Kulturë
Shahbaze Vishaj: Libër me vlera të veçanta dhe të rralla
E marte, 20.07.2010, 09:57 PM
LIBËR ME VLERA TË VEÇANTA DHE TË RRALLA
Skënder R. Hoxha: “Rruga për në panteon”, Shtëpia Botuese:” Art poetika”, Pejë, 2009
“ Na afroi dashuria me zjarr e pa lutje / para shumë vitesh në këtë rrugë t’gjembuar / as më lë në rrugë / as më largon tutje- më ke robëruar!”, faqe 119. Hasan Hasani
SHKRUAN: SHAHBAZE VISHAJ
Nisem me këto vargje të shkëputura nga përmbledhja e poezive me titull: “ Emira “, vështrimin letrar për librin: “ Rrugëtimi për në panteon”-( Aspekte të krijimtarisë letrare të Hasan Hasanit), të Prof. Skënder R: Hoxhës, i cili shkruan poezi, prozë, eseistikë, fejtonistikë, çështje e probleme gjuhësore dhe me përkushtim të veçantë merret me hulumtime e studime në fushë të onomastikës. Profesor Skënderi, ka botuar numër të shumtë të veprave në fusha të ndryshme letrare, si: “Pëllumbi në fluturim”, ( poezi), “ Kalorësit e mortit”, ( poezi), “ Toponimia e Dushkajës”, ( vepër studimore”, “ Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës”, (monografi), “ Poema e dhimbjes krenare”, (poezi),” Hasan Hasani në sytë e kritikës”, ( përmbledhje kritikash për veprat e H. Hasanit), etj. Libri “ Rrugëtimi për në panteon- Aspekte të krijimtarisë letrare të H. Hasanit”, është libri i pesëmbëdhjetë i këtij autori. Prof. S. Hoxha, ka në dorëshkrim dhe disa vepra zhanresh të ndryshme, të cilat presin dritën e botimit. S. R. Hoxha, tashmë emër i veçuar në letrat shqipe, i cili me një përkushtim të veçantë, bëri punë studimore e shkencore të thellë e të gjithanshme në krijimtarinë 40 vjeçare të krijuesit, H. Hasani, e cila është mjaft voluminoze. Pra, janë lexuar e rilexuar 47 vepra letrare në zhanret: poezi dhe prozë. Libri nis me shkrimin: “ Dy fjalë për librin”, ku vërtet autori me këtë realizim të vëllimit të tretë, i ka sjell letërsisë dhe lexuesve vlera reale të kohës, të cilat padyshim se do të plotësojnë atë boshllëk të krijuar gjatë disa decenieve. Shkrimi: “ Në margjinat e jetës krijuese”, vë në pah etapat e shumta të krijuesit, H. Hasani, që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme, personazh i së cilave është dhe autori Hoxha, të cilat te lexuesi reflektojnë emocione të ndryshme, e që janë realitet i përjetuar nga poeti Hasani e shumë të tjerë si ai. Po këtu, paraqiten ngritjet e krijuesit, vlerësimet- lëvdatat për penën e tij nga emra të shquar të letërsisë shqiptare, si Esad Mekuli, i cili në një rast i drejtohet poetit: “ Hasani, i Krojeve, a? Shiko, shiko...Po të kam menduar më plak ore!”, etj, dhe, disa nga përplasjet nga kritika letrare, të cilat autorin kurrë nuk e zbrapsën në rrugëtimin e tij për në panteon. Libri: ” Aspekte të krijimtarisë letrare të H. Hasanit”, është një përmbledhje shkrimesh letrare të prof. Skënder R. Hoxhës, përkitazi me krijimtarinë letrare të shkrimtarit H. Hasani. Këto shkrime si : ese, këndvështrime gjuhësore, këndvështrime letrare, recensione, trajtesa, letra etj, janë punuar me përkushtim nga ana e autorit. Ky libër në bazën e saj ka dy kapituj kryesorë: I. Poezia dhe II. Proza. Në kapitullin e parë: Poezia, janë përfshirë tema të shumta e të larmishme, që trajtojnë aspekte të ndryshme dhe motive të poezisë vëllimore të poetit H. Hasani, si: Toponimia në poezinë e H, Hasanit; Kompozitat në vargje të një poeti; Bjeshka dhe vërrini në poezinë e H: Hasanit ; Motivi social në përmbledhjen me poezi; “ Dallgët e vërrinit” të H. Hasanit; Legjenda për legjendarët; Figura kombëtare e historike në poezinë e H. Hasanit; Vargje që mbajnë gjallë kujtimet për njerëzit e penës; Poezia satirike e H. Hasanit; Figura e femrës në disa përmbledhje me poezi të H. Hasanit; si dhe tema e motive të tjera. Ky zhanër krijimtarie karakterizohet me tema të ndryshme, të zgjedhura dhe artistikisht të qëlluara, qoftë nga e kaluara- historia e largët, dhe historia më e re, qoftë nga motivet e përditshmërisë apo edhe frymëzimet spontane dhe të rastit. Krijimtaria e këtij poeti përshkohet me vlera të shumta: ideoedukative, ideoestetike dhe ideoartistike. Krijimet me tematikë nga fëmijëria, kanë vlera estetike, edhe kur i vargëzohet lirisë, robërisë, natyrës, shkollës etj. Figurat stilistike, të përdorura me mjeshtri nga shkrimtari, shpesh bashkëveprojnë, si metafora me simbolin, personifikimin etj. ” Rëndë, rëndë gjëmon bjeshka”,” Bjeshkë e gurë se ç ‘lëkunden”, “ Mic Sokoli ngjanë në kreshta mali”, etj. Në kapitullin e dytë: Proza, autori është përqendruar në këto tërësi: Proza tregimtare e H. Hasanit; Opusi romanesk i H. Hasanit; Vepra publicistike; Vepra leksikografike; Emra shqip për fëmijë; Kritika letrare; Kontributi për shkrimtarët. Në këtë libër :” Aspekte të krijimtarisë letrare të H. Hasanit”, autori Hoxha, ka përimtuar dhe shumë çështje, aspekte, tema e motive të tjera, të cilat sublimojnë krijimtarinë e poetit. Prof. Hoxha, në planin sinkronik është marrë me gjuhën, figurat stilistike, çështje estetike, tipizimin e personazheve, ato negative e pozitive, figurën e femrës dhe rolin e saj në situata të rënda e momente të caktuara të jetës, njeriun e kësaj toke në raport me fenomenet natyrore, me mjedisin shoqëror, me jetën sociale, sistemet, kohët- deformimin e tyre si dhe çështje e aspekte të tjera. Në kapitullin: Proza, tregimet e H. Hasanit, i përcjell rrëfimi, dialogët , por aty- këtu edhe monologu., kurse në prozën romanore imagjinata e shkrimtarit është e shumanshme. Ajo ka dimensione që përafrojnë imagjinatën me realen. Lexo te romani: ” Kohë të egra”, etj. Të theksojmë se puna studimore dhe shkencore e prof, S. R. Hoxhës, e rendit H. Hasanin në mesin e krijuesve të shquar të letërsisë sonë, i cili asaj i ka dhënë cilësi dhe sasi.
UDHËTIMI I MJESHTRIT TË METAFORAVE- MODERNITETI
“E shtrenjta ime Lota, do të jem i lumtur të kryej për Ju të gjitha detyrat që do të më besoni: madje, jepmëni më shumë. Ju lutem vetëm për një gjë: mos përthani më bojën e letrave tuaja më rërë. Letrën e sotme e çova me nxitim te buzët për ta puthur, dhe dhëmbët më kërcitën”. (Gëte)
Shahbaze VISHAJ
Boja, letra, pena, dashuria... janë gjymtyrët e frymëmarrjes së artistit, për mes të cilave bënë udhëtimin në botën reale dhe atë të magjishme, ku mjeshtrit e mëdhenj trajtojnë motive e tema laryshish të ndryshme, në mesin të cilëve vend të merituar zë dhe mjeshtri i fjalës së bukur artistike, dhe pse jo edhe i pikturës, Gani Xhafolli.
UDHËTIMI I MJSHTRIT TË METAFORAVE, SIMBOLEVE DHE SINTAKSËS SE RE, NË LIBRIN ME TITULL” SHPIRTI QË BËN DRITË”.
Shkrimtari- poeti brilant, G. Xhafolli, si në shumë vepra zhanresh të ndryshme, që ka sjell te lexuesi modernitetin artistik, edhe me këtë libër adhuruesit të fjalës artistike i ka dhuruar vlera të shumta universale, ndaj dhe është vepër që ka peshën e duhur estetike, eseistike dhe ideo-artistike. Pra, janë mendime me shumë ajër për jetën, për udhëtimin e saj nëpër dallgë me dhe pa dritë, nëpër acar e diell, me një udhërrëfim se si të mos hyhet në metaforën e kuqe. D.m.th. është libër që hap shtigje të reja jete me shenja universale për hyrje në kështjellën e dashurisë, ku ka shumë rreze drite e dritare të dijes. Stili i veçantë i krijuesit Xhafolli, e bën lexuesin që të notojë, në një oqean kaq të thellë e të gjerë figurash të bukura artistike. Vepra, ” Shpirti që bën dritë”, është shkruar me ngjyrën e zemrës së autorit, i cili për mes syrit të tretë, ka bërë që kjo të marrë ngjyrën e frymëzimit dhe të ndjenjës. Katër librat me katër pamje, janë një medaljon i çmuar, që do të kujtohen, shpresoj, përjetësisht në kutin e trurit të lexuesit. Çdo pamje libri hap dritare e dyer të shumta të jetës, të cilat në momente e kohë të ndryshme, sjellin melodi me dhe pa nota muzikore. Proza dhe poezia e Gani Xhafollit, nuk i ngjajnë askujt, ndaj dhe gjetjet e reja të tij, ofrojnë mënyrën e re të krijimit të fjalëve të thella, të cilat librin e bëjnë madhështor. Katër kontinentet dhe katër oqeanet e kësaj vepre, janë një gjerdan i kohës, të krijuara nga shpirti dhe dora e një krijuesi të rrallë, që të përkujton Borhesin, i cili hyri në legjendë si në figurë mitike, nga arti i të cilit mëson e gjithë bota. Libri, me katër pamje, i ngjan stinëve të vitit, të cilat kanë bukuritë e veta estetike e shpirtërore, gjë që lexuesit i nxisin dëshirën dhe dashurinë për dialogët, monologët dhe fjalën e bukur artistike. Prandaj, dhe Xhafolli ynë, është një krijues model, një barometër i këtij universi, i cili me vrojtimin, udhëtimin dhe mjeshtërinë e tij të hollë, krijon art të mirëfilltë për letërsinë si: vargje, poema të reja të dashurisë, faqe libri, brenda të cilave skaliten mesazhe, që ndriçojnë zemër e mendje, fisnikërojnë ndjenja e shqetësime dhe natyrisht ujisin me shpresë çdo qelizë të trupit për një të nesërme- ardhme të lumtur. Vlen të theksohet se oqeani i krijimtarisë së G. Xhafollit, do të jetojë nëpër kohë me dhe pa furtunë.