E diele, 28.04.2024, 05:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (II)

E hene, 26.07.2010, 09:08 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

 

(roman)

  

Njerëzit në kryeqytet  ishin mërzitur nga kutërbimi i mutit në biruca kanalizimesh e bodrumesh ku  fshiheshin për ta shpëtuar kokën nga tmerret e luftës, por askujt nuk ia mbante ta nxirrte kokën jashtë për të marrë pak frymë në ajër të pastër. „Më mirë  gjallë  i përmutur se i gjallë ose i vdekur në duart e gjeneral Gexhës!”, nxirrnin pezmin kryeqytetasit gjatë bombardimeve të NATO-s

 Nëpër rrugë të qytetit, kush guxonte të nxirrte kokën nga biruca ku ishin fshehur, mund të shihte ushtarët e gjeneral Gexhës tek bredhnin poshtë e lartë qytetit  me kokat lartë si qentë nëpër thekër, pa i bezdisur  njeri , as pa u vënë  syrin  tek  sorollateshin  rrugëve  të ngarkuar me barra të rënda  pajimesh ushtarake. Lufta bëhej larg,  diku shumë larg, në male, larg syrit  e veshit  të kryqytetit, kurse sikur të mos ishin lajmet në televizionet e huaja, se kryqyteti nuk kishte  shtëpi televizive, kryeqytetasit as që do të dinin se diku në një  cep të atdheut  luftohej . Për gazeta as që flitej. Gazetarët  të parët  ia patënn mbathur me të katrat para se  të arrinte ushtria e gjeneral Gexhës. Pas tyre edhe elita politike, si gjarpëri nëpër ferra, mezi ishte përbiruar  Koridorin e Gligorovit.

 Në kryeqytet rrallë dëgjohej ndonjë krismë pushke e gueriljes që herë pas herë, tinëzisht,  vinte nga malet, por megjithatë kryeqytetasit parandjenin se edhe kryeqytetin shpejt do ta zë belaja e luftës. “ Eh, ç’u pamë sherrin opingave të katundit!”- shfrenin ironinë për luftën kryeqytetasit e ngujuar në biruca të errta dhe  kanalizime.

.” Qylat e katundit, pushkët me toja , e me luftue  me ushtrinë e gjeneral Gexhës!” – shfrente pezmin ndonjë tjetër  nga errësira e birucës. Në një birucë tjetër, një plak  i rebeluar thoshte se do  të shkonte me dëshirë në luftë, por nuk ia mbante prapanica. Kështu, muhabetet për luftën zgjateshin nëpër biruca  gjatë tërë natës se ditën nuk guxonin të ndjeheshin të gjallë.

 Para se të nisej në luftë, gjeneral Gexha pati rënë në ujdi me shtatmadhorinë e gjeneralshtabit të ushtrisë së vet për  të përzgjedhur ushtarët nga njësitet komando të dekoruara  për  krimine lufte në Kroaci dhe Bosnjë. Komanda e luftës, pa u hamendur,  dekretoi kërkesën e gjeneralit , ndërsa gjenerali   një nga një i  zgjodhi  me kakallë kriminelët më të pashpirtë në batalionin që do ta udhëheqte në luftën e tretë pushtuese. Megjithatë, të zgjedhurit nuk i mbushnin  syrin  sa duhet  gjeneralit, kur kishte  parasysh misionin me të cilin ishte  ngarkuar . Gjeneralit i duheshin kriminelë edhe më të  rryer se të zgjedhurit, prandaj përsëri kërkoi nga komanda e luftës t’i lejohej  të hynte nëpër burgje  për    zgjedhur   ushtarë të devotshëm për luftën  e shenjtë  që do ta bënte në emër të Shën Savës dhe djepit të serbizmit. Hyri birucë më birucë nëpër burgje  dhe   zgjodhi ushtarët e batalionit , të përbërë nga kriminelë ordinerë, që  vuanin dënime për krime të rënda si vrasës të shumëfisht, plaçkitës bankash, atentatorë të rryer, vjedhës, përdhunues, idiotë, skizofrenë…

Pasi që  kompletoi batalionin  prej pesëqind  kriminelësh të zgjedhur , gjenerali u  mbajti një fjalim patetik me të cilin  yshti kriminelët të jenë  më të pashpirt se kurrë ndonjëherë më parë. “ Batalioni ynë do të quhet “Dora e zezë ndëshkuese!-” e pati emëruar gjenerali batalionin e vet famkeq, ndërsa rekrutët e batalionit i brohoritën dhe duartrokitën  gjeneralit dhe misionit e tij luftarak që do  ndërmerrte në kryeqytet.

Sapo arriti në kryqytet, gjenerali përsëri me një fjalim të shkurtër, por më të zjarrtë iu drejtua  ushtarëve, duke nxjerrë shkumbë e jargë si hijena mbi kërmën e ngordhur: “Këtu, unë jam Zoti ! Këtu jam Isus Krishti ! Këtu jam Shën Sava ! Këtu jam idhull! Këtu jam satana vetë…! Këtu jam Neroni! Jam Neroni që dogji Romën antike! O, mos më thënçin gjeneral Gexha  nëse nuk e djeg nga  themelet këtë qytet të mallkuar! Nëse Neroni ka mundur ta djegë Romën, pse unë mos ta djeg këtë qytet të mallkuar dhe të bekuar nga Shën Sava! Kështu, unë dhe ju trimat e mi do të hyjmë në analet më të ndritshme të pirromanisë postmoderne ! Neroni i antikës do mbetet nën hjen time! Ai nuk ishte general si unë! Heronj të pirromanisë moderne  do të  mbeteni  edhe ju trimoshat e mi! Ndërsa juve, pirromanët e mi trima , ju jap rastin më të favorshëm të jetës  të bëheni të pasur! Plaçkitni çdo gjë që shihni!... Vidhni!... Përdhunoni vajza e gra sa të mundeni!.. Por… mos harroni misionin e shenjtë të vrisni e masakroni sa më shumë njerëz! Vetëm kështu do ta kryeni misionin dhe borxhin tuaj të devotshëm ndaj shtetit…! Mos harroni! Nuk duhet t’i zgjedhni viktimat, por duhet të keni kujdes se gjurmët e krimit nuk duhet të duken! Krimin duhet fshehur është filozofia e doktrinës sonë luftarake!  Këtyre të zgjebosurve nuk duhet lënë mundësi të kenë as varre në tokën tonë të shenjtë! Kuptoni edhe kufomat duhet t’i vjedhim, sepse këta budallenj  mburren me të vdekurit më shumë se me të gjallët, ndërsa mburrjen  e tyre nuk e duroj dot!- dhe nguli bajonetën në tokë me sa fuqi pati.

 Kryeqyteti i lemeritur nga fjalimi patetik i  gjeneral Gexhës dhe brohoritjet e ushtrisë së tij, si duket, nuk i ndjeu dhembjet e tokës  nga thika e ngulur e gjeneralit, madje dashurinë për tokën e kishte fshirë nga truri tmerri që vinte nga ushtria e gjeneralit, që mijëra herë  në ditë i përkulur bënte kryq , duke u lutur  t’i ndihmonte shpirti i  Shën Savës dhe Car Lazarit!.

 Shumë ushtarë të batalionit special të skizofrenëve ishin ankuar te  gjeneral Gexha se barrët e rënda po u hapnin varrë në shpinë dhe se duhej gjetur një mjet më të sofistikuar për t’u mbrojtur shpinën . Në fillim gjenerali as që u vuri veshin ankimeve të ushtarëve . Aq i bënte për varrët në shpinën e skizofrenëve . Misioni luftarak i gjeneralit  ishte të vriteshin sa më shumë njerëz që fshiheshin në biruca  , duke u arsyetuar se lufta pa viktima nuk ka kuptim. Madje,sipas logjikës së gjeneral Gexhës, ishte   tejet e logjikshme të vriteshin  ose të vdisnin edhe sa më shumë  skizofrenë të tij, por vetë, medoemos, t’i shpëtonte katrahurës së luftës. “Lufta pa të vrarë, pa  të plagosur , pa përdhunime e masakra nuk ka kuptim! Lufta nuk mund të quhet luftë nëse nuk vriten  njerëz! Lufta nuk ka kuptim nëse nuk përdhunohen vajza e gra! Në luftë nuk zgjedhet preja! E rëndësishme është që preja të jetë njeri! Vetëm gjeneralët e marrë që nuk marrin erë nga doktrina luftarake e fashizmit në luftë kursejnë gra, fëmijë e pleq!... Nëse   kursejmë njerëzit, atëherë pse  luftojmë?! Luftërat e tipit ushtar kundër ushtarit i takojnë të kaluarës ose si i quan doktrina jonë luftarake luftëra konvencionale ? Cili gjeneral mund të jetë aq  i krisur t’i shpjerë  ushtarët bjeshkëve  në front kundër armikut të armatosur kur në qytet mund të luftohet me lezet kundër grave, fëmijëve e pleqëve duarthatë…! Filozofia jonë e politikës dhe artit luftarak dhe doktrina jonë moderne e  luftës konsiston në  fantazmat hyjnore të popullit tonë hyjnor se duhet shfarosur armiqët tanë e  pastaj  popullin tonë ta bëjmë popullin më të lumtur të botës!  Lumturia e popullit tonë, medoemos, duhet të ndërtrohet mbi tragjedinë e popullit kundër të cilit jemi  mësyrë!  ”- u fliste ushtarëve gjeneral Gexha, duke i përgatitur psikologjikisht me doktrinën e tij ushtarake të violencës . Fjalimin e gjeneralit , ushtarët që sapo kishin dalur nga burgjet, e përshëndetën me rafale automatikësh dhe gota rakie. Ndonjë skizofren jopërfillës ngrehte njërën këmbë dhe në shenjë admirimi për fjalimin e gjeneralit ua kriste pjerdhëve! Pastaj, gjenerali porositi ushtarët e tij të konsumonin sa më shumë raki për ta mundur  frikën para se të hynin në front.Nëse nuk bën punë rakia, ushtarët mund të tymoseshin me marihuanë e nëse as marihuana nuk do të bënte punë mund të përdorin edhe shiringa me të cilët në trup mund ta fusnin  pluhurin e bardhë të  heroines fatale.

 Disa nga  ushtarët me varrë në kurriz e krahë, si duket,  nuk i vurën veshin doktrinës luftarake të gjeneralit, por ngulmonin që gjenerali t’u gjente mjetin efikas për t’u mbrojtur shpinën, përndryshe  do ta sabotonin luftën ose do të dezertonin. Legalizimi i përdorimit të drogës kënaqi kërkesat e togut të narkomanve, i cili përkah numri në batalionin e gjerneral Gexhës vinte i pari pas togut të skizofrenëve.  I shtrënguar nga trysnia e pandërprerë e ushtarëve , gjenerali u detyrua që me  urgjencë të  porosiste samarë specialë , ndër më të sofistikuarit e teknikave moderne ushtarake  që mos t’u lëndonin  shpinën ushtarëve , ndërsa ushtarët e ngarkuar me barrën mbi samar , që i përngjanin gomarit të gabelit, si i thonë fjalës në kryeqytet, iu kishin falenderuar gjeneralit për dhembshurinë ndaj tyre. Sa herë që ndonjë ushtar i thyente rregullat ushtarake të gjeneral Gexhës ose aktëronte si i mëshirshëm, gjenerali  e qortonte si mosmirënjohës ndaj samarit që i shpëtonte kurrizin pa i hapur varrë , duke u përkujtuar se po  nuk i zbatonin përpikërisht urdhërat e tij, jo vetëm që do t’u  hiqte  samarin nga kurrizi, por do t’i kthente në birucat e burgjeve prej nga i kishte nxjerrë. Ndërsa ushtarët e gjeneral Gexhës ishin  betuar në shpirtin e Shën Savës se  me zell do të zbatonin  urdhërat, madje edhe  t’i tejkalonin edhe autorizimet që u kishte dhënë gjenerali.    

Nëpër kryeqytet përveç luftëtarëve të gjeneral Gexhës që  bredhnin nëpër rrugët e rrugicat pa i bezdisur njeri,  ashiqare , pa u friguar nga lufta, bredhnin tufë- tufë kope qensh endacakë të zgjebosur dhe e minj, që kërcënonin kryeqytetin  të hapnin ndonjë epidemi. Sikurse në çdo luftë,edhe në luftën në kryeqytet, rrenat  shiteshin si simitet e nxehta të iftarit në ramazan . Flitej se në biruca ishte shfaqur tifoja e morrit dhe po  bënte kërdi. Flitej se tifonë e morrit ,  sifilisin e sidën  i kishin sjellë në kryeqytet nga burgjet , pikërisht, skizofrenët dhe togu i narkomanëve të gjeneral Gexhës, kurse i  kishin përhapur qentë, macet , minjtë e kurvat e kryeqytetit. Kryeqyteti nuk mbahej mend të kishte pasur kurrë aq shumë  skizofrenë, narkomanë, qen, e minj sa në ditët  kur gjeneral Gexha ishte zot dhe sundues i kryeqytetit. Sidomos ishte rritur nataliteti enorm i qenve , pasi që  gjenerali me dekret të veçantë pati urdhëruar “ heronjtë e luftës së shenjtë” t’ia kalonin mirë me qentë e minjtë, duke i konsideruar jo vetëm  falangë   në luftë, por edhe  aleatë të devotshëm.  Qentë pasi që lëpinin eshtërat  që u hudhnin ushtarët e gjeneral Gexhës, me besnikëri u shërbenin padronëve, duke bërë roje vigjilente në mos hynte   nga malet ndonjë grup i gueriljes në lagjet e qytetit. Gjithashtu, qentë nuhatnin mirë terrenin dhe saktësisht e dinin  kush  në cilën birucë  ishte fshehur, por e mbanin sekret nuhatjen e tyre, sepse çdo  ballafaqim me të fshehurit në biruca mund të pillte bela, ndërsa qentë, si rëndom qençe, dëshironin të lëpinin eshtrat, por belanë nuk ua kishte ëndja .

 Për kujdesin humanitar   ndaj qenve  e minjve  në rrethana lufte, gjeneral Gexhën e patën  lavdëruar dhe dekoruar  misionarët e atasheut ushtarak ndërkombëtar. Gjeneral Gexha i entuziazmuar nga  dekoratat  që i  qëndisën  gjoksin, u zotua se pasi ta pastrojë qytetin nga njerëzit, në shtëpitë e tyre do t’i akomodojë të gjithë qentë e kryeqytetit, duke i shpërblyer  për    shërbimin me përkushtim si kolaboracionistë. Disi më të fyer dhe më të diskriminuar veten e ndienin  minjtë, të cilët në takimin e gjeneralëve u përmendën pak , për të mos thënë  nuk u anashkaluan  fare.Sidomos, minjtë e ndienin veten më të shantazhuar pasi që njerëzit i kishin nxjerrë me forcë nga birucat e tyre për t’i fshehur kokat e prapanicat e veta , por gjenerali nuk u vuri veshin ankesave të minjve, sepse qentë ishin treguar më të denjë për respekt gjatë gjithë . Nuk ishte kohë minjsh, por kohë qensh dhe pikë! I pari i minjve, një mi goxha burrë me mustaqe,  kërkoi audiencë te gjeneral Gexha, me ç’rast u  ankua se  ishin  afro njëzet vjet që ndihen të kërcënuar se do të nxirreshin me forcë nga birucat e  ngritura me shumë mundime, por gjeneral Gexhën nuk mundi  ta bindë miu goxha burrë me mustaqe, se njerëzit para njëzet vjetësh ishin kërcënuar se minjt do t’i lërnin pa strehë. Miu me mustaqe, për ta bindur gjeneralin , i përkujtoi  fjalimin patetik të para njëzet vjetëve të njeriut të parë të elitës politike të kryeqytetit,  të mbajtur para elitës politike  se një birë miu do  të kushtonte treqind groshë!. Gjeneralit iu kujtua fjalimi i famshëm dhe patetik i ish njeriut të parë të parties dhe qeverisë së kryeqytetit dhe pasi qeshi me  budallallëkun e heroit të luftës partizane,  i premtoi miut me mustaqe se do ta ketë parasysh ankesën e tij dhe se do t’i gjurmojë të gjitha birucat e uzurpuara të minjve, kurse banorët e rinj të birucave  me dhunë do t’i nxjerrë  jashtë dhe do t’i kthejë  banorët legjitimë në  birucat  e veta. Miu me mustaqe u nda i kënaqur nga audienca me gjeneralin dhe u betua se me fis e me farë edhe ai , sikurse të gjitha racat e qenve,  do të vëhet   me përkushtim në shërbim të gjeneralit dhe ushtrisë së tij në luftën e shenjtë!. Gjenerali  mburracak  si njeri dhe luftëtar i denj që mbante fjalën, për t’u mos u kompremetuar para aleatëve ,  që me ag, të  nesërmen urdhëroi luftëtarët e batalionit special të skizofrenëve të gjurmonin çdo birucë të uzurpuar në kryeqytet dhe  me forcë, madje edhe me zjarr e plumb t’i nxirrnin uzurpuesit nga birucat, ndërsa betejën e parë e udhëhoqi vetë. Ushtarët pasi pinë nga një shishe raki dhe u dehën mirë, me britma , pjerdhë e piskamë u nisën për çlirimin e birucave të minjve , duke  vepruar konform urdhërit të prerë të gjeneralit dhe konform rrethanave të krijuara   speciale të luftës .

Beteja  e parë e  luftëtarëve të gjeneralit pati sukses të plotë vetëm pasi që qentë i erdhën në ndihmë, të cilët me  nuhatjen  qençe zbuluan , saktësisht, ku ishin birucat dhe sa njerëz gjendeshin në to. Kushdo që rezistonte  të dilte nga birucat , qentë e shqyenin ose ushtarët e gjeneral Gexhës e pushkatonin atypëraty. Patën ndodhur  raste që ndonjë i sëmurë nuk mund të dilte shpejt  ose ndonjë i krisur të ngulmonte të mos dilte, marioneta e qenve e shqyente sa hap e mbyll sytë para se t’i shkrepnin rafalet luftëtarët e gjeneral Gexhës. Pasi që beteja  mbaroi, gjeneral Gexha lavdëroi qentë për guxim e trimëri të pashembullt në historinë e luftërave okupuese dhe urdhëroi itedantin   t’u hudhte  edhe nga një asht, mbase të merituar!

Pasi që u nxor edhe njeriu i fundit nga birucat, gjeneral Gexha urdhëroi që të gjithë njerëzit e nxjerrur nga birucat    të niseshin te stacioni i trenit të kryeqytetit, pasi që kishte porositur trenin special me mision të jashtëzakonshëm humanitar, sipas marrëveshjes me misionarët ndërkombëtarë , i cili  sipas misionit humanitar do t’i  shpjerte  përtej kufirit, në Stankovec. Kryeqytetasit edhe sot e kësaj dite me nostalgji  dhe krenari i këndojnë këngë trenit të shpëtimit humanitar të gjeneral Gexhës, i cili jo vetëm që nuk i kishte lënë të vuanin në biruca , por u kishte shpëtuar kokë e bythë nga katrahura e luftës. Veprimin humanitar të gjeneral Gexhës e kishin përgëzuar të gjitha misionet ushtarake dhe civile ndërkombëtare që  vëzhgonin rrjedhat e luftës , duke e cilësuar gjeneralin  si hero global të humanizmit në luftë, prandaj sipas humanizmit të gjeneral Gexhës edhe lufta e tij ia vlente të quhej luftë e shenjtë! Në vend të mallkimeve që ditë më parë i bëheshin gjeneralit, gjatë rrugës për në Stankovec, kryerqytetasit e nxjerrur nga birucat e uronin dhe  lavdëronin humanizmin e tij të shprehur në vepër!  Treni humanitar i gjeneral Gexhës u dha rast qenve e minjve që në kryeqytet të formonin mbretëritë e racave  të tyre, pa neglizhuar multietnicitetin dhe bashkim- vëllazërimin e ëndërruar të Shkollës së Kumrovcit, në të cilën ishin shkolluar pjesa dërmuese e elitës së kryeqytetit , me diplomat e së cilës ishin ngritur lart në piemontin e kulturës, artit,  shkencës dhe   politikës së kryeqytetit , ku gju më gju rrinin , pinin kafe e bënin shtatë palë qejfe  me Zeusin dhe perënditë që lëshonin stuhi, vetëtima e rrufe sa herë që ndonjë i krisur u prishte muhabetet e rehatinë.  Shkaku tjetër i  grindjeve    midis qenve  erdhi  nga  sherri i demarkacionit të kufijve të mbretërive të tyre. Kufinjtë gjithmonë kanë qenë mollë sherri  që kanë nxitur luftëra. Po të mos ndërhynin forcat komando të togut të skizofrenëve  të gjeneral Gexhës, dreqi e di  ku dhe si do të mbaronte   grindja që mund të eskalonte në luftë të përgjakshme qytetare midis qenve të akomoduar mirë dhe me bollëk eshtrash.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora