Udhëpërshkrim
Veledin Durmishi: Në Mirditë, aty ku Mali i Shenjtë bekon sofrën e madhe
E hene, 02.08.2010, 06:27 PM
Në Mirditë, aty ku Mali i Shenjtë bekon sofrën e madhe
Nga Veledin Durmishi
Humbet në mjegullinën e kohës Oroshi, një krahinë ku korpusi i maleve është ende kryeneç, ashtu siç ka qenë shekuj me radhë. Perceptimi për këtë krahinë të Mirditës vjen dhe ikën duke lënë në kujtesë atë vragë malli e dhimbjeje, por që ngjiz në shpirt atë himn flakërues, pa të cilin njeriu humbet ndjeshmërinë e vdes. Në kujtesën time, të një jugori, emri “Orosh” nuk më thoshte asgjë. Fati e kishte mbajtur “të ngujuar” atje mes maleve, duke i dhënë madhështinë e bukurisë e të krenarisë, e veshja me mistikën shekullore e kishte bërë të rrinte larg jetës si një demon që di të flasë me Zotat e të ndihet hyjnor në heroikën e vet. Por, në luginën e Fanit, pasi pimë kafen e mëngjesit, Llesh Biba, artisti i gdhendjes në dru, biri i fshatit Nënshejt (nën Shenjt), me epizmin e të folurës e të veshjes së tij, duke treguar me dorë atë kështjellë malesh, na uroi mirëseardhjen në krahinën e Oroshit. Ishte një kështjellë natyrore, hapësirat e së cilës shkarkonin mbi ne emocione të mëdha si ato retë puplore që gremisen atje ku maja e tyre prek qiellin e kush e di ç’thotë me atë ligjëratë shekullore. Ngjitemi drejt Oroshit, drejt këtij Olimpi shqiptar, me një makinë jashtë serie e mendimet na pushtojnë, edhe pse udhëheqësi ynë artist përpiqet të na çlirojë prej tyre.
Ideja e këtij aktiviteti nuk kishte lindur në Shqipëri, por në Itali. Llesh Biba, që me veprat e tij ka shpalosur atë shpirt të madh prej artisti, ishte bujtës në Milano, në degën tonë konsullore. Një pavijon i tërë ishte ekspozeja e rastit, ku veç shqiptarëve, aty kishte edhe italianë e miqtë më specialë ishin 75 diplomatë të huaj të akredituar në Itali, që nderonin degën tonë konsullore në përvjetorin e Ditës së Flamurit. Përfaqësuesi ynë në Milano, Spartak Topollaj, ishte interesuar për veprat e Llesh Bibës e të Ibrahim Kodrës. Ishte 28 Nëntori i vitit 2005. Dhe sigurisht, pas momentit protokollar, do të ndiqej ajo ekspozitë ku veprat artistike ishin gdhendje në dru, të bëra nga artisti Llesh Biba, biri i fshatit Nënshejt të krahinës së Oroshit të Mirditës. Dhe përkthyes ishte një tjetër bir i këtyre viseve, ishte Lekë Prençi, oficer karriere, por që fati e kishte degdisur në emigrim. Aty u njoh artisti me njeriun me zemër të madhe që në Milano kishte ngritur një biznes ndërtimi, “Pjele Konstruksion SRL”, e që kishte punësuar mbi 200 shqiptarë. Lekë Prençi ishte djali i Markut, kinooperatorit të vetëm të Mirditës të cilët banorët e quanin “Shën Marku” e që kur shëtiste fshatrave me kasetat e filmave në samar kuajsh, fshatarët zinin radhën për ta ftuar për darkë njeriun artist që binte ato orë magjike me artin e tij të kinemasë. Dhe në shpirtin e djaloshit të ri paska qenë e fjetur një vatër grishjeje, e cila reagoi para veprave të asaj ekspozeje në Milano. Mbase në dhé të huaj njeriu vetëzbulon atë shpirt të lartë miqësie e mirësie, mbase në dhé të huaj ngre atë far të madh, drita e të cilit përzë hijet e i jep atij atë ndjenjë të lartë, me të cilën mban gjallë shqiptarizmin. Dhe nuk iu ndanë njëri-tjetrit artisti i gdhendjes në dru dhe “përkthyesi” me atë shpirt bujari. Ishin Lleshi dhe Leka që të përkthyer emrat e të dyve do të thonë “Aleksandër”. Ishte hedhur fara. Është arti që me magjinë e vet të grish. Arti nuk kishte gjetur një truall shterpë, por një shpirt prej njeriu që do marrëzisht dy fëmijët e vet, por që ditën e fundit të asaj ekspozite i ka thënë artistit: “Sot jam përkthyes, nëse nesër ke ide me interes kombëtar, unë të ndihmoj”. Kaluan katër vjet pas atyre fjalëve dhe pikërisht vjeshtën e vitit të kaluar ishte përsëri në Milano artisti Llesh Biba. Tashmë një tjetër ide ishte kristalizuar në mendjen e artistit, i cili do të shfaqte edhe një herë provën e vullnetit e të ambicies së vet. Si gjithnjë, këtij njeriu nuk i kanë munguar idetë, por tani së fundmi nuk i mungojnë edhe sponsorët te të cilët regëtin një fill. Dhe atje, në Milano, u përpunua një plan i cili hap pas hapi mori jetë duke e detyruar Llesh Bibën të jetojë me idenë e atij aktiviteti të cilën e mbajti brenda vetes si një heretik. Dhe banorët e paktë të Nënshejtit ngrinin supet tek shihnin se djali i tyre, Llesh Biba, po gërmon. Kishte gjetur punëtorët aty dhe i kishte punësuar, por pa u dhënë sqarime më tej. Edhe shkrimtari i vetëm që jeton në këto vise, Gjovalin Ndoja, ngrinte supet kur e pyesnin fshatarët se ç’po bën ky njeri?! Dhe përgjigjja e tij ishte: “Nuk e di ç’po bën, por për gjithçka, ka bekimin tim”. Dhe e gjetëm shkrimtarin e këtyre lartësive. Ai na fton në “vilën” e tij alpine, prej druri, ndërsa ne i kërkojmë dhallë. Dhallë bjeshkësh, jo metropoli. Ai na jep nga një libër. “Frikë dhe ndryshk” është titulli i tij, ndërsa biseda me të kalon nga politika te sistemet shoqërore, tek arsimi, te druri i këtyre viseve, arnia, që ka qenë edhe lënda e parë e mobilieve të mbretërisë spanjolle në kohëra, te sofra pak metra sipër shtëpisë së tij, te kampionati botëror, te…
Simbolika e këtij misioni që na bëri të udhëtojmë drejt Oroshit, është jetësore. Fshatrat e kësaj krahine janë zvogëluar e globalizmi i ka bërë të ndihen të vetmuar e ashtu shumëkujt i vjen keq. Së pari u vjen keq bijve të saj që rrethanat e kishin sjellë ta braktisnin vendlindjen e tyre. Ikën nga Oroshi, e ndërsa zbrisnin poshtë atë rrugë malli, mërmërisnin ndonjë ninullë, sigurisht pa e mbaruar dot deri në fund. Ndonjë pikë loti do t’u ketë bërë atë nyjën atje ku ngec edhe jeta e njeriut… Në krah kisha reporterin Dodë Miri, dhe aviatorin Pjetër Biba. Atje, në fshatin Nënshejt, kishte kohë që artisti Llesh Biba kishte ngritur “selinë” e tij prej dërrase. Aty pranë shtëpisë së tij është dhe një pyll me arra, mbjellë nga vetë duart e artistit. Është lënda e parë e artit të tij. Nga trupi i tyre do të dalin nesër vepra të reja arti, ku artisti do të derdhë frymëzimin e vet befasues. Ai do të ishte regjisori, arkitekti, skenaristi i një aktiviteti që ishte projektuar muaj më parë në Itali e që kishte një simbolikë aq të qartë e të bukur. Kishin lëvizur qindra m³ gurë për të ndërtuar një sofër të madhe gjigande sa ajo kështjellë malesh, sa ai shpirt i madh njerëzor, sa ai mall që kishte ndjekur pas bijtë e saj kurbetit të fatit të tyre. Një muaj punuan aty mjetet e rënda për të krijuar atë shesh ku do të ngrihej sofra prej 600m². Një sofër e madhe, që në një ditë simbolike do të ulen e të drekojnë 365 njerëz, aq sa ditë ka edhe viti. Një sofër bujare si shpirti i këtyre njerëzve që nga malet kanë marrë jo ashpërsinë e tyre, por frymën e mirësisë e të dinjitetit. Të dëgjojmë njëri-tjetrin e jo të zhurmojmë nën ritmin e notave të akustikës moderne. Dhe aty, brenda asaj sofre, është ndërtuar Simboli i Arbrit e një orë gjigande që shënon mesditën të jep ndjesinë e kohës sonë. Rreth saj është shkruar në gjuhën e Zotit, por edhe në serbisht e greqisht, në gjuhën e fqinjëve tanë “ora e Shqypnisë po troket”! Asnjë prapavijë nuk ka në këtë simbolikë. Artisti Llesh Biba nuk ka as më voglin kompleks të cilin do ta bëjë të ndihet keq. Nga kjo pikëpamje ai është shëndoshë e mirë. U flet edhe fqinjëve duke dashur të bëhet interpret i së mirës, i një miqësie e cila është edhe kahja e kohëve të reja të bashkëjetesës. Dhe aty do të mbetet kjo sofër bujarie. Nënshejti, Oroshi, Mirdita, si e gjithë Shqipëria, di të “japë bukë” për njeriun, për udhëtarin, vllaun, duke parë tek ajo “bukë” himnin madhështor të jetës, duke mbjellë atë ndjeshmëri të lartë që njeriu e ka në thellësi të qenies së vet e që pa të nuk mund të jetojë dot. Ja këtë ka shprehur edhe Edit Durhani, ajo mikja e parë për shqiptarët që ka shkelur këto vise. Këtu ajo ka ndenjur tre muaj, te Preng Doçi. Këtë e ka gjetur Llesh Biba edhe atje në Londër, në muzeun për Edit Durhanin e që ne e kemi njohur te libri i saj, “Brenga e Ballkanit”. Ndoshta kjo sofër do ta “zbusë” sadopak atë “brengë” për të cilën ka folur kjo udhëtare. Këtu ishte parashikuar që të thirrej edhe një konferencë për gjuhën shqipe, e cila do të pasonte takimin e parë të organizuar në Vlorë, në vitin 1921… Por nuk na lë sofra të meditojmë më tej. Kjo sofër do të mbetet aty ndër mote. Aty le të kalbet derisa një ditë Lleshi (ai thotë se unë do të jem gjallë deri atëherë) do ta ndërtojë atë prej guri. Sigurisht që Mirditës nuk do t’i mungojnë as Lleshët me shpirt artisti e as donatorët me shpirt bujari si Lekë Prençi. Por përjetësia do të jetë në themelet e saj. Sepse mbi këtë fshat është Mali i shenjtë. Banorët nuk të thonë gjë për kohën kur ka filluar që ky mal të quhet kështu. Ndoshta që kur u krijua bota. Kështu është quajtur edhe në monizëm, edhe nën pushtuesit turq, ku, atje sipër, në majën e Shelbunit, ka qenë edhe akademia e teologjisë, dhe kisha më e vjetër e Ballkanit e që rrinin 40 priftërinj. Dhe e kishin djegur turqit atë kishë që ishte me emër të madh e që pelegrinët vinin nga të katër anët e horizontit. Tani aty janë ca rrënoja e më tej është edhe kisha e re, ku kryhen ritet fetare çdo 24 qershor. Aty është edhe kisha e re, altarin e së cilës e ka ndërtuar biri i fshatit, artisti Llesh Biba. Unë isha i pranishëm në atë meshë ku fliste Dom Beni. Ndoshta isha i vetmi mysliman aty, mes katolikëve dhe denjësisht ndoqa atë meshë. Rruga e Zotit është një edhe e vërtetë… Në këtë lartësi horizonti shfaqet si një pasqyrë gjigande e cila nxit edhe hapësira shpirti. Ndien në vena një transfuzion të ri gjaku. Njeriut që i duhet të mbajë mend një pafundësi kodesh e pinesh, tani sikur po harron atë kodin gjenetik, përdorimi i të cilit hap dyert e shpirtit te tjetri; te vëllai, te fqinji. Përballë rrinë malet e Spaçit (uh, sa emër i frikshëm) dhe malet e Munellës, ndërsa poshtë këmbëve tona shtrin gjymtyrët e reja një arterie gjigande. Është rruga e re drejt Kosovës, vepër e kohëve të reja, e cila shkopsit gjokse pafund malesh e që sjell pak jetë në këto krahina të cilat kanë 20 vjet që nuk marrin frymë. Një vetull rruge sa një vetull hëne, dallohet nga lart, ndërsa vështrimi humbet tutje maleve krenare, që nuk kanë njohur zot veç atij që u ka ndenjur mbi kokë.