| E hene, 26.07.2010, 09:08 PM |
Çerkin Ismaili
Ethe të trishta
(roman)
Njerëzit në kryeqytet ishin mërzitur nga kutërbimi i mutit në biruca kanalizimesh e bodrumesh ku fshiheshin për ta shpëtuar kokën nga tmerret e luftës, por askujt nuk ia mbante ta nxirrte kokën jashtë për të marrë pak frymë në ajër të pastër. „Më mirë gjallë i përmutur se i gjallë ose i vdekur në duart e gjeneral Gexhës!”, nxirrnin pezmin kryeqytetasit gjatë bombardimeve të NATO-s
Nëpër rrugë të qytetit, kush guxonte të nxirrte kokën nga biruca ku ishin fshehur, mund të shihte ushtarët e gjeneral Gexhës tek bredhnin poshtë e lartë qytetit me kokat lartë si qentë nëpër thekër, pa i bezdisur njeri , as pa u vënë syrin tek sorollateshin rrugëve të ngarkuar me barra të rënda pajimesh ushtarake. Lufta bëhej larg, diku shumë larg, në male, larg syrit e veshit të kryqytetit, kurse sikur të mos ishin lajmet në televizionet e huaja, se kryqyteti nuk kishte shtëpi televizive, kryeqytetasit as që do të dinin se diku në një cep të atdheut luftohej . Për gazeta as që flitej. Gazetarët të parët ia patënn mbathur me të katrat para se të arrinte ushtria e gjeneral Gexhës. Pas tyre edhe elita politike, si gjarpëri nëpër ferra, mezi ishte përbiruar në Koridorin e Gligorovit.
Në kryeqytet rrallë dëgjohej ndonjë krismë pushke e gueriljes që herë pas herë, tinëzisht, vinte nga malet, por megjithatë kryeqytetasit parandjenin se edhe kryeqytetin shpejt do ta zë belaja e luftës. “ Eh, ç’u pamë sherrin opingave të katundit!”- shfrenin ironinë për luftën kryeqytetasit e ngujuar në biruca të errta dhe kanalizime.
.” Qylat e katundit, pushkët me toja , e me luftue me ushtrinë e gjeneral Gexhës!” – shfrente pezmin ndonjë tjetër nga errësira e birucës. Në një birucë tjetër, një plak i rebeluar thoshte se do të shkonte me dëshirë në luftë, por nuk ia mbante prapanica. Kështu, muhabetet për luftën zgjateshin nëpër biruca gjatë tërë natës se ditën nuk guxonin të ndjeheshin të gjallë.
Pasi që kompletoi batalionin prej pesëqind kriminelësh të zgjedhur , gjenerali u mbajti një fjalim patetik me të cilin yshti kriminelët të jenë më të pashpirt se kurrë ndonjëherë më parë. “ Batalioni ynë do të quhet “Dora e zezë ndëshkuese!-” e pati emëruar gjenerali batalionin e vet famkeq, ndërsa rekrutët e batalionit i brohoritën dhe duartrokitën gjeneralit dhe misionit e tij luftarak që do ndërmerrte në kryeqytet.
Sapo arriti në kryqytet, gjenerali përsëri me një fjalim të shkurtër, por më të zjarrtë iu drejtua ushtarëve, duke nxjerrë shkumbë e jargë si hijena mbi kërmën e ngordhur: “Këtu, unë jam Zoti ! Këtu jam Isus Krishti ! Këtu jam Shën Sava ! Këtu jam idhull! Këtu jam satana vetë…! Këtu jam Neroni! Jam Neroni që dogji Romën antike! O, mos më thënçin gjeneral Gexha nëse nuk e djeg nga themelet këtë qytet të mallkuar! Nëse Neroni ka mundur ta djegë Romën, pse unë mos ta djeg këtë qytet të mallkuar dhe të bekuar nga Shën Sava! Kështu, unë dhe ju trimat e mi do të hyjmë në analet më të ndritshme të pirromanisë postmoderne ! Neroni i antikës do mbetet nën hjen time! Ai nuk ishte general si unë! Heronj të pirromanisë moderne do të mbeteni edhe ju trimoshat e mi! Ndërsa juve, pirromanët e mi trima , ju jap rastin më të favorshëm të jetës të bëheni të pasur! Plaçkitni çdo gjë që shihni!... Vidhni!... Përdhunoni vajza e gra sa të mundeni!.. Por… mos harroni misionin e shenjtë të vrisni e masakroni sa më shumë njerëz! Vetëm kështu do ta kryeni misionin dhe borxhin tuaj të devotshëm ndaj shtetit…! Mos harroni! Nuk duhet t’i zgjedhni viktimat, por duhet të keni kujdes se gjurmët e krimit nuk duhet të duken! Krimin duhet fshehur është filozofia e doktrinës sonë luftarake! Këtyre të zgjebosurve nuk duhet lënë mundësi të kenë as varre në tokën tonë të shenjtë! Kuptoni edhe kufomat duhet t’i vjedhim, sepse këta budallenj mburren me të vdekurit më shumë se me të gjallët, ndërsa mburrjen e tyre nuk e duroj dot!- dhe nguli bajonetën në tokë me sa fuqi pati.
Kryeqyteti i lemeritur nga fjalimi patetik i gjeneral Gexhës dhe brohoritjet e ushtrisë së tij, si duket, nuk i ndjeu dhembjet e tokës nga thika e ngulur e gjeneralit, madje dashurinë për tokën e kishte fshirë nga truri tmerri që vinte nga ushtria e gjeneralit, që mijëra herë në ditë i përkulur bënte kryq , duke u lutur t’i ndihmonte shpirti i Shën Savës dhe Car Lazarit!.
Shumë ushtarë të batalionit special të skizofrenëve ishin ankuar te gjeneral Gexha se barrët e rënda po u hapnin varrë në shpinë dhe se duhej gjetur një mjet më të sofistikuar për t’u mbrojtur shpinën . Në fillim gjenerali as që u vuri veshin ankimeve të ushtarëve . Aq i bënte për varrët në shpinën e skizofrenëve . Misioni luftarak i gjeneralit ishte të vriteshin sa më shumë njerëz që fshiheshin në biruca , duke u arsyetuar se lufta pa viktima nuk ka kuptim. Madje,sipas logjikës së gjeneral Gexhës, ishte tejet e logjikshme të vriteshin ose të vdisnin edhe sa më shumë skizofrenë të tij, por vetë, medoemos, t’i shpëtonte katrahurës së luftës. “Lufta pa të vrarë, pa të plagosur , pa përdhunime e masakra nuk ka kuptim! Lufta nuk mund të quhet luftë nëse nuk vriten njerëz! Lufta nuk ka kuptim nëse nuk përdhunohen vajza e gra! Në luftë nuk zgjedhet preja! E rëndësishme është që preja të jetë njeri! Vetëm gjeneralët e marrë që nuk marrin erë nga doktrina luftarake e fashizmit në luftë kursejnë gra, fëmijë e pleq!... Nëse kursejmë njerëzit, atëherë pse luftojmë?! Luftërat e tipit ushtar kundër ushtarit i takojnë të kaluarës ose si i quan doktrina jonë luftarake luftëra konvencionale ? Cili gjeneral mund të jetë aq i krisur t’i shpjerë ushtarët bjeshkëve në front kundër armikut të armatosur kur në qytet mund të luftohet me lezet kundër grave, fëmijëve e pleqëve duarthatë…! Filozofia jonë e politikës dhe artit luftarak dhe doktrina jonë moderne e luftës konsiston në fantazmat hyjnore të popullit tonë hyjnor se duhet shfarosur armiqët tanë e pastaj popullin tonë ta bëjmë popullin më të lumtur të botës! Lumturia e popullit tonë, medoemos, duhet të ndërtrohet mbi tragjedinë e popullit kundër të cilit jemi mësyrë! ”- u fliste ushtarëve gjeneral Gexha, duke i përgatitur psikologjikisht me doktrinën e tij ushtarake të violencës . Fjalimin e gjeneralit , ushtarët që sapo kishin dalur nga burgjet, e përshëndetën me rafale automatikësh dhe gota rakie. Ndonjë skizofren jopërfillës ngrehte njërën këmbë dhe në shenjë admirimi për fjalimin e gjeneralit ua kriste pjerdhëve! Pastaj, gjenerali porositi ushtarët e tij të konsumonin sa më shumë raki për ta mundur frikën para se të hynin në front.Nëse nuk bën punë rakia, ushtarët mund të tymoseshin me marihuanë e nëse as marihuana nuk do të bënte punë mund të përdorin edhe shiringa me të cilët në trup mund ta fusnin pluhurin e bardhë të heroines fatale.
Disa nga ushtarët me varrë në kurriz e krahë, si duket, nuk i vurën veshin doktrinës luftarake të gjeneralit, por ngulmonin që gjenerali t’u gjente mjetin efikas për t’u mbrojtur shpinën, përndryshe do ta sabotonin luftën ose do të dezertonin. Legalizimi i përdorimit të drogës kënaqi kërkesat e togut të narkomanve, i cili përkah numri në batalionin e gjerneral Gexhës vinte i pari pas togut të skizofrenëve. I shtrënguar nga trysnia e pandërprerë e ushtarëve , gjenerali u detyrua që me urgjencë të porosiste samarë specialë , ndër më të sofistikuarit e teknikave moderne ushtarake që mos t’u lëndonin shpinën ushtarëve , ndërsa ushtarët e ngarkuar me barrën mbi samar , që i përngjanin gomarit të gabelit, si i thonë fjalës në kryeqytet, iu kishin falenderuar gjeneralit për dhembshurinë ndaj tyre. Sa herë që ndonjë ushtar i thyente rregullat ushtarake të gjeneral Gexhës ose aktëronte si i mëshirshëm, gjenerali e qortonte si mosmirënjohës ndaj samarit që i shpëtonte kurrizin pa i hapur varrë , duke u përkujtuar se po nuk i zbatonin përpikërisht urdhërat e tij, jo vetëm që do t’u hiqte samarin nga kurrizi, por do t’i kthente në birucat e burgjeve prej nga i kishte nxjerrë. Ndërsa ushtarët e gjeneral Gexhës ishin betuar në shpirtin e Shën Savës se me zell do të zbatonin urdhërat, madje edhe t’i tejkalonin edhe autorizimet që u kishte dhënë gjenerali.
Nëpër kryeqytet përveç luftëtarëve të gjeneral Gexhës që bredhnin nëpër rrugët e rrugicat pa i bezdisur njeri, ashiqare , pa u friguar nga lufta, bredhnin tufë- tufë kope qensh endacakë të zgjebosur dhe e minj, që kërcënonin kryeqytetin të hapnin ndonjë epidemi. Sikurse në çdo luftë,edhe në luftën në kryeqytet, rrenat shiteshin si simitet e nxehta të iftarit në ramazan . Flitej se në biruca ishte shfaqur tifoja e morrit dhe po bënte kërdi. Flitej se tifonë e morrit , sifilisin e sidën i kishin sjellë në kryeqytet nga burgjet , pikërisht, skizofrenët dhe togu i narkomanëve të gjeneral Gexhës, kurse i kishin përhapur qentë, macet , minjtë e kurvat e kryeqytetit. Kryeqyteti nuk mbahej mend të kishte pasur kurrë aq shumë skizofrenë, narkomanë, qen, e minj sa në ditët kur gjeneral Gexha ishte zot dhe sundues i kryeqytetit. Sidomos ishte rritur nataliteti enorm i qenve , pasi që gjenerali me dekret të veçantë pati urdhëruar “ heronjtë e luftës së shenjtë” t’ia kalonin mirë me qentë e minjtë, duke i konsideruar jo vetëm falangë në luftë, por edhe aleatë të devotshëm. Qentë pasi që lëpinin eshtërat që u hudhnin ushtarët e gjeneral Gexhës, me besnikëri u shërbenin padronëve, duke bërë roje vigjilente në mos hynte nga malet ndonjë grup i gueriljes në lagjet e qytetit. Gjithashtu, qentë nuhatnin mirë terrenin dhe saktësisht e dinin kush në cilën birucë ishte fshehur, por e mbanin sekret nuhatjen e tyre, sepse çdo ballafaqim me të fshehurit në biruca mund të pillte bela, ndërsa qentë, si rëndom qençe, dëshironin të lëpinin eshtrat, por belanë nuk ua kishte ëndja .
Për kujdesin humanitar ndaj qenve e minjve në rrethana lufte, gjeneral Gexhën e patën lavdëruar dhe dekoruar misionarët e atasheut ushtarak ndërkombëtar. Gjeneral Gexha i entuziazmuar nga dekoratat që i qëndisën gjoksin, u zotua se pasi ta pastrojë qytetin nga njerëzit, në shtëpitë e tyre do t’i akomodojë të gjithë qentë e kryeqytetit, duke i shpërblyer për shërbimin me përkushtim si kolaboracionistë. Disi më të fyer dhe më të diskriminuar veten e ndienin minjtë, të cilët në takimin e gjeneralëve u përmendën pak , për të mos thënë nuk u anashkaluan fare.Sidomos, minjtë e ndienin veten më të shantazhuar pasi që njerëzit i kishin nxjerrë me forcë nga birucat e tyre për t’i fshehur kokat e prapanicat e veta , por gjenerali nuk u vuri veshin ankesave të minjve, sepse qentë ishin treguar më të denjë për respekt gjatë gjithë . Nuk ishte kohë minjsh, por kohë qensh dhe pikë! I pari i minjve, një mi goxha burrë me mustaqe, kërkoi audiencë te gjeneral Gexha, me ç’rast u ankua se ishin afro njëzet vjet që ndihen të kërcënuar se do të nxirreshin me forcë nga birucat e ngritura me shumë mundime, por gjeneral Gexhën nuk mundi ta bindë miu goxha burrë me mustaqe, se njerëzit para njëzet vjetësh ishin kërcënuar se minjt do t’i lërnin pa strehë. Miu me mustaqe, për ta bindur gjeneralin , i përkujtoi fjalimin patetik të para njëzet vjetëve të njeriut të parë të elitës politike të kryeqytetit, të mbajtur para elitës politike se një birë miu do të kushtonte treqind groshë!. Gjeneralit iu kujtua fjalimi i famshëm dhe patetik i ish njeriut të parë të parties dhe qeverisë së kryeqytetit dhe pasi qeshi me budallallëkun e heroit të luftës partizane, i premtoi miut me mustaqe se do ta ketë parasysh ankesën e tij dhe se do t’i gjurmojë të gjitha birucat e uzurpuara të minjve, kurse banorët e rinj të birucave me dhunë do t’i nxjerrë jashtë dhe do t’i kthejë banorët legjitimë në birucat e veta. Miu me mustaqe u nda i kënaqur nga audienca me gjeneralin dhe u betua se me fis e me farë edhe ai , sikurse të gjitha racat e qenve, do të vëhet me përkushtim në shërbim të gjeneralit dhe ushtrisë së tij në luftën e shenjtë!. Gjenerali mburracak si njeri dhe luftëtar i denj që mbante fjalën, për t’u mos u kompremetuar para aleatëve , që me ag, të nesërmen urdhëroi luftëtarët e batalionit special të skizofrenëve të gjurmonin çdo birucë të uzurpuar në kryeqytet dhe me forcë, madje edhe me zjarr e plumb t’i nxirrnin uzurpuesit nga birucat, ndërsa betejën e parë e udhëhoqi vetë. Ushtarët pasi pinë nga një shishe raki dhe u dehën mirë, me britma , pjerdhë e piskamë u nisën për çlirimin e birucave të minjve , duke vepruar konform urdhërit të prerë të gjeneralit dhe konform rrethanave të krijuara speciale të luftës .
Beteja e parë e luftëtarëve të gjeneralit pati sukses të plotë vetëm pasi që qentë i erdhën në ndihmë, të cilët me nuhatjen qençe zbuluan , saktësisht, ku ishin birucat dhe sa njerëz gjendeshin në to. Kushdo që rezistonte të dilte nga birucat , qentë e shqyenin ose ushtarët e gjeneral Gexhës e pushkatonin atypëraty. Patën ndodhur raste që ndonjë i sëmurë nuk mund të dilte shpejt ose ndonjë i krisur të ngulmonte të mos dilte, marioneta e qenve e shqyente sa hap e mbyll sytë para se t’i shkrepnin rafalet luftëtarët e gjeneral Gexhës. Pasi që beteja mbaroi, gjeneral Gexha lavdëroi qentë për guxim e trimëri të pashembullt në historinë e luftërave okupuese dhe urdhëroi itedantin t’u hudhte edhe nga një asht, mbase të merituar!
Pasi që u nxor edhe njeriu i fundit nga birucat, gjeneral Gexha urdhëroi që të gjithë njerëzit e nxjerrur nga birucat të niseshin te stacioni i trenit të kryeqytetit, pasi që kishte porositur trenin special me mision të jashtëzakonshëm humanitar, sipas marrëveshjes me misionarët ndërkombëtarë , i cili sipas misionit humanitar do t’i shpjerte përtej kufirit, në Stankovec. Kryeqytetasit edhe sot e kësaj dite me nostalgji dhe krenari i këndojnë këngë trenit të shpëtimit humanitar të gjeneral Gexhës, i cili jo vetëm që nuk i kishte lënë të vuanin në biruca , por u kishte shpëtuar kokë e bythë nga katrahura e luftës. Veprimin humanitar të gjeneral Gexhës e kishin përgëzuar të gjitha misionet ushtarake dhe civile ndërkombëtare që vëzhgonin rrjedhat e luftës , duke e cilësuar gjeneralin si hero global të humanizmit në luftë, prandaj sipas humanizmit të gjeneral Gexhës edhe lufta e tij ia vlente të quhej luftë e shenjtë! Në vend të mallkimeve që ditë më parë i bëheshin gjeneralit, gjatë rrugës për në Stankovec, kryerqytetasit e nxjerrur nga birucat e uronin dhe lavdëronin humanizmin e tij të shprehur në vepër! Treni humanitar i gjeneral Gexhës u dha rast qenve e minjve që në kryeqytet të formonin mbretëritë e racave të tyre, pa neglizhuar multietnicitetin dhe bashkim- vëllazërimin e ëndërruar të Shkollës së Kumrovcit, në të cilën ishin shkolluar pjesa dërmuese e elitës së kryeqytetit , me diplomat e së cilës ishin ngritur lart në piemontin e kulturës, artit, shkencës dhe politikës së kryeqytetit , ku gju më gju rrinin , pinin kafe e bënin shtatë palë qejfe me Zeusin dhe perënditë që lëshonin stuhi, vetëtima e rrufe sa herë që ndonjë i krisur u prishte muhabetet e rehatinë. Shkaku tjetër i grindjeve midis qenve erdhi nga sherri i demarkacionit të kufijve të mbretërive të tyre. Kufinjtë gjithmonë kanë qenë mollë sherri që kanë nxitur luftëra. Po të mos ndërhynin forcat komando të togut të skizofrenëve të gjeneral Gexhës, dreqi e di ku dhe si do të mbaronte grindja që mund të eskalonte në luftë të përgjakshme qytetare midis qenve të akomoduar mirë dhe me bollëk eshtrash.