Udhëpërshkrim
Luan Xhuli: Zëri i fjalës së zgjedhur
E marte, 03.08.2010, 09:58 PM
ZËRI I FJALËS SË ZGJEDHUR
(Mbresa nga festivali i 1-rë nderkometar i letërsisë
Tinos-2010 )
Nga Luan Xhuli
Zëri i fjalës së zgjedhur, ka tjetër muzikë. I ngjan frutave me të pjekur, që dielli i ka mbajtur me “hatër”. Frutat e majës. Ato që puthen me diellin, duke lëshuar ëmbëlsirë. Ato që kundërmojnë...deri tek kopshti dhe oborri i fqinjit.
Këtë radhë, pentagrame metaforash kam me vete dhe një biletë ëndërr.
U mallëngjeva. Sinqerisht ua them, dhe atij mallëngjimi, i thashë diçka, që s’ndihem ngusht ta deklaroj:
Më kishin dekoruar me respekt, me vlerësim, me mbi vlerë..!
Në listën e të ftuarve pjesëmarrës, emra poetesh dhe shkrimtarësh, pothuajse me përmasa të pa dimensionuara... me vepra poetike dhe letrare me vlera qytetëruese të veçanta.., Me emra pothuajse “thriller” në letërsinë botërore...Do të udhëtoja me Lendo Ivon, Franko Loin, An Karson ,Pier Asulin, Tito Patrikion, dhe shumë të tjerë nga Greqia, Qipro, Serbia, Kroacia, Rusia, Bullgaria, Meksika, Peruja. Gjithsej 18 vënde. Nuk mbylla sy atë natë. Fjeta dhe ëndërrova me sy hapur. Do të njihja nga afër ata ambasadorë fjale, që më bënin magjinë e çdo ditë të zakonshme...,edhe pse të vështira dhe unë emigranti ekonomik i viteve të përmbysjes, më duhet të rend për të siguruar veten dhe familjen , duke punuar. Siç duket, arti dhe letërsia, paskan edhe një mision tjetër më human dhe qytetërues, me njerëzor dhe progresist: Atë të së nesërmes...ëndërr !
Në anije shkëmbyem librat e parë me të posa njohurit M.Radiç nga Serbia, F. Loin nga Italia, M.Jasinin nga Turqia, dhe me shkrimtaren greke E.Sotiropulu, folëm si të mos takoheshim për herë të pare. Më të adhuruarit për mua, poetin Tito Patrikio, doja ti shprehja diçka më shumë...I thashë, se pa lejen e tij, kisha botuar një poezi që i përkushtohej....S’ja fsheha simpatinë dhe ëmbëlsinë që me jep poezia e tij lirike dhe e zgjuar. “S’ka gjë,- më tha. Respekti i një te treti që s’të njeh, ka më shumë të vërteta dhe reze drite...”E lashë të lexonte poezinë, dhe prita, si të merrja notën kaluese pas një provimi të dhënë. Vërtet kështu konsideroj fjalën këshillë dhe mendimin e një më të dituri..., pa nënvlerësuar asnjëherë me të zakonshmin...Pastaj më thirri...”
-Më ke bërë dëm të madh, -më tha, -rrallë përlotem dhe jo për atë ç’ke thënë për mua, por për atë, ç’ka tregon, vargu i juaj...
...Vargjet e tua shijoj,
si reçel behari bërë nga duart e nënës...
Si mjaltë me erë rigoni Morave,
që kam frikë ta përtyp mos mbarohet....
Së bashku me dy lot të fshehtë poeti, anija rrëshqiste mbi pëllëmbën e detit, drejt Tinos, ku na prisnin miqtë dhe organizatorët, shokë të vjetër dhe ata krejt të panjohur. Më prisnin dhe autoret e mesazhit...Popi dhe Irini!
* * *
Dita e parë.
Ishulli i Tinos, ku shkoja për herë të parë më joshi me magjinë, sikur isha futur në mes të një qyteti prej sheqeri, me shtëpi tejet të bardha, deri në vrasje sysh. Dritaret e kaltra, që ndeshen vazhdimisht me erën e fortë e të vazhdueshme, llamburijnë duke reflektuar blunë e Egjeut, të zhytur në kthjelltësi. Një çudi! Një mrekulli e pa gojë. Rrotull, fshatra dhe grupime të bardha, si cifla të një veze, pa ditur se e kujt ishte...Dhe mes tyre, ankthi dhe agonia ime. Do të paraqitesha në ditën e parë të festivalit! Diçka kisha përgatitur më parë, por në përgjithësi, nuk jam besnik i klisheve dhe mënyrave klasike të të shprehurit. Atmosfera e krijuar me pllakate dhe reklamime për festivalin, valëviste me flamujt përkatës të të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Edhe timin, duke me dhënë sigurinë e mos të qenit i vetëm në atë atmosferë kulture dhe emocionuese. E kush do të pyesja unë, nuk ndihet i tillë, përballë flamurit me të madh, atij te vlerësimit? Poetet janë lokatorët me të ndjeshëm të fjalës, janë përcjellësit me të mirë të ndjenjave, me anën me të bukur dhe metaforike, që ka fraza. Zëri ndjesor, elektrizon dhe gurët, dhe jo më atë sallë aq të madhe, edhe pse muret e fjalës, s’kanë përmasa.
Ishte radha e ime, edhe pse ora kishte vrapuar dhe fjala e zgjedhur, kishte shtruar një “meny” sa poetike, aq dhe të zgjuar. Në panel, me emra të mëdhenj e të veçantë. Me shkrimtaren e njohur amerikane Alisja Stolings, perkthyesin Th. Hiu dhe prozatoren greke me shumë çmime Ersi Sotiropulu. Numuroja minutat, dhe s’doja ti besoja rrahjeve të shpejtuara të zemrës prej trakut dhe emocionit. Do të mburresha dhe do të gënjeja, po tu thosha të kundertën. U degjua konferencieri të thoshte...”Me emrave të dëgjuar, kemi dhe emra më pak të dëgjuar. I tillë është dhe poeti shqiptar Luan Xhuli por që nga vlera poetike e tij, është i veçantë dhe tronditës...”
Kisha lënë mënjanë letrën e përgatitur më parë dhe theksova, duke fshirë çdo emocion...
“...Jam i vogël përballë shpirtit të madh poetik të vendit tim! Jetoj në Greqi si emigrant ekonomik, duke pasuruar qelizat e frymëzimit, me qytetërimin e të dy vendeve. Ngjyrën e gjakut, ma ka dhënë vendlindja ime. Prandaj jam kështu....! "
”...Kam kaq shumë diell me vete, dhe jam betuar se do ta çoj ne vendin që më lindi. Për pulla do vendos rezet dhe për postier, dashurinë time....” Duartrokitje. Shumë, aq sa për një çast ngrita sytë, për të parë ata njerëz që më godisnin me shikimet dhe dashamirësinë e tyre. Dy shoqet e mija dhe gazetare Natasha(të më falë që si mësova mbiemrin), duartrokisnin të ngritura në këmbë....Nuk mbahesha më. Kisha kapërcyer emocionet me shkopin e fjalës prekëse. Pastaj, lexova poezinë ‘Kumbulla”, në të dy gjuhet, shqip dhe greqisht. Mu duk sikur heshtja përthithte vargjet, si një thellësi që s’ngre dot valë. Mijëra shikime mbi mua. Më kishte pushtuar krenaria egoiste e gjuhës së nënës...! Vetëm duartrokitjet dhe bravot, më detyruan të falënderoj, pa mbaruar minutat që kisha në dispozicion. Doja të ndaja akoma ndjenja me atë auditor që dinte të respektonte fjalën. Lexova një poezi kushtuar poetit tim të adhuruar T.Patrikio. Kultura dhe etiketa qytetëruese, na mësuan te vlerësojmë etalonët e mirësisë dhe të vlerës. Kështu duhet të jetë. Kultura dhe dija e tjetrit, le të bëhen ëndrra dhe rruga jote. A ka pasaportë me të vyer se kjo?!
Po mbaronin minutat dhe doja të konturoja pozicionin tim si krijues dhe emigrant. S’kisha më nevojë për shënime.
”Poezia ime, ka kartën jeshile, pa afat skadimi..., sepse është shpirti im, gjaku im, ndjenja dhe dashuria e lënë jetime në anën tjetër të kufirit...Jeni ju, që s’u kisha njohur më parë dhe që më dërgonit oksigjen, për tu rritur më shpejt .Merrni për dhuratë vargun tim...!”
Vetëm duartrokitje. I përhumbur unë. S’di si i zbrita shkallët e podiumit, vetëm se ndjeva se dhjetëra më shtrëngonin duart dhe më rrihnin supet. Nuk arrita ti falënderoja të gjithë...!Është mirë të kesh borxhe respekti...!
Dita e dytë
E liruar tashmë nga emocionet, dita e dytë ishte më e bukura. Mundohesha te përthithja çdo gjë që kishte të bënte me festivalin, të lexoja apo të njihja disa nga veprat e pjesëmarrësve, të vizitoja muzeume, vepra arti apo dhe kishën me të madhe besuese të shën Mërisë. Mjedisi përreth dhe hoteli ku ishim grupuar ishte një mrekulli e bardhë midis valëve dhe shkëmbinjve. Tjetër klimë rreth vetes. Nuk isha më i pa njohuri i ditës së parë. Më përgëzonin, më uronin, dhe me shumë nga poetet dhe shkrimtaret, shkëmbyem librat tanë dhe mendime për to....Besoj se poezi të tëra,do ta kenë startin nga aty. Me Patrikion, Skapardhonin, Zatelin dhe Baltino, isha më pranë. I takoja shkollës se tyre, dhe librat e mi në gjuhën greke, ishin bërë objekt bisedash, për çaste dhe grupime të ndryshme. Me Radiç nga Serbia, Jasin nga Turqia dhe Sodan nga Kroacia, ishim bërë treshja e një shoqërie të re. Që të tre flisnim gjuhën greke dhe komunikimi midis nesh kishte lehtësitë e duhura. Një mik tjetër kisha bërë aq të afërt ato ditë. Poetin italian Franko Loin, një nga më pikantet e rimave milaneze. Një 80 vjeçar me moshë adoleshenti. Komunikimi në italisht me të, më jepte kënaqësinë ti shprehja simpatinë për gjithë letërsinë italiane, duke i cituar poezi të Ungaretit, që më kanë shoqëruar gjithë jetën. Në librin e tij më shkruan...”Një miku artist nga Shqipëria fqinje...”Më tregonte kur kishte qenë në Shqipëri(shumë herë) dhe nuk shqiste atë të vitit 97-të, me ngjarje në sheshin qendror....Buzëqeshja e tij më duket sikur më përshëndet akoma...Si gjithmonë i talentuari Th. Hiu, përkthyesi dhe ndërmjetësi ynë, u bë për ato ditë edhe kultivuesi i miqësive te reja për ne...
...Festivalin për atë ditë, do ta vazhdonim diku larg nga qendra...Në një qytezë të bardhë që ngjasonte si gëlqere e shuar taze. Quhej Volakas. E bardhe midis shkëmbinjve të çrregullt mermeri, të vënë si me dorë. Shkrova dhe një poezi aty. “...Këtu, era ndjek vetveten sikur do të puthë gurët vullkanikë ardhur nga ishulli tjetër....” Për çaste të tëra , ai mjedis, më solli në kujtesë Moravën, Çardakun e saj dhe ujin brisk që të than gishtat. Edhe mes një bukurie fantastike, zëri i nënës dhe i vendlindjes, të ndjek si iso, që pa të, kënga të mbetet e zbrazët. E quajta “fshati i gurëve të bukur”. U gdhimë në atë lartësi mbi 800m mbi nivelin e detit, duke dëgjuar poezi dhe fjalë të zgjedhur. Pimë raki të dashur (jo si e jona...) dhe ngritëm shëndete për njeri tjetrin. Amfiteatrit të vogël i fshatit, për shumë kohë do t’i ushtojnë veshët nga zërat e kënaqësisë sonë...
Dita e tretë,
...na kishte thërritur akoma më larg. Për një moment, me kaloi mendimi, sikur në këtë ishull, sa më larg të shkosh, aq më shumë do të ndiqesh nga bukuritë. Kishim shkuar në vendlindjen e artistit të madh, skulptorit Jani Halepa. Një ditë më parë, me dy shokët poetë nga Serbia dhe Turqia, kishim vizituar muzeun që mbante emrin e tij. Vepra me arome shekulli, me një freski të habitshme. ”Çdo gjë, rrit vlerën kur ka brenda mendim artisti,- kishte thënë Jasini, turku që fliste pesë gjuhë dhe që jepte mësim në universitetin e Stambollit. Po e shihja edhe një here me sytë e asaj dite të fundit të Korrikut, atë sentencë të zgjuar. Ishim në Pirgo, një qytezë prej mermeri, një skulpturë gjigante, gjithnjë e freskët dhe e pa mbaruar...! Një mrekulli e bardhë. Një margaritar tjetër me “taban” mermeri dhe mikpritjeje... Kalldrëmet e mermerta të asaj qyteze, më sollën nder mend Beratin e dashur, ku për shume vjet, isha mysafiri i tij i përhershëm. Kujtova sa sa here shëtitjet e bëra, duke shkuar enkas për të numëruar mrekullitë dhe historinë e tij, shkruar mbi bedena lashtësie. Çdo gjë, e mermertë, përveç njerëzve, që të mermertë kishin bujarinë dhe mikpritjen. Muzeu historik i nxjerrjes së mermerit, ishte një laborator tradite i asaj treve, Banorët, ishin jo vetëm punëtorë të pa lodhur, por edhe artistë me fantazi të habitshme, skalitës të përkryer, skulptorë me të veçantën estetike. Pirgu ishte vendlindja e skulptorit me emër Janis Halepas!
I shkujdesur, ndoqa poezitë e një miku të sapo njohur nga Qipro, poetin Mario Mihailidhi, që mu dukën sugjestionuese. Nxora përfundimin, se sa shumë gjëra kishim të përbashkëta ne dhe qipriotët. Historia, na kishte ndëshkuar pothuajse njëlloj dhe shpirti poetik njëlloj dhe ëndrrat pothuajse të njëjta. Duartrokita shumë atë mbrëmje. Miku im Selanikas, me frazën energjike të tij, i dha ritme të reja mbrëmjes. Nën gjethet e jeshilta të një rrapi madhështor, njoha edhe disa shqiptarë, punëtorë ne atë bar të bukur dhe tërheqës. I fola shqip. Më përgjigjeshin greqisht, sikur ta kishin harruar alfabetin ku mësuam të shkruam për herë të parë. Çpo ndodh me ne, me disa nga ne shqiptarët...? Druhemi të themi kush jemi, pa asnjë shkak, si të kemi frikë vetëdënimin....! Ndiqja me bisht të syrit shikimet e tyre, dhe duke i përshëndetur së largu, piva një gllënjkë nga rakia që kisha përpara, në shëndet të të gjithë të ikurve. Veç, të atyre që s’harrojnë nga erdhën dhe kush i lindi...!
Siguria analitike e francezit Asulin, ëmbëlsia e danezes Matild, fantazia e zonjës Marangu nga Qiproja, dhe shumë të tjerë, ma bënë atë mbrëmje të dukej me më shumë yje. Lilin qipriote, që më kishte lexuar më herët, e quajta shoqe të afërt , qysh ditën e parë. Ç’tu them! Ngarkesën time emocionale, do të më duhet kohë ta shkarkoj...! Brazilianin Ledo Ivo dhe italianin Franko Loi, do ti përkufizoja “lema” të mendimit poetik...!
Tino-ja, ishulli i mikpritjes, bukurisë, dashurisë, besimit dhe qytetërimit, për tre net kishte folur me gjuhën e fjalës së zgjedhur, me gjuhën e vërtetë krijuese, me gjuhën e qytetërimit të nesërm. Kisha njohur njerëz të veçantë, personalitete energjie, eksperienca, që rrallë të vijnë në duar. Isha bërë nxënës para mësuesve, isha kthyer mik, përballë të pa njohurve të djeshëm dhe isha lartësuar në shkallë, që më bënë krenar për emrin dhe atdheun tim! Atë doja. Dhe mbeta i plotësuar në shpirt...!
“...Ti s’je shqiptar, as grek, as amerikan as kanades, as serb e ku di unë.... Ti je njeri që na preke zemrat dhe na detyrove sytë të njomeshin nga metaforat...” Kështu më tha Irini dhe Popi, kur po më përcillnin tek porti, para se të ndaheshim.
E ç’të doja më tepër nga një festival i tillë ndërkombëtar ?
Isha tjetër njeri, me tjetër ajër, me tjetër frymëzim. Atë të shpirtit dhe të fjalës së zgjedhur !
Luan Xhuli
xhulil@yahoo.com
Tino 29-31 Korrik 2010