E merkure, 30.04.2025, 02:03 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Ermir Hoxha: Ksamili, rruga për në parajsën e Jonit dhe ferri

E marte, 27.07.2010, 06:40 PM


Ksamili, rruga për në parajsën e Jonit dhe ferri

 

Nga Ermir Hoxha

 

SARANDË - Nëse nuk do të ishte ai bregdet grishës, ajo panoramë ngazëlluese, askujt nuk do t'ia kishte ënda të merrte rrugën për në Ksamil. Thënë më shqip: askënd nuk do ta kishin lënë mendtë e kokës, që t'i futej asaj udhe telendisëse që në pak kilometra të sfilit, ta shuan çdo entusiazëm të brendshëm, të ngacmuar nga adrenalina e stinës. Gjithsesi, rruga nga Saranda për në Butrint, nga ku kalon dhe nëpër Ksamil, në fazë zgjerimi e rikonstruksioni, në fazën më të rëndë të saj përsa i përket kalimit me makinë për shkak të çakullit, është cytaz me automjete që venë e vijnë, me një larmi targash që simbolizojnë dyndjen në kërkim të së bukurës, sikur masa njerëzore brenda tyre t'i jetë nënshtruar ligjësisë trashendentale se "rruga për në parajsë kalon nga ferri!". Dhe në fakt kështu është: mbërritja deri te "parajsa" e bregdetit të Ksamilit, është një kalim në ferrin e rrugës dhe të një vrazhdësie tjetër therëse, që është vetë Ksamili, një ndërthurje e çmendur e kaosit me tentativat për rregull nëpërmjet disiplinimit urban, ndërthurje që vijon me një pikëtakim "aksidental" të plazheve-kartolinë me Ksamilin e betonit dhe halleve të ekzistencës, dhe vapës, pluhurit dhe ankthit deri në palcë, prej plojës "Bojaxhi"!

 

Askush prej 9300 banorëve që ka Ksamili, nuk e kishte menduar se një njeri me mbiemër në lëmën e ndërtimit, ku ata djersinë prej vitesh, do bëhej aq i frikshëm e familjar njëherësh, me pahir kuptohet. Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur 260 godinat që u rrënuan në emër të ligjit e shtetit ende rënkojnë. Ndërsa në Ksamil, askush, si ata që e pësuan drejpërdrejt e si të tjerët, nuk pajtohen me atë që ndodhi para më shumë se dy muajsh. Ajo që më së shumti përflitet si një erë e re në forcën e shtetit kundrejt psikozës kolektive të ndërtimeve pa leje, për banorët e Ksamilit është një tregues se si ky shtet ende nuk është bërë aleat me shtetasin e vet prej sa është krijuar; se ende nuk i ofrohet si ndihmë, si mbështetje dhe kur ai gabon, por e sheh atë në anën tjetër të llogores, çka e detyron më pas dhe shtetasin që ta shohë shtetin e vet me frikë dhe armiqësi. "Ne jemi si bagëti, jemi si lepuj të trembur; pa dinjitet, në një jetë pa kuptim",- kështu shpërthen i mllefosur një i ri në Ksamil, me një pamje të lodhur. Ai akuzon komunën, politikën, shtetin, çdo gjë që është sipër tij, se prej tyre u vjen pabesia, vjedhja, rrënimi i dinjitetit. Operacioni i ndërmarrë nga Gjergj Bojaxhi që rrënoi 260 objekte, ishte një pakt i ndyrë me natyrë konspirative. Këtë kërkon të shprehë frazë pas fraze, duke lënë të nënkuptuar se "Juda" është aty, në Ksamil, brenda.

 

E në fakt, teoritë konspirative kanë gëluar këto dy muaj në gjithë Ksamilin. Prirja është për të parë tej "vendosjes së shtetit ligjor", tej "hartës ajrore". Për shumicën e banorëve këto janë profka. Ndër ta përflitet për interesa... greku; "Dora Bakojanis, - thotë dikush, - ka interesa këtu". Më tej, merret në hetim privat shkollimi i Bojaxhiut, Harvardi, lobi grek, "punë të thella or mik, mafie e gjallë"...

Ndërsa kryetari i komunës Vasil Koçia nuk preferon ta përdorë këtë term. As ish-kryetari, Astrit Uruçi. Por ama janë të bindur se interesa të mëdha fshihen pas një zaptimi pronash prej qindra hektarësh, të realizuar me falsifikime dokumentesh pronësie ashiqare. Ja, këtu çalon çështja, sipas kryetarit Koçia, që do dëshironte te shihte forcën e shtetit e të ligjit dhe te ato forca që i janë sulur Ksamilit duke e blerë shtetin me para. Ndaj Ksamili konsiderohet si dëftesa e notave të këtij shteti, që në fund rezulton ngelës!

Këto ditë Ksamili ka nisur të popullohet me pushues të shumtë. Por jo si vjet. Rruga në zgjerim e rikonstruksion ka bërë të vetën. Po ashtu dhe prishja e 260 objekteve nga i ashtuquajturi "Operacioni Bojaxhi". Me kërkesë të komunës, në Ksamil kanë mbërritur tre mjete të rënda ushtrie për pastrimin e inerteve në zonat e ekspozuara, por kjo nuk mjafton. Kryetari Koçia thotë se duhet të shpallet një tender për pastrimin e plotë të mbetjeve urbane nga prishjet dhe ajo të kryhet nga një kompani e specializuar.

 

Një pushuese nga Kosova e krahasoi Ksamilin në pjesën gërmadhë të saj me Pejën e luftës së `99-s, pas mizorive serbe. Një çift të rinjsh australianë shohin të përhumbur rreth e qark e nuk kuptojnë se ku ndodhen: godina të shkatërruara, anës tyre vila luksoze, më tej një rrugë e bukur mes ullishtash, në hyrje të saj ca kazanë plehrash ku enden qen të uritur; rrotullojnë kokën e shohin një shkollë të re në ndërtim, sërish një godinë e gjunjëzuar me kolona të këputura në mes, më pas një kënd lojërash për fëmijë, ja dhe një hapësirë me gjelbërim, e në këtë soditje të rrallë humbin mes shtëllungave të pluhurit të rrugës, që nuk ka të qetësuar prej automjeteve me targa gjithfarëlloj, ku brenda udhëtojnë dëshira njerëzore për t`u kredhur në ujërat e Jonit, diku më tej, ku paqja e vetme e ka emrin det!

 

Alma...

Nëse do të shkruhej ndonjë libër për operacionin "Bojaxhi" në Ksamil, pavarësisht zhanrit, ai do mund të quhej "Ëndrra e ankthshme e Almës". Alma Çela jeton prej vitesh në Athinë, së bashku me motrën e saj Jolanda. Të dyjave u janë prishur shtëpitë. Vëllai i tyre Roberti bëri 3 ditë burg pas operacionit, pasi u akuzua për pengim të forcave të policisë për zbatim të ligjit. Historia që ai tregon për të motrën, është ndër më të rrallat. Alma prej vitesh ka vuajtur nga shqetësime nervore dhe lajmi për prishjen e shtëpisë mund t`i jepte një goditje fatale. Ndaj, nuk i është treguar asgjë për dy muaj. Telefonatat e saj nga Athina ku porosiste të ëmën, Venon, që ta ajroste shtëpinë, të fuste këtë e atë mobilje, të merrte pluhurat e ta pastronte, merrnin gjithmonë përgjigjen: "Po, pa merak!". Por kjo nuk mund të zgjaste pa fund. Ditët e fundit e motra nis t`ia rrëfejë pak me stil çështjen e shtëpisë, sipas metodës "duke i rënë nga Kina". Por, siç rrëfen i vëllai, Alma reagon ndaj së motrës duke i thënë: "Më është prishur shtëpia? Ah, e parandieja. E kam parë në ëndërr!".

 

Në Ksamil, fjalën e ka Tepelena

Probabiliteti që pas çdo njohjeje në Ksamil personi të mos jetë nga Tepelena, është i vogël. Si kryetari aktual i komunës, Vesel Koçia e si ish-nënkryetari Astrit Uruçi, që të dy janë tepelenas. Në jug, Tepelena konsiderohet malësi e për shkak se shumë fshatrave u ka munguar toka, pas `90-s banorët e tyre janë dyndur drejt zonave më në jug, e kryesisht në Sarandë e Ksamil. Sipas të dhënave që jep kryekomunari Koçia, përbërja e Ksamilit është: 22% nga Tepelena, 18% nga Korça, 18% minoritarë, 15% çamë, 3% nga veriu e në përqindje më të vogla nga Skrapari, Berati, Vlora, etj.

 

Në Ksamil ankthi quhet tokë

Nuk ka asnjë diskutim se pa u rregulluar çështja e pronës, nuk do të ketë paqe në Ksamil. Këtë e thotë shqeto si kryetari i komunës, Vesel Koçia, dhe nënkryetari, Astrit Uruçi. Sipas tyre, nëse shteti e rregullon njëherë e mirë çështjen e pronës, sipas ligjeve që ka nxjerrë qeveria, Ksamili do t'i ketë të rregulluara punët. Koçia thotë se operacioni "Bojaxhi" e pati gjithsesi një efekt pozitiv përsa i përket një pazari të paligjshëm që bëhej me shitje-blerje pronash, ama thotë se mbetet kritik e kontestues ndaj atij operacioni për mënyrën se si u zhvillua, ndërkohë që "ruspa" e parë sipas tij, duhej t'i shkonte Inspektoratit të Ndërtimit, që ka për detyrë parandalimin e ndërtimeve të jashtëligjshme. Koçia pretendon se ky institucion ka punuar në mënyrë selektive, ndonëse i është dhënë informacion i plotë mbi shkeljet në ndërtim. Po ashtu, Koçia thotë se disa ndërtime që u prishën, do të ishte më mirë që të përfshiheshin në proces legalizimi, pasi ato nuk cenonin asnjë hapësirë të planit rregullues. "Por në fund, - thotë ai, - ai që do të vendosë paqe në Ksamil, është rregullimi përfundimtar i çështjes së pronës". Sakaq, ai afron dhe një tregues interesant: në gjithë Ksamilin vetëm 4 ndërtime janë me leje!

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx