Kulturë
Albert Zholi: Flet, gazetarja dhe shkrimtarja Albana Melyshi Lifschin
E diele, 20.06.2010, 07:38 PM
Flet, gazetarja dhe shkrimtarja Albana Melyshi Lifschin
Dajua im Pal Mëlushi u shpall “Hero i Popullit”, babai i tij tradhëtar
Ja si i dhurova me autograf librin për Kosovën Presidentit Bill Klinton
Gjyshin, Nikoll Mëlyshin, Ramiz Alia e ktheu mbrapsht në vitin 1989
Libri me poezi ”Dje preva flokët", më njohu me Ali Podrimjen
Nga Albert Zholi
Me Albanën jam njohur rastësisht nëpërmjet internetit. Aty ku njihen shumë shqiptarë të ndarë në anët e paanë të botës emigratore. Për mëse 3 vjet kemi dërguar krijimet e njeri-tjetrit dhe rasti e solli që në maj të këtij viti (2010), të takohemi në Tiranë. Në Tiranën e saj të dashur, ajo promovoi një nga librat e saj më të bukur poetik “Ka gjithmonë diku” . Një grua inteligjente, energjike, e respektueshme, që në bisedë të bënte për vete. Në 20 vjet demokraci ajo ka botuar rreth 11 libra, njëri më i bukur se tjetri. Në këtë intervistë ekskluzive ajo, tregon gjithë jetën e saj, për dajon, “Heroin e Popullit” Pal Melyshi, por edhe për gjyshin “Tradhëtar i atdheut”, babanë e Pal Melyshit. Një nga ditët e saj më të bukura ngelet takimi me Presidentin Bill Klinton, ku ajo i dhuroi me autograf librin e saj për Kosovën.
-Znj. Albana, kur dhe si mundët të hyni si gazetare në TVSH? Kush ishte përkrahës në këtë nismë dhe si u ndjetë atë moment kur morët emërimin?
Në televizion kam filluar punë në Maj të vitit 1977. Atë kohë televizioni shqiptar ishte i ri dhe kishte nevojë për gazetarë.Atëherë vendoste tjetërkush për emërimet tona, pra unë vetë s’kam bërë asnjë ‘mundim‘,apo as edhe përpjekjen më të vogël për të hyrë në televizion. Kisha mbaruar gazetarinë dhe vitet e para kisha punuar si redaktore tek “Zëri i Rinisë”. Në televizion fillimisht më dhanë të mbuloja rubrikën e rinisë. Më pas u emërova përgjegjëse e programeve të moshave shkollore, që nga parashkolloret deri tek rinia studentore. Nuk mbaj mend të kem provuar ndonjë ndjenjë të veçantë se fillova punën në TVSH. Shpejt e kuptova që ishte shumë më vështirë të punoje në televizion, se në gazetë. Në gazetë të mjaftonte vetëm një lapës. Në televizion hedhja e skenarit në letër ishte vetëm fillimi i punës. Zbatimi i tij ishte më i lodhshmi, xhirimet, montazhi, hedhja e
zërit mbi figurë, pra qe nje zinxhir i tërë hallkash për të cilat përgjigjej direkt redaktori.
-Cilat kanë qenë ditët tuaja më të vështira në TVSH?
Të gjitha ditët ishin të tensionuara nga stresi i dorëzimit në kohë te emisioneve për transmetim. Nuk mbaj mend ditë ekstremisht të vështira, me përjashtim të rastit kur u sëmura dhe mu vu jeta në balancë. Edhe pse duhej të shtrohesha në spital për operim, mu kërkua të lija emisione rezervë për transmetimin, siç na kërkohej kur shkonim me pushime. Një moment tjetër i vështirë për tu përballuar për mua si nënë e re, ishte kur ndërsa drejtoja emisionet në studio më vinte ora për t’i dhene gji fëmijës dhe s’mund të ngrihesha e të lija emisionin përgjysmë.Pas emisionit e bëja thuajse me vrap rrugën për në çerdhe e cila ishte pranë stacionit të trenit, dmth 25 minuta rrugë në këmbë nga godina e televizionit dhe kthehesha përsëri në punë.
-Cili ka qenë modeli juaj gjatë punës në këtë institucion?
Nuk kam pasur ndonjë model. Çdo redaktor mbante një rubrikë të caktuar dhe jepte aty maksimumin e aftesive të tij. Konsultimi bëhej me regjisorin apo regjisoren për realizimin e formës së programit televiziv. Kur e shihnim të nevojshme shkëmbenin mendimet me kolegë më me eksperiencë.
-Ju jeni mbesa e Pal Mëlyshit. A ka ndikuar kjo për ecjen dhe mbështetjen nga sistemi?
S’ishte e thënë që duhet të kishe patjetër një mbiemër të tingëllueshëm për t’u emëruar në televizion. Radio Televizioni atë kohë kishtë mbi 1000 e ca punonjës.. Në institucion kishte mjaft njerëz të thjeshtë, modest e të përkushtuar ndaj punës që bënin. Nëse një emër apo mbiemër, siç aludohet, influenconte në emërimin në një institucion të rëndësishëm siç ishte Televizioni shtetëror, ai emër nuk do të ishte në gjendje të të mbante në atë vend pune, po qe se ishe i /e paaftë apo bëje gabime. Televizioni ishte i ndjeshëm dhe gabimet në transmetim paguheshin shtrenjtë.. Shpresa Mysliu, e shoqja e Emin Mysliut, u pushua nga puna vetëm se i kishte shpëtuar një sekuencë filmi ku kishte dalë Mehmet Shehu. Sa herë zbuloheshin ‘grupe armiqsore’ na dilte punë të gjithëve, por veçanërisht arshiva e TV i nënshtrohej ‘qethjes’. Sekuencat e dokumentarëve ku kishin dalë portretet e tyre, madje edhe në filmat artistik zhdukeshin. Kjo porosi jepej edhe për fëmijët apo të afërmit e tyre, pra edhe ne të redaksisë së fëmijëve ishim të kujdesshëm që në ritransmetimet e programeve të mos na dilnin nipër e mbesa të të dënuarve nga PPSH.Gabimet në shtyp apo radio e televizion, siç thashë më lart, u kushtonin shtrenjtë redaktorëve. Mbaj mend, kur fillova tek “ Zëri i Rinise”, që në muajt e parë mora vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna vetëm se kisha dorëzuar për botim në gazetë një vjershë të Odhise Grillos, e cila qe keqinterpretuar nga lart. (Dhe isha vetëm 21 vjeç). Për atë vjershë autorin e hoqën nga Tirana. Pra nuk di se në ç’masë më “ka ndihmuar’ fakti se kam qenë mbesa e Pal Melyshit. Unë madje kur hyra në televizion, apo edhe më parë në gazetë, nuk mbaja mbiemrin Melyshi, siç i pëlqen ta lakojë ndonjë infantil/e politike, më shumë nga ligësia se nga padituria, duke dashur që të injektojë mendimin se e kam shfrytëzuar këtë mbiemër për privilegje. Dhe s’kam qenë kurrë anëtare e PPSH. Por për një gjë jam e sigurtë…
-Që?
..Që, duke qënë njëkohësisht edhe mbesa e të arratisurit Nikoll Melyshi, nuk më zihej besë plotësisht. Unë kisha mbrojtur anglishten atë kohë dhe ishin shumë pak si unë në institucion, (me përjashtim të atyre pak që kishin mbaruar gjuhët e huaja), por kurrë s’mu besua asnjë rrugë jashtë shtetit, si kolegëve te mi edhe pse isha shefe redaksie. Ndoshta se mund te arratisesha e shkoja tek im gjysh në Amerikë, apo tek daja i arratisur në Kanada. Kur na erdhi gjyshi, babai i Heroit pra, pas 45 vjetësh për të parë familjen, mua më hoqën nga përgjegjësia që kisha. Përse, për çfarë arsye? A thua nuk e dinin që Pali kishte babanë të arratisur? Për të janë shkruar libra e është bërë filmi (Operacioni Zjarri).Qe një biografi e hapur para gjithë kombit. PKSH e ndau në dysh politikisht familjen bajraktare të Melyshajve, siç kishte bërë me shumë familje të tjera me influencë, nëpërmjet, luftës së klasave, që mjerisht ndonjë emigrant/e kokëshkretë e ka marrë me bagazhet e veta nga Shqipëria e kërkon ta ngjallë atë edhe në diasporë, duke sjellë përçarje. Në Amerikë, gjithkush respektohet për meritat e tij private, e jo për merita të babës, gjyshit apo xhajës e hallës dhe as nuk i mohohen vlerat për shkak të tyre. Po u tregoj një detaj. Në ditët e fundit të presidences së tij, Bill Klintoni me të drejtën e tij të amnistisë, në mes të tjerëve liroi nga burgu edhe vëllanë e tij.
Meqë përmendët presidentin Klinton, kam lexuar diku që ju jeni takuar personalisht me presidentin amerikan. Madje kam parë edhe një fotografi tuajën me të. Si, në ç’rrethana ndodhi kjo?
- Ka ndodhur në takimin e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton për kontributin që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, Unë kam shkruar një libër”Children of Kosova-Stories of Horror” i karakterit dokumentar, që flet për genocidin sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës, në pranverën e vitit 1999. Ky libër, siç e kam përmendur edhe një herë, u vlerësua edhe nga Bordi i Edukimit Nju Jorkut, e u aprovua si libër rekomandues jashtëshkollor për studimet sociale. Libri atë mbrëmje qe vendosur në çdo tavolinë për secilin nga të 800 të ftuarit. Pra edhe në tavolinën ku qe ulur presidenti Klinton, përpara tij. Një nga shoqëruesit e tij mu afrua me librin në dorë e më kërkoi ta nënshkruaj me dedikim për presidentin . Pas kësaj më thirrën të qëndroj disa minuta ulur pranë tij. Biseda qe e thjeshtë dhe e shkurtër. I tregova presidentit që kisha në dorë një libër për historinë e Amerikës.(Libri”Udhëtim në Historinë Amerikane”, është botuar po atë vit, 2003, dhe u ribotua edhe tre vjet më vonë, meqë kishte kërkesa për të.) Pikërisht nga ai moment i paharruar kam kujtim fotografinë që keni parë edhe ju.
- Ju, njëkohësisht ju keni pasur gjyshin, Nikoll Mëlyshin (babanë e Palit), të shpallur tradhëtar. Në çfarë rrethanash jeni njohur me të?
Gjyshin e kam takuar për herë të parë në jetën time në fund të dhjetorit të vitit 1989, kur erdhi papritur në Shqipëri. Kur ai u arratis në 1945, unë s’isha lindur ende. (As kur u vra Pali në prill 1950, nuk isha lindur). Për rrethanat si e kam takuar gjyshin, kam shkruar në tregimin e jetuar ‘Shamia e zezë” . Këtë tregim e kam përfshirë në librin “Takim me të papriturën” por edhe tek libri“Magjia e një zëri”. Eshtë një tregim që kolegët më këshillojnë ta kthej në roman. Aty është e gjithë e vërteta, pa hequr asnjë presje. Pas ardhjes(së ndaluar) në familjen e tij, gjyshin e përzunë. E përzuri Sigurimi i Shtetit, si person i padëshëruar edhe pse ishte baba heroi. Tek ne, në familje, ra tërmet, por edhe në qeveri besoj, derisa babai i një Heroi të Popullit, u përzu publikisht. Qeveria e Ramiz Alisë duhej të kishte një arsye të fortë që ta bënte këtë. Nikoll Melyshi, edhe pse 92 vjeç, kishte një kujtesë fenomenale. Ato pak ditë që qëndroi tek ne, tregonte ngjarje të 50 vjetëve të shkuara, tregonte për kullën që e gjeti të djegur kur u kthye nga lufta, nga shokët e tij partizanë, familjen e tërë të internuar,(internimi i familjes, dmth gruas e fëmijëve të tij vazhdoi 12 vjet, deri ne 1957); tregonte për shokët e tij të karrierës ushtarake, ish oficerë të Zogut, të arrestuar pabesisht me kthimin e tyre nga lufta, për paralajmërimin që i bënë miqtë për tu arratisur nga atdheu se qe në listën e arrestimeve. Ç’kishte bërë vallë im gjysh? Kishte shkuar partizan në luftën për çlirim si mijra e mijra patriotë, veç ua kishte bërë të qartë që në fillim: “Bashkohem me ju, por yllin e kuq nuk e ve dhe dorën grusht nuk e bëj, se këto s’janë shenja të shqiptarisë”. Ia pranuan kushtet, por s’ja harruan. Njerëz të tillë që mendohej se do t’i hapnin telashe PKSh, ajo i likujdoi. Kujtoni parashikimin e Sejfulla Malëshovës, kur thoshte se “kjo parti do të kthehet në parti terroriste”. A nuk i doli parashikimi? A nuk e vranë edhe Palin, po ata?(këtë fakt ia ka pohuar Nexhmie Hoxha nënës sime, pas”vetëvrasjes” së Mehmet Shehut, të cilit ia la fajin. Kjo është e botuar në media.
Në 1992, kur erdha në Nju Jork, gjeta libra të karakterit dokumentar të shkruara nga im gjysh kundër qeverisë së Tiranës dhe në to renditeshin emra njerëzish , viktima të vrarë pa gjyq në krahinën e Mirditës nga qeveria e Enver Hoxhës. Në mes tyre edhe 8 vetë nga familja bajraktare e Melyshajve,vëllezër, kushërinj e nipër të gjyshit. Një vëlla të gjyshit e vranë në terrorin që u bë në Mirditë pas vrasjes së Bardhok Bibës,( gusht 1949). E pushkatuan dhe e hodhën në një gropë me të tjerë të pafajshëm. Ai lëshoi zë që nga gropa: “Më bini prapë bre burra, se hala s'kam vdekë!”.
-A ka ardhur gjyshi apo ka kërkuar riatdhesim dhe si është pritur nga autoritet e sistemit komunist? Ndonjë detaj nga jeta e tij.
Në 1989, gjyshi na dërgoi këtë telegram nga Nju Jorku:” Mbusha 90 vjeç, a mund të vij të vdes në vendin tim?” Kjo qe kërkesa e tij e parë dhe e fundit që i bëri sistemit komunist. Me këtë telegram në dorë, nëna ime trokiti deri tek instancat më të larta të qeverisë. Përgjigja qe e prerë: Jo! Madje ministri i brendshëm i asaj kohe, iu përgjigj: “ E ç’u duhet ai copë plak? Lëreni të vdesë aty ku është, si qen!” Mendoni se në çgjendje u ndodh familja pas kësaj përgjigje. Shpresa për ta parë babanë për së gjalli humbi. Por burri plak, krenar, ish bajraktari i Kthellës, nuk u dha. Ai erdhi pa lejen e qeverisë shqiptare. Atë mbrëmje dhjetori ra një zile telefoni nga aeroporti i Rinasit:”U ka ardhur babai nga Amerika dhe po pret të vini ta merrni”. Nënës time i ra të fikët nga e papritura. Gjyshi ndënji fare pak ditë me ne, se në shtëpi plasi sigurimi i shtetit. Nga lart ishte dhënë urdhër që plaku të kthehej nga kish ardhur. Dhe plaku u kthye. Ulur në karriken e ulokut, u përcoll nga im vëlla deri tek shkallët e avionit. Atëhere aeroporti i Rinasit nuk ishte siç është sot, hyje deri në pistë. Pas kësaj im vëlla përgjohej nga sigurimi i shtetit.
-Përse dhe kur u largua Albana për në Amerikë?
Pasi qeveria e Ramis Alisë e refuzoi qëndrimin e babait të Palit në Shqipëri, dhe e përzuri, ne ishim në merak për të. Një plaku 92 vjeçar, të ndarë nga familja për 45 vjet, për bindjet e tij politike i u mohua një copë varr në atdhe- është një histori me përmasa legjende. Dy vjet pas përzënies së tij, ne mësuam që Baba (kështu e thërrisnim) ishte sëmurë me kancer në pankreas. Atë burrë stoik e mundi hidhërimi. Në nëntor 1992, u hap konsullata amerikane në Tiranë. Unë intervistova konsullen e parë amerikane Barbara Cummings, për kriteret e dhënies së vizave për qytetarët shqiptarë Nga Amerika prej miqve të gjyshit më kishte ardhur një ftesë me qëllim për të parë gjyshin e sëmurë.. Isha e vetmja përfaqsuese e familjes që jetova pranë tij në ditët e fundit dhe e përcolla në banesën e përtejme. Me që është rasti këtu, desha të them, që një pyetje e tillë,”Si ndodhi që shkuat në Amerikë?” mu bë edhe në promovimin e librit tim më të ri ’Ka gjithmonë diku”. Përgjigja ishte po kjo, që po u jap juve. Merreni me mend habinë time kur pas dy ditësh, në gazetën Panorama, kur unë prisja të gjeja diçka për promovimin e librit, kishte dalë me germa të mëdha mbi një foto timen me “ekran të gjerë” titulli: Mbesa e Pal Melyshit: Pse u arratisa nga Shqiperia? Pra, në gojën time qe vënë një titull sensacional i gënjeshtër, fals, fjalë që unë nuk i kisha thënë.
Kohët e fundit , u promovua libri juaj me poezi"Ka gjithmonë diku”, përgatitur nga Ali Podrimja. Si u njohët me të dhe pse Podrimja?
Ali Podrimjen personalisht e kam njohur në Maj të këtij viti, pas botimit të librit , ndërsa mesazhin e parë elektronik e kam marrë prej tij në gusht të vitit të kaluar. Poeti i madh më shkruante se kishte lexuar librin tim me poezi ”Dje preva flokët". E kishte lexuar dy herë dhe përveç poezisë titullin e të cilës mban libri, i kishin pëlqyer shumë poezitë e shkurtra, eliptike. Por mesazhi nuk mbetej në kufijtë e një komplimenti, siç ndodh zakonisht, por sugjeronte: Zonjë, ndiqni rrugën e poezisë eliptike. E bëni këtë për hir të poezisë tuaj dhe letrave shqipe”
Ishte një porosi nga një Poet i madh për një krijuese që ai s’e kishte parë kurrë, e ndoshta s’kish dëgjuar më parë për të. Ky udhëzim bujar ngjalli tek unë ndjenjën e nje respekti të veçantë për Ali Podrimjen. Deri atë kohë kisha marrë komplimenta e urime nga lexues e kolegë, nga poetë të njohur e të respektuar, por askush deri atë kohë s’ishte prononcuar në një mesazh privat në emër të letrave shqipe, duke ngacmuar ndjenjën e madhe të përgjegjsise morale që duhet të kemi kur vemë penën në letër.
Unë ndoqa porosinë e tij, pra vazhdova të shkruaj kryesisht poezinë e shkurtër qe unë vetë ndjeja më pranë vetes. Ciklet e reja të poezive ia dërgova edhe Ali Podrimjes..
Në letrën e 26 janarit, 2010, Z. Podrimja, më shkruante
“Pata fat ndoshta që i pari i lexova poezitë tuaja të fundit. Keni arritur një shkallë të lartë të eliptizmit dhe kjo më gëzon. Do të jeni poetesha e parë që lexuesit shqiptar do t'i ofroni një libër me poezi kryesisht eliptike, që është më së vështiri të shkruhet”
Në një mesazh më pas, më shkruante që t’i mblidhja poezitë e t’ja dërgoja atij , para botimit të librit. Dhe kështu ndodhi që unë pata nderin që poeti ynë kombëtar Ali Podrimja të përgatiste për botim vëllimin tim poetik “Ka gjithmonë diku”. Ai bëri përzgjedhjen e poezive, ai organizoi librin në cikle, u kujdes madje edhe për kopertinën për të ruajtur integritetin e formës me përmbajtjen si edhe shkroi edhe parathënien. Ishte një nder e privilegj për mua. Por unë nuk jam e vetmja që kam tërhequr vëmendjen e këtij njeriu fisnik. Në përfundim të librit, në përgjigje të mesazhit tim të mirënjohjes, dt. 30 Mars më shkruante: “Unë bëra për Juve atë që kam bërë edhe për shumë krijuese të tjera shqiptare, sepse kam dëshiruar që femra jonë te triumfojë edhe në arenën ndërkombëtare" . Do të dëshiroja të citoja këtu studiuesin Bashkim Kuçuku kur thotë:"Ali Podrimja, nuk jeton vetëm me poezinë e tij, por me krejt poezinë shqipe”.
-Disa pyetje edhe më private nëse nuk keni kundërshtim:
Së pari, mbiemri juaj Lifschin, sugjeron që jeni martuar me një të huaj, amerikan. Kur ka ndodhur kjo, dhe çka qenë për ty martesa me një amerikan. Sa ka ndikuar ajo në krijimtarinë tuaj. Gjithashtu, pse e mbani ende edhe mbiemrin Melyshi edhe pas martesës.
Jam martuar 14 vjet më parë. Martesa më ka ndihmuar në integrimin tim më të shpejtë në shoqërinë amerikane dhe ka zgjeruar tematikën e krijimtarisë time. Këtë lexuesi e ka parë në librat e mi. Mund të kisha mbajtur vetëm mbiemrin e burrit,(Lifschin) siç ndodh në çdo martesë, por unë jam e mbetem shqiptare, e këtë nuk kisha për ta” fshehur “ kurrë, nën një mbiemër të huaj. Edhe në pasaportën amerikane i kam të dy mbiemrat bashkë dhe im shoq e respekton këtë fakt.
-Mendimi juaj për politikën e sotme shqiptare?
-Më pak fjalë, më pak grindje dhe më shumë zgjidhje problemesh për popullin.Më shumë patriotizëm.
-Kush të mungon më shumë në Amerikë, atdheu apo gazetaria?
- Atdheu, natyrisht. Eshtë e vërtetuar historikisht që gjeneratës së parë që emigron i mbetet koka pas në vendin ku ka lindur..
-Mendimi juaj për bashkëjetesën?
Njeriut i bie të marrë vendime të rëndësishme në jete, siç është martesa, atëhere kur është i ri e ndoshta i papjekur sa duhet. Mbase tingëlloj ca si liberale, por për mendimin tim, të rinjtë më mire të jetojnë bashkë për ca kohë e të fitojnë atë njohje të domosdoshme për jetën, të cilën nuk ua japin takimet e dashurisë para se të vendosin për martesë, se sa të nxitohen për t’u martuar, të bëhen me fëmijë e pastaj të divorcohen brenda një kohë të shkurtër, me konseguenca për jetën e tyre dhe të fëmijëve.
-Çfarë vlerësoni zakonisht tek njerëzit?
Sinqeritetin.
-Femra shqiptare a e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?
Mendoj që ky është një proces në progres.
-Një ditë e zakonshme për Albanën?
Kam ditë shumë të ngarkuar. Mëngjezeve pi kafen me tim shoq, e pastaj më rrëmben rutina e lodhshme e shpesh them se nuk më mjaftojnë 24 orë. Sikur krijimtaria të matej me kohen, nuk do ta kisha patur këtë privilegj.. Por falë Zotit, frymëzimi lind papritur, në çdo moment, në punë, në rrugë, në gjumë, pra nuk njeh kohë.
-Ushqimet e preferuara?
- Nuk kam preferenca.
Botime të autores:
“ Kafe Shkodra e Nju Jorkut” 1999
“Antologji me vargje të rinisë në mërgim” 1999
“Children of Kosova- Stories of Horror” 1999/anglisht dhe shqip.
“ Fundjave në Hillsajd” , tregim dhe novela, 2000
“ Poezi” me pseudonimin Blerta Tirana, 2000
“Udhëtim në Historinë e Amerikës”, 2003/ ribotim 2006
“Takim me të papriturën”, tregime, 2006
“ Yesterday I cut my hair” poezi, anglisht –shqip, 2007
“ Ura mbi Oqean” , tregime, 2008
“ Magjia e një zëri”, tregime, 2008
“Ka gjithmonë diku” poezi, 2010