E shtune, 27.04.2024, 07:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Gecaj: Vjeshtë e vonë vitit 1993

E merkure, 21.07.2010, 09:57 PM


Tahir Gecaj

 

Nga ditari

 

"Një jetë në nofulla ujku / Nje jetë në zindanë" – Ali Podrimja

 

Vjeshtë e vonë vitit 1993. Kishte diç më shumë se tre muaj që jetoja në qytetin e Zugut. Gjatë asaj kohë e pata bërë shprehi që pasditave ta bëja shëtinë e zakonshme buzë liqenit të qytetit, por, si zakonisht, sapo dola s'munda t'i shmangesha shprehisë se shikimit të vitrinës së librarisë së fundrrugës, që e lidhte qytetin me buzëliqenin. Zakonisht ua leshoja një sy librave të ekspozuara, por, këtë herë, për habinë time, vërejta se titulli i një kopërtinë më fliste shqip : "Buzëqeshja në kafaz" dhe nën të "Das Lacheln im Käfig", ndërsa anash, në të majtë, autori: Ali Podrimja. Në sfond të kopërtinës dominonte ngjyra e zezë me dy korba në fluturim dhe, së larti e kuqja në formë gjysmëkrahu shqipeje. U mjaftova të kënaqem me vrojtimm e "Buzeqeshjes...", me imazhin e korbave në fluturim, mbi e nën të kuqen, dhe me kujtimin për autorin, të cilin, tashmë nuk e dija se kur e kisha parë për herë të mbramë.

M'u kujtua se pos dy-tre fjalorëve dhe ,,Gjeneralit... „ të Kadaresë, e kisha marrë me vete edhe libërthin e A.Podrimjes "Poezi", botim i vitit 1985 dhe, me të, vargun :"Ara e misrit është kallur". S'kisha menduar më parë se për ç'arsye e kisha veçuar atë libërth poezish për të më përcjellë në rrugën e mërgimit: E pata hequr nga rafti i bibliotekës sime instiktivisht apo më kishte shtyrë diç më e thellë...? Dhe, atëherë, kur isha nisur, s'e kisha marrë me mend se një pasdite të zymtë vjeshte të mërgimit tim, në librarinë e një rruge të panjohur, do t'më buzeqeshte forca e atij vargu në gjuhën gjermane, pikërisht në çastin kur isha nisur drejt buzëliqenit për ta mbytur pikëllimin në valet e tij, duke pasur shpresë se ato valë do t`u gjasojnë atyre që, Lasgushi i përjetësoi te "Gjeniu i anijes" me ato shprehjet margaritare : "hepohem...,anohem...,humbohem, po sulmin s'e ndal kurrsesi!". Por, ja që më kishte dalë papritmas poezia e Ali Podrimjes dhe, mbase me të e në të, do ta lypja, gjatë ditëve në vijim, qetësinë shpirtërore nën peshën e rëndë të atyre ditëve e viteve.

Tash do ta kem një adut të fortë që ta bind mësuesen e gjermanishtes, një zvicërane, që as kishte dëgjuar se në cilin grup të gjuhëve hynte shqipja jonë, se edhe poezia e gjuhës sime tingëllon bukur në gjermanishtën e saj. Dhe, ashtu i entuziazmuar, i pata shkundur xhepat prej azilanti, por asistenca s'mjaftonte për t'u rikthyer në botën e poezisë se Podrimjes. Vepra është në vitrinë, e pata ngushlluar vetën, pastaj pata marrë anën e liqenit.

- Kemi edhe një libër tjetër të të njëjtit autor, me tha shitësja të nësermën, dhe m'i solli të dy veprat: "Ich sattle das Ross den Tod", quhej tjetra, në kopërtinën e të cilës zbardhëllonin dhembët e atij ujkut nga Përmbledhja "Udhëtimi me ujq", diku në të cilën, poeti thoshte:" Një jetë në nofulla ujku, një jetë e diçka në zindanë".

Poezia e atyre dy veprave të Podrimjes, ishte përzgjedhur dhe përkthyer nga njohësi i mrekullueshëm i gjuhës shqipe, e aq më tëpër, edhe njohës i krijimtarisë letrare shqipe - Hans-Jochim Lanksch-i dhe të botuara në Wieser Verlag Klagenfurt-Salzburg, ndërkaq ilustrimi i kopërtinave, që sillte tërë mesazhin e poezisë së Podrimjes, ishte punuar nga piktori Gjelosh Gjokaj.

Poezia e botuar në ao dy vepra në gjuhën gjermane, hapi një kaptinë të re në krijimtarinë shumëvjeçare të autorit, duke e prekur drejtpërdrejt aktualitetin tonë kombetar - okupimin me tërë pasojat e tij dhe duke e vënë poezinë në funksion të çlirimit dhe të realizimit të synimeve kombëtare. Ndonëse ajo notë nuk ishte e një date të re në poezinë e Podrimjes, sepse ajo ndjehet në tëre krijimtarinë e tij, binte në sy se në të dy veprat e botuara në gjuhën gjermane, si në ciklet "Ditari i Feldafingut", "Evropa përmes grilave", e në ndonje tjetër, autori e shpalonte valën e dhunës, që e ushtronte okupatori serb në Kosovë, dhe, ashtu sikurse Fan Noli dikur, buzë Rinit e Tunës, i qasej poezisë politike me të vetmen temë: Atdheu i tij i robëruar, robërim ai shtruar dhe shtjelluar shumanshëm, në të gjitha segmentet e poezisë së tij.

Ali Podrimja kishte qenë i ftuar në pushim krijues tremujor në Gjermani, por ai nuk e kishte gjetur kënaqësinë në komoditetin që i ishte ofruar, përkundrazi, ai gjatë atij pushimi, e kishte parë vetëm "Zogun e vendlindjes së shprishur duke u mbyllur në plagë të gjallë" (Poezia "Plaga e gjallë")

Janë këto dy vepra të autorit Podrimja, të cilat, do të thosha do t'i kontribuojnë njohjes jo vetëm të krijimtarise sonë poetiko-letrare nga lexuesi i regjionit të gjuhës gjermane, por do t'i kontribujnë , në veçanti edhe çështjes sonë, sepse për të na përkrahur të tjerët, qoftë vetëm moralisht, lypset më parë të na njohin, ndërkaq nuk thuhet rastësiosht se poezia buron nga shpirti, pra, poezia e Podrimjes e botuar në gjuhen gjermane, therret dhe sinjalizon: "Një jetë në nofulla ujku / Nje jetë në zindanë".

 

Nëntor 1993

Qyteti i Zugut



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora