prizren, nga lindja lart luginës së Drinit. Nëpër atë krahinë, është sigurisht ende dita e gjërave të vogla për sa i përket qarkullimit të Biblës, dhe gjithçkaje që ka të bëjë me mirëqenien intelektuale dhe shpirtërore të popullit.

 

Prizreni

 

Udhëtimi i tij në Prizren korri suksese të mëdha. Ai i gjeti shkollat atje në një gjendje shumë të lulëzuar dhe popullin të prirur për të blerë Shkrimet në një shkallë që ai kurrë nuk e kishte parë më parë në Shqipëri.

Erdhi data 20 tetor para se ai të mund të niste udhën. Një kuti e Shkrimeve u boshatis dhe u shpërnda edhe një tjetër të cilën ai e kishte porositur, dhe po të mos ishte koha e vonë e stinës, gjë që e bëri të shqetësuar se mos do të detyrohej të dimëronte në ato krahina alpine, Z. von Laer do të kishte porositur furnizime të mëtejshme, për të cilat ai kishte besim se mund t’i shpërndante.

Duhet të përmend se populli i Prizrenit janë shqiptarë, por jo si ata të Shkodrës dhe të Matit janë anëtarë të kishës greke. Në kishat dhe shkollat e tyre ata përdorin gjuhën serbe ashtu siç bëjnë malazezët, dhe librat që u janë shitur ishin Shkrimet serbisht.

Z. von Laer është gjithë zell në punën e tij, dhe dëshiron shumë të vizitojë përsëri luginën e Drinit, ku ai gjeti një pritje aq të përzemërt për fjalën e Perëndisë.

 

1869

 

Duke iu drjetuar Jugut dhe duke kaluar Ragusën, me kujtimet e saj ngacmuese të diturisë dhe ndërmarrjes mesjetare, ne vijmë në Shqipëri, një vend populli i të cilit deri sot kanë shenjën dalluese të palakmueshme se nuk kanë asnjë letërsi të shkruar në gjuhën e popullit. Kjo duket se ka dalë nga rrethana se gjuha e tyre e lashtë nuk kishte rëndësi përtej kombësisë së vet, se numri i tyre ishte shumë më i paktë sesa ai i shumicës së racave të tjera të Perandorisë, dhe se ngaqë përbëheshin nga myslimanë, papistë, grekë që përdornin liturgjinë greke dhe grekë që përdornin liturgjinë slave, populli u bë copë-copë dhe duket se kurrë nuk kanë qenë në gjendje të përvetësonin ndonjë metodë të përbashkët të të shkruarit. Kjo, bashkë me gjendjen e paqetë të vendit, disa pjesë të të cilit mund të përshkruhen si të rebeluar prej kohësh, ka bërë që shqiptarët, me gjithë cilësitë e tyre fisnike, të jenë, ndoshta pas arixhinjve, më të prapambeturit e kombësive të Turqisë.

Myslimanët midis tyre përbëjnë lulen e Ushtrisë Turke, por popullsia e krishterë duket se është e shtypur në vendin e vet nga varfëria e skajshme, ndërsa në krahinat ku emigrojnë për një kohë, ata mbushin në të shumtën e rasteve pozitat më të përulta.

Prandaj me kënaqësi të madhe mësuam për qëllimin e qeverisë për të botuar një revistë javore në Shkodër, në turqisht dhe shqip, sepse ka të ngjarë se do të përkrahë shumë fuqishëm përhapjen e diturisë dhe për të krijuar një natyrë më të qetë dhe më të mësueshme.

Kjo krahinë e shtrirë, afërsisht 500 km e gjatë dhe 100 e gjerë, u është caktuar dy agjentëve, Z. von Laer në Shkodër në Veri, dhe Z. Davidson në Janinë në Jug. Nga krahinat, ndonëse të dyja janë mjaft munduese për besimin dhe durimin, ajo verioria është sigurisht më e vështira dhe për këtë duhet të bëhen lëshime të plota, dhe ngaqë arsimi është lënë shumë pas dore, nuk mund të pritet që qarkullimi i Shkrimeve të mund të tërheqë aq vëmendje sa në vende më të favorizuara.

Është mirë që miqtë e Biblës të shikojnë fakte të tilla në thjeshtësinë e tyre dhe të shtrojnë pyetjen, “A ia vlen një qarkullim i tillë?” Ne pa hezitim kthejmë përgjigje që ia vlen. Sepse nëse Shqipëria ka për t’u ngritur ndonjëherë nga poshtërimi i saj, nëse turbullirat e pafundme të fiseve të saj kanë për t’u shkëmbyer me paqen dhe mirëkuptimin, nëse përçarjet e saj kanë për t’u shëruar, dhe fryma e iniciativës së lirë dhe energjia e popullit të saj të kthehen në ndonjë kanal tjetër të ndryshëm nga lufta, kjo duhet kryer nëpërmjet agjencisë dhe fuqisë së Fjalës së Perëndisë, të shkruar dhe të predikuar. Sa më shpejt, pra, aq më mirë, që ky mjet sovran i rimëkëmbjes nën bekimin e Perëndisë të çohet në kontakt me popullin dhe të nxitë vëmendjen e tyre, dhe nëse nuk mund ta predikojmë Ungjillin, të paktën le ta shesim volumin që e përmban atë dhe të rekomandojmë doktrinat e tij aq sa mundemi.

Nga kjo anë veprimtaritë e Shoqatës në Bosnjë, Shqipëri, Thesali, Rumani dhe pjesë të tjera të këtij vendi ku nuk ka misionarë, kanë vlerën më të lartë shpirtërore dhe arsimore, dhe nuk kam dyshim se ato po hedhin themelet e një progresi të lavdishëm në ditët e ardhshme: por si të gjitha themelet e tjera, ai i është fshehur vëzhguesit të shkujdesur.

Tërë gjendja e Shqipërisë i ngjan aq shumë asaj të Malësive të Skocisë, ashtu siç ishin dy shekuj më parë, madje edhe deri në hollësitë e vogla, saqë kam shpresë të plotë për rezultatet më të mira, sikur të përdoret e njëjta vegël e plotfuqishme, ungjilli i Hirit të Perëndisë. Le të bëjmë ç’të mundemi.

Në Shqipërinë Jugore, Z. Davidson kishte bërë çmos për të rritur qarkullimin e Shkrimeve, dhe në se suksesi i tij nuk ka qenë shumë i madh, për këtë mund të fajësohet gjendja politike e paqetë e krahinës, dhe varfëria, por akoma më tepër fanatizmi ose indiferenca fetare e vetë popullit, megjithatë mundimeve të tij nuk u mungonte inkurajimi dhe koha e tashme duhet vlerësuar patjetër thjesht si një kohë mbjelljeje.

Vështirësitë e Z. Davidson u rënduan më tej nga trazimi politik i cili mbizotëroi përgjatë pjesës jugore të krahinës së tij gjatë gjithë vitit, i cili solli shoqëruesit natyrorë, pra vrasje të shumta dhe akte të tjera dhune; ndërsa atij iu vu një provë personale, pra shëndeti i dobët i zgjatur i Zonjës Davidson.

Nën këto rrethana, është një provë e një energjie dhe besnikërie të madhe që Z. Davidson kreu katër turne të rëndësishëm dhe të gjerë; njëri turne për jugun, në Artë, Prevezë, Pargë, Magariti, Paramiti dhe Filatel; i dyti në Delvinë dhe nëpër fshatrat me pozita romantike të bregdetit të Himarës nga veriu në drejtim të Vlorës, dhe përsëri në Janinë nëpër Tepelenë dhe Gjirokastër; i treti në panairin e Grevenit; dhe i katërti dhe më i shtriri në Macovë, Greven, Kozan, Skiatistë, Kostur dhe në panairin e Mavrovës, dhe përsëri nëpër Korçë.

 

Delvina

 

Për pritjen e tij në Delvinë, ai shkruan:

Mjaft njerëz erdhën në han dhe lexuan dhe biseduan, por dukeshin të trembur. Tre prej tyre donin të blinin, por para se të bënin kështu donin të konsultoheshin me dikë tjetër i cili duket se u tregua jo i favorshëm, sepse ata nuk u kthyen.

Në pazar një plak u inatos në fillim, kur i kërkova të blejë një Dhiatë të Re, duke derdhur sharje mbi mua dhe librat, por pas pak arsyetimi të qetë ai u ftoh dhe foli miqësisht, duke thënë gjithësesi se ishte mëkat për një anëtar të Kishës Ortodokse të blinte kundër drejtimeve të udhërrëfyesve të tij shpirtërore. Ai bëri që të tjerët t’i lexonin shqipen nga librat, dhe dukej i gëzuar me të, dhe prej fytyrës së tij mendoj se pashë keqardhje prej faktit që librat ishin ndaluar. Shumë më rrëfyen që ata besonin plotësisht që edicionet e Shoqatës ishin të sakta, por thanë se ata nuk mund të blinin përballë ndalimit të Patriarkut.

 

Vlora

 

Në Vlorë ai nuk mundi të bënte asnjë shitje, madje as edhe të hynte në bisedë me popullin.

 

Gjirokastra

 

Ndryshe ndodhi në Gjirokastër, ku ai shiti disa kopje, dhe pati mjaft biseda. Një djalosh i cili bleu një Dhiatë shqip, u ngacmua aq shumë nga shokët e tij sa ai donte ta kthente, por në fund e mbajti. Davidsonin e thirri edhe një tregtar, i cili kishte blerë më parë Shkrimet, dhe nuk kishte pranuar t’ua dorëzonte priftërinjve edhe pse i kanosej përjashtimi nga Darka e Zotit. Një kurajë e tillë është ajo që nevojitet midis këtij populli.

Z. Davidson ka të drejtën për inkurajimin dhe përkrahjen e Shoqatës, për besnikërinë me të cilën ai kryen detyrat e tij të lodhshme. Ai sot thirret kryesisht për të mbajtur dëshmim për të vërtetën, dhe për të shpërndarë farën mes një populli të paditur dhe fanatik; por në dashtë Zoti, mund të shpresojmë që ai do të gëzohet me kthimin në besim të disave të cilët kanë dëgjuar fjalët e tij.

 

1872

Shkodra

 

Të hënën afër orës 11 të mëngjesit ne arritëm në Shkodër, dhe pas mjaft bezdisjesh nga zyrtarë me prepotencë dhe jashtë kompetencës në doganë (e kam fjalën për zyrtarët e rangut të ulët të cilët mendoj se janë mësuar të merren me një popull shumë të çrregullt dhe të paskrupullt), erdha në bujtinë ku janë

depozituar librat e Shoqatës, gati tre kilometra larg, afër mesditës. Sepse duhet të shpjegoj që pazari, pothuaj pa asnjë shtëpi, rrethon i dendur bazën e fortesës, midis saj dhe Lumit Bojanë i cili këtu del nga maja jugore e liqenit të Shkodrës. Lumi është afro 200 m i gjerë, dhe rrokullis poshtë një sasi shumë të madhe uji; por nga mungesa e pastrimit ai është lënë pothuaj plotësisht pas dore për qëllimet e lundrimit. Nëse qeveria do të ishte mjaft e urtë për të mbështetur këtë synim, të gjitha bregdetet e liqenit do të silleshin në komunikim të drejtpërdrejtë dhe të lirë me detin.

Në raste më parë kam shpjeguar se qyteti i Shkodrës gjendet 1,5 km larg pazarit, i ndarë prej tij nga një fushë e bukur, e cila shpesh përmbytet nga ujërat e liqenit. Por qyteti nuk i ngjan asnjë tjetri që njoh unë. Sa futesh në mes shtëpive, gjendesh në një labirint muresh të forta dhe të errëta afro 4m të larta, pa asnjë dritare apo vrimë, të ndara vetëm nga porta të mëdha, të siguruara nga dyer të forta dhe të rënda. Këto mure ndahen nga njëri-tjetri nga rrugë afro 6m të gjera, dhe nga ngjashmëria jointeresante e dukjes së tyre, duket po aq e vështirë të gjesh rrugën tënde nëpër to sa edhe Tezeu mund ta kishte patur të vështirë për të përshkruar labirintin e Kretës.

Megjithatë në qytet kam gjetur disa shenja të progresit. Në fqinjësinë e konsullatës britanike disa shtëpi janë ndërtuar këto kohët e fundit sipas stilit evropian përgjatë vijës së rrugës, bashkë me kafene dhe një hotel; dhe ngjitur bashkë me banesën zyrtare të guvernatorit, është shembur një vijë e gjatë muri, dhe vendi është zënë nga dyqane turke me banesa sipër. Edhe në një-dy lagje të tjera, një-dy dyqane thyejnë njëtrajshmërinë e mërzitshme të mureve dyshimtare.

Shkodra në fakt është një mbledhje shtëpish kala të siguruara fort, dhe ndryshimet që unë kam vënë re kanë për t’u përshëndetur si provë e një ndjenje sigurie në rritje, dhe një vlerësimi më të madh të rehative të qytetërimit.

Shkodrën e kam përshkruar shpeshherë si fusha më e vështirë e Agjencisë sime, ngaqë populli është i ndarë afërsisht barazisht midis papistëve dhe myslimanëve, dhe janë tepër të paditur dhe fanatikë. Mirëpo ka një kishë greke dhe afro 100 familje të cilat kapen pas ritualit grek.

Pasi iu përgjigja letrave që më prisnin, dhe me shumë probleme dhe humbje kohe zhdoganova një kuti të vogël librash që e kisha sjellë nga Sarajevë, bëra vizitë tek shkollat.

E meta e madhe rrënjësore e të gjitha këtyre shkollave është, që ata tentojnë ta mësojnë rininë nëpërmjet një gjuhe të panjohur, duke lënë pas dore tërësisht atë që kuptojnë dhe flasin të gjithë – shqipen. Kjo duket mjaft sheshit për të huajin, por gjendjen e shpjegon mjaft mirë mungesa deri tani e librave në atë gjuhë, dhe vështirësia e të gjitha përpjekjeve për t’i furnizuar shkollat me ta, dhe sidomos lënia në harresë të plotë e çdo arsimi në gjuhën e popullit nga kisha katolike romake, ndonëse ajo ka dhënë disa libra për përgatitjen e klerisë.

Tani që librat ekzistojnë dhe siç besoj po përdoren në Shqipërinë qendrore në njëfarë mase, mund të shpresohet që me kalimin e kohës, me ndihmën e një agjenti të urtë dhe të përkushtuar për këtë krahinë, përdorimi i librave shqip mund të përgjithësohet, dhe aftësia për të lexuar italisht, ndonëse në vetvete ka pak vlerë për një popull i cili nuk e kupton gjuhën dhe nuk ka libra italisht, prapë do të ketë vlerë në atë që i aftëson nxënësit të lexojnë me më pak vështirësi Shkrimet tona shqipe.

Prandaj edhe pse fusha ka qenë dhe është akoma e vështirë, unë jam i mendimit që besimi dhe lutja dhe këmbëngulja me kalimin e kohës do të kurorëzohen me një bekim të pasur që vjen nga lart.

Është e vërtetë që populli, ose disa prej tyre, thonë se ndërsa librat janë shkruar në një shqipe të pastër gjuha e Shkodrës është e përzier shumë me fjalët serbisht, italisht dhe turqisht, dhe për këtë arsye ata mezi kuptohen në Shkodër. Por edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, dhe jo thjesht një pretekst për të maskuar frikën ose paragjykimin i cili i ndalon së bleri, mua më duket se ndoshta ka të bëjë vetëm me një zonë

shumë të kufizuar, dhe se sikur arsimi shqip të futej njëherë në Shkodër ai do të fitonte së shpejti terren për vete.

Në ndonjë rast, nga pikëpamja që marr unë për gjendjen e punëve, ende besoj që Shoqata duhet të mbajë një përfaqësi këtu. Por kërkohet shumë lutje, që vetë Zoti të hapë një rrugë për të vërtetën e vet në këtë qytet dhe popull.

Unë mendoj të nisem për në Serbinë e Vjetër pas dy ditësh, pasi nuk kam patur mundësi të siguroj kuaj më shpejt, dhe të kthehem më Shqipërinë Qendrore në Durrës, që të pyes për pranimin e librave tanë shqip atje. Kam ende përpara meje një udhë të gjatë, dhe mund të kalojë edhe një muaj para se të mund të kthehem në Kostandinopol, por me mirënjohje them se jam shëndoshë e mirë.

 

Korrik, 1872

 

Po ju lutem të më jepni mundësinë për t’ju treguar shkurt për lëvizjet e mia pasi ju shkrova herën e fundit nga Shkodra. Synimi im atëherë ishte të përparoj nëpër Prizren për në pjesën perëndimore të Serbisë së Vjetër, dhe duke gjykuar për veten time rreth popullatës dhe vendndodhjes dhe mjeteve në dispozicion të lëvizjes dhe rehatisë si një vend banimi, gjendjes së arsimit dhe prirjes së përgjithshme të popullit në secilin nga qytetet kryesore, të zgjedh qytetin më të përshtatshëm për banimin e kolporterit të ri. Duhet të shtoja premisën që e gjithë kjo është veçanërisht e nevojshme për sa i përket Serbisë së Vjetër, ngaqë ajo është krahina më pak e arritshme e Turqisë evropiane, dhe ajo ku në punën tonë kanë për t’u pritur shumë pengesa.

Turneu im tashmë i kishte kaluar pak kufijtë që unë propozova kur u nisa; dhe tani mezi prisja të vazhdoja me vrap; por pasi prita nëntë ditë dhe jo katër në Shkodër, nuk merrja dot kuaj as për në Prizren nga lindja për në Serbinë e Vjetër, as edhe për në Tiranë nga jugu në Shqipëri, dhe u informova që të gjitha komunikimet me qytetet fqinjë janë aq të parregullta saqë mund të më duhej të prisja ende nëntë-dhjetë ditë të tjera para se mund të prisja të vizitoja në njërin apo tjetrin prej këtyre qyteteve.

Kjo nuk do të bënte, nuk mund të harxhoja kaq shumë kohë të çmuar, dhe kështu vendosa menjëherë të kthehesha nëpër Antivar, dhe të vazhdoja direkt me vapor, duke lënë për një kohë tjetër, ndonëse me pahir të madh, vizitën në Serbinë e Vjetër, si dhe në Shqipërinë Qendrore për të vlerësuar vetë pranimin e Shkrimeve tona shqip, dhe perspektivën e pranimit të tyre të përgjithshëm në të ardhmen.

Kështu u largova nga Shkodra të martën dt. 25 qershor, afër orës 10 në darkë, dhe pasi kalova tërë natën erdha në Antivari afër orës 10 në mëngjes për vaporin për në Korfuz, ku mbërrita afër mesditës, dhe erdha këtu shëndoshë e mirë herët në mëngjes më dt. 28.

Isha veçanërisht i bekuar të gjej në bord gjatë këtij udhëtimi të shkurtër dy zotërinj të arsimuar, njëri nga Berati dhe tepër i interesuar për temën e arsimit në gjuhën shqipe për bashkatdhetarët e tij të harruar, tjetri nga Vlora pranë Beratit më pak i interesuar për këtë temë, por me arsim të lartë dhe që kishte udhëtuar gjerësisht. Të dy këta zotërinj, pa e ditur karakterin tim zyrtar, dëshmuan për kujdesin me të cilin librat ishin përgatitur dhe pranueshmëria e përgjithshme me të cilën ata ishin pranuar, por i pari shikonte gjithë këtë si një bekim për popullin e tij dhe uronte me gjithë sinqeritet që Z. Kristoforidh të kthehej dhe të vazhdonte të mbështeste kauzën e mirë të cilën ai e kishte nisur kaq mirë, ndërsa tjetri e shikonte të tërën më shumë si një eksperiment të çuditshëm, dhe ndërsa i uroi sukses, pyeti se me çfarë autoriteti Z. Kristoforidh kishte përvetësuar një alfabet të vetin. Në fund ai tha se qeveria (ose kushdo tjetër qoftë që i jepte fonde) kishte humbur interesin për projektin, duke u mbështetur në faktin që ai nuk e kishte vizituar Shqipërinë sivjet. Unë vura re se për aq sa dija unë, nuk ishte aspak shkelje e privilegjit mbretëror të shpikësh apo të marrësh përsipër një alfabet, në të cilin t’i ofrosh Shkrimet dhe librat e tjerë një populli të cilin qeveria dhe çdokush tjetër e kishte lënë për shekuj pa asnjë lloj letërsie, dhe se mua e vetmja pyetje më dukej se ishte, a ishin librat të kuptueshëm dhe të pranueshëm për nga ortografia dhe stili?

Mbi të gjitha këto çështje zotëria e dytë, i cili arsimin e kishte marrë në Greqi, dhe kishte udhëtuar në Itali dhe Austri, nuk ngriti kundërshtime, por vuri re që futja e përdorimit të dialektit vendës si gjuha e arsimit, sado e dëshirueshme qoftë kjo, do të kërkonte përgatitjen e një gramatike dhe fjalori shqip, dhe shkurt, një sëre të tërë librash shkollorë, dhe kush vallë do të paguante çmimin e përgatitjes së tyre? Pranova që puna ishte një barrë e rëndë, por u tregova vërejtjet e mia, të sapokomunikuara në Komitetin e Shoqatës, për sa u përkisnin përpjekjeve krejtësisht të gabuara dhe të pafrytshme të cilat ishin bërë në Shkodër për të arsimuar popullin në përgjithësi nëpërmjet një gjuhe të panjohur, qoftë kjo turqishtja, italishtja ose serbishtja, ndërkohë që gjuha vendëse lihej fare pas dore, dhe shtova se kisha marrë vesh që Z. Kristoforidhi priste së shpejti të kthehej në Shqipëri me një edicion të ri dhe të përmirësuar të Dhiatës së Re gegërisht, të cilën ai tashmë po e kalonte nëpër shtypshkronjë.

Kjo i pëlqeu së tepërmi zotërisë nga Berati, ndërsa ai i Vlorës pranoi se, po qe se ishte puna kështu, tek ky plan mund të kishte më shumë gjallëri sesa kujtonte ai. Vura re se kjo ishte diçka në të cilën çdo shqiptar patriot duhet të jepte përkrahjen e tij me entuziazëm dhe ngulm, ngaqë ishte një fakt i pamohueshëm që arsimimi i femrave po lihej tërësisht në harresë, dhe se, po të ndërmerrej ndonjëherë, kjo duhej bërë në gjuhën vendëse, edhe sikur të mund të pritej që arsimi i sotëm shumë i kufizuar dhe i papërsosur që u jepej djemve mund të shtrihej shumë.

Për këtë ranë dakord të dy, dhe ata u kënaqën kur mësuan se një tregtar shqiptar i Kairos tashmë kishte bërë propozimin e vendosjes së një Shoqate shqiptarësh vendës për mbështetjen e këtij qëllimi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Bislim Pireva: Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq- Rade (III) Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Isuf B. Bajrami: Granatimi i ushtrisë aktive serbe mbi vendbanimet e pambrojtura civile Halil Ajvazi: Lufta e Qarrit (1941-1945), krenaria e kombit shqiptar Ylli M. Dilo: Shqiptarët dhe qytetërimi botëror Fadil Lushi: Një demonstratë që ka tre palë histori Frrok Kristaj: Kërshëndellat - festë e lindjes së jetës së re Baki Ymeri: Krishtlindjet si një mrekulli hyjnore e njerëzimit Kastriot Frashëri: Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve - Një faqe e re në historinë e saj Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Astrit Vranovci: Mardhenjet Shqiptaro - Turke gjate kohes. Fakte per vetedijesim! Bislim Pireva: Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq- Rade (II) Ilia S. Karanxha: Gjergj Shqiptari, Fisniku që porositi ikonat për një kishë në 1470 Qazim Namani: Mbrojtja Institucionale e Trashëgimisë Kulturore-Historike në Kosovë Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë Fritz Radovani: Pse e vranë Maliq Bajramin, ''bijtë'' e Stalinit..? Mihal Gjergji: Evropa mes marrëveshjeve bashkëpunuese ndërshtetërore Fritz Radovani: Gjurmët na çojnë në... sigurimin e shtetit komunist Kolec Traboini: Dy motra si dy legjenda

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora