E diele, 28.04.2024, 01:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Një dasmë sa një shtëpi

E diele, 25.07.2010, 09:59 PM


Aktualitete:

 

NJË DASMË SA NJË SHTËPI

 

Nga Demir KRASNIQI

 

            Në kohën kur gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale e ka pllakosur shumicën e  popullatës së  Kosovës edhe ashtu të shumëvuajtur , në kohën kur më se 70% të kësaj popullate janë të pa punë dhe një përqindje marramendëse e tyre jetojnë në një gjendje skajshmërish të varfër, në kohën kur shumë njerëz dhe familje kosovare jetojnë ende pa kulme mbi kokë , në kohën kur Kosova ka një armatë njerëzish me aftësi të kufizuara fizike, njerëz me sëmundje të rënda, për të cilët shërimi i tyre kushton shumë shtrenjtë dhe atë , vetëm në spitalet jashtë vendit, në kohën kur rrugët dhe sheshet e qyteteve të Kosovës janë mbushur me lypsarë te të gjitha moshave, kategorive dhe gjinive, të cilët kërkojnë lëmoshë sa për të blerë një kafshatë buke dhe prej të cilëve nuk mundesh as një kafe ta pishë i qetë -  në dasmat tona popullore  na paraqitet një fenomen i ri , i cili nuk ka presedan në botë për kah mënyra e organizimit dhe shpenzimeve marramendëse të parave për organizimin dhe përfundimin e tyre .

 

Parapërgatitja e dasmës, lukset e tepruara dhe kostoja e saj

 

            Duke pasur parasysh se nuk ka mbetur gati asnjë familje shqiptare pa u prekur nga virusi shumëshekullor i quajtur “Kurbeti i zi”,  në ditët e sotme , për të organizuar një dasmë , apo çfarëdo ahengu tjetër familjarë , në rend të parë duhet pasur parasysh kurbetçarët , pushimet e tyre dhe përshtatjen e kohës së dasmës , për t’ iu krijuar atyre mundësitë që të mund të marrin pjesë në dasma, apo ahengje tjera familjare .

            Nisur nga këto rrethana, sot , organizatori i një dasme familjare, duhet që t’ua fillojë parapërgatitjeve së pakut  gjashtë  muaj, apo një  vit përpara .

            Së pari, Zoti i Dasmës, është i obliguar që në  harmoni  me familjarët e vajzës së fejuar , përkatësisht , nuses për të cilën do të organizohet Dasma , së pakut gjashtë muaj, apo një vit përpara t’ a  përcaktojnë ditën, datën dhe muajin më të preferuar se kur do të organizohet Dasma!

            Për shkak të rrethanave të krijuara , të cilat u cekën më lartë, muajt më të preferuar për organizimin e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare , pa dyshim se janë muajt: Korrik dhe Gusht .

            Rrethanat e këtilla, kanë ndikuar që të shkelen shumë tradita të dasmave të vjetra, ndër të cilat po i përmendim vetëm ditët e martesave, që dikur ishin vetëm ditët e enjte dhe të dielave , kurse sot nuk zgjidhen ditët dhe dasmat mund të organizohen gjatë gjithë ditëve të javës, madje para dhe pas ditës, nga se problemi kyç për organizimin e dasmave dhe ahengjeve tjera familjare, sot paraqet sigurimi i lokaleve hoteliere dhe sigurimi i grupeve muzikore dhe këngëtarëve që do të angazhohen për argëtimin dhe disponimin e dasmorëve të ftuar .

 

Përcaktimi i grupeve muzikore dhe këngëtarëve të dasmës – për emra të mëdhenj , e jo për vlera e kualitete artistike

 

            Fill pas përcaktimit të ditës, datës dhe muajit për organizimin e Dasmës -  Zoti i Dasmës , obligohet që të vrapojë për sigurimin e grupeve muzikore dhe këngëtarëve , të cilët do të angazhohen për argëtimin dhe disponimin e dasmorëve , të cilët duhet siguruar së pakut 6 muaj, apo 1 vit përpara !

Kostoja e grupeve muzikore dhe këngëtarëve që këndojnë nëpër  dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore , kapë shifra marramendëse të çmimeve, të cilat sillen prej 2500 deri në 5000 Euro, që do të thotë se mesatarja e tyre sillet në shumën prej 3000 Eurove .

Ajo që është më se e vërtetë , shumë këngëtarë e grupe muzikore përzgjidhen , angazhohen dhe paguhen për dasma me çmime marramendëse, vetëm për emra të mëdhenj , e jo për vlera e kualitete artistike !

Kur kihet parasysh një pagë mesatare mujore e një mësimdhënësi , e cila sillet rreth 200 Euro, atëherë na del se një grup muzikor bashkë me këngëtarët që do të angazhohen në një dasmë me çmim mesatar prej 3000 Eurosh, është e barabartë me 15 paga mujore të një arsimtari !

Problemi akut i cili jo rrallë lind në mes të organizatorëve të dasmave dhe emrave të mëdhenj të muzikës lind atëherë kur dikush nga “emrat e mëdhenj të estradës muzikore”, do të gjejë ndonjë viktimë dasmore i cili do t’ iu afrojë pagesa me çmime më të larta se sa ato që janë goditur më parë dhe në këto raste, “emrat e mëdhenj të muzikës” nuk do të hezitojnë që ta lënë dasmën e goditur më parë, duke përdorur gënjeshtra e mashtrime ndër më të ndryshmet ndaj dasmorit të parë ! Gënjeshtrat dhe mashtrimet më të popullarizuara në këto raste janë ato të tipit:”Kam rast vdekje në familje!”, “Jam i sëmurë, apo i helmuar dhe i shtrirë në spital”... “Por, për të mos u lënë pa këngë e muzikë, po ua dërgoj një zëvendësim , i cili nuk do t’ jetë aspak më i dobët se unë!”...

Në anën tjetër, jo rrallë, ka raste kur organizatori i Dasmës, do të gjejë grupe e këngëtarë me çmime më të ulëta dhe atëherë do të gjejë forma e metoda të ndryshme për t’i refuzuar grupet dhe këngëtarët e goditur më parë për dasmë !

 

Angazhime plotësuese të grupeve folklorike dhe rapsodëve popullor

 

Për t’ ua shtuar edhe më shumë namin dasmave dhe kostos së tyre, në mungesë të odave popullore , ka shumë raste kur organizatorët e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme popullore, përveç grupeve muzikore dhe “yjeve” të estradës muzikore , angazhojnë edhe grupe folklorike të rapsodëve popullor, madje edhe grupe të valltarëve popullor .

Për dallim nga grupet muzikore me “yjet” e estradës – grupet folklorike me rapsodët popullor kushtojnë 50% më lirë se sa “yjet”!...Ngjashëm me grupet folklorike, do të kushtojnë edhe grupet e valltarëve popullor .

Grupet folklorike të rapsodëve popullor që angazhohen në këso dasmash nëpër lokalet publike hoteliere , nuk do të kenë aq shumë punë sikur që kanë ata të “estradës” dhe “yjet”!

Për grupet folklorike dhe rapsodët popullor do të skenohet një sofër e madhe diku në mes të sallës së hotelit dhe aty do të imagjinohet skena e odës popullore dhe atmosfera e dikurshme muzikore në ato ambiente . Qëndrimi i rapsodëve në këto ambiente nuk mund të zgjas më shumë se dy orë program.

 

Angazhimi i mefterëve (tupanëve dhe surleve) për dasma dhe roli i tyre

 

            Si pjesë dekorative për rritjen e namit dhe famës së dasmave të sotme qytetare , pa tjetër do të angazhohen edhe grupe mefterësh (tupanë dhe surle ), të cilët gjithashtu duhet angazhuar shumë muaj më herët , para se të filloj dasma .

            Këto grupe mefterësh , zakonisht shkojnë në dasma në formacion me nga dy surle dhe dy tupanë . Edhe çmimet për sigurimin e grupeve të këtilla , kushton përafërsisht 50% më i lirë se sa grupet muzikore të “yjeve” dhe të “estradës”.

            Roli i tupanëve dhe surleve në dasmat popullore do të jetë shoqërimi i tyre me muzikë përgjatë udhëtimit të dasmorëve deri tek marrja e nuses dhe anasjelltas, të cilët gjatë tërë kohës së udhëtimit do të qëndrojnë mbi rimorkio të kamionëve , apo të kombibusëve duke iu rënë surleve dhe tupanëve , për të alarmuar mbarë terrenin nga kalojnë krushqit se këtu bëhet dasmë e madhe !

            Po ashtu, mefterët do ta shoqërojnë aktin solemn të hyrjes së nuses në sallën e hotelit – para dasmorëve, ku në atë rast do të vallëzohet së pakut një orë e pastaj mefterët do të lirohen për në shtëpi, kurse muzika e “estradës” dhe “yjet” do të vazhdojnë me programin e tyre .

 

Angazhimi i pajtonave me kuaj për defileun e nuses nëpër qytet

 

            Krahas angazhimit të dhjetëra e qindra veturave , kombibusëve, kamionëve, motoçikletave për gjatë defileut të dasmorëve nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit, ku nuk pushojnë kurrë sirenat e tyre dhe bubullimat e tupanëve , si pjesë dekorative e këtij defileu , jo rrallë , do të angazhohen edhe pajtona me kuaj, të zbukuruar e dekoruar me shumë kujdes nga ana e organizatorit të Dasmës .

            Në pajtonin e kuajve , do të defilojnë nëpër qytet nusja dhe dhëndri , të cilët para masës publike duken si të ishin mbretër të dikurshëm .

            Përveç defileut të nuses me dhëndrin , pajtonët shpesh angazhohen edhe për defileun e fëmijëve me rastin e synetive të tyre .

            Kostoja e angazhimit të pajtonit për një defile të tillë, nuk mund të jetë më i ulët se sa 300 Euro .

 

Angazhimi i veturave më luksoze amerikane për marrjen e nuses

 

            Për t’ia rritur famën dhe namin dasmës së vet, krahas qindra veturave të tipave më të ndryshme të dasmorëve pjesëmarrës , Zoti i Dasmës , do të angazhojë edhe një nga veturat më luksoze amerikane të tipit “Shevrolette” me nga tri palë dyer, me të cilën do ta merr nusen nga familja e saj deri në shtëpinë e dasmorit dhe nga aty bashkë me dhëndrin do të shoqërohet deri në hyrje të hotelit , ku bëhet dasma .

            Angazhimi i veturave të këtilla, varësisht nga largësia e terrenit, nuk mund të kushtojnë më pak se sa 300 Euro !

 

Rezervimi i hoteleve, restoranteve dhe sallave tjera ekskluzive për dasma

 

            Krahas angazhimeve të Zotit të Dasmës , rreth sigurimit të grupeve muzikore dhe pjesëve tjera dekorative për organizimin sa më të mirë të dasmës, element kyç për te, është sigurimi i hotelit, restorantit apo sallës ekskluzive, ku do të mbahet Dasma .

            Edhe për sigurimin e këtyre lokaleve, Zoti i Dasmës duhet të angazhohet së pakut 6 muaj , apo 1 vit përpara !

            Kostoja e sigurimit të hotelit, restorantit , apo ndonjë salle adekuate, varësisht prej numrit të dasmorëve të ftuar për Dasmë, për ushqim dhe pije të dasmorëve, do të sillet mesatarisht me nga 15 Euro për person .

            Kur kihet parasysh numri i dasmorëve pjesëmarrës në dasma të këtilla, i cili nuk mund të jetë më i vogël se sa 300 dasmorë e deri në 500 sish, atëherë llogaria e kostos së kësaj dasme sillet prej 3000 deri në 5000 Euro .

 

Shtypja e ftesave për dasmorë

 

            Në mesin e lukseve rreth organizimit të dasmave dhe ahengjeve tjera popullore, kohëve të fundit kanë hyrë në “modë” edhe ftesat për dasmorë, të cilat duhet të shtypën ekskluzivisht nëpër shtypshkronja , me teknikën kolor, me takste poetike dhe me fotografi të kolorit .

            Edhe shtypja e këtyre ftesave duhet të bëhet shumë kohë para fillimit të dasmës, në mënyrë që ato të iu shpërndahen me kohë të gjithë atyre që do të ftohen në dasmë.

            Kostoja mesatare e shtypjes së ftesave të këtilla , mesatarisht sillet rreth shumës prej 200 Eurosh .Por, deri tek shpërndarja e këtyre ftesave nëpër vendet e caktuara, do të bëhen edhe shpenzime tjera, duke mos e llogaritur kohën e humbur për shpërndarjen e tyre.

 

Si thirren dasmorët sot në dasma dhe kush thirret?

 

            Organizatori i Dasmës, që nga momenti kur do të caktohet dita, data dhe muaji i Dasmës, menjëherë do ta përpilojë regjistrin për thirrjen e mysafirëve që do të marrin pjesë në Dasmë. Ai, në bazë të atij regjistri , do t’i plotësojë ftesat e shtypura në shtypshkronjë dhe menjëherë do të fillojë që t’ua shpërndaj atyre që do të ftohen në Dasmë .

            Ajo, që bien në kundërshtim të plotë me traditat tona shekullore , me rastin e dorëzimit të këtyre ftesave, është përkufizimi i caktuar i të ftuarve përmes tyre, ku shkruhet:”Ftohet në dasmë Filan Fisteku me bashkëshorten e tij”?!

            Këto lloj ftesash përkufizuese , nuk i përkasin thirrjeve tona tradicionale për dasmat dhe ahengjet tona familjare, nga se edhe në kohërat kur nuk kishte as bukë boll për dasmorët, organizatorët e dasmave dhe të ahengjeve të ndryshme familjare i ftonin gojarisht të gjithë rrethin familjarë, të gjithë rrethin miqësor dhe atë shoqëror , pa kurrfarë kufizimesh, por thirreshin të gjithë komplet, duke mos i lënë anash as pleqtë , plakat, beqarët dhe fëmijët ...

            Thirrjet e këtilla me përkufizime dhe me përcaktime:”Vetëm me çifte bashkëshortore”, nuk janë të drejta, nga se ato krijojnë shumë pakënaqësi në mesin e familjeve, miqëve dhe shokëve, të cilëve u mohohet e drejta për të marrë pjesë në dasma për shumë arsye!

            Me këtë rast, ka shumë burra e pleq të moshuar , të cilëve iu kanë vdekur bashkëshortet, apo anasjelltas dhe tash krahas dënimit që e kanë marrë ata prej Zotit, do të dënohen publikisht me mos pjesëmarrjen e tyre nëpër dasma e ahengje të familjeve e miqve të tyre ?!

            Me këtë përkufizim të thirrjeve për dasma, iu mohohet e drejta për pjesëmarrje të gjithë të rinjve (beqarëve e beqareshave)?!

            Ka edhe raste tjera më tragjike, kur dikujt iu ka vra burri në luftë, kur dikush e ka bashkëshortin e shtrirë në spital, kur dikush e ka bashkëshortin larg atdheut në kurbet...etj.etj.

            Pra ,aplikimi i ftesave të këtilla për pjesëmarrje në dasma, më tepër është iritues dhe nënçmues, se sa nderues !

            Dukuria tjetër edhe më irituese që shfaqet me rastin e thirrjes së dasmorëve për pjesëmarrje në Dasmë, nga ana e organizatorit të Dasmës, pa dyshim është fenomeni i thirrjes së njerëzve për interesa të ngushta personale, interesa karrieriste , politike... me ç’ rast lihen anash njerëzit e varfër nga rrethi i ngushtë familjarë dhe ai miqësorë , kurse në anën tjetër, thirren njerëz të kategorive të ndryshme në baza partiake, në baza të pozitave zyrtare, njerëz biznesmenë të pasur nga të gjitha trevat e ndryshme që nuk kanë lidhje as me farë e as me fis të organizatorit të Dasmës !

 

Dhuratat për pjesëmarrje në dasmë

 

            Kaptinë e veçantë për pjesëmarrje në dasmat e sotme , pa dyshim janë dhuratat e dasmorëve , të cilat nuk janë të pakta dhe as të vogla .

            Derisa , sipas traditave të vjetra , dasmorët e ftuar për pjesëmarrje në dasmë, çonin dhurata të ndryshme , si për dasmorin, ashtu edhe për nusen , ku çoheshin desh, jorganë, rroba të ndryshme, suvenire të ndryshme, kafe, sheqer , çaj e deri tek bonbonierat , në dasmat e sotme, këto lloje dhuratash më nuk aplikohen, madje as suvenire e bonboniera .

            Dasmorët pjesëmarrës , me qëllim që t’ i ndihmojnë Zotit të Dasmës, që sado pak t’ia zbusin shpenzimet e Dasmës, do t’i  fusin në zarf letre një shumë modeste të hollash, sipas mundësive të tyre dhe atë zarf do t’ia dorëzojnë njërit nga zotët e shtëpisë së dasmorit .

            Në të njëjtën mënyrë, dasmorët pjesëmarrës do të veprojnë edhe në rastin kur do t’ a   nderojnë nusen, ku edhe asaj do t’ia dorëzojnë zarfin e letrës me një shumë të hollash sipas mundësive ekonomike, të cilat ia dorëzojnë asaj femre e cila kujdeset për nusen!

            Pra, mënyra e dorëzimit të dhuratave për Zotin e dasmës dhe Nusen, tanimë nuk do të bëhet në mënyrë të eksponuar publike, ku një shtresë e dasmorëve më të dobët ekonomikisht do të skuqeshin para dasmorëve më të pasur !

 

Dhuratat ndaj muzikantëve dhe këngëtarëve të dasmës

 

            Gjatë ahengut që do të zhvillohet gjatë tërë natës së Dasmës, deri në orët e para të mëngjesit , pa dyshim se dhuratat më të mëdha të dasmorëve pjesëmarrës , do të shkojnë në llogari të muzikantëve dhe këngëtarëve të cilët do të kujdesen për argëtimin dhe disponimin e dasmorëve, duke filluar që nga mefterët, valltarët popullor, grupet folklorike të rapsodëve popullor e deri tek muzikantët dhe “yjet” e estradës .

            Për t’ua vjelë mirë xhepat e dasmorëve, muzikantët dhe “yjet” që e mbajnë programin muzikor gjatë dasmës, do t’i aplikojnë të ashtuquajturat :”Përshëndetjet dhe urimet e dasmorëve”, të cilët e përgëzojnë Zotin e shtëpisë dhe familjarët e tij për dasmën dhe çiftin e ri bashkëshortor për një jetë të gjatë e të lumtur bashkëshortore !

            Që nga fillimi i këtyre “Përshëndetjeve dhe urimeve”, do të fillojë gara në mesin e dasmorëve të pranishëm , se cili prej tyre do të japë më shumë urime dhe më shumë para bakshish për këngëtarët dhe muzikantët në skenë?!

            Në garat e tilla, menjëherë do të vërehen publikisht dallimet në mes të shtresave më të pasura dhe atyre më të varfra të dasmorëve pjesëmarrës të ahengut !

 

Kostoja e një dasme të sotme

 

            Po të llogariteshin mirë shpenzimet e një dasme që nga fillimi e deri në përfundimin e saj, duke i llogaritur këtu edhe shpenzimet rreth blerjes së gardërobave të nuses, stolive të arit, bizhuterisë , blerjes së gardërobës së dhëndrit, përgatitjet e dhomës së nuses bashkë me mobilimin e saj, përgatitjes së binës speciale për nuse, gjatë qëndrimit të saj në hotel, shpenzimet për muzikën, këngëtarët, rapsodët, tupanët, valltarët, pajtonin e kuajve , veturën ekskluzive për bartjen e nuses, shpenzimet për ushqimin dhe pijet hoteliere e shumë e shumë të tjera , atëherë llogaria përfundimtare e shpenzimeve do të na dilte e barabartë me koston e ndërtimit të një shtëpie moderne të kompletuar deri në çelës .

            Në anën tjetër, secili njeri i jashtëm që nuk e njeh realitetin ekonomik në Kosovë, po të kishte rastin që ta shihte luksin e shpenzimeve tona për një dasmë familjare, kurrën e kurrës nuk do të besonte se në Kosovë ekziston varfëri dhe papunësi deri në një shkallë të tillë çfarë jemi !

 

Gjilan, më 25 Korrik 2010.                                                         



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora