Mendime
Kastriot Myftaraj: Fahri Balliu, “rezidenti” i Ilir Metës në raportet me Berishën
E enjte, 21.10.2010, 07:52 PM
Fahri Balliu, “rezidenti” i Ilir Metës në raportet me Berishën
Nga Kastriot MYFTARAJ
Në konfliktin politik që u parapriu zgjedhjeve vendore të vitit 2007, opozita e vuri Berishën para ekuivalentit të një ultimatumi, sipas të cilit në rast se nuk shtyheshin zgjedhjet vendore, në Shqipëri do të zhvillohej luftë civile. Lideri i opozitës që po e artikulonte dhe e potencon publikisht në terma më të ashpra këtë ultimatum ishte Ilir Meta, i cili ndonëse shtirej sikur kërkonte të shmangë luftën civile, në fakt po kërcënonte me të. Në këtë rol, me të cilin Ilir Meta kërkonte të rrisë reputacionin e vet tek elektorati i majtë, ai tregoi edhe fantazi të madhe, siç ndodhi kur tha, duke aluduar për djegien e depozitave të karburantit në Shëngjin, se zgjedhjet duhen shtyrë që, flakët që u shuan në Lezhë, mos të arrinin deri në Tiranë. Më pas Ilir Meta u shpreh se duhej bërë një tryezë partiake për të arritur marrëveshjen për shtyrjen e zgjedhjeve, që mos të mblidhemi (e kishte fjalën për veten dhe liderët e tjerë politikë të opozitës dhe mazhorancës) në një aeroplanmbajtëse për të arritur një marrëveshje. Pra, aluzioni ishte i qartë për marsin e vitit 1997, kur Shqipëria ishte në luftë dhe politikanët shqiptarë shkuan të takohen me të dërguarin ndërkombëtar Wranitzky në një luftanije të huaj në mes të Adriatikut.
Meta nuk e kuptonte se Rama po luante fort me kartën e shtyrjes së zgjedhjeve, për t’ i nxjerrë Berishën dhe Nanon nga politika. Nëse Rama do të kishte pasur vërtet si qëllim kryesor që zgjedhjet të shtyheshin në 20 shkurt, atëhere ishte dashur që presionin ta përqëndronte tek Presidenti i Republikës, në ditët para dekretimit të datës së zgjedhjeve. Fakti që opozita e kërkoi këtë pas dekretimit të datës, tradhtonte synimin për ta transferuar konfliktin nga konflikt me Moisiun në konflikt me Berishën dhe eventualisht Nanon. Të gjitha këto të çonin tek përfundimi se Edi Rama po luante fort për ta nxjerrë përfundimisht Berishën nga politika, pasi Rama e dinte se largimi i Berishës ishte mënyra më e mirë që Rama ta largonte rrezikun “Fatos Nano”. Po Ilir Meta çfarë kërkonte të përfitonte nga kriza. Ai thjesht po e ndihmonte Edi Ramën të çlirohej nga kundërbalancuesi “Fatos Nano“ tek e majta, pas së cilës Rama do të fillojë diversionin në LSI për ta siluruar Metën dhe për ta shkrirë këtë parti me PS.-në.
Meta e kuptoi se Rama ia kishte me hile se filloi të luajë me idenë e pjesëmarrjes në zgjedhje, për t’ i dhënë të kuptonte Ramës se po i bënte një favor të madh duke mos hyrë në zgjedhje. Në 21 dhjetor 2006, Sokol Balla, në emisionin e vet “Top story“, në Top Channel kishte krijuar një spektakël ironik të denjë për titullin e emisionit. Përballë njëri tjetrit në një debat për krizën e fundit politike ishin Ilir Meta dhe Fahri Balliu. Fjala “story“ në anglisht ka dhe një kuptim tjetër veç fjalës “ngjarje“, që është intriga në një roman (policor), film, dramë, telenovelë etj. Në këtë rastin e dytë, në një gjuhë më formale përdoret fjala “story-line“. Kështu, duke qenë se Fahri Balliu është si të thuash “rezidenti” i Ilir Metës, në raportin “agjenturor” që ky i fundit ka me Berishën, mund të thuhet se titulli i emisionit “Top story” të asaj dite, mund të merret me kuptimin e dytë, pra si paraqitje e intrigës së madhe në romanin e politikës shqiptare. Emisioni ishte një story-line me shumë enigma, të cilat do të zbulohen paraprakisht, pak a shumë, në titujt e gazetës së Fahri Balliut. “I kemi lexuar titujt e gazetës suaj”, i tha Ilir Meta në një moment të “debatit” Fahri Balliut. Ilir Meta mund të kishte shtuar edhe: I kemi paguar ato. Meta me këtë i bënte presion Edi Ramës.
Në 29 janar 2007, në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të LSI në Tiranë, kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, i veshur me një jelek të kuq, ngjyra e partisë së tij, me mikrofon në dorë e ftoi turmën që valviste flamujt e kuq të LSI-së, që të brohoriste bashkë me të: “E kuqja, e kuqja, e kuqja do fitojë!” Me këtë Ilir Meta kishte parasysh ngjyrën e logos së partisë së tij që është e kuqe. Në mënyrë sa të çuditshme aq edhe domethënëse, LSI që u shkëput nga PS për t’ u vetëparaqitur, sipas sloganit të saj, si një forcë e re politike për një Shqipëri të re, në realitet ktheu në Shqipërinë e vitit 2007 flamujt e kuq të kohës së komunizmit dhe sloganin e vjetër të Kominternit, të përvetësuar dikur nga Partia Komuniste Shqiptare dhe që gjente shprehje në këngë të bëra internacionale si:
“Avanti popolo, a la riscosa
bandiera rosa, bandiera rosa
trionfera!”
Nuk ishte ironi e vogël që Ilir Meta, i cili në vitin 1992 u katapultua në lidershipin e PS-së (FRESSH) që kjo parti që para disa muajsh e kishte ndërruar në letër ngjyrën e saj nga e kuqe komuniste, në rozë të socializmit europian, ta bënte të besueshëm reformimin e saj, duke paraqitur fytyra rinore si ajo e Metës, tashmë kur shkëputet nga PS rikthehet në traditën e kuqe PPSH të para Kongresit X të qershorit 1991, që në letër e ndryshoi këtë parti. Dhe ironia më e madhe është se partia e Ilir Metës quhet Lëvizja Socialiste për Integrim! Po ku kërkon të integrohet Meta dhe LSI me thirrjen për fitoren e së kuqes, përveçse në Internacionalen Komuniste (Komintern), që për fatin e tyre të keq nuk ekziston më? Ilir Meta, që pretendon të jetë një lider i ri nga ata që do t’ i japin fund politikës së vjetër, në të vërtetë na del si përfaqësues i llojit më të keq të politikës së vjetër, si një “zombi” (sipas fesë vudu janë të vdekur që ecin në saje të magjive) kominternist. Pse e bën Ilir Meta këtë gjë? Për të marrë votat e nostalgjikëve të komunizmit do të thotë dikush. Në rast se është kështu atëhere Ilir Meta del të jetë një politikan joserioz pasi ai e ndjen se nuk është i aftë që të tërheqë votuesit me idetë e veta dhe përdor spekulime të tilla.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2007 Rama vendosi ta sfidojë Metën në evokimin e simboleve komuniste, duke dalë në fushatë me shall të kuq dhe në shumë raste duke e ndërruar dekorin e tubimeve të PS nga rozë në të kuq. Por, Meta tashmë ia kishte parë frutet kësaj loje dhe nuk lejonte që ta kapërcenin. I entuziazmuar nga suksesi i këtij truku, dhe pasi ndërkombëtarët nuk reaguan, Ilir Meta vendosi që në zgjedhjet vendore pasuese të shkonte më tej në rehabilitimin e simboleve dhe sloganeve komuniste, duke ndjekur këshillën e Ramiz Alisë që në këto zgjedhje ai personalisht të dilte me sloganin “E kuqja do fitojë!” Ndërsa shallit të kuq të Edi Ramës Ilir Meta iu përgjigj me xhup të kuq. Kaq larg Edi Rama personalisht nuk e ndiqte dot. Por, Ilir Meta që ulërinte vetë “E kuqja do fitojë!”, i veshur me xhup të kuq, sigurisht që ishte më tërheqës për nostalgjikët e kuq, prandaj në këto zgjedhje vendore mori më shumë vota se në vitin 2005. Dhe disa njerëz që i dinin gjërat mirë, kur shkëmbeheshin me Ramiz Alinë në shëtitjet në kodrat e liqenit, në Tiranë, e përgëzonin që ia doli ta bënte të majtën të kuqe në vitin 2007. Kështu, Ramiz Alia ia doli që t’ i japë Shqipërisë një të majtë të kuqe në vitin 2007.
Por sa më i kuq bëhet Meta, aq më tepër i kombinohet politika me Berishën, që e pret me atë këngën:
«O qenke veshur o me të kuqe,
hajde ja ke lala e!
Të t’ marrë lala përpara e!»
Dhe «lala» e merr përpara Metën dhe të dy ashtu urtë e butë merren vesh për të për shumë gjëra, deri edhe për të bashkëqeverisur.
Nuk ka njeri që bën gafa më zbavitëse se injoranti që kërkon të duket se është bërë intelektual i nivelit të lartë dhe Ilir Meta është mishërim i kësaj. Ilir Meta, duke qenë qëllimisht i katapultuar në politikë nga niveli i mjerueshëm intelektual i botës së peshëngritëse, duke mos patur as aftësi dhe as vullnet për t’ u bërë një intelektual i vërtetë me anë të leximit të librave, ai kur kërkon të duket i zgjuar demonstron në mënyrën më qesharake injorancën e vet. Këtë gjë e bëri Ilir Meta edhe me rastin e reagimit të tij për publikimin nga gazeta «Sot» të fotografive nudo të Edi Ramës. Ilir Meta e quajti si veprim fashist të Berishës publikimin e këtyre fotove, ndërsa reagimin e Edi Ramës si mentalitet perëndimor. Meta u shpreh: «Ai (Berisha- K.M.) nuk ka aspak më shumë në mentalitetin e tij sesa kulturën e të sjellurit me shantazh ndaj kundërshtarëve, sikur të ishte një toger i Gestapos 60 vjet më parë dhe besoj se reagimi i hapur dhe transparent i z. Rama tregon që ai është një lider i cili ka një mentalitet perëndimor dhe të hapur dhe që nuk ka asnjë frikë nga e kaluara e tij» (cituar sipas gazetës së LSI «Integrimi», 13 shkurt 2007, f. 2)
Ka qenë një praktikë e njohur e propagandës komuniste, që nga koha e Kominternit, që çdo veprim dhe individ të papëlqyeshëm për ta, ta etiketonin si «fashist». Ilir Meta, i cili në këto zgjedhje ka dalë me sloganin kominternist «E kuqja do fitojë!» ndjek këtë traditë kominterniane duke shpikur një kategori të re shkencën politike: antifashizmin nudist. Antifashizmi nudist i shpikur nga Ilir Meta, për të mbrojtur Edi Ramën, mund të përcaktohet, duke perifrazuar devizën antifashiste partizane, si: Vdekje fashizmit Liri popullit lakuriq!
Me këtë antifashist nudist (Ilir Metën), i cili e mbron Edi Ramën, duke akuzuar Berishën se nuk ka «asnjë mentalitet më të avancuar sesa mentaliteti i një togeri të Gestapos 60 vjet më parë» («Integrimi», 13 shkurt 2007, f. 2), do të qeshnin edhe qentë e Gestapos. Cili është mentaliteti i Ilir Metës, përveç atij të qenit të Gestapos, i cili mbahet nga zinxhiri dhe ndërsehet prej togerit të Gestapos. Kur Ilir Meta bën krahasime me Gestapon e meriton t’ i thuash një gjë. Gjatë Procesit të Nurenbergut, aleatët u bënë liderëve nazistë, edhe matjen e koeficientit intelektual, që doli shumë i lartë. Nëse do t’ i matej Ilir Metës koeficienti intelektual, vështirë se do t’ i dilte më i lartë se i qenve inteligjentë të Gestapos.
Pasi Bamir Topi u zgjodh President në 2007, Ilir Meta filloi të thotë se edhe nëse Bamir Topi zgjidhet President ai do të rrinte vetëm për dy vjet dhe se në vitin 2009 do të mbaheshin dhe zgjedhje presidenciale me votim popullor, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Dhe atëherë Meta do t’ i propozonte Edi Ramës që të kandidojë për President, duke i mbetur Metës qeveria nëse fiton e majta. Meta e kishte hallin që të bëhej kryeministër. Nuk ishte çudi që Meta e besonte këtë derisa ai beson që është një politikan i madh, një Talejran i politikës shqiptare.
Kur Edi Rama filloi të jepte sinjale se donte që të bënte reformën zgjedhore, deri edhe me ndryshime kushtetuese, Ilir Meta e kuptoi se do të humbte të vetmen mënyrë që zotëronte për të mbajtur nën kontroll Edi Ramën, formulën zgjedhore e cila e detyronte partinë e madhe të bënte një koalicion real me partitë e vogla, duke qenë e detyruar të plotësonte kërkesat e tyre. Edi Rama ishte i vendosur që t’ i jepte fund formulës së Mega-Dushkut, e cila i rrudhte partitë e mëdha. Nëse kihej parasysh pretendimi i Metës se LSI ishte në fakt një parti e madhe, e cila ishte dëmtuar më shumë nga Mega-Dushku në zgjedhjet e vitit 2005, dhe se nuk e kishte problem çfarëdo sistemi zgjedhor, atëherë duhej menduar se Meta duhet të ishte mbështetësi më i fortë i Ramës për reformën zgjedhore, dhe jo që reforma zgjedhore të sillte konfliktin Rama-Meta. Por ja që ndodhi pikërisht kështu. Meta e priti idenë e Ramës si një atentat ndaj LSI dhe ngriti një fushatë sharlataneske kundër ndryshimeve kushtetuese, nën maskën e mbrojtjes së Kushtetutës, a thua se Kushtetuta konsistonte tek dy nene të Mega-Dushkut. Ilir Meta u ngujua në një grevë urie në sallën e seancave plenare të Kuvendit, së bashku me disa deputetë të tjerë, ndërsa jashtë, në sheshin para ndërtesës së Kuvendit, në vend të tij ulërinte Andrea Stefani, në version lider mitingjesh, si një demagog i paguar.