E shtune, 27.04.2024, 03:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Misteri dhe imazhet në kornizë

E merkure, 21.07.2010, 09:58 PM


MISTERI DHE IMAZHET NË KORNIZË

 

Mirela Xhani:”Hijet që vodhën Dashurinë” ”Botoi”Dajti 2000”, Tiranë, 2008, fq. 185.

 

Nga Nexhat Rexha

 

Ngjashmëritë e jetës  nëpër periudha të ndryshme kohore shënojnë episode të jetesës e të mbijetesës. Teoritë letrare dhe tematika e gjërave të brendshme hartojnë doktrinën e të bukurës dhe të shëmtuarës. Në romanin ”Hijet që vodhën dashurinë”,

 të Mirela Xhanit, aspekti teorik ka nxjerr në pah përditshmërinë e zhvillimit të proceseve fundamentale në tri kohë apo  në tri faza  zhvillimore, me të cilat ka kaluar fati i (personazhit), personazheve të kësaj vepre.

Autorja  në roman ka shtruar ngjarje të përjetuara, të cilat reflektojnë imazhe zhgënjyese dhe te japin shpresën e pa shpresë për të vazhduar deri në heshtjen absurde, se ndoshta shpresa vdes e fundit dhe vërtet ashtu edhe shtjellohet lindja dhe rritja e një gjenerate të tërë për jetë dhe ekzistencë. Dihet se jeta imiton,kurse arti interpreton imitimin,duke shpalosur atë. Monologu i heshtur i kryeprotagonistëve të romanit, rikthehen në dialog, sepse rrethanat politike kanë lejuar identifikimin e këtyre skenave, sa të dhembshme, po aq kontradiktore  e në shumë raste më shumë se diktatore për njeriun tonë.

Realiteti shoqëror në Shqipërinë komuniste nëpër faqet e këtij romani identifikohet në teorinë praktike, sepse ai realitet ka shfaqur  skena nga më absurdet e këtij gjysmëshekulli që iku. Parashikimet mbështeten në premisat e autores gjatë rrëfimit në roman  si dhe shpalosin katarsën  shpirtërore të personazheve, të cilët në vete përjetojnë e bartin peripeci, që ka prodhuar sistemi i kohës, gjithnjë në ruajtjen hermetike të ndodhive.           

Problematike e shtruar në roman zhvillohet përmes  narracionit funksional, sepse akumulimi i mospajtimeve në shoqërinë e kohës ka krijuar njëmendësi, e kjo njëmendësi është shtrirë nëpër të gjitha poret e jetës e deri aty ku jeta zhvillohej me fuqinë më primitive dhe pastaj ajo është keqkuptuar dhe është keqpërdorur edhe në mënyrën më emocionale,  kështu  ka dëmtuar sistemin dhe transparencën dominuese të njëmendësisë totalitare. Të gjitha vrasjet misterioze gjatë kësaj periudhe janë futur në një kornizë të heshtur.

Kjo logjikë e subjektivizmit ka krijuar simpatitë dhe antipatitë, gjithnjë në funksion të aktualitetit politik. Rrëfimi dhe semantika e fjalëve  kanë harmoni me njerëzit dhe bartësit e ngjarjeve, sepse  në vepër autorja duke bashkëjetuar me biografin familjare, zbulon e ruan portrete njerëzish me të gjitha karakteristikat morale, intelektuale dhe me dukje të imazhit që bartin ata gjatë kësaj periudhe komplekse për  afro gjysmë shekulli.

Tërësia e shtjellimit të ngjarjeve në romanin ”Hijet që vodhën dashurinë”, përforcon bindjen se vendi ynë, si në fazën e pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe në fazën e parë të tranzicionit  për në demokraci dëshmon se në të është zhvilluar procesi jetësor    shumë dimensione, e disa rrjedha  pastaj, duken sikur janë spontane, duke krijuar zhgënjim tek shtresat e gjëra popullore.

Mirëpo, autorja përmes evokimeve, nënvizon nënshtrimet e pakuptimta, që ka bartur kryeprotagonistja e romanit Lulja.

Shfaqja e arealit toponomastik në roman është në dukje të përgjithshmes, sepse në këtë periudhë të jashtëzakonshme gjysmëshekullore, gjithçka  frymonte sipas rregullave,shihe e mos interpreto. Njëherit, autorja  ka krijuar mundësi dhe hapësirë të mjaftueshme brenda rrëfimit e kontekstit me mundësi, që mozaiku i fokusuar në tërësi , të mos pasqyrojë vetëm utopi, por  të duket si dramë e ballafaqimit të mundshëm, sepse diferencimi nga jeta  e të afërmit deri në shkëputjet  e pranisë fizike ka krijuar ironinë deri në absurditet.  

 

 

Karakteri i personazhit kyç .

 

Mirela Xhani  në roman ka paraqitur  personazhet kryesore me botëkuptime të ndryshme. Portreti i Lules  dhe  Agronit, dallojnë në shumë pikëpamje, jo vetëm në anën arsimore por, ata dallojnë edhe në botëkuptimin e brendshëm të tyre. Edhe  pse, Agroni është i shkolluar dhe tregohet se është i përgatitur profesionalisht  në profesionin e tij, ai ka një veçanti dalluese, që në disa raste duket sikur nuk e mbulon autoritetin e tij me  edukatën dhe traditën e familjes. Ai është piktor dhe i zoti në profesion, por duket i pa vendosur ne fatin e jetës së tij. Lulja është prototipi i femrës  emancipuese edhe pse ajo nuk është e shkolluar sa Agroni, ajo arrin ta tejkalojë burrin e arsimuar në vendosmërinë e ndërtimit të jetës në familje. Lulja ka fuqi të tejkalojë edhe të pa dëshirueshmen, edhe pse e kupton se bashkëshorti i saj, kishte dashuri me  një vajzë tjetër. Karakteri i dy protagonistëve në roman pasqyron  dashurinë dy dimensionale. Dashuria e vërtetë për të ndërtuar të ardhmen dhe karakteri i labil i Agronit në dashuri më Lulen si dhe mospajtimi i tij me të vëllain.

Agroni në një pamje paraqitet i zgjuar  në profesionin e tij dhe i heshtur në jetë, me bashkëshorten  si dhe në krijimin e  familjes. Ai nuk tregohet i fuqishëm  edhe ne mbrojtje të dashurisë së dikurshme. Portretizimi i Agronit  del më shumë si profesionist në punë të pikturës, se sa në organizimin e jetës në familje, edhe pse ai di të përfitoj  dhe të depërtojë përmes punës profesionale. Kur dihet se babai i tij ishte zhdukur në mënyrë misterioze nga pushteti i kohës dhe ai tani në sy të pushtetit konsiderohej i dëmshëm,por ai dinte të depërtonte  me anën e pikturës edhe tek eprorët e tij. Ndërkaq, në familje  ai sillej krejt ndryshe dhe në një aspekt sikur jetonte vetëm me pikturën dhe nuk qante hallin në organizimin e ngrohtësisë familjare.

            Karakteri i Lules në roman del shumë më i kompletuar, se ai i Agroni, ajo për hir të dashurisë dhe botëkuptimit të saj sakrifikon familjen, vetëm për të mos  e lënë anash burrin dhe idealin e saj , që gjithsesi morali dhe etika  e Lules del  shumë më i fortë se karakteri i Agronit.

            Ndërrimi i sistemit  totalitar, përforcoi karakterin  e Lules dhe rikthen ëndrrën e saj për ribashkim me familjen . Ajo pas shumë vitesh martesë e sakrificë mundi të takohet me prindërit e saj: ”Sot mbas tridhjetë vjetësh ajo ishte takuar e ribashkuar me prindërit e saj dhe kishte qenë i papërsëritshëm momenti kur në portë kishte parë ato dy qënie të mplakura aq të dashura të jetës së saj.”fq.152.

  vend të pikëtakimit

Romani i Mirela Xhanit në  brendësi paraqet ndërrimin e sistemeve politike, por që asnjeri nuk arrin të  transformojë  atë për të cilin ëndërrojnë fatet e njerëzëve. Sidoqoftë, narracioni dhe kompozicioni i veprës  është konkretizuar bukur përmes rrëfimit në  tri kohë e në tri faza të zhvillimit të pritjeve për ditë më të mira.

Duke e përfunduar  së lexuari romanin “Hijet që vodhën dashurinë” të  Mirela Xhanit, përjetojmë ndjenjën e dhembjes për fatin e femrës sonë nëpër kohë. Njëherit, perspektiva  e gjeneratës së re në vepër është  përshkruar ashtu siç  ka ndodhur në realitet.

Kurbeti edhe me  tej mbetet plagë e pa shëruar ndër shqiptarët dhe për këtë arsye edhe plagët mbeten vazhdimësi në kontinuitet.

Personazhet  e veprës komunikojnë  me kohën në të cilën jetojnë e veprojnë.

 Pra, romani”Hijet që vodhën dashurinë” është një rrëfim autentik dhe lexohet me kënaqësi, sepse rrëfimi i ngjarjeve  përjetohet nga afërsia dhe realiteti  i të bëmave të personazheve. E tërë përmbajtja e romanit  korrespondon me lexuesin, si fat i kolektivitetit tonë të një periudhe me divergjenca  e katandisje të mëdha, por edhe si fat   që kemi kaluar nëpër kapërcellin historik.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora