E hene, 29.04.2024, 11:21 AM (GMT+1)

Speciale

Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (VI)

E marte, 31.08.2010, 09:59 PM


NGA SKËTERRA PËRMES LUFTËS NË KRENARI

 

Nga Mejdi Asllani

 

XVII

 

Viti l956. shënon ankthin më të madh për shqiptartë e Kosovës, pas luftës së dytë botërore dhe masakrave të pas luftës l944-46.

Në këtë vit, Serbia ndërmori  akcionin ogurzi të grumbullimit të armëve. Që do të mbahet mend për terrorin e tmerrshëm mbi popullatën shqiptare, e sidomos nëpër fshatra ku ishte më i theksuar. Por edhe për atë, se u realizue në pikë të dimrit më të acartë që mbahet mend. Nga torturat fizike të papërballueshme, si vijon; pas rrahjeve mizore, të rrahurit i futnin në ujë të akullt, duke i detyruar me pushkë mbi kokë, të qëndronin me orë të tëra, vetëm e vetëm, për t’ua prishur shëndetin përgjithmonë. Por, nga njëherë ndodhë që fati ta luftojë fatëkeqësinë. Ky dimër, pati qenë më i acartë se dimrat tjerë, prandaj, futëja e të  rrahurve në borë ose aty ku kishte lumenj, thenin akullin dhe i futënin në lumë, duke i lënë me orë të tëra për t’ua prishur shëndetin. Pavetëdije, ata i shpëtonin nga kalbja e muskujve. Në këtë kohë, ne në Kosovë nuk e dijshim se muskulin e ndrydhur duhët ftohur. Për kundrazi, njerëzit e rrahur ose të lënduar i “mjekonin” me krunde të nxehta, ose i mbështjellnin, me lëkura deleshë të sapo therura, ashtu të nxehta.

Kishte të mbytur me dajak, të detyruar të vetëvriten dhe shumica mbetën invalidë të perjetshëm. Tmerri nga frikësimi masiv dhe pasiguria për jetë, kishte hyrë në çdo shtëpi shqiptare, në çdo të rritur, po edhe te fëmijët, sepse brengoseshin për fatin e prindit të tyre.

Lidhur me këtë ngjarje, është shkruar mjaft në librin e Musa Ramadanit të titulluar me shprehjen e qëlluar ZEZONA, sepse më së miri i përgjigjet asaj ngarje në atë kohë.

Mua më mbetet të qartësoj një argument burimor, i cili tregon qëllimin politik dhe përmasat katasrofike, të një akcioni të ndërmarrë nga sigurimi shtetror Jugosllav ndaj shqiptarve të Kosovës dhe viseve shqiptare nën Sërbi, Mal të Zi e Maqedoni.

Në vitin l964., punoja në Gjykatën për kundravajtje në Gjilan, aty punonte edhe Misin Muhaxheri, ish oficer i Sigurimit Shtetror të Jugosllavisë, më vonë Gjykatës për kundërvajtje në Gjilan. Gjatë bisedave të përditshme, me qenë se Misini kishte fituar besimin tek unë, bashkë me një dozë respekti, nuk ngurronte, me i shpalosë dosjet sekrete, për të cilat kishte qenë dëshmitar okullar, i ngjarjeve dramatike dhe tepër të rënda e ogurzeza për popullinë shqiptar, të cilat patën lënë pasoja fizike dhe psikike të pashërueshme.

RRËFIMI I MISIN MUHAHXERIT

 

Në lidhje me aksionin e UDB-ës për grumbullimin e armëve:

-Misini: një muaj para se të fillonte aksioni për grumbullimin e armëve, morëm thirje nga Ministri i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviqi, për një seminar në Beograd, thirja ishte për të gjithë oficerët e sigurimit shtetror, të sistemuar në Kosovë, edhe për mua, sepse edhe unë isha oficer. Seminarin e udhëheqte vetë Rankoviqi, bashkë me të ishte  shefi i sigurimit shtetror për Sërbi e Kosovë, Qeqa dhe sekretari i sekretariatit republikan për punë të brendëshme. Tema e seminarit ishte: aksioni për grumbullimin e armëve. Nga fundi i elaboratit, Rankoviqi na urdhëroi: çdo shqiptar që mund ta ngrit dorën përpjetë dhe t’i shkojnë pas tre vetë, duhet të bëhet i paaftë fizikisht ose psikikisht. Metodat për realizimin duhet të shpikni vetë sipas rrethanave.

-Unë e pata pyetur, pse të patën shkarkuar, pikërisht në këtë kohë? Përgjigjja ishte:

-Pasi u kthyem nga Beogradi, unë isha i vetëdijëshëm për përmasat dhe pasojat, që do t’i kishte një urdhër i tillë, ndaj popullit tim edhepse më herët kisha bërë mëkate, duke u shërbyer në mënyrë të verbër, gjithnjë duke menduar se, jam duke vepruar në të mirë të popullit dhe sistemit. Edhepse isha në moshë mjaft i ri, tani nuk duhej shumë mend, për të parë se çfarë plane paskan ndaj popullit tim. Përveç se refuzova zbatimin e këtij plani, theva edhe kodin e konspiracionit, duke u treguar njerëzve se çfarë eshtë duke i pritur.

-Çfarë të bënë pastaj?

-Më burgosën, njëherit duke më shkarkuar nga detyra, më bënin tortura duke më mbajtur në vetmi plot 99 ditë. Një koleg imi, të cilin e kisha shok të ngushtë. Kishte pas informuar me shkrim, kabinetin e Titos, për gjendjen time, duke i përshkruar edhe meritat e mëparme të mijat. Me të marrë letrën, sekretari në kabinetin e Titos,  kishte qenë një Slloven. Ai ma kishte caktuar terminin, për takim me Titon, meqë e kuptova se do ta kam këtë shans, derisa isha në qeli, e  përgadita veten, për t’ia thënë të gjitha padrejtësitë, që UDB-a i kryente ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Erdhi ajo ditë dhe mua më dërguan me shoqërues, deri te kabineti i Titos në Beograd. Gjatë rrugës kisha frikë të madhe se mos kanë në plan, të më likuidojnë fizikisht, ende pa mbërri atje. Për fat timin kjo nuk ndodhi.

Kur u bë ora e caktuar sipas terminit, doli Sekretari dhe më mori, gjatë rrugës për në kabinet, më tha:

-Të flas lirisht, gjithë ç’kam për të thënë, të mos ngurroj. Ju falenderova dhe njëkohësisht kuptova nga dialekti i tij, se ky qenka Slloven, ky fakt më bëri edhe më kuraioz.

Kur hymë brenda, Titoja më tha të ulem në një fotele, përballë tij, ashtu edhe veprova, duke ju falenderuar. Sekretari rrinte në këmbë në krahun e majtë të Titos. Titoja kishte para vete letrën, që e kishte dërguar ai shoku im, pasi e shikoi pak, m’u drejtue: -Këtu thotë se paske qenë një puntor i dalluar dhe shumë aktiv, çfarë ka ndodhur me ty tani?

Ashtu si isha vetëpërgaditur në qeli të burgut në Suharekë, pa ngurruar fillova t’i përshktuaja gjërat në mënyr kronologjike, mbi veprimet antiligjore dhe antikushtetuese, që po ndërmirren ndaj popollatës civile në Kosovë, duke e përfunduar me urdhërat e Rankoviqit dhe të Qeqës, për zbatimin e aksionit për grumbullimin e armëve në Kosovë.

Meqenë se gjatë kohës, sa unë isha ende në burg, aksioni kishte filluar dhe ishte në vlugun e vet, nga i cili shqiptarët vjellëshin gjak prej goje, nga torturat mizore që nuk përdoren as ndaj kafshëve, për të cilat Titoja kishte qenë në dijeni të plotë, por unë nuk e dija. Më dëgjonte me vëmendje deri sa unë flisja, për të më bërë të mendoj se, ato gjëra janë duke ndodhur pa dijenin e tij. Kur unë mbarova, Titoja, e preku një pullë mbi tavolinë dhe përnjëherë ju paraqit një zë. Titoja i tha:

-Qe?o, vidi šta se radi tamo dole! (që në përkthim do të thotë: Qeqo, shih çfarë po ndodhë atje poshtë).

Thënë të vertetën, pas kësaj çfarë bëri Titoja, mue më lëshoi laku i këmbëve, e dija që, as i gjallë nuk do të mbrrijë në Kosovë, sidomos nga se i njihja metodat e UDB-ës.

Prapë më mori Sekretari dhe më përcjelli deri në dalje. Sigursht se kishte vërejtur frikën nga sytë e mi, prandaj sa ishim në korridor, ma dha numrin e telefonit të tij personal dhe më tha:

-Nëse do të kesh diçka pengesa ose padrejtësi, më informo disi në këtë numër telefoni.

Para hyrjes së ndërtesës më mori shoqëruesi serb, po ashtu oficer i sigurimit shtetror, dhe me veturë më kthyen përsëri në burg në Suharekë, pas dy dite më liruan nga burgu, me aktvendim se jam suspenduar nga Sigurimi shtetror, por mund të kërkoj punë gjetiu përveç sigurimit shtetror. Pas daljes nga burgu, më shantazhonin prapë, por unë mbaja lidhjen telefonike me atë Sekretarin në kabinet, me përkatësi kombtare slovene; ai ishte shpëtimtari im. Këtu përfundon tregimin mbi këtë ngjarje.

Ky aksion u ndërpre para afatit të planifikuar. Jo se e deshti Titoja këtë, por nga presioni ndërkombtar, gjegjësisht Këshilli i sigurimit të OKB-ës.

 

 

XVIII

 

Viti l957., dhe1958., nuk ishin si vitet e mëparme, tani udbashët dhe komunistët e Titos ishin më me përvojë dhe më të kujdesëshëm, sepse shumica e planeve ndaj shqiptarëve, ose ishin realizuar plotësisht, ose pjesërisht. Në shkollë të mesme ishin inkuadruar profesorë të rinj shqiptarë, atykëtu ende ndonjë lëndë e mbajshin profesorët serbë.

Problemi me Stalinin, problemi me Triestën kishin përfunduar moti. Kaçakë apo të aratisur politikë nëpër male nuk kishte më, shpresa e shqiptarëve për të aritur te pema e jetës, ishte venitur. Parulla e rreme për vëllaznim-bashkimin, gogja mirë ishte gëlltitur nga masa shqiptare. Alergjija e shqiptarëve ndaj Partisë komuniste të Jugosllavisë, te masa e madhe ishte tretur, shumica ndiheshin krenarë nëse pranoheshin në parti, sepse me atë, u viente edhe vendi i punës, ose ndonjë pozitë në administratë.

Të rinjëve shqiptarë, që reflektonin inteligjencë, elita serbe, jua servonte ndonjë vajzë të bukur serbe, për t’i bërë dhëndurë të tyre, gjë që edhe ndodhte me një numër të konsiderueshëm, të cilëve, kur më nuk jua shihte hajrin kombi shqiptar. Kishte edhe të tillë që i rezistonin këtij lloj provokimi, si që ishte rasti i Shefqet Mustafës, i cili u detyrua të shpërngulej për Prishtinë, për të shpëtue nga imponimi i komitetlinjve, për t’u martua, me një vajzë serbe, të bijen e një funksionari të lartë në Gjilan.

Tani ditaditës, në mesin e të rinjve shqiptarë, dilnin gjenerata të shkolluara, me shkolla të mesme, nëpër çdo qytet të Kosovës. Disa prej tyre shkonin për studjime, në fakultete të Beogradit, Nishit dhe Zagrebit. Duke parë këte si rezik, partija komuniste e hapi shkolën e lartë adminitrativo-juridike në Prishtinë, në të cilën i dërgonte Komiteti me rekomandim, antarët e vet, kryesisht serbë, atykëtu edhe ndonjë shqiptarë, që i mbanin pozitat udhëheqëse, që nga pas lufta, e që i kishin zënë, në bazë të mëritave gjatë dhe pas luftës, e që nuk kishin të kryer, më shumë se shkollën fillore shtatëklasëshe, disa edhe me vetëm katër klasë, por vetëm e vetëm, sa për t’i mbajtë postet e tyre, që u rezikoheshin nga shqiptarët e shkolluar.

Ata që shkonin në këtë shkollë, me rekomandim të partisë, me doemos e kryenin dhe merrnin njifarë diplome edhepse ashtu si hynin ashtu edhe dilnin nga aty, sepse u mungonte baza e arsimimit. Kam pasur rastin ta pyes njërin prej tyre:

-Çfarë mësonit atje?

-Shumë gjëra!

-Çka përshembull?

-Shumë interesant, njerëzit më parë kur nuk kishin pasur plug as parmendë, e kishin gdhend gurin dhe kishin lëvruar tokën me të.

-A edhe këtë e keni mësuar në shkolë të lartë, ë!?

-Po, po- më tha.

Për të mos e përbuzur mjerimin e tij prej një intelektuali invalid, ia bëra qejfin, duke i thënë:

-Vërtet paska qenë interesant.

 

XIX

 

Në vitin l959. u diplomiva në shkollën e mesme, Gjimnazin, dhe u punësova në shtypshkronjen e posa hapur në Gjilan, për të jua udhëhequr, administratën dhe kontabilitetin. Pas afro tre muaj pune, një ditë erdhi në zyrën time, drejtori teknik i shtypshkronjës. Zyrën e kisha brenda punëtorisë, aty ku radhiteshin tekstet, por edhe makinat shtypëse. Drejtor teknik e kishin inkuadruar një Maqedon nga Shkupi. Pasi biseduam pak, ai doli nga Zyra ime dhe pas pak u ndie një krismë e madhe, kraaap dhe makinën e ndali vajza që punonte në të. Ky njeri kishte dashur ta largojë një pamflet të shtypur që nuk kishte rënë në vendin e duhur, por afër dhëmbëzorit të madh, i cili edhe ia kishte zënë krahun, duke ia thyer ashtin dhe gëryer mishin, palca e ashtit i kishte dalë nja dy cm. mbi mish. Me qenë se aty punonin kryesisht femra, ato i kapi tmerri, nga ajo gjendje e krahut, as njëra nuk iu afrohej për ndihmë, u hutuan tërësisht. Njeriu ishte shtrirë në dysheme. Unë vrapova dhe e kapa ndër sqetulla dhe kërkova një peshqir, për t’ia lidhë dorën sadopak, as peshqirin nuk dinin me ma dhënë. Ashtu të alivanosur, zhag e nxora jashtë objektit; dikush e ndaloi një vetur zyrtare, me të cilën e dërguam në spital të Gjilanit, nga aty e kishin pas transferua, në spitalin e Shkupit për mjekim.

Pas nja tre muaj mjekimi, kishte dalë nga spitali, por dora i kishte mbetur e paaftë. Ashtu me dorë ende në allçi, erdhi tek unë për të më falenderue, për ndihmën që ia kisha dhënë. Njëkohësisht më propozoi, ta lë punën, në shtypshkronjë, sepse ai do të më punësonte në Gazetën Flaka e Vëllazrimit, në të përditëshmen që shtypej në shtëpinë botuese Nova Makedonija.

Mua më konvenoi kjo ofertë, duke menduar se do të më punësonte aty, si korespodent i regullt, përveç kësaj, aty i kisha të punësuar dy kushrinj, Zek e Shemsedin Osmanin, punonin në redaksi të Flakës. Pasi u sigurova se ai vërtet mund ta bënte këtë, dhashë dorheqje nga shtypëshkronja në Gjilan, dhe shkova në Shkup.

Posa u takuam me këtë njeri, më ftoi të shkoj e të rri te shtëpia e tij, derisa të kryhet procedura administrative, për pranimin tim, e pastaj t’ia filloj punës. Unë rrefuzova këtë ofertë, duke i thënë se, unë i kam ca kusherinj edhe dajën këtu në Shkup. Në regull- tha- dhe shkuam për t’i dorëzuar dokumentet dhe lutjen për punësim, në drejtorinë e  “Flakës Vëllaznimit”. Pasi dolëm nga shtëpija botuese, këmbë shkuam dri te shtëpia e tij, pasi ma tregoi shtëpinë, më tha se nësër duhet të shkoj tek ai, sepse paska me më takuar me një njeri me rëndësi.

Atë natë shkova te tetoja, e cila u gëzue shumë, që edhe unë do të punoja e jetoja në Shkup. Të nesërmën shkova dhe e takova atë farë drejtorin tim. Pasi e pimë nganjë kafe, më mori dhe bashkë me të shkuam, në komitetin Republikan të Maqedonisë. Me t’u paraqitur, na pranuan menjëherë; aty kuptova se ky njeri qenka i rëndësishëm. Por nuk e dija nga ky autoritet. Na priti mirë Sekretari i Komitetit, duke na porositë kafe. Kuptohet edhe ai ishte Maqedon. Tani ky farë miku po i tregon atij Komitetlisë, që unë qenkëm shumë inteligjent, i vyeshëm dhe shpirtmirë. Nëse do të më punësonin diku në politikë dhe të m’i krijonin kushtet për të kryer fakultetin, do të mund t’i parfaqësoja shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, sepse qenkam njeri gjegjës. Kryetari i komitetit, i premtoi se do të kujdeset për këtë punë. Unë, aty përaty e kuptova se këtyre po ju dashka një shqiptar i ri, për ta bajtë tupanin, kurse ata me i ra si t’ua ketë qejfi. Megjithëatë, nuk ju thashë gjë, me shpresë se do të marr përgjigje pozitive nga “Flaka e Vllaznimit”.

Për çdo ditë takoheshim, pinim nganjë kafe dhe patjetër më prezantonte te ndonjë funksionar, duke i përsëritur refrenet mbi aftësitë e mija. Kalonin ditët, javtë e muajt, e unë nuk merrja përgjigjëje nga “Flaka e vëllaznimit”.

Një ditë duke u kthye nga një institucion republikan, kaluam nëpër tregun e perimeve, drejtori bleu disa gjera ushqimore dhe unë i ndihmoja, me i bartë për te shtëpia e tij. Rastësisht e takoi një shok të tij, i cili na ftoi në kafe, në një restoran aty afër; u ulëm me pi nganjë kafe, ata dy bisedonin, unë dëgjoja. Paasi unë jam më i ri, më luti t’ia dërgoja ato gjëra ushqimore te shtëpia e tij, që nuk ishte larg. Pse jo- i thashë- dhe me të marrë ato dy qese, u nisa me i çue te shpia dhe prapë me u kthye me vazhdue ndejën.

Ai kishte një shtëpi njëkatëshe me bodruma, i rashë zilës, kur doli gruaja e tij në krye shkallëve, unë u hutova pak, sepse ajo me njërën dorë sa mundte e kruante atë vendin atje poshtë. Kurr nuk kisha parë një gjest të tillë, por konkludova se paska ndonjë sëmundje venerike. I thashë, merri këto gjëra se i ka blerë burri i juaj, më tha “falla” dhe më ftoi, nëse dua me pirë një kafe, edhe unë i thashë “falla”, s’kam kohë, se është duke më pritur burri juaj në kafene.

Kur u ktheva në kafene, ai shoku kishte pas shkue, por ky i imi ishte duke pirë raki. U ula edhe unë, posa u ula më pyeti: çfar bënëte gruja ime? I thash se e kruante atë vendin, atje poshtë. I shkoi buza në gaz, dhe filloi me arsyetue:

-E ka smundje nervore, por është e ndershme dhe kurgjë s’ka atje poshtë, që thua ti.

-More edhe buallicë në pastë, s’po më intereson- i thashë- unë e kam hallin e punësimit.

-Mos u brengos, do të punësohesh edhe mirë bile. Më inkurajoi me fjalë.

Gjatë shkuarjeve të përçdoditëshme në redaksi, për të pyetur nëse ka diçka, rreth punësimit tim; takoja poetin tonë të nderuar zotëri Mirko Gashin, i cili atëherë punonte si korespodent i Flakës, Mirkon e kisha shok nga Gjimnazi, të cilin e kishim kryer bashkë, edhepse ishte nja dy gjenerata para meja, megjithatë ishim shokë, sepse Mirkoja ka qenë shumë i pranueshëm për shoqërinë, kurse unë i kisha dy arsye, për ta dashur e nderuar: një se ishte djali i një atdhetari të shquar, në rezistencën kombtare dhe se vetë ai ishte shumë i kulturar dhe i afërt me njerzë.

Duke më parë, se jam duke u endur sëkoti, për çdo ditë, në një rast Mirkoja më pati thënë:

-Mos prit se të pranojnë, mund të ndodhë vetëm nëse kanë nevojë të madhe, përndryshe do të zhgënjehësh, sepse do të bindesh, se shovenizmi maqedon, është shumë më i madhë se ai i serbëve në Kosovë. Po t’u kishe thënë se je me komëbësi turke, moti të kishinë pranue dhe tani do punoje në Birlik.

Unë e di se Flaka e ka drejtorinë e vet dhe drejtor është zotni Murteza Peza?

-Ashtu është- ma ktheu Mirkoja- por, për kuadrot vendos, administrata e Nova Makedonisë.

Meqë tani ishte viti l960., më lajmëruan nga shtëpija në Gjilan, se më ka ardhur thirja për shërbim ushtarak. Nuk u mërzita aspak, sepse më ishte bërë jeta monotone, duke prisur vendimin për punësim, pa pasur as edhe një dinar në xhep. Aq isha mërzitur, nga se gabova që i besova këtij farë maqedonit, saqë më shkonte mendja me ikë në mënyrë ilegale nga Jugosllavija për në ndonjë shtet Evropian; më ndalnin vetëm ndjenjat shpirtërore, ndaj nënës dhe vajzës që e doja aq shumë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora