Udhëpërshkrim
Fatos Baxhaku: Kakarriqi, ose historia e një migrimi të vjetër
E hene, 19.07.2010, 09:50 PM
Kakarriqi, ose historia e një migrimi të vjetër
Nga Fatos Baxhaku
Po i afrohemi mesit të korrikut, por çuditërisht në Balldre nuk bën edhe aq vapë. Një puhizë që nuk merret vesh mirë se nga vjen, nga deti, nga Drini i vjetër, apo nga të dyja bashkë, na e bën ditën më të këndshme dhe punën më të lehtë. Balldreni është qendra e komunës. Pjesa më e madhe e fshatrave të tij ka një histori më vete. Banorët e tyre kanë zbritur me kohë nga malet e Veriut, nga Kelmendi, Shkreli, Rrjolli. Në kohë të vjetra, malësorët e Veriut bënin një jetë gjysmë nomade me tufat e tyre të mëdha. Verës qëndronin në bjeshkët e tyre të mbushura me livadhe, ujëra të pastër. Dimrit zbrisnin në fushë në anë të Adriatikut. Nga Velipoja e deri në derdhje të Matit shtriheshin kullotat e tyre dimërore. Me kalimin e kohës, popullsia u shtua, toka e pakët e Veriut nuk mund të mbante më aq shumë njerëz. Jo vetëm aq, në fushë ndodheshin qytetet, qendrat e pushtetit, tregtarët. Jeta në fushë ishte më e lehtë se sa ajo e izoluar ndër male. 300-400 vjet më parë nisën të nguliten këtu malësorët e parë. Pastaj vala e migrimit ka vazhduar pak nga pak deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Duhet të ketë qenë një fillim i vështirë. Klima, deti që nuk e njihnin aspak, kënetat me sëmundjet e tyre, pushtuesit, që tani i kishin fare pranë, fqinjët e huaj, banorët e vjetër, që i rrethonin me zakonet e tyre të ndryshme nga ato të tyret, të gjitha këto do t’ua kenë vështirësuar që në fillim ngulimin.
Në Balldre nuk mund të rrimë pa u kujtuar për kishën e vjetër të Shna Prendës (ndryshe Shën e Premtja, Shën Veneranda, Shën Parashqevia). Studiuesit mendojnë se është e një kohëshme me atë të Vaut të Dejës, të Shna Nout në Sebaste dhe të Shën Eufemisë në Kallmet. Duhet të jetë diçka afër 700-vjeçare. Tani vonë e kanë quajtur Kisha e Shna Anës (gjyshja e Krishtit, e ëma e Shën Mërisë), sepse një kishë e re e Shna Prendës është ndërtuar fare afër saj. Një nga dokumentet më të vjetra për këtë zonë është lënë pas nga Marin Bici, arkipeshkvi i Tivarit, i cili më 1610-n, pas një udhëtimi të gjatë, i dërgoi Papës një relacion të hollësishëm. Kur Marin Bici vizitoi këtë kishë, ajo mbahej ende në këmbë. “…Kaluem në Balldre – shkruan Bici – fshat me 50 shtëpi ose pak ma shumë. Aty shërbente vendasi D. Andre Julsi, në kishën e Shna Prendës. Ka kelqe e veshje shumë të mira. Ka një kumbanore katërkandëshe, por pa kumbonë. Banorët janë të gjithë të krishtenë latinë, vetëm dy shtëpi turqish…”. Prej këtij shënimi nuk arrijmë të mësojmë ende asgjë nëse a kishin mbërritur më 1610 malësorët e parë ndër këto anë.
Në këmbë të Kakarriqit
Kakarriqi është një kodër e lartë shkëmbore, thuajse e zhveshur krejtësisht. Vendasit e quajnë me emrin paksa të ekzagjeruar “mali i Kakarriqit”. Në fakt, nuk ka se si të ndodhë ndryshe në një vend ku malet e larta duken vetëm larg në horizont. “A thua ky emër të jetë dhe një shprehje e mallit që të parët, që u ngulitën këtu, kishin për shkrepat që kishin lënë pas përgjithmonë?” - i shkon ndërmend njërit prej nesh. Si nuk merr përgjigje atëherë ai e qep gojën dhe i hedh sytë nga peizazhi përballë. E ka kuptuar se ka bërë një pyetje të vështirë. Bashkë me ne është edhe Viktor Gjoni, punonjës i komunës. Viktori vetë i përket njërës prej atyre familjeve malësore, të cilat po kërkojmë. Familja e tij jeton në Gocaj dhe të parët e tij kanë ardhur nga Shkreli, por në Gocaj vendosim të kthehemi ca më vonë.
Tani po ecim përgjatë rrugës së vjetër, që dikur lidhte Tiranën me Shkodrën. Xhadeja e saj u hap nga austro-hungarezët gjatë Luftës së Parë Botërore. Pastaj, andej nga mesi i viteve ’70, u vendos që të ndërtohej një aeroport i madh në Gjadër, i cili duhej ruajtur nga sytë e kuriozëve dhe sidomos “të agjentëve të imperializmit dhe të social-imperializmit”. Kështu që rruga u devijua mbi kënetën e tharë të Kakarriqit. Mbi rrugën, që po kalojmë tani, nuk ka më trafik, vetëm ndonjë vendas që shpejton të kthehet në shtëpi pasi ka mbaruar punët e ditës. Hera-herës duket ndonjë karrocë, së cilës i prin ndonjë kalë i lodhur nga vapa. Më parë kemi parë siluetën moderne të një fabrike çimentoje. Ndërtimi i saj kishte krijuar shumë polemika mes vendasve dhe shtetit. Tani gjithçka duket e qetë.
Në fakt ka dy fshatra që kanë marrë emrin e “malit”: Kakarriq-Qendër dhe Kakarriq-Mal. Ne ndalojmë në të parin. Viktori na tregon një mur të rrënuar që rrethon një varrezë të vjetër, krejt në anë të Kakarriqit. Ky mur është çfarë ka mbetur nga kisha e vjetër e Shën Kollit. “Ju duhet ta mbani mend – na thotë Viktori si me trishtim – në këtë kishë është xhiruar njëra nga skenat e filmit ‘Skënderbeu’. Pikërisht ajo ku mblidhen malësorët pas kushtrimit të dhënë nga Kastrioti. U prish më 1967. Ishte shumë e vjetër”. Se sa e vjetër ka qenë mund ta mësojmë nëse shfletojmë edhe një herë relacionin e Bicit. “Pastaj shkuam në Kakarriq – shkruan ai më 1610 – që, mbasi është një katund me 160 shtëpi, ka dy priftën: D. Kristofor Krythn e D. Gjonin e Nicës dhe ka kishën e Shën Kollit, edhe ajo me një kumbanore katërkandëshe me një kumbonë përsipër, pa asnjë turk (lexo mysliman)”. Ja se ku mund të jetë një sinjal i brishtë i kohës se kur janë vendosur këtu malësorët. Shën Kolli është shenjti mbrojtës i malësorëve të Malësisë së Madhe. Festa e tij më 9 maj (dhe jo më 6 dhjetor, sikurse ndodh gjetiu) është festa më e rëndësishme në atë anë të alpeve, madje më e rëndësishme edhe se Pashkët apo Krishtlindjet. Nëse është e vërtetë që malësorët e ardhur nga Selca, apo zona të tjera të Kelmendit, duke u vendosur këtu sollën me vete kultin e Shën Nikollës dhe ndërtuan kishën me emrin e tij, atëherë del që ngulimet e para duhet të kenë qenë shumë të hershme, andej nga fundi i shekullit XVI. Meqë kjo është punë historianësh dhe jo gazetarësh vendosim të mos merremi më shumë me të shkuarën e largët. Le të dëgjojmë një herë se ç’thonë vetë fshatarët, të cilët ende e quajnë veten “malësorë”.
Në qendër të fshatit, sapo kemi kaluar kishën e re kushtuar sërish Shën Kollit, në anë të një lokali të thjeshtë janë mbledhur disa burra. Ca nga zhegu e ca ngase nuk jemi njohur ende mirë, portretet e tyre na duken disi serioze. Njëri bën shaka: “Mos na e veni re bre burra! Jena pak t’mërzitun se mram ka hup Gjermania në ndeshje me Spanjën. Na të tanë kena ken me gjermant”. Janë të gjithë pasardhës të malësorëve të zbritur nga Selca. Vetëm njëri prej tyre është nga Gomsiqja e Pukës. Ka ardhur tani vonë në këto anë, sinjal se migrimi i njerëzve të malit, vazhdon ende, ndonëse me përmasa shumë herë më të vogla.
Me njërin prej tyre rrimë ca më gjatë. Është 81-vjeçari Ndue Mark Mirashi, qëllon të jetë i ati i një kolegu e miku, Marash Mirashit të TVSH-së. Baca Ndue na tregon se pjesa më e madhe e banorëve të këtushëm e kanë origjinën nga Selca. “Të parët tanë kanë zbritë në këto anë tash e 300 vjet ma parë – na thotë ai – në fillim ata shkoshin e vishin sa ktu e sa në bjeshkë, atje në Selcë. Po pak nga pak nisën me u vendos këtu. Jemi ndarë në tri fise: fisi jem Dedkolaj, pastaj Rexhaj e Pllumaj. N’fillim kan qenë shumë të lidhun njani me tjetrin, sepse gjysma e familjes kishte mbetë ktu e gjysma tjetër nalt, ndër male. Me kalimin e kohës kjo lidhje erdhi tu u dobsu, por na i rujmë ende zakonet e traditat, shkojmë e vijmë me njerzit tanë atje në Selcë. Deri vonë te ne janë pas veshë me tirq, çakshir e xhublet. Nji veshje që e kanë vetëm malësorët e anëve tona. Edhe tesh vedit i thërrasim malësor. Me than të drejtën në kohë të vjetra edhe jeta këtu ka qenë e vështirë, porse ma e lehtë se ndër male. Këneta e Kakarriqit, që tani i thonë Fusha e Torovicës, sillte vërtet smundje, por ishte dhe një burim i madh jetese. Kishte një thellësi deri në 2-3 metra dhe kishte peshk pa hesap. Lopët tona kullotshin gjys t’egra ndër brigjet e saj. Mandej sa pa u çpyllzu këto anë ka pasë edhe shumë gjah. Në 1957 ka ardh kooperativa e kena jetu njashtu si tan…”.
Baca Ndue na tregon një foto të rrallë. Është fotoja e kishës së vjetër të Shën Kollit e marrë nga një sekuencë e filmit “Skënderbeu”. Malësori i vjetër duket sikur e përkëdhel me sy kujtimin më të ngulitur të fëmijërisë së tij. Me miqtë ndahemi përballë kishës së re të Shën Kollit. “Ah, ajo e vjetra ishte ça ishte!”, psherëtin njëri prej tyre.
Para një shekulli
“Fisi i Selcs është më i shquari ndër fqinjët e tjerë për sa i përket ruajtjes dhe zbatimit të ligjit që ndalon marrjen e gjakut jashtë familjes së vrasësit. Kjo dukuri i kushtohet sidomos qëndrimit të paanshëm të kryetarëve të tij, të cilët kanë këmbëngulur gjithmonë që thyersit e rregullave të marrin ndëshkime të prera sipas ligjit të vendosur nga të gjithë”. Kështu shkruhet në një letër që At Engjëll Serreqi, jezuit nga Shkodra, u dërgonte në shtator 1902 eprorëve të tij nga një mision në Selcë. Në letrën e tij, prifti e lavdëron krejt Selcën që kishte arritur të shmangte një të keqe të madhe: marrjen e gjakut edhe jashtë familjes. Mjaftonte që të ishe në të njëjtin fis me gjakësin, dhe atëherë ishe i rrezikuar. Këtë gjë duket se pleqtë e Selcës e kishin shmangur me urtësi, por edhe me rreptësi.
Por nuk duket të ketë qenë e njëjta situatë me vëllezërit e tyre të rënë në Kakarriq. Me sa duket, fati dhe gjendja e të ardhurve të parë është kudo i njëllojtë, fillimisht i trazuar, derisa gjërat i sheshon koha. Gjashtë muaj më vonë, në shkurt 1903, i njëjti prift raporton një gjendje tjetër. Situata duhet të ketë qenë e rëndë. Shumë selcianë të Kakarriqit kishin marrë pjesë në vrasje e grabitje. Dhe atëherë ka ndërhyrë kisha. Një mbledhje e popullit, e drejtuar nga kleri, vendosi dënimet. “Me pëlqimin e Shkëlqesisë së Tij, imzot Arqipeshkvit e me miratimin e të gjithëve, u vendos se kush do të marrë pjesë në një farë mënyre në vjedhje a në vrasje, duhej t’i paguante kishës dhe kryetarëve një gjobë sipas vlerës së dëmit të kryer – shkruan At Serreqi - u panë sipas këtij ligji disa raste të përsëritura dhe u ndëshkua secili fajtor. Ata që do të thyenin këtë ligj dhe nuk do të pranonin të paguanin gjobat, do të përjashtoheshin nga të gjitha ritet e Sakramentit, dhe nëse kjo nuk do të mjaftonte, do të merrnin një ndëshkim tjetër: nuk do të kishin të drejtën e varrimit fetar. Në përgjithësi, këtij populli i rëndon shumë po mos t’i pagëzohet buka, shtëpia etj. Por i rëndon edhe më shumë po t’ia heqësh të drejtën e varrosjes në varret e fshatit dhe për të mos i merituar këto ndëshkime janë gati të binden për çdo gjë. Prandaj ligji që parashikon këtë lloj ndëshkimi, sikurse ka treguar përvoja, ia del që të shmangë shumë keqbërje…”.
Te shkrelasit në Gocaj
Teksa baca Ndou fliste për kënetën e dikurshme të Kakarriqit, na ishte kujtuar një frat i falshëm, familja e të cilit, njësoj si personazhet tanë, kishte zbritur këtu nga Shkreli. Ky ishte At Zef Pllumi. Pat jetuar në bregun tjetër të kënetës, përballë me Kakarriqin, në Rrenc mbi Shngjin. Në kujtimet e tij ai shkruan: “Familja ime jetonte me blegtori, sepse mali nuk kishte toka buke e të vadituna. Mbjellshin jonxhë, asull e kallamoq. Në mal ishin pak shpi e shumë bagti. Shtëpia jonë mbante shumë dele; në atë tufë kishte vetëm një dhi. Në rranxë të malit ishte kneta. Ajo ishte një pasuni e madhe jo vetëm për peshkun, që xehej fare lehtë, por edhe për kullotjen e lopëve dhe të kuajve. Pak pa fillue ujnat e vjeshtës, ajo kishte edhe gram të mirë për dhent. Ishte një xhevahir i vërtetë për blegtorinë e trashë. Na kishim në breg të kënetës dy ksolla shumë të mëdha: njana rrinte hapt për me hy e me dal lopët qet e kur të duen, sidomos në mot të keq, ndërsa tjetra rrinte e ndryeme me derë: aty lidheshin viçat. Në ktë mnyrë njeriu shfrytëzonte ndjesinë e natyrës amnore. Kur viçi plliste të madhe se e kish marr uja, nana e vet lopë ia njihte zanin dhe delte prej knetet ose kulloset e shkonte me i dhan gji…”.
Makina ndalon para një kombajne të madhe. Tani duhet t’i lemë mënjanë kujtimet e At Zefit. Do njihemi me njerëz e histori të tjera. Në fillim kalojmë një oborr të madh, të mbushur me lloj-lloj mekanizmash e pjesësh këmbimi. Për një çast na duket vetja në një SMT nga ato të dikurshmet. Jemi në shtëpinë e Ndue Calit në Gocaj, një fshat që është ndërtuar nga të ardhur nga Shkreli. Mbi origjinën e Shkrelit dimë fare pak gjë. Franc Nopça, një nga njohësit më të mirë të Veriut, pat shkruar me trishtim se nuk kishte arritur të mësonte gjë të saktë mbi këtë fis të vjetër. At Domenico Pasi, jezuiti që kaloi andej më 1902, na thot se “fisi i Shkrelit është i përbërë nga 500 familje, të cilat e kanë origjinën nga Bosnja. Si, qysh dhe kur u shpërnguln këtu nuk e kam marr vesh kurrë, por këmbëngulja me të cilën ruajnë traditat dhe karakterin e tyre, që janë fare të ndryshme nga ato të malësorëve të fiseve përreth, u jep atyre rëndësi përkrah të tjerëve”. Ndue Cali ka punuar jetë e mot si kombajner e mekanik i mjeteve bujqësore. Të njëjtin profesion ka pasur edhe e shoqja. Për 13 vjet me radhë ajo pat korrur fushat e krejt Shqi
përisë së Veriut. Profesionin e trashëgon edhe i biri, Pjerini, i cili vazhdon të bisedojë me ne duke lëvizur fort krahët e mbuluar nga grasoja e zezë sterrë. Por Ndoj në jetën e tij ka edhe dy pasione të mëdha: historinë e Shkrelit dhe të fshatit Gocaj dhe pikturën. Shpejt e shpejt dalin mbi tavolinë një mal me letra, studime, dokumente, piktura, foto… Ndoj përmend një origjinë të largët nga malet në veri të Alpeve tona. Ai na korrigjon pak. “Jo nga Bosnja, por nga Novi Pazari - na thotë – të parët tanë jetonin atje. Kur kanë zbritur në Shkrelin e sotëm, kanë gjetur disa fise vendase që ata i quajtën ‘anas’. Këta u asimiluan me kohë. Kjo ka qenë lëvizja jonë e parë e madhe. Pas saj, nga kushtet ekonomike, kemi zbritur një herë deri fare afër Shijakut, më pas në një kodër që e quajnë “e Rekajve” dhe përfundimisht jemi vendosur këtu. I pari që u ngulit ishte Goc Gjeloshi. Prej kësaj ngjarjeje ka ardhur edhe emri i krejt fshatit”. Për një moment na duhet ta lemë punën. Viktori, nga fisi Gocaj dhe Ndoj, nga fisi Dedaj, i kanë hyrë një debati të gjatë mbi pemët gjenealogjike të fiseve. Të dy janë specialistë në këtë fushë. Thonë se nuk ka malësor të vërtetë nëse nuk mban mend breznitë e fisit të tij të paktën në 200 vjetët e fundit. Mundohemi edhe ne të arrijmë të marrim vesh ndonjë gjë, por na duket punë e vështirë, sepse emrat Vat, Marash, Lekë e të tjerë përsëriten sipas një ritmi shumë këmbëngulës. Viktori, si më i ri në moshë, tërhiqet para bacës Ndue dhe atëherë ky nis të tregojë historinë e babait të tij, që neve na duket njësoj si të shohim një film të vjetër bardhë e zi. “Babai im Lleshi – fillon të flasë ngadalë - bashkë me dy vëllezër të tjerë, me gjithë familje, si shumë shkrelas shkonin gjatë dimrit ndër fusha të Ulqinit. Verës ktheheshin në Shkrel në shtëpitë e vjetra. Fati i keq e desh që shumë shpejt të vdisnin edhe gjyshi, edhe gjyshja ime. Tre vëllezërit mbetën jetimë e në mes të katër rrugëve që në moshë fare të vogël. Më i madhi, babai, ishte 13 vjeç. Në 1888 ata ishin duke e mbajtur shpirtin gjallë vetëm duke shitur ndopak qymyr. Në atë kohë krajli i Malit të Zi pat vendosur t’i sekuestronte pasuritë e myslimanëve shqiptarë. Babai dhe vëllezërit e tij jetonin pranë një plake myslimane. Kjo u ofroi strehim e ushqim tre vëllezërve me kusht që ata ta deklaronin si të tyren pasurinë e saj. Si të krishterë që ishin mbase nuk do t’u binte kush në qafë. Por kjo dredhi nuk funksionoi. Ushtarët malazezë erdhën për të marrë pasurinë e plakës. Llesh Cali, fare i ri, rrëmbeu pushkën e të atit dhe qëlloi mbi ushtarët. Njëri prej tyre mbeti i vrarë. Jetimët duhej të merrnin arratinë. Vendi i parë ku u shkoi mendja ishte Shkreli, vendlindja e tyre. Pas një mijë e një peripecish arritën aty, por këtu tashmë nuk i priste askush. Jetuan për disa kohë duke bredhur lart e poshtë derisa u ndriti fati. Më të madhit, Lleshit, i ofruan një propozim për martesë. Nusja ishte një vejushë 56-vjeçare që kishte vetëm një vajzë. Më e rëndësishmja ishte që ajo kishte tokë e gjë të trashëguar nga burri i parë i vdekur. Martesa u bë. Dhëndri ishte 20 vjeç, nusja 56. Më pas vëllezërit nisën të punonin në tokat që morën nga kjo martesë, e cila pati fatin e çuditshëm të vazhdojë plot 30 vjet. Vetëm pas vdekjes së të shoqes, Llesh Cali mundi të krijojë familjen e vërtetë. Nga kjo martesë linda unë dhe të tjerët”.
Nana Pashkë, e shoqja e Ndojt, ish-kombajnerja, na ka pritur me buzë në gaz. Kështu priten miqtë në këto anë. Por e shohim se herë pas here i çon sytë drejt një fotografie nga ku na sheh një çift fort simpatik. Vetë Pashka do të na tregojë se në fotografi janë e bija dhe dhëndri që tani nuk jetojnë më. Para tre vjetësh një makinë që e drejtonte një i huaj i vrau teksa ecnin qetësisht zënë për krahu në një trotuar në Lezhë. Kanë lënë pas tre djem. Më i vogli jeton me tezen në Rrilë. Dy të tjerët tashmë kanë përfunduar në Australi. Një fat i çuditshëm, ndonëse shumë tragjik. Nga shkrepat e Shkrelit në Australi, mos vallë kështu duhej titulluar ky shkrim?
(Autori falënderon zotërinjtë Zef Toma e Viktor Gjoni për ndihmën e dhënë në realizmin e këtij reportazhi)
HISTORIA
Shën Kolli, mbrojtësi i madh i malësorëve
Në Kakarriq habiten me pyetjen tonë: Përse ndër të gjithë shenjtorët keni zgjedhur pikërisht Shën Kollin (Shën Nikollën) si të parë? Përgjigjja-pyetje është e menjëhershme: Po ju a nuk e dini se ai është më i miri ndër tërë shenjtorët? Kulti i shenjtit që mbron marinarët, nxënësit e fëmijët dhe të gjithë ata që janë në vështirësi duket se ka rrënjë shumë të thella në malësi. Prej andej të ardhurit afër detit sollën me vete adhurimin për të. Më 1890-n, at Domenico Pasi, një misionar jezuit italian (për malësorët at Deda) pati mbajtur këto shënime gjatë njërit prej udhëtimeve të tij të shumta në male:
“Kush viziton Shqipërinë do të mrekullohet me siguri për përkushtimin e madh që shfaqin njerëzit e saj të varfër për Shën Nikollën e Barit. Mrekullitë e mëdha që tregohen për këtë çudibërës kanë bërë që të gjithë malësorët ta kenë thellë në zemër.
Nëse pyet ndonjërin: Cilët janë të devotshmit e tu? Me siguri do të përgjigjet: Shën Nikolla, Perëndia, Shën Mëria etj.
Nëse janë të shtrënguar për të bërë be të rreme për Zotin o për Virgjëreshën, në fund të fundit nuk do të përmbysej bota, por për emrin e Shën Nikollës, Zot na ruaj! Ai është që njom me shi tokat e shkrumbuara, ai është që sjell kohën e mirë, nga ai tremben sëmundjet, për hir të tij (dhe këtë e thonë me bindje të plotë) kanë mundur ta vrasin armikun dhe të nesërmen do të shihni mbi altar një qiri të ndezur për falënderim të këtij Shenjti pse e ka ndihmuar në shënjimin e hasmit të tij. Po festa e tij? Oh, me festën nuk vënë as Pashkë e as Krishtlindje, ajo e Shën Nikollës duhet të jetë festa më e bukur e vitit.
Dhe veç të shohësh se çfarë solemniteti, çfarë ceremonie! Mjafton të përshkruajmë dy prej elementeve të ceremonisë, që në shqip quhen Qiriu dhe Fërliku, ose mishi i pjekur në hell.
Qiriun e ndez çdo familje në prag të festës së Shën Nikollës. Çdo mashkull i shtëpisë ka qiriun e tij, që nuk janë të gjithë njësoj; i pari i shtëpisë mban një qiri të madh gati një kilogram, ndërsa meshkujt e tjerë i mbajnë më të vegjël, sipas moshës që kanë. Qiriun e bëjnë vetë në çdo shtëpi sipas kësaj mënyre: thuret një fill prej kërpi a prej shqope dhe të dy fundet e tij lidhen në dy kunj të ngulur në murin e kasolles, në mënyrë që filli të jetë i tendosur mirë. Pastaj shkrihet në zjarr një copë dyllë bletësh dhe hidhet ngadalë e me kujdes përreth fillit, duke shkuar nga njëra anë në tjetrën dhe dora-dorës duke e rrotulluar që të mbushet nga të gjitha anët njëlloj, dhe meqë në fund përftohet një qiri i gjatë dy metra dhe i trashë sa gishti është mirë ta përdredhësh në formë spiraleje. Në pragfestën e Shën Nikollës ndizen kudo këta qirinj dhe lihen të digjen derisa të mbarohen. Por meqë nuk digjen të gjithë në të njëjtën kohë, është e nevojshme që dikush të rrijë aty pranë ditë e natë, a edhe më shumë, për t’u kujdesur që të mos shuhen dhe të ruajë për ndonjë zjarr të papandehur, pse qiriu i kryetarit të familjes mund të vazhdojë të digjet për dy-tri ditë.
Më argëtuese është ceremonia e Fërlikut, që është një farë kurbani për nder të Shën Nikollës, kurban që na kujton Pashkën e Ebrenjve. Disa javë para ditës së Shenjtit zgjidhet qengji më i mirë i tufës, mund të caktohet edhe më shumë se një qengj, nëse familja është e madhe, ose nëse ka detyrime të veçanta për festën. Në prag të festës theret qengji dhe rripet, pa iu hequr ama bishti dhe brirët nëse i ka, i hiqen të përbrendshmet dhe mbushet me bukë, i lidhen këmbët dhe i shkohet një hell me majë të mprehtë tejet nga bytha deri në kokë… Kjo punë mund të shkojë deri pas mesnate. Dhe atëherë nis bukuria e festës. Shkrehen pushkë a pisqolla, dhe ja ku është gati sofra me rakinë e djathin, përveç mëlçive dhe të brendshmeve të tjera të qengjit, të cilat të pastruara e të pjekura me kujdes mbi prush kanë një shije shumë të veçantë…”.
(At Giuseppe (Zef) Zalentini, Ligji i maleve shqiptare. Nga relacionet e Misionit Shëtitës Jezuit në Shqipëri 1880-1932, përktheu Dilaver Baxhaku, “Plejad”, Tiranë 2007).