E merkure, 30.04.2025, 01:54 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Adi Krasta: Welcome Home!

E diele, 18.07.2010, 11:07 AM


Welcome Home!

 

Adi Krasta ndodhet në Shtetet e Bashkuara si pjesëmarrës i programit të Vizitorit Ndërkombëtar të Lidershipit. Në respekt të një marrëveshjeje paraprake miqësore, na ka dërguar këto shënime udhëtimi që ne po i botojmë në dy pjesë

 

Adi Krasta

Alabama, SHBA

 

Është udhëtimi i dytë i gjatë dhe i rëndësishëm që bëj në Shtetet e Bashkuara. Çdo gazetari, sado të rastësishëm, do i kishte shkuar ndërmend të shihte nga afër dhe të dëshmonte për çka ndodh çdo minutë në thellësi të detit në Gjirin e Meksikës. Çdokush do të donte të mësonte nga afër se çfarë mendojnë amerikanët për Presidentin, luftën, Europën. Ndërkohë, ka shkaktuar një furtunë ngjarja skandaloze dhe komplekse me Mel Gibsonin, të cilit e dashura i kishte incizuar një bisedë të tmerrshme telefonike, që mund të përfundojë me shkatërrim të karrierës dhe burgim. Aktorja problematike, Lindzi Lohan, që shkrehet në vaj kur gjykatësja e dënon me 90 ditë burg, se ka dhunuar lirinë me kusht. Temperaturat e larta në zonën juglindore dhe festa e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Kisha marrë fluturimin e dytë pas Mynihut e këtë herë kalimi nga Luftansa në United të sillte ndërmend kalimin nga autobusët e turizmit në ata të linjës. Të cilësdo linje në Shqipëri. Të paketuar si sardele në avionin e madh, me sinjalin e keq që transmetohej në monitorët e vegjël përballë, duket se të gjithë kishin tetë orë e gjysmë të bindeshin se jetojmë në një krizë globale (së cilës i ka shpëtuar vetëm vendi ynë) dhe se ditëve të lavdisë se linjave ajrore u kishte ardhur fundi. Çdo ushqim shtesë duhej të blihej me para, madje ato nuk lejohej të ishin cash, por vetëm karta të rëndësishme krediti.

Nuk e humba entuziazmin. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit, më kishin përgatitur një axhendë të kujdesshme dhe harta e shteteve që do vizitoja ishte shumë në tri javët e ardhshme. Ishte dikush në Uashington që dukej se kishte dobësi për shqiptarët. Na njihte dhe na donte shumë. Ajo quhej Deana Duglas, rreth të dyzetave, me flokët e verdhë të gjatë dhe një buzëqeshje çarmatosëse që nga momenti i parë i njohjes. Kishte qenë në Shqipëri dhe nuk ia përtonte të krijonte punë diplomatike për ta vizituar vendin. “I dua shqiptarët pashmangshmërisht”- dhe me fytyrën që tregonte një dashamirësi të padyshueshme tregoi se kishte kaluar në Shqipëri Krishtlindjet më të bukura të jetës së saj. Deana ishte drejtuesja e projektit të Vizitorit Ndërkombëtar të Lidershipit që kishte konceptuar atë që do ndodhte në javët në vazhdim. Bix Aliu kishte bërë që gjithçka të ishte e realizueshme në këtë bashkëpunim me Departamentin e Shtetit dhe nuk na mbetej tjetër veçse ta kryenim me përpikëri.

Në aeroportin ndërkombëtar të Uashington DC kishin dalë për të më pritur shoqëruesi im, Sulejman Gashi dhe ambasadori i jashtëzakonshëm i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu. Ambasadori, një gazetar e publicist i njohur në Kosovë, ishte një figurë shumë e besueshme në rrethet diplomatike e të Departamentit të Shtetit. E ndjeva veten të përkëdhelur dhe të vlerësuar që ambasadori i vendit tim, Kosovës, kishte dalë të më priste.

Uashingtoni më kishte bërë dikur një përshtypje të thellë. Pas pesëmbëdhjetë vitesh rivija në kryeqytetin ku dikur punonte Presidenti Bill Klinton e tani një tjetër demokrat, Barak Obama. Një gjë nuk kishte ndryshuar. Vapë e jashtëzakonshme, me një lagështi pothuaj të padurueshme. Por qyteti kishte shumë gjallëri. Territori ishte zgjedhur si kryeqytet në 1790-n. Do të duhej të kishte një formë katrore, por në momentin e duhur Arlingtoni nuk pranoi të realizonte bashkimin në atë formë dhe lumi Potomak bëhet hipotenuzë e një trekëndëshi shumë të vlefshëm ku vendosen ndërtesat e institucioneve federale. Pierre L’Enfant, arkitekti i kryeqytetit, pati parasysh kopshtet e Versajës kur krijoi konfiguracionin e tij.

Gjatë mbrëmjes, ambasadori Spahiu na ftoi për një kafe në hotelin “Willard”, ku vendoset çdo njeri i rëndësishëm që vjen zyrtarisht në Uashington. Që aty dukej dhoma me dritaren e rrumbullakët ku kalon natën e fundit Presidenti përpara se të transferohet për katër vjet në Shtëpinë e Bardhë.

 

E hënë, 28 qershor

 

Takimi i parë bëhet në shtëpinë e themeluesit dhe pronarit të gazetës “Washington Post”, të cilën e trashëgoi e bija, një grua e fortë dhe pasionante, që më pas ua dhuroi disa organizatave që promovojnë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me shtete të tjera. Kishte, ashtu si i gjithë kryeqyteti, reminishenca të shtëpive të mëdha të aristokratëve britanikë. Një sallë e madhe me llambadarë të mëdhenj dhe piktura të pjesëtarëve të familjes të vëna në korniza të lara me ar. Dan Kush, një specialist i tregtisë, me pasion për historinë, na udhëheq në një rrugëtim analitik në federalizmin e Amerikës së Veriut dhe Luftën Civile që prodhoi republikën e sotme. Kur morëm në dorë Kushtetutën e vendit, u ndjemë çuditshëm për shkak se ishte jo vetëm një libërth i vogël, por edhe Kushtetuta më e shkurtër në botë. Vlerën e amendamenteve të saj kjo Kushtetutë nuk e ka te të qenit koncize, por tek edukata e respektimit të saj. Fjala-kyç e gjithë suksesit të jetës politike amerikane është koncepti “Chek-and-balance” (“Kontroll dhe balancë”). Nuk dua të filloj krahasimet. Nuk më ndihmojë për t’u fokusuar në këtë projekt faktmbledhës.

Vizita në stacionin publik televiziv WETA-TV ishte e rëndësishme për mua. Ne do të merrnim pjesë në realizimin e programit njëorësh të lajmeve, “News Hour”, ku drejtonte Jim Lehrer. Televizioni është një gjuhë universale për ata që punojnë në të dhe e përgatita veten të mos çuditesha me gjithçka që do shihja. Ishte një stacion televiziv realisht publik. Asnjë kompromis me ndonjë forcë politike për përfitime të ndryshme nuk do kishte vlerën e asaj që kemi përfaqësuar ne për publikun e gjerë që na mbështet me shikueshmëri dhe me kontribute financiare. Shoqëruesja jonë më sheh në sy dhe pas çdo sekonde që përqendrimi im ballkanik shpërbëhet, më sheh ngulazi në sy për të thënë se edhe në një vizitë të kësaj natyre janë seriozë. Salla e regjisë kishte një panel gjigand LED, ku ishin dizajnuar të gjithë monitorët e kamerave dhe ata të prodhimit final. Në Shqipëri kemi vetëm panele me monitorë. Ishte momenti të çuditesha dhe nuk ngurova ta bëj këtë. Programi njëorësh me informacione nuk përmendi asnjëherë Presidentin Obama dhe as kreun e Distriktit të Kolumbias. Anne Bell, që organizonte programin, tha se Presidenti është subjekt i lajmeve vetëm kur ka diçka të rëndësishme me interes kombëtar. Pjesë të tëra të programit ishin regjistruar paraprakisht dhe puna dukej më e lehtë.

 

E martë, 29 qershor

 

Në mëngjes mbërritëm në American University Radio. Ndërtesa e radios kishte qenë pronë e përfaqësisë diplomatike të Gjermanisë Lindore. Kur të dy Gjermanitë u bashkuan, autoritetet amerikane zbuluan se një nga njerëzit që kishte punuar aty, ndërsa gjithçka tjetër ishte tipike e Gjermanisë së Honekerit, i kishte dhënë liri vetes të ndërtonte në një papafingo të fshehtë një apartament luksoz, ku të mund të bënte jetën amerikane. Kishte shkaktuar një habi të përzierë me një farë mrekullimi ky zbulim tek autoritetet amerikane. Këto na thotë shoqëruesja jonë, Karen Munson, e cila na përgatit takimin me një grua që njihet pothuaj në gjithë vendin. Ishte një figurë që përfaqësonte për radion këtu atë që përfaqëson për radion tonë Vera Zheji. Ishim duke pritur më këmbë në një studio, kur hyri me një filxhan kafe në dorë Diane Rehm, 73-vjeçarja që drejton programin. Bionde, e vetëdijshme për dimensionin e vip-it gjithëterritorial, ajo na përshëndeti me shumë dashuri. "Kam bërë një kërkim në internet për ju zotëri", m’u drejtua qetë, me një zë që në fakt ngjante me zërin e lodhur të një gruaje të moshuar, edhe pse të trajnuar mirë "dhe vetëm diçka nuk e kuptova mirë. Pse të gjithë njerëzit kanë në ‘Facebook’ një adresë, ndërsa ti ke 26? Kaq shumë e dashke veten?" Duhej të shpjegohesha gjatë. I dhashë një buzëqeshje të Shqipërisë së Mesme. Programi kishte shumë telefonata. Njerëz të shqetësuar për fatin e djemve në dy luftëra, kriza ekonomike dhe reformat. Jashtë studios, një grua gjithashtu në të 70-at priste telefonatat dhe i informonte telefonuesit se çfarë nuk lejohej të thuhej në transmetim të drejtpërdrejtë, si duhej t’u drejtoheshin personaliteteve politike dhe vetë zonjës Rehm.

 

E mërkurë, 30 qershor

 

Ndërkohë që shihnim nga lart Avenynë Pensilvania dhe Kapitolin, e kuptuam se po hynim me anë të një ure ajrore në Newseum, muzeun e mediave amerikane. Jo gjetkë, aty e kuptoje se pse Shtetet e Bashkuara janë një vend demokratik, pse Etërit Themelues kishin vendosur që Presidenti të kishte vetëm dy mandate që të mos kishte mundësi të bëhej mbret, si ai i Anglisë, ndërsa Xhoni Karson quhej Lui i 14-të nga i gjithë komuniteti gazetaresk i vendit. Ishte aty e ekspozuar pjesa e mbetur e antenës në tarracën e njërës prej Kullave Binjake, makina luksoze e Elvis Preslit, makina e parë lëvizëse e regjisë, një segment nga Muri i Berlinit. Ishin të ekspozuara aty edhe artifakte të rralla si botimi i vitit 1776 i Deklaratës së Pavarësisë në gazetën “Pensilvenia Evening Post” dhe një Bibël Gutenberg. Gjithçka lidhej me miliona fije të padukshme me gazetarinë dhe mediat. Një hartë për lirinë e medias në botë. Shqipëria në mes. Dhe e lirë dhe e palirë. Ndjeva një gëzim të fshehtë kur shihja Italinë të lirë-të palirë. Nuk e di pse, mbase një inat kalimtar, i paidentifikueshëm me Berluskonin. Mbase një kamaraderi vendesh e mileti kam-kum që janë në hall. Shpjegimin e këtij muzeu dhe të asaj çka përfaqësonte na e bëri një gazetar që më kujtoi Javer Malon (Nuk kam pasur fatin ta njoh, por e kam lexuar dhe e di çfarë ka përfaqësuar gjithmonë). Quhej Xhin Mater. Kishte punuar në Europën Lindore për të instaluar median e lirë. "Nuk kam qenë në Shqipëri", filloi me një zë të lodhur, "por shihe në ç’vend punon ti" dhe më zgjati një tekst të printuar nga interneti, ku “Freedom Forum” kishte bërë një raport të nxirë mbi vendimin e një gjykatësi për t’i vënë “Top Channel”-it një gjobë të stërmadhe. "Ti punon në ‘Top Channel’, apo jo" – pyeti dhe më nguli sytë. E konsiderova të arsyeshme të mos nxjerr të palarat e vendit tim në shesh dhe u mjaftova me një po bindëse (Kishte edhe krenari në atë pohim natyrisht).

Është shumë e përfolur lënia e lirë e llapës nga ana e eksponentëve të institucioneve shqiptare ose pjesëtarë të medias kur janë jashtë shtetit. Vetëm në programin ku unë po marr pjesë, bëmat e dikurshme të disa kolegëve të mi nëpër takime dhe jashtë tyre ende tregohen si anekdota në fazat e trajnimit të njerëzve që do të merren me Ballkanin.

 

4 korrik

 

Festa e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara na gjeti në Hollivud. Kam një shoqërues e përkthyes të veçantë në këtë udhëtim. Sulejman Gashi, ose Sal për amerikanët, është korrespondenti i Radio Televizionin të Kosovës në Shtetet e Bashkuara. Ai është tashmë i natyralizuar për më shumë se 25 vjet në këtë vend. E ndjemë të detyrueshme të kërkonin dhe gjenim yllin e Xhon Belushit në Bulevardin e Famës në Hollivud. Të nesërmen do të vizitonim Teatrin Kodak, i cili për shkak të kontratës deri në vitin 2026 dhe famës, tanimë quhet Teatri i Çmimeve Oskar. Por, ylli i Xhon Belushit, i cili konsiderohet një megastar, u gjet me shumë vështirësi. Ishte në pjesën perëndimore të bulevardit, pranë Vivien Leigh dhe Lee Strasberg. I vetmi shqiptar në atë bulevard. I aftë sidoqoftë të të jepte një ndjenjë të mirë.

Konceptuesit e planit të vizitës siç duket e kishin marrë me shumë seriozitet natyrën tonë të punës dhe faktin se nuk kishim qenë asnjëherë në Los Anxhelos. Aty ishin dhe miqtë e mi, Ergi Kuke, djali i Palit dhe Zerina Kukes dhe familja Flloko që po shijonte pushimet pas një lodhjeje të gjatë, në familjen e vajzës së tyre që tashmë është bërë nënë. Por takimet me ta do të duhej të prisnin. Ishte data 4 korrik. Në një amfiteatër gjigand afro pesë mijë vendesh gjithçka ishte bërë gati (dhe amerikanët termin “të bësh gati” e kuptojnë shumë mirë) shfaqja e madhe e fishekzjarrëve, e cila do të zhvillohej në çdo kryeqytet të shteteve të veçanta. Ishte traditë të shkoje atje me ushqime dhe birra. Në skenë filarmonia e Los Anxhelosit. Dirigjenti, i cili drejtoi spektaklin përpara çdo dirigjimi, përmendi për herë të parë fjalën “patriotike”. Projektorët robotikë i jepnin skenës nuanca të flamurit me yje e shirita. Të gjithë pjesëmarrësit kishin një entuziazëm që në momentet e para m’u duk si i inskenuar. Por do të duhej të dëgjoje pjesët e zgjedhura, fjalët për atdheun, vlerat që shoqëria amerikane i kalon brez pas brezi, respekti për ushtarakët dhe ata që luftojnë në Irak e Afganistan dhe japin jetën atje, për të kuptuar se ke qëlluar në një ditë të veçantë, në një vend të veçantë. Atë situatë mund ta krahasoj vetëm me atmosferën para dhe pas fitores në futboll me Greqinë. Hollywood Bowl u bë inkandeshent nga një spektakël fishekzjarrësh. Ishte duke festuar një vend i fuqishëm. Dhe që kishte shumë dashuri për të dhënë.

 

7 korrik

 

Ishte dita kur si turistë të specializuar do të duhej të vizitonim ambientet e Universal Studios. Një dhuratë nga organizatorët. Qyteti i kinemasë, ose Universal City, ishte i vendosur në një zonë kodrinore të Hollivudit. Hoteli i madh “Hilton” dukej sikur bënte pjesë në kompleks, por ai ishte larg dhe për ta plotësuar lapsusin optik, pothuaj brenda territorit të famshëm kalonte një autostradë. Vetë procedura e futjes në ambiente të tilla pas 11 shtatorit është padyshim diçka që ia vlen të shihet. Veturat vendoseshin në një parking-ndërtesë dhe rrugën deri atje ta tregonin dhjetëra vajza e djem të rinj studentë që punonin të veshur me uniformë për të mbështetur studimet. Pastaj të merrnin me autobus për vetëm 100 metra dhe të linin te hyrja. Bileta duhej të bëhej e vlefshme vetëm po të tregoje një mjet identifikimi dhe nëse atë nuk e kishe (siç më ndodhi mua), do të të duhej të mbushje një fletë me të dhëna. Shakaja ime se unë jam vetë mjet identifikimi mori një palë vetulla të ngrysura nga vajza që qëndronte serioze përpara kompjuterit. Kishte kaluar një orë. Pastaj hyrja. Mbresëlënëse. Duke u bazuar në historinë e Hollivudit, vizitorët hipnin në disa vagonë të mëdhenj të hapur (pra nuk lejoheshin të lëviznin të lirë). Krijimi i një rruge të Londrës, liqeni ku është xhiruar lufta me peshkaqenin në filmin “Shark”, një sallë ku shiheshin me syze speciale xhirimet e fundit të “Gorrila”-s në tre dimensione. Ra një heshtje kur treni i posaçëm kaloi në sheshxhirimin e Spilbergut, për filmin fantastiko-shkencor me Tom Kruz. Një avion i stërmadh i rënë mbi një qytezë, i ndarë në tri pjesë të mëdha. Një shkatërrim i kuruar deri në detaje. Çdo gjë e vënë me dorë nga grupi i punës. Avioni ishte blerë për 70 mijë dollarë dhe ishin dashur 700 mijë për ta vendosur në atë vend. Producentët e filmit nuk e kishin parë logon në bishtin e avionit dhe në kohën që xhirimet kishin filluar, aeroporti i LA kishte marrë qindra thirrje nga njerëz të zakonshëm që njoftonin se nga lart shihnin një avion të shkatërruar të një linje me emër.

Gratë u entuziazmuan kur treni kaloi në lagjen e krijuar nga hiçi të filmit “Shtëpiake të Dëshpëruara”. Në fakt, gjithçka të jepte një ndjesi të çuditshme. Të vinte të hidheshe nga treni dhe të filloje vizitat në shtëpitë inekzistente-vetëm-fasadë të grave problematike shtëpiake.

Çfarë mund të ruhej në Shqipëri? Studio të Radios e Televizionit publik që dikur kanë bërë histori? Studiot e kinostudios Shqipëria e Re? Do të duhej të kishim një muze të medias?

 

Disa ditë më parë…

 

Qëndroja në radhë për tek oficeri zezak i emigracionit për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara. Përpara meje, një vajzë amerikane nga Teksasi, që kishte kaluar një vit në Francë, duke mësuar frëngjisht. Oficeri i bëri dy pyetje të shkurtra dhe pastaj fytyra e tij zyrtare u çel. Duke i kthyer pasaportën, i tha: Welcome Home!

Nuk e kam dëgjuar asnjëherë këtë shprehje, ose ndonjë shprehje tjetër dashamirëse në të gjithë pikat kufitare të Shqipërisë, edhe pse me oficerët e kufirit në ato pika që frekuentoj më shpesh jemi miq. Ka diçka që e bën Amerikën të madhe dhe këtu nuk e kam fjalën territorialisht. Të madhe në integritetin e saj, në dinjitetin e saj, në patriotizmin e vërtetë të saj. Tani që shkruaj, jam në Alabama. Qytetet bregdetare po vazhdojnë betejën kundër ndotjes së naftës së derdhur në thellësi të Gjirit të Meksikës.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx