E enjte, 01.05.2025, 04:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Hanëmja - Dashuria më e madhe

E marte, 20.07.2010, 09:53 PM


HANËMJA - DASHURIA MË E MADHE

 

Jetëshkrim historik i dy vlonjatëve të moshuar

 

Nga Luan Çipi

 

PJESA E PARË

 

    Hanëme Banin, gruan time të ardhshme, unë e dashurova me shikimin e parë. Atë e njoha krejt rastësisht. Më kujtohet, kjo njohje si sot, megjithëse po rrokulliset gjysmë shekulli. Ishim, pikërisht, para sheshit Tomson, në lagjen Muradie Vlorë, për fat, para shtëpisë ku unë kam lindur. Po bisedonim me një mikun tim, Kiço Dhimitrin, gati dhjetë vjeç më të madh, që aso kohe ishte kryeinspektori i tatime taksave në pushtetin lokal, kur ai, në një bisedë të rastësishme, më pyet:

-Po, pse nuk martohe ti, o Luan? Tani, sikur, je në moshë, gati njëzetë e pesë vjeç. Ç’pret? Akoma do të rritesh?

-Ke të drejtë, Kiço, ia kthej unë, po ku të gjesh një vajzë të denjë për bashkëshorte.

-Vajza të mira e të denja për ty ka plotë. Jam i bindur, që, për këtë ato luten.

-Ato që luten për mua, unë si pëlqej, por ç’t’i bësh se, për atë që lutem unë, ajo, s’ma var fare.

-Po kush të pëlqen ty? Më thuaj mua, t’i flas, se me siguri ajo nuk sheh mirë nga sytë dhe nuk të njeh, siç të njohim ne, në familje, në lagje dhe në jetë. Kush është ajo, ma thuaj!

Ishte kjo pyetje, që kërkonte një përgjigje. Ç’t’i thosha? Unë po bëja shaka, se as që e kisha shtruar këtë, si problem për zgjidhje. Kisha ende detyrime e detyra të tjera, siç qenë provimet e formimit dhe marrja e diplomës në Fakultetin Ekonomik, arritja e normës mjeshtër sporti në “Ngritje Peshe”, marrja e patentës për drejtim mjeti, perfeksionimi i rolit të personazheve që luaja në teatrin amator të qytetit, ngritja e nivelit në mësim dhënie në Shkollën e Mesme Financiare të qytetit dhe kryerja sa më mirë e detyrës në punën shtetërore, që kisha.

Ishin këto meditime, kur shfaqet, aty befas, duke kaluar para nesh një vajzë e bukur …

 

-Mua, o Kiço, që mburre se zgjidh gjithçka si me magji, më pëlqen, pikërisht, ajo  zogëza, që po shkon aty para nesh, rrëze murit, si e trembur. I thua dot gjë, për mua?

Dhe vërtetë, Hanëme Banin, gjashtëmbëdhjetë vjeçare, sikur ta kishte porositur ndokush, po kthehej e vetmuar nga pazari, ku ishte te ëma, që shiste nallane, të prodhuara, në mënyrë artizanale Ajo, do shkonte për në shtëpinë e vet, aty pranë. Ishte e veshur me një fustan basme me kuadrate, që e ngushtonte dhe ia nxirrte më në pah shëndetin e moshës në rritje dhe gjoksin e buisur, që duket se e ndjente si mbipeshë të parakohshme, ndaj, në përpjekje për ta fshehur, ikte me kokën  të ulur e me kurrizin pak të dalë, me  hapa të shkurtra e të shpejta. Me atë fytyrën rrumbullake, me faqet e kuqe me gropëza, me ato flokët gështenjë të lidhura nga pas me një fjongo, në ngjyrën e fustanit, me ato sytë e mëdhenjtë e të ndritshëm dhe vetullat e pa ngacmuara, të plota e të zeza, dukej si një engjëll i bukur e i pafajshëm. Ishte vërtetë një engjëll i dërguar nga qielli, për të tërhequr vëmendjen time, në këtë mbas dite të zakonshme vjeshte, kur rrija për t’u çlodhur i shkujdesur e bëja një bisedë kote, me një komshiun tim të vjetër. Të duket vërtetë çudi, si nisi kjo ngjarje, kaq rastësisht dhe u bë jeta ime e gjatë dhe e vërtetë.

Kiçua, që filloi dhe ai ta kundronte bukuroshen, nisi të tregoj më shumë interes dhe më pyeti: 

-Po, e njeh ti atë? E di se kush është? Ia njeh familjen, babën, nënën.

-Si, ore, nuk e njoh. E kemi vajzë lagjeje. Dhe nis e i shpjegoj Kiços për ato që kërkoi.

-Nuk e ke keq. Paske sy të mprehtë dhe kërkesa superiore. Edhe mua më pëlqeu shumë, që në shikimin e parë. Çështë e rëndësishme ke rënë në një familje të mirë, se unë, për fat, ata i njoh nga afër. Kam marrëdhënie të hershme me ta, jo vetëm se i kemi në lagje, po janë taksa pagues, që lidhen me mua, nga që kanë një punë artizanale private, me të cilën merret e gjithë familja. Mos u bëj merak, kjo punë do përfundohet!

Kështu, si me shaka dhe fare kot, nisi një aventurë maratonomake, që zgjati gati dy vjet. Pati pengesa dhe ngatërresa të shumta, po, me sa duket, çështë nisur për t’u bërë, do bëhet. Prapë këtu, diçka e pa shpjegueshme, thuaj hyjnore, i kapërceu këto vështirësi dhe, më së fundi, u lidhëm përfundimisht.

Ja si e shprehja shqetësimin tim në ato kohë:

 

                                Natë dhe ditë.

Për orë dhe çast

Mendoj për ty,

Plotë shpresë dhe gaz.

 

Tri here u linde,

Po, perëndove,

Tri herë u ndeze,

Po, prapë u shove.

 

Kurrë, më së fundi

Do marrësh jetë,

O frutë i mundit,

Ti, jeta vetë?

 

Jepe pëlqimin,

nëse më do.

Shtoma gëzimin,

Mos më vono.

 

Ma dha Haxhiu,

Ma dha Murati,

E di Sazani dhe Ramadani

E di gjithë fshati.

 

Të gjithë thonë

“Mos u nxito,

kjo punë-mbaroi,

se, ti e do”.

 

Mbaron, mbaron

Po, pas sa dite?

Se, ditët mua

Më duken vite.

 

Jo, jo, nuk mundet

Më shumë të pres.

O fjala sot,

                                                          O, nesër vdes.

 

Më tej ishte një kënaqësi e pa fund, gjithnjë në rritje. Si të thuash, pa mëdyshje, ne formuam një çift me mirëkuptim të plotë. Kurrë nuk e lëshuam njeri tjetrin. Me kalimin e kohës, “jo vetëm që s’u sos mjalti, në këtë qyp të pa fund”, jo vetëm që nuk u venit dashuria, po, u shtua dhe u rrit nga dita në ditë, duke u bërë një dashuri e madhe ideale, për mua, e pa krahasuar me asnjë dashuri tjetër. Çka kam thënë e po them, le të merret si të dojë: Unë disponoj një masë të madhe dashurie. Secili nga shokët, miqtë, farefisi, të njohurit dhe fëmijët e mi kanë pjesë të vetën në këtë dashuri, por pjesa më e madhe i ka takuar, i takon dhe do ti takojë, sa të kem mënd, frymë e ndjenjë dashurie, Hanëmes time të shtrenjtë, kësaj përsosmërie të urtësisë, gatishmërisë, sakrificës dhe mirësjelljes njerëzore.



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx