E merkure, 11.12.2024, 04:22 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Këze Kozeta Zylo: Rilindasit e vegjël të Diasporës

E diele, 25.07.2010, 08:58 PM


Nga Këze Kozeta Zylo

 

Rilindasit e vegjël të Diasporës

 

Shkolla Shqipe “Alba Life”, në Staten Island, New York, uli numrin e viktimave të mosmësimit dhe mospërdorimit të gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë, në Diasporë.

 

            Në  një ditë të bukur qershori me diell here-herë të ndritshem e herë me re të bardha si tufa mëndafshi, u festua me sukses mbyllja e vitit mësimor nga Shkolla Shqipe “Alba Life” në Staten Island, New York.

Natyra me lulet shumëngjyrëshe përreth shkollës, dukej sikur ishte shtatzanë me shkronjat shqipe, të cilat do të lindnin nga zjarri i dashurisë së fëmijëve për të ëmblën gjuhën tonë këtu në Diasporë.

Rilindasit e vegjël si gonxhe pranvere dukej sikur i përkëdhelte prijësi i tyre, Naim Frashëri me vargjet:

 

Të shkruajm' gjuhën tënë, 
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç'është e ç'ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

 

            Nxënësit e kësaj shkolle e ndjejnë në shpirt ëmbëlsinë e kësaj gjuhe, ndaj dhe nuk mund të rrinë pa e shijuar për tërë jetën.  36 shkronjat e ndritura që ata mësuan, ia hodhen qiellit si yje për të ndricuar kudo shqiptarët e tjerë të shpërndarë nëpër botë.  C’shkëlqim do të ketë qielli netëve me hënë të ngrënë…, nga yjet e Diasporës që mësuan librin e shenjtë të shqiptarëve, ABETAREN!            Abetarja shqipe është shpirtëzuar tashmë brenda tyre, dhe c’gaz e bukuri kanë fjalët shqipe malluar nga botë e largët, për gjyshërit e tyre, të cilëve iu kanë lënë peng lotin e ngrirë në Mëmëdhe…

Sytë e tyre kuvendojnë më në fund lirshëm me botën shqiptare, pasi ata filluan të flasin dhe të shkruajnë këtë Gluhë Perëndie.

            Edhe natyra purpurohet nga kjo larushi marramendëse e pasurisë së shqipes, dhe ndalon përplasjet e dallgëve të zeza, të cilat pengojnë për të mos e mësuar shqipen…

Ne do të vazhdojmë të ecim në rrugën e udhërrëfyseve dhe mendjendriturve shqiptarë, dhe do të punojmë gjer në frymën e fundit për gjuhën e të parëve tanë, përndryshe në se fëmijët tanë nuk flasin shqip, do të më enden në vesh si kambanë natë e ditë vargjet për gjuhën shqipe nga Gjergj Fishta:

 

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.

 

Abetarja shqipe dhe Flamuri kuq e zi, dy simbole identitetit shqiptar

 

Mësuesit e shkollës shqipe kishin përgatitur enkas për nxënësit një program të bukur artistik me rastin e ceremonisë së mbylljes të vitit shkollor. 

Hyrja e nxënësve në sallë me këngën: “ O sa mire që jam shqiptar”, duke parakaluar para pjesëmarrësve me flamurin kuq e zi dhe me atë amerikan, mbajtur nga nxënësit Arbër Kolari dhe Steven Lacaj, dha një emocion të papërshkrueshem.  Prindër, mësues, gjyshër, nxënës, të ftuar, u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje të stuhishme përcillnin çdo fëmijë, që përulej para flamurit dhe e puthte atë.

Programin e ka udhëhequr Dr.Valbona Zylo Watkins, e cila përshëndeti në emër të Bordit dhe ftoi të pranishmit të këndonin dy hymnet, atë shqiptar dhe atë amerikan.

Ajo falënderoi përzemërsisht drejtoreshën e shkollës znj.Adelina Laçaj dhe mësueset Blerina Bejleri, Shkëndije Zylaj dhe Betualla Bollati për përkushtimin e tyre me aq seriozitet dhe dashuri ndaj nxënësve të shkollës shqipe.

            Pastaj programin e ka drejtuar qe nga skena lluksoze mësuesja Bejleri me grupmoshat e nxënësve të nivelit të parë.  Vogëlushja dhe aktivistja e palodhur e Diasporës, edhe pse në moshën 6-vjeçare, Dea Bejleri ka hapur programin duke përshëndetur të gjithë sallën, e cila vazhdonte ta shoqëronte me duartrokitje këtë senatore të ardhshme.

Nxënësit e kësaj moshe janë shumë interesantë, edhe pse të vegjël ata kanë një seriozitet në sjelljen dhe qëndrimin e tyre.  Kështu Dea dhe Lis Zeneli me origjinë çame, recituan  bukur dhe me krenari vargjet: “Ti Shqiperi më ep nder…”  Serioziteti i tyre të bind se në një të ardhme të afërt ata do të jenë në krye të çështjes çame, per të kuruar plagët e saj që ende kullojnë gjak…

Nxenesi shembullor Edon Greva i shtoi dhe më shumë duartrokitjet kur recitoi vargjet:

Dy motrat e mrekullueshme dhe të zgjuara me origjinë nga Ulqini, Gentiana dhe Fiona Shaba, kanë kohë që marrin pjesë rregullisht në shkollë.  Ato me shkathtësi interpretuan poezi dhe tjetra këndoi këngën per lulet, refreni i së cilës u shoqërua me duartrokitje nga salla.

Babai i tyre z.Amir Shaba n/kryetar i shoqatës “Ana e Malit”, ishte tepër i impresionuar me vajzat e tij që interpretuan aq bukur në gjuhën e bukur shqipe.

Vogëlushi Orest Salillari, që vjen prej Brooklinit, një qytet tjetër i New Yorkut, do të këndonte këngën së bashku me grupin “Tring zilja-tring zilja”…, këngë që do të ngjallte mjaft nostalgji tek mësuesit veteranë.

Edhe Ejona Gashi, një vajzë bukuroshe nga Dibra merr pjesë me gëzim në shkollë dhe me kënaqësinë më të madhe interpretoi poezi dhe këngë të ndryshme nga programi, interpretimi i saj u shoqërua vazhdimisht me duartrokitje nga salla.

Kurse vogelushja Megi e cila do të regjistrohet për vitin tjetër, ishte përgatitur shumë seriozisht për të recituar një vjershë të gjatë, me aq përmbajtje domethënëse.   Babai i saj Pirroja së bashku me tezen e saj mësuese Violetën, kishin kohë që po e përgatisnin për këtë koncert, ndaj dhe u ndjenë tepër të gëzuar për interpretimin e saj.

Nxënësi Arian Kallaba, si vetë emrin e bukur që ka, foli me një shipe të kulluar dhe ka deshirën e zjarrtë që të shkruajë dhe të mesojë më bukur.

Vajza 5-vjeçare Deborah Nuro, e cila dhe ajo kishte udhëtuar me prindërit Xhumert dhe Irena që nga Brooklini, këndoi në grup dhe për këtë i ndrinin sytë e bukur nga gëzimi.

            Pas mbylljes së programit mësuesja Bejleri falënderoi bordin e shkollës dhe z.Qemal Zylo themeluesin e kësaj shkolle, të cilët kanë punuar, vazhdoi ajo, pa u ndalur vullnetarisht, në shërbim të komunitetit.

            Pas pjesës së parë të programit zonjusha Mathea Cene interpretoi mjeshtërisht pjesë muzikore në piano.

Dr.Zylo Watkins përshëndeti posacërisht dhe Pastorin Amerikan z.Steve Galegor, për shqipen e kulluar që flet kudo dhe për ndihmën e pakursyer qe iu ka dhënë të gjithëshqiptarëve në nevojë pa dallime fetare, përshëndetje që u prit me duartrokitje të përzemërta nga të gjithë të pranishmit.

            Pjesa e dytë e programit me grupmoshat e nivelit të dytë, u drejtua nga zonjat Laçaj dhe Zylaj.   Nxënësi Steven dhe Kevin Laçaj interpretuan vargje për gjyshin, me autor z.Agim Gashi, vargje që preken shumë të pranishëm.  Shumë poezi te interpretuara nga Arber Kolari, Xhon Hoxha, dhe Eliesa Gashi që iu ndrinin syte si yje qielli ishin në grup, në gjuhën e ëmbël shqipe.

Xhon Hoxha kishte ardhur së bashku me gjyshen nga Memaliaj e cila kishte dhënë një ndihmesë të veçantë në mësimin e pjesëve të ndryshme, nipit të saj.

Po kështu dhe nxënësi Amend Daci, ka një rrjedhshmëri në të folurën shqipe, pasi gjyshi i tij prej Dibre, mësuesi veteran Z.Daci ka kontributin e tij në mësimin e abetares.

Pas këtij programi kaq elegant ka përshëndetur z.Sali Bollati kryetar i shoqatës “Çamëria”, i cili midis të tjerash përkujtoi masakrën çame të shkaktuar nga genocidi grek.

Ndërsa z.Ibrahim Kolari kryetari i shoqatës “Dibra”falënderoi të gjithë stafin për punën e palodhshme që ata po bëjnë në shërbim të fëmijëve të Diasporës.

Z.Pellumb Lamaj një aktivist i shquar për të drejtat e shqiptarëve dhe ish i burgosur në burgun e Spacit, qysh në moshen 19 vjeçare me fjalë të kursyera, por që përmblidhnin gjithçka, iu dha mesazhin e Rilindasve të pranishmeve se: “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”!, fjalë që u prit me duartrokitje të fuqishme.

Midis të ftuareve ishte dhe z.Xheladin Pjeca ish kryetar i shoqatës “Dibra”, së bashku me bashkëshorten e tij mësuesen veterane, znj.Pjecaj, të cilët na kanë mbështetur përherë për këtë nismë. 

            Kurse artisti dhe regjisori i shquar z.Xhevat Limani ka interpretuar poezi nga krijimtaria e tij, i cili ngriti peshë zemrat e të pranishmëve, me forcën e zërit prej artisti që ai ka brenda shpirtit.  Poezia për Skënderbeun e interpretuar mjeshtërisht nga ai ishte tejet mbresëlënëse. 

Midis të ftuareve ishin dhe nga kompania e fuqishme “Met Life”, me përfaqësues z.Hysen Ulaj dhe z.Gjoke Gojcaj.  Z.Ulaj nje aktivist i shquar përshëndeti nxënësit dhe Bordin e shkollës dhe premtoi që në ditën e regjistrimeve do t’i kushtojë vëmendje të posaçme për të ndihmuar, që të vinë sa më shumë nxënës në këtë shkollë.

Në fund ka përshëndetur presidenti i “Alba Life”, z.Qemal Zylo, Ph.D. kandidat, i cili midis të tjerash tha: Faleminderit që merrni pjesë në këtë ditë gëzimi të veçantë për ne shqiptarët e mërguar në dhe të huaj.

Kur e ndërmorëm këtë nismë si familje edhe pse nuk ishte e lehtë, jo sepse i trëmbeshim punës vullnetare, pasionante për shqipen, por më shume i trëmbeshin se a do të mund të bashkoheshim të gjithë si shqiptarë për t’ju mësuar fëmijëve gjuhen shqipe, ngase ne shqiptareve jo pak na kanë penguar xhelozitë dhe gjëra të tjera mes vedi.  Megjithatë edhe pse akoma mund të ketë shumë vend për përmirësime, stafi i shkollës shqipe me zonjat Adelina Lacaj, drejtoreshë, Shkëndije Zylaj, Blerina Bejleri, Betulla Bollati, Dr.Valbona Zylo Watkins, Klodiana Halsted, Dritan Gashi, Osman Greva, shoqata “Dibra” me kryetar z.Ibrahim Kolari, shoqata “Ana e Malit” me n/kryetar Amir Shaba, ja doli mbanë duke iu mësuar fëmijëve ABC-n  Shqipe.  Shkolla Shqipe në Staten Island, uli numrin e viktimave të mosmësimit të gjuhës shqipe, duke pasur parasysh thënien e Dijetarit të madh Sami Frashërit se: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shqipes”.  Ne jemi munduar gjithashtu që të gjitha veprimtaritë t’i pasqyrojmë në TV Alba Life, ”, ku një meritë për publikim ka dhe drejtori i programeve të TV Alba Life, Z.Amir Suka.  Ai falënderoi dhe gazetat e mirënjohura “Illyria”, “ Dielli, “Mesuesi”, “Bota Sot” për pasqyrimin e aktiviteteve të shkollës shqipe.  Z.Zylo iu dhuroi gjithë mësueseve nga një buqetë me lule si shenjë mirënjohjeje për punën e tyre të palodhur dhe të pakursyer.

Ai ka falënderuar gjithashtu dhe bashkëpunetoret e “Alba Life”, si zotërinjtë Dritan Gashi, Osman Greva, Neritan Bejleri, Odise Salillari, Dashnor Cene, për një bashkëpunim sa me kulturë aq dhe njerëzor në mbarëvajtje të punës së shkollës.

Ai i shprehu një mirënjohje të veçantë dhe zonjës Shuhrete Hakaj, një aktiviste e palodhur nga Kosova, për çështjen kombëtare, e cila kishte ardhur enkas për këtë ditë të bukur festive, ku nuk mungoi dhe dhurata për shkollen shqipe.  Z.Zylo falënderoi dhe mësueset veterane si zonjat Jenisheri, Likollari, Pira, të cilat vazhdimisht dhe me dashuri së bashku me bashkëshortet e tyre fisnike, kanë marrë pjesë në mbështetje të këtyre aktiviteteve.  Pas programit për të pranishmit ishte shtruar një kokteil. 

Pjesëmarrësit u argëtuan me këngë shqipërie nën interpretimin e këngëtares Lacaj , të orkestruara mjeshtërisht nga muzikantët Dashnor Cene dhe Odise Salillari. 

Pas argëtimit Rilindasit e vegjël, u larguan nga shkolla shqipe, me dashurinë se do ta vazhdojne më tej misionin e Rilindasve të parë duke u frymëzuar nga vargjet e Fishtës:

 

N’për gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.

 

Ndërsa Bordi i shkollës shqipe u largua krenar për pushimet e verës, të bindur se kishin ulur numrin e viktimave të mosmësimit dhe mospërdorimit të gjuhës shqipe ndër fëmijët shqiptarë në Diasporë.

 

Qershor, 2010

Staten Island, New York



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Këze Kozeta Zylo: Mezhgorani i Tepelenës, një vend i lashtë dhe me kulturë Këze Kozeta Zylo: Çamëria, plagë që rrjedh gjak… Këze Kozeta Zylo: Burgu i Spaçit një dramë çnjerëzore Këze Kozeta Zylo: Homazh për Ëngjëllushen Islamike të Lirisë Këze Kozeta Zylo: Poeti që ndërton ura ylberi nga dehja e bukurisë… Shkrimtarja Këze Kozeta Zylo merr "Çertifikatën e Mirënjohjes" për Bamirësi Këze Kozeta Zylo: Qindra shqiptarë të “Anës së Malit”, në Parkun Roosevelt në New York Këze Kozeta Zylo: Kur krijimtaria letrare bëhet pjesë e halleve e gëzimeve të kombit tënd Këze Kozeta Zylo: Loti bie si një tingull kambane, për poetin Ndoc Gjetja Këze Kozeta Zylo: Të vallëzosh me yjet Këze Kozeta Zylo: Mos e pushkatoni fjalën e lirë! Dialog i Kozeta Zylos me poetin Pirro Loli Këze Kozeta Zylo: Toleranca fetare, dhuratë e çmuar e shqiptarëve Këze Kozeta Zylo: Shfaqje e filmit “Requiem for Kosova” në Manhattan Këze Kozeta Zylo: Kandidati për në Kongresin Amerikan, Dibrani Emin Egriu midis nxënësve të shkollës shqipe në New York Këze Kozeta Zylo: Arroganca e politikanëve Nikoleta Kovaçi: Flet gazetarja e radio “Blue Sky”, autore e “Kaleidoskop i letërsisë Shqiptare”, Vera Pelaj Këze Kozeta Zylo: Intervistë me At Arthur Liolin Këze Kozeta Zylo: Kandidati për në Senatin Amerikan, z. DioGuardi midis miqve shqiptarë në Staten Island, New York Këze Kozeta Zylo: Ali Pashë Tepelena, Bonaparti mysliman...

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora