E diele, 28.04.2024, 08:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Hanëmja - Dashuria më e madhe (II)

E diele, 25.07.2010, 08:59 PM


HANËMJA - DASHURIA MË E MADHE

Jetëshkrim historik i dy vlonjatëve të moshuar

 

Nga Luan Çipi

 

PJESA E DYTË

 

Kemi afër pesëdhjetë vjet njohje e bashkëjetesë dhe gjithnjë jemi marrë vesh plotësisht, për çdo gjë. Kjo, në radhë të parë, për qëndrimin tejet tolerant të Hanëmes, në të mira e të këqija, në gëzime e hidhërime, në hallet dhe vështirësitë e shumta e të pa pritura të jetës. Një shoqe e rrallë, një grua e mrekullueshme, një amvise e përsosur, e pa përtuar, e pa lodhur.

Kurdoherë do ta gjeje me diçka në duar, me gërshërë e gjilpërë për të prerë rroba të reja për secilin, për të qepur e arnuar me durim, duke ia përshtatur veshjet, sipas moshës njeri tjetrit; me shtizë e grep për të turrur triko e çorape, dantella e qëndisma; gjithnjë me thikë, lugë, pirun e pjata në duar, duke përgatitur gjellë dhe ëmbëlsira të shijshme. Nuk ngeli një ditë pa gatuar, duke e bërë këtë me pasion e dashuri, duke shpërndarë te të gjithë, nëpërmjet lugës dhe pirunit, pjesë të mirësisë së saj të pafundme.

        Ajo u bë një nënë ideale, jo vetëm se lindi fëmijë të mirë e të shëndetshëm, i mëkoi me gjirin e vetë për një kohë të gjatë, i përkundte e u këndonte ninulla e këngë, vjersha e përralla të kërkuara e të zgjedhura me kujdes, por edhe që i mësonte e i edukonte, duke i kushtuar secilit, disa orë çdo ditë. U kujdes për shëndetin dhe kalitjen e tyre, për t’i përgatitur në përballimin e vështirësive  të jetës, në çdo drejtim. Dhe të gjitha këto me një takt pedagogjik të veçantë, të diferencuar, për çdo njërin, sipas dallimeve të karakterit vetjak. Gjithnjë ka qenë në mirëkuptim të plot me ta, duke përjashtuar mjetet e dhunës, megjithëse ato ishin të pranueshme dhe karakteristikë e kohës.

 

Hanëmja e tregoi akoma më mirë veten, sidomos, kur filloi të punonte jashtë shtëpie, doli në jetë dhe u integrua në shoqëri. Ajo bëri hapa të shpejta dhe të vendosura, duke u treguar shumë e dashur, e sjellshme dhe e afruar me shoqet e mira, gjithnjë në përpjekje për t’u emancipuar e duke e lartësuar botëkuptimin femëror, me hyrje e dalje e shoqëri të zgjedhur, gjithnjë fjalë ëmbël dhe e sinqertë.

Vazhdimi i shkollës së mesme pedagogjike dhe përfundimi me sukses i studimeve të larta për gjuhë-letërsi, e plotësuan akoma më shumë nivelin e saj arsimor e kulturor, duke e vendosur për krahë  shoqeve më të mira.

Edhe në drejtim të aftësive profesionale Hanëmja nuk ngeli pas shoqeve të saj. Ju desh të bëhet një rrobaqepëse e mirë, si nxënëse e specialisteve më të mira të kohës, u bë magaziniere, llogaritare dhe ekonomiste e dalluar dhe së fundi një mësuese pasiononte. Cilësitë e saj të dashurisë për njerëzit dhe  të respektit për profesionin e nderuar të arsimtarit dhe edukatorit të brezit të ri shkëlqyen, sidomos, kur punoi, në pesë vjetët  e  fundit, si edukatore në Kopshtin e Fëmijëve Jetim, në Skelë të Vlorës. Atje e tregoj veten jo vetëm si mësuese por edhe si një nënë e mirë dhe e dhimbsur për ta. Do t’i kujtonte, në çdo kohë, bile shpesh, do t’i dilte gjumi edhe natën, nga meraku për gjendjen dhe shëndetin e tyre.

Ajo, në shoqëri e sidomos në familje, duke përcjellë traditat e shkëlqyera të familjes së vet, u tregua shumë e respektuar për miqtë, shokët dhe dashamirësit dhe veçanërisht, shumë e afruar me njerëzit e familjes dhe të farefisit tim, kushërinj e krushqi. Ata vinin pa teklif dhe e gjenin kurdoherë derën të hapur, sofrën të shtruar dhe, për më tepër, fjalën e mirë, pritjen e ngrohtë, me dorë ne zëmër dhe buzëqeshjen e përhershme të Hanëmes.

 

Karakteristike dhe thuajse e veçantë ishte dashuria e sinqertë që krijoi Hanëmja për nënën time, në këmbim të përpjekjeve dhe gatishmërisë së vazhdueshme të sajë, për ta lehtësuar dhe për ta ndihmuar, pa rezerva, nusen e re. Hanëmja nuk lë rast pa e kujtuar dhe pa e marrë si model dashurie e përkushtimi, vjehrrën e saj. Ajo përsërit, shpesh herë, me respekt të thellë dhe me mirënjohje të veçantë:

“Aksh traditë të mirë e kam nga vjehrra ime e rrallë. Nga ajo mësova qëndisjen, gatimin e shumë gjellëve speciale të harruara gjirokastrite, përdorimin e beharnave, shfrytëzimin e plot të mbetjeve për riciklime të përshtatshme në veshje e në ushqime, bërjen e zahireve vjetore, glikove dhe reçelrave etj. Nga ajo u përgatita si ti rritja fëmijët të shëndetshëm, të edukuar e të ditur. Unë i mësova përmendësh përrallat e bukura dhe vjershat e rralla që ajo tregonte aq bukur. Edhe vetë shkollimin tim e kam nga vjehrra ime që këmbëngulte, më nxiste, më shtynte, më lehtësonte në punët e shtëpisë dhe në mbajtjen e fëmijëve. Ajo më thoshte me ëmbëlsi, duke më nxitur: “Siç të kam të bukur, të dua dhe të ditur e të arsimuar mbi shoqet, që të tjerët ta kenë si model nusen time në të gjitha drejtimet. Kjo u vlen shumë edhe fëmijëve, që te një nënë e mirë shohin veten, si në pasqyrë.”

 

Me dy kunatat e veta edhe pse ato, njëkohësisht ishin motra me njëra tjetrën, edhe për shumë vite jetoi deri ekonomikisht bashkë, nën një strehë, në asnjë rast nuk krijoi as konfliktin më të vogël. Toleronin reciprokisht dhe merreshin vesh si të ishin tri motra të mira.

Në drejtimin e marrëdhënieve familjare, me gjithë dëshirën e saj të madhe, një gjë nuk e provoi dot, deri vonë, Hanëmja: Si do të shkonte me nusen e vetë, Adelën, gruan e Kamanit, djalit të vetëm, që e vinte mbi të gjithë. Unë i thosha me shaka: “Ti je model i harmonizimit të marrëdhënieve me nusen. Po shlyen borxhet ndaj nënës sime, se gjithë ditën i këndon nuses dhe djalit, nga larg “ Në të vërtetë ku ta gjente Adelën? Ajo ishte e dëshiruar të fliste dhe të bisedonte nga afër me nusen e vetë të bukur, të mençur e të shkolluar. Po, Adela, sa mbaroi Universitetin e Tiranës, për mjekësi, bashkë me Anin, iku në Amerikë dhe për dhjetë vjet nuk u kthye më. Për shumë kohë Hanëmja ngeli e dëshiruar ta shihte nusen e djalit të vet me një kolopuç. Ta përkëdhelte e ta rriste edhe atë me dashurinë e saj të madhe, siç bëri me fëmijët e vajzave me Valin, Denin dhe Anxhelën. Mendonte se Zoti do ja bëjë mbarë! Dhe vërtetë, gëzimi ishte i jashtëzakonshëm dhe dy herë brenda katër vjetësh, kur kjo ëndërr iu bë realitet me të dy nipat: Nikun dhe Lukën.

Një tjetër merak dhe dëshirë, ende e pa plotësuar gjatë, ishte Arta, vajza e saj e dytë. Ajo, ashtu, e ndarë me burrin e parë, për fatin e saj të prapësht, pas pesë vjetëve martese me të dhe për disa vite, ngeli e pa stabilizuar. Kur do ta shihte atë të lumtur?  Më së fundi kjo dëshirë u plotësua dhe Arta e gjeti “princin e saj” në moshën 35 vjeçare, bile një biond, holandez 42 vjeçar dhe 120 kilesh, Wimin, që duket se e  adhuron dhe e do, si adoleshente. Arta dhe Wimi jetojnë e punojnë të lumtur në Holandë duke u kujdesur, ndjekur e nxitur edukimin e plot të Anxhelës, mbesës sonë, që justifikon plotësisht interesimin dhe dashurinë tonë, duke qenë model në sjellje e përparim në mësime.

 

Edhe vajzën e sajë të madhe, Linditën, Hanëmja  e ka larg, në Kanada, me mbesën e vet Valmirën dhe nipin Den. Lina, është kompletuar me kulturë kanadeze, mbi universitare, të masterit ne ekonomi dhe fëmijët i ka në Universitet, ndërkohë që së bashku Majkllin, burrin e saj kanadez, kanë një biznes privat.

Për realizimin e dëshirave të saj parësore Hanëmja, me besimin e madh e të pafund për Zotin, çdo natë, i drejtohej  Atij me lutje të zjarrta.

Për të karakterizuar më mirë tiparet dhe qëndrimet e saj brilante, do mundohem, që këtu, më poshtë, të rendis saktësisht disa nga ngjarjet më pikante të jetës sonë të përbashkët, ashtu siç i kam  fotografuar dhe shënuar në ditarin tim, herë pas here.

  

vazhdon...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora