E diele, 28.04.2024, 05:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Tinguj të humbur (II)

E hene, 26.07.2010, 09:05 PM


Remzi Limani

 

TINGUJ TË HUMBUR

 

 

SUFERINA

 

Nëpër suferinë vjeshte

Udhëve lisave të mplakur

Nga erërat e kohës biem përtokë 

Papandehur një breshëri plumbash

Shtrohemi si gjethe nëpër Kohë

 

Së bashku me zërin e zogjve të uritur

Biem pre e një Kohe të vrarë

Andaj udhët duhet lënë hapur gjithmonë

Për kortezhet tona të zogjve të vrarë

 

A thua nuk do të vdesim

Do t’i përkujtojnë kohët nëpër suferinë

Nuk e di nëse i ndjejnë plagët tona

Të shtrira anëpëranë tyre…

 

 

SHTATË SHAMITË

 

Me gjelbëroshen verore

Mbështille mollën në degë

Bëhu një det i gjerë grunajash

Shqyeje terrin mbi ballë

Zgjohu në sytë e diellit

 

Me dy shamitë laroshe

Hidhu në fluturim

Shkriju në bojëra qielli

Në harkun e ylberit mbi Ilirikum

 

Me kaltëroshen e qetë

Bëhu mëngjes i qeshur

Zgjohu në prehrin tim

 

Me të bardhën solemne

Fshije kërthizën zambak

Thithe vesën mbi trup

 

Dy të zezat ruaj larg teje

Mos e dhashtë Zoti

Lumi i lotëve tu

Të dal jashtë brigjeve të qepallave

 

 

ËNDËRR VJESHTE

 

Një mashtrim sy bukur

Një zë një tingull i humbur

Një hije fytyre ra mbi mua

Mbi mua një krismë pushke ra

 

Një ëndërr e gjakosur

Me gjethe vjeshte me mbuloi

Në shpirt më ndezi dhimbje

Si shkëmbi bie thikë mbi mua

 

Një buzëqeshje e vijëzuar

Me flokun e derdhur mbi supe

Befas shkrepi bukurinë

Në sy më nguli verbimin

 

Asgjë më s`do të shoh

Përveç kujtesës vrastare në sytë e saj

Një mashtrim sy bukur

Vërtet sy bukur ishte

 

 

NATË

 

Nata heshtë e shurdhër

Në sfondin e pikëllimit merr etje

Shprush zjarrin në mua

Me etje dashurie më rrëmben

 

Natë heshtje verbëri kudo

Në rrugën time pa drita

Vetëm një dritë hëne duket

Një dritë e tulatur si një llambë vajguri

Pikë-pikë pikon nga sfondi i zi

 

 

KOHË E LODHUR

 

Kohë e grisur në sosje

Me dhëmbë ujku mih varrin tim

 

Kohë e ndrydhur e shtrydhur

Udhëve të humbura në mugëtirë tymi

Pa mëshirë thithë gjakun tim

 

Përtej maleve të zverdhura nga anemia

Koha e lodhur përplaset me shiun e vjeshtës

Me hijen e varrit tim nën sqetull mori udhë

 

Së bashku me hijet e thyera mbi Kala

Vazhdon udhëtimin nëpër suferinë

Drejt Rrapit për t`u veshur me hijen e tij

 

 

PIKAT

 

Pulëbardhat pikë-pikë nga sytë e malit derdhen

Qiellit të veshur me të bardhën e virgjër

 

Vetmia pikët e çatisë në vjeshtë i zë

Kujtimet i shndërron në pika shiu

Udhët e humbura takohen në një pikë

Mbi akuarel pikë e vrarë një pulëbardha bie

 

Balerina një pikë me zemër e luan

Mbi akuarel pikën e heshtjes vë

Në çdo pikë trupi rrjedhin plagët

Në pikën e fundit gjaku heshtë

 

Ulërimat e tërbuara pikojnë jargë

Në pikë të natës shqyhen në qiell

Tingujt e pianos heshtje pikojnë e vdesin

Në fund të rrugës pikë-pikë Nata bie

Në pikën e fundit shfaqet Liria 

 

 

MBI TEMPULLIN E DODONËS

 

Mbi një postiqe ilire me fije cjapi rri këmbëkryq

Ngadalë gjerb kafenë e mëngjesit të shurdhër

 

Duke menduar për plagën dhe helmin e gjarprit

Mbi Tempullin e Dodonës bëj pallë të rreme

 

Pastaj mbi kokën time mbuzet nata e vështirë

Mbi gurët anëcakë kandilofanët ndezin qirinj

 

Njerëzit e fshehur nën veladonë pa zë njeriu

Mbyllnin portat e hekurta

 

Të veshur me terrin pa sy njeriu

Burgosën hënën të vetmen dritë dhe lirinë

 

 

HËNA E RRËMBYER

 

Nata dhe Hëna luajnë shilarthi

Hëna e rrëmbyer nga zjarri

Në këmishë nate harkohej mbi Lumin

E përmbysur derdhë flokun

Mbulon sytë e prushtë

Lumi si gruri i dalldisur përmes i bie

Çanë kodrat malin detin dhe fushat

 

Hëna e përvjelë në gjunjë

I shpaloset natës dhe zjarrit

E harkuar dallgë-dallgë

Përkundet me grunaja

Në dritë qiriri thyhet në kryqe lakuriqe

Në dihatje luan vallen e gjarprit

Ngadalë zhveshë bardhësitë

 

 

PAPANDEHUR

 

Një ditë para meje

Me flokun e derdhur prehrit tim

Me sy të uritur

Papandehur do t`i shtrohesh zjarrit

 

Papandehur

Flakë në majë mali do të ngrihesh

Asgjë s`do të shohësh të betohem

Belin kurorë do ta thuri

Mbi qepalla tua do të prishem

 

Të betohem

Asgjë s’do të shohësh

Me sy të pulitur

Vetëm zjarrin do ta ndiesh

 

 

ÇFARË DREQI

 

Çfarë dreqi më je

Me ata sy mixani

Nishan i stolisur

Që vret në brendi

 

Çfarë dreqi je ti

Mbi natën e zhveshur

E kallur në flakë qiriri

Derdh zjarrin mbi mua

 

Çfarë dreqi më je

Mbi mollaqet e azdisura

Djalli me të birin vriten

Luajnë kalorthi mbi ty

 

Çfarë dreqi më je

Me atë zë dredhule

Që dihat në brendi

 

 

PROFKATARE E VËSHTIRË

 

Shpeshherë më dukesh e vështirë

Në majë të Olimpit duke u çjerrë

Me flokun e shprishur dhe e mjerë

Duke u lutur para Perëndive

Të të zhveshin nga mëkatet

Për grabitje e lajka dashurish

 

Dhe prapë tinëzisht shpalosësh

Në sytë e ditës shtrihesh e prishesh

Nëpër dhomat e gjumit e kafshuar

Mbi ty derdhen ulërimat e tërbuara



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora