E enjte, 24.07.2025, 09:34 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Reuters: Shqetësimi i myslimanëve

E hene, 05.07.2010, 09:58 PM


Shqetësimi i myslimanëve

 

Protesta e 18 qershorit në Prishtinë për lejimin shamive në shkolla publike, fillore e të mesme, ishte pamje e jashtëzakonshme për vendin me stil laik të jetesës. Myslimanët e devotshëm paralajmërojnë dhunë, nëse ata nuk i fitojnë në mënyrë paqësore, të drejtat që besojnë se u takojnë. Reportazh nga Reuters.

 

Nga Reuters

 

Kreu i një proteste kundër ndalimit të bartjes së shamive në shkollat publike në Kosovë thotë se myslimanët e devotshëm mund t’i kthehen dhunës për të marrë atë që u takon, edhe pse islami nuk është diçka esenciale në jetën e shqiptarëve të Kosovës. 

Më 18 qershor u mbajt një tubim në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ku rreth 5 mijë gra me shami në kokë, të mbështetura edhe nga burra me mjekra, protestuan kundër pengimit të disa vajzave që të shkojnë në shkollë të mbuluara. Kjo ishte një pamje e jashtëzakonshme në Kosovë, vendin 2-milionësh, ku 90 për qind janë myslimanë, por kryesisht kanë stil laik të jetesës. Drejtuesi i protestës, Halil Kastrati, është diplomuar në studimet islame në Damask dhe tash kryeson një shoqatë bamirësie të jetimeve në Prishtinë, për të cilën thotë se nuk merr fonde islamike. Ai vesh rroba normale perëndimore dhe thotë se admiron Perëndimin. 

"Ne do të përdorim të gjitha mjetet paqësore për të arritur qëllimin tonë, përveç nëse ata na shtyjnë për të vepruar në një mënyrë tjetër", thotë Kastrati, i cili ishte martuar me një grua të krishterë, e cila më vonë ishte konvertuar në islam. "Nëse nuk ka zgjidhje, ne mund të organizojmë protesta të dhunshme dhe madje edhe të bllokojmë rrugët," thotë Kastrati, 35 vjeç, për Reuters, në zyrën e tij të zbukuruar me flamujt e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe të NATO-s.

Ministria e Arsimit e Kosovës, në fund të vitit të kaluar, ka ndaluar veshjet fetare në shkollat fillore dhe të mesme, duke nxitur debat të nxehtë në lidhje me liritë fetare në vend, dikur ish-provincë e Serbisë që ka shpallur pavarësinë e saj dy vjet më parë. 
"Ky vendim është në përputhje me Kushtetutën e vendit," thotë ministri i Arsimit Enver Hoxhaj, duke iu referuar një klauzole që parashikon se Kosova "është një shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare".

Hoxhaj nënvizon: "Nëse ka qytetarë që mendojnë se vendimi ynë nuk është në përputhje me Kushtetutën, atëherë ata duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe ne do të respektojmë vendimin e Gjykatës”. 

Derisa disa vende e kanë ndaluar mbulimin e kokës së vajzave në shkolla, analistët thonë se kjo në Kosovë është bërë për të siguruar respektimin e Kushtetutës laike në një vend i vogël e të brishtë dhe theksojnë se ajo u takon aspiratave perëndimore që t’i bashkohet përfundimisht BE-së dhe NATO-s.

Debati mbi identitetin 

Jahja Drançolli, një profesor i fesë në Universitetin e Prishtinës, thotë se mbajtja e lejuar e shamisë do të dëmtojë identitetin e Kosovës, ku rreth 70 për qind e myslimanëve nuk praktikojnë fenë e tyre. 

"Ato mund të veshin uniformat apo rrobat që i përkasin fesë, në shtëpitë e tyre, por jo në shkolla apo universitete," thotë Drançolli. "Këta njerëz janë të keqpërdorur nga organizata të ndryshme dhe vende me interesa të dyshimta." 

"Bazuar në tolerancën fetare në Kosovë ..., unë nuk shoh se si kjo shoqëri do të kthehet në të dhunshme në të ardhmen," shtoi ai. Të pyetur për koment, Zyra e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Prishtinë tha se kjo është një çështje që u takon autoriteteve lokale.

Perandoria Otomane solli islamin në Ballkan 

Shumica e shqiptarëve etnikë në Kosovë, si kudo në Ballkan, u kthyen në islam kur ishin nën sundimin e Perandorisë Otomane, e cila nxiti konvertimin, duke imponuar taksat e larta mbi jomyslimanët. Shumë prej tyre, megjithatë, vazhduan të praktikojnë krishterimin në shtëpi, duke u konsideruar si "katolik të fshehur".

Sot, shumica e myslimanëve të Kosovës nuk e konsiderojnë fenë si pjesë jetike e identitetit të tyre. Por disa, si Adelina Berisha, një studente 19-vjeçare e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e së cilës shamitë janë të lejuara, këmbëngul në paraqitjen fetare edhe në publik.

"Ne jemi katër vajza në klasën tonë dhe kemi shami, por nuk kemi probleme me studentët e tjerë," thotë Berisha, veshja e gjatë e së cilës mbulon të gjitha pjesët e trupit, përveç fytyrës dhe duarve. "Por ne nuk jemi të lumtura, sepse motrat tona në shkollat fillore dhe të mesme nuk janë të lejuara." 

Në Shqipërinë fqinje, ku 70 për qind e qytetarëve janë myslimanë, bartja e shamive është e ndaluar edhe në shkollat fillore dhe të mesme, por të lejuara në universitete. Ato që duan të mbulohen, duhet të shkojnë në shkollat private.

Në Bosnje, ku myslimanët boshnjakë përfaqësojnë grupin më të madh etnik, shamitë e kokës janë të lejuara edhe në shkolla, edhe universitete. Liria për të bartur atë veshje ka tërhequr shumë femra studente nga Turqia dhe vende të tjera për të studiuar në universitetet turke- të financuara në kryeqytetin e Bosnjës- Sarajevë. 

Autoritetet e Kosovës i lejuan Kishës Katolike Romane për të ndërtuar një katedrale të madhe në Prishtinë për 4 për qind të shqiptarëve të Kosovës, të cilët janë katolikë, për atë që analistët e quajtën një shenjë e mirënjohjes për Perëndimin, për dëbimin e forcave serbe nga Kosova dhe mbështetjen e pavarësisë së saj nga Serbia në vitin 2008. 

Myslimanët e Kosovës nuk e kundërshtojnë katedralen, por disa, të tillë si Kastrati, mendojnë se autoritetet duhet të lejojnë që edhe ata të ndërtojnë një xhami të madhe dhe një qendër islame në kryeqytet. 

Kosova deri më tash është njohur si shtet nga 69 vende, kryesisht të Evropës Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete myslimane.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx