E marte, 06.05.2025, 08:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Irena Gjoni: Tatuazh në shpirt të detit (Cikël poetik)

E shtune, 19.06.2010, 06:19 PM


IRENA GJONI  

SARANDË, SHQIPËRI

 

Irena Gjoni ka kryer Studimet Universitare për degën gjuhë – letërsi. Në vitin 2007 ka përfunduar Studimet Pasuniversitare dhe ka fituar gradën “Master” për letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Ka punuar si gazetare në median e shkruar kombëtare dhe lokale, në Radio “Gjirokastra”, në radio dhe televizion lokal të Sarandës. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë, mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini” Sarandë si dhe gazetare në mediat lokale. Është nënkryetare e “Klubit të krijuesve Jonian”, si dhe redaktore e revistës “Arti  Jonik”, anëtare e Këshillit Artistik të Bashkisë Sarandë.         

            Që prej viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm. Në vitin 2003 ka botuar librin me poezi “Tatuazh në shpirt të detit”. Në 2008  boton librin studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të  Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (material me të cilin ka fituar Gradën “Master”)., si dhe vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish”. (2010)

 

 

Irena Gjoni

 

Tatuazh në shpirt të detit

 

 

NJËZET E KATËR

 

Unë i dua thellësitë e mia jonike

dhe majat e maleve të tu

Ajo që s’është e thellë

e nuk kap majat te retë,

s’ka hyrë kurrë në shpirt

e s’ka rrëshqitur mbi lëkurë...

 

 

SHTOI ZOT VALLET

 

Shtojzovallet kishin epoka pa bërë vizitë

Në botën dhe jetën e njerëzve

Kurioziteti shtojzovall nisi rrugën

me fustane të bardhë antike

që ngatërronin epokat, gojëdhënat

 

... ... ...

... ... ...

... ... ...

 

Hapën sytë në frymëmarrjen e zgjuar te njëra-tjetrës

Sikur shumë bukuri,

të kishin një mendje

Kujtonin rrugën nëpër ngatërrim epokash, gojëdhënash

Takim me një shpirt të vrarë

Në momentin ku i lihej i pazhdukshëm,

Një tatuazh zhgënjimi

Dhe nga dhimbja klithte me tërbim sakati

 

Shtojzovallet e dhimsura,

Kaq panë në botën e njerëzve

Në një vizitë,

Shumë më te shkurtër se rruga

 

Gjithçka u dukej makth ëndrre, makth drite

trupëzuar tek një flokëverdhë si shtojzovallet

Ulur në hijen e zonjave të shtëpisë

Duke thurur gërsheta tatuazhesh zhgënjimi

Të tepruara nga një natë më parë

Në pritje të “MIRËMËNGJESIT” të shtojzovalleve

 

Duke u ngjasuar me veten,

Me frymë i lanë trupin,

Me qerpikët e gjatë i krehën flokët,

Zërat dhe dritat ia qepën mantel,

Duke e bërë simotrën e tyre

 

Nën ritmin shtojzovall:

“SHTOI ZOT VALLET”

Shtojzovallja e re kërcente

Duke argëtuar dhe tatuazhin e zhgënjimit...

 

 

NE VEND TE PROLOGUT

 

Këtu

jam një dilemë e rrënjosur në përjetësi;

ëndërrim flakërues që turfullon si kalë i harbuar;

melankoli e muzgut;

demon i zbutur e hiç në krijim fytyrash;

prekje e realitetit me shqisat e të verbërit;

një psherëtimë galaktike;

një jehonë e saj në shpellat primitive;

dashuri e mallkuar në mëkate epshi;

perlë princesash e nimfë e pavdekshme;

mallkim i vendosur në altar martese;

mjegull e djegur në hapësirë të plakur;

tradhëti shkretëtire në oaze makthesh;

engjëll misteresh i dalë prej ferrmendjeve;

një lot shumëngjyrësh i theksuar nga koha;

imazh i rilindur prej hirit që predikon;

tatuazh në shpirt të detit.

 

Këtu

jam vetvetja

në pretendim

që të ngelem vetvetja në çdo kohë…

 

 

DASHURI BUZË GREMINE

 

Bëmë dashuri buzë një gremine

Në mollëzat e gishtave të tu,

një cermë hëne të prek

 

Me ty ëngjëll jam dashuruar unë,

Me ty nata e greminës,

Me ty hëna e njohur si hajdute zemrash

 

S’di kujt t’ia prishësh

 

Gremina të josh me fundin e mistershëm

Gëlltit një copë gremine

Hëna të josh me cermën e saj

Gëlltit një copë hënë

Thua se unë të josh me sekretet e pathëna

Gëlltit një sekret timin

 

Mua më duhet të të shpëtoj

prej vetes sime, greminës dhe hënës

Duke të futur në një akuarium shpirti

të padepërtueshëm prej shumë palë sysh njëherësh

 

se dashuria ha koka...

 

 

PËRNDRITJE  (F)LOÇKE

 

Trishtimi endet

në perëndimin e diellit.

Muzgu ngrihet nga thellësitë,

duke mbajtur në sup

arkivolin e heshtjes.

 

Dalëngadalë

erresira nis rëndon mbi ajrin

 

Trupi i (F)loçkës ershëm farfurin

duke përndritur natën

 

Eshtë ora e saj...

 

 

PUTHJE

 

Një çast puthjeje-

një mrekulli bote

 

Strukur

si princesha e perlave

Brenda guackës

së shpirtit të muzgut

 

Një çast puthjeje-

një mrekulli bote...

 

 

PENG NË VARREZA

 

Në mbërritje tek çdo qytetërim,

Pyes ku janë varrezat

 

Marr rrugën e dritës së lagësht

duke i ruajtur sytë prej ftohjes

për të mos humbur spektaklin

e dhënë enkas për mua

 

Një trompë e ngjirur-

gërrisje e portës së varrezave

e lodhur nga përsëritjet shekullore,

uron mirëseardhjen time

 

Parada e qiparizave të ngatërruar në moshë,

bën përzgjedhjen e mysafirëve

të hyrë nëpërmjet portës së tyre

 

Portë qiparizash,

e hapur kanatash për kukuvajkat,

E mbyllur përjetësisht për diellin

Këmbëngulës përtej portës

ku përditë, gjatë gjithë ditës,

ka perëndime varrezash

dhe muzgje varrezash

 

Hapat e nemitur,

përshkojnë relievët e bardhë të varreve

Atelie të ekspozitës së fotografive të të vdekurve

Aty - këtu fatsjellësit e së gjallës,

që jetojnë ende

si relike të qytetërimeve të vdekura

Ndoshta fatsjellës dhe për flirte,

dashuri skeletesh

Gjithçka në kthetrat

e konglomerateve të vajeve

... ... ... ...

Koha po gërryen

Duke më lënë peng të saj në varreza

Në këtë rudiment

të botës së zhurmshme të së gjallës...

 

 

TATUAZH NË LEKURËN E DITËVE

 

Në lëkurën e ditëve

me majën e stërkalave të detit

të djegur nga malli për ty,

Le në tatuazh fytyrën time

 

Që t’i ngjaj origjinalit,

i derdh flokëve

parfum mimozash të verdha

të mbira, të bleruara e të lulëzuara

në rrugën e detit

përshkuar me hapa të kaltër

ku çdo hapkaltër i penduar,

kthehej mbrapsh

 

Duke u shndërruar në një saksi mimoze

që për t’u bërë parfumi

më epshndjellës në botë,

thithte me zemër

esencën e jodit, kripës

kaltërsisë dhe hapësirës

 

...Ndaj tatuazhi në lëkurën e ditëve

më ngjan tmerrësisht mua...

 

 

ZOT NA RUAJ

 

Makthet e përditshëm

Ëngjëllorë në absurdin e tyre

Maktherozionëngjëllor

 

Çuditshëm si një gjarpër i dehur

lëpin dhe përpin

plagët e lëna përditshëm nga vuajtjet,

nga pasiguria amorfe,

që bëhet më hermetike në dëshifrim

nga format kameleon që shfaq.

 

Nga iluzionet e djegura

prej vet iluzioneve

Nga gjaku që pikon mbi të ardhmen

pa e ditur ku e ka burimin,

pa e ditur në e ushqen për ringjallje,

apo për inekzistencë...?

 

Zot na ruaj!

 

 

NATË ALI PASHE

 

" Sonte gjumë s’ka Janina

Val’ e gjolit diçka thotë

Ujë të ëmbël pi Frosina

Ali Pasha helm dhe lotë..."

(Populli)

 

...ma pëshpërit si ledhatim mes flokësh

...më puth ëndërrisht

...ma pëshpërit përsëri

për të më arratisur gjumin

 

Ëmbël ma nis ogurin e vrasjes

në këtë natë sterrë përballë Posejdonit

Ku heshtjen e sipërfaqshme

e shprish angullima e qenit

dhe oshëtima e valëve…

 

Heshto ti qen që angullin për kob!

Heshto!

Heshto det, heshto dhe ti!

Dëgjohet klithma e heshtur e vrasjes sime!

 

Njeriu që po më vret

më përqafon fort, përkëdhelshëm,

dhimbshëm, dashurisht, përmallshëm

në krahët e tij.

Vazhdon të më puthë

O Perëndi, më ëmbël se vetë Erosi

 

Je ti Ali Pash modern,

endur labirintheve

te kujtesave të kohëve

që përzgjedh për të më vrarë

pikërisht me dashuri

 

Je ti

projektuesi i imaxheve

të zhgjëndërrta të së ardhmes

që me vret

duke më lënë gjallë…

 

 

RRUGËTIM

 

... së pari fillohet nga shpirti...

Pastaj nga lëkura, nga...

krejt ngadalë, si nëpër mjegull...

Butë dhe ëndërrisht...

rruga për në qendër të botës

kalon nga era...

 

 

RECETË PËR SHËRIMIN E TRURIT

 

Truri i dhimbte tmerrësisht

Mikrobi i mendimit të burgosur

nga prangat e syve të tij,

mori vetëm një hallkë,

si relike të një kohe

e avancoi thellë e më thellë

 

Në rrebelim dhimbjeje truri,

iu servir një recetë:

 

Në mëngjes - një ditë e pirë pa ujë

Në paradreke - dy lugë Luvër

Në drekë - tri rreze hëne

Në pasdreke - nje gotë famë

(Kujdes!

Gotëza duhet të jetë e sterilizuar,

në temperaturë të shekullit të 22-të

se fama hyn në reaksion asnjanësimi

edhe me një kokrrizë mikroskopike xhelozie)

Në paradarkë - gjysmë kokrre lumturi

(Edhe me këte duhet kujdesuar si për famën)

Në darkë - një sy trupash të shkuar në parajsë

Në pasdarkë - dy copëza dashuri

E në mesnatë - tri rreze dielli

 

Me dhimbjen e trurit dhe recetën në dorë,

(kurë e konsideruar 100% shëronjëse)

Labirintheve endshem gjithë farmacive te botës

Që nga koha kur majmunit i dha lamtumirën

e deri më sot

 

Kurrë s’i bëri dot të gjitha bashkë

Ndoshta dhimbja e tmerrshme e trurit,

ka për të pushuar kur të rinisë sërisht

ish - bashkëjetesën me majmunin

e mikrobi i mendimit ka për të vdekur...

 

 

LARGËSI DRITE

 

Në kalanë trikohëshe bie dëborë

Mbi syprinën e detit jonik bie shi

Në shpirt e në zemër ndizen zjarre

dhe ëmbël shërbehet ëmbëlsi

 

 

BIONDIA E DETIT

 

Biondia e Detit

Përmbysi Detin

Iku e larë mëkatesh

(Pa të fundit)

 

E shndërruar në një ujëvarë bionde

Që binte mbi përndritjen e një qiriri,

Strehim gjeti tek shtëpia e Muzave

Si për të qenë më afër zemrës së qiellit

Prej nga priste një kartolinë

me urim mbretërish ciganë

 

Që nëpër rrugë vetëtimash,

do t’i shtynin

Duke u pëshpëritur me zë sirenash

në tundim për mbërritje të shpejtë

 

“Unë një cigan

imagjinoni në sa i mirë do të shndërrohem

Kur të njelmtësohem në flokët e ujëvarës bionde

Ikni, ikni në vrapime të çmendura

ju urime mbretërish ciganë”

 

Por gjarpërinjtë e zjarrtë të vetëtimave

kafshonin kokët, bishtat e njëri-tjetrit

duke lënë rrugë në mes

a duke krijuar udhëkryqe

 

Dhe urimet e mbretërve ciganë

ende s’kanë mbërritur tek

Biondia e Detit                      

 

 

... JETONIN NË TË NJËJTËN TJETËRBOTË...

 

Erëligat e orëligat po e ndëshkonin

shkulshëmflokësh

shkulshëmrrënjshëm

shkulshëmzemrash

përpiqeshin t’ia merrnin

 

Tërbimi frenetik ish’ pa fre

Pse e deshti

sa nuk e kishte dasht’

kush tjetër në këtë jetë

e nuk kishte për ta dasht’

as në përtejjetë.

 

Shpirti vajtueshem kolovitet

nga parajsa në ferr

Stiksi ishte kufiri i fatit

Fati ishte AI

Ajo ishte e destinuar

të jetonte brenda fatit

Ajo jetonte brenda tij.

 

Ajo po e ndërtonte veten brenda tij

Ndanin të njëjtin pulsion zemre

Një frymëmarrje u mjaftonte të dyve

Hanin të njëjtin ushqim amëshimi

Tirrnin të njëjtën fije drite

Ternin të njëjtin tingull ajri

 

Vetëm në një lot ngrinin uragane

Tek një flokëz dëbore

ndërtonin themele lumturie

Deheshin në ekstazë

nga e njëjta aromë manushaqeje

 

Udhëhiqeshin nga të njëjtat muza

Tek i njëjti shikim shpërthenin

e shuanin vullkane brenda një sekonde

Shihnin të njjjtën ëndërr apokaliptike

 

... Jetonin në të njëjtën tjetërbotë...

 

 

DASHURIA SI ZJARRET E CIGANËVE

 

Hënëzoj ditët që u mungon hëna

Dielloj netët që u mungon dielli

Sa herë shoh sytë e tu prej përralle

 

Thith helmin e ditëve

Vjell gëzimin e netëve

Kur më arratisen prej shikimit

sytë e tu prej përralle cigan

 

Në zemër, në tru, në shpirtin tim,

ndeze një dashuri të çmendur

si zjarret e fisit tënd

 

Një dashuri - zjarr ciganësh

që s’dihet sa do të zgjasë

që s’dihet:

në do të shndërrohet i gjithi në hi,

në do të ngelen ende urë të shuara përdhunshëm,

në do të merren prej tij

disa thëngjij për të ndezur një zjarr të ri

(të paktën për të krijuar egzistencën e dikurshme

të një zjarri të lashtë

si qiri i ndezur mbi kufomat e së shkuarës)

 

... që s’dihet...

 

Ah, kjo dashuri si zjarret e ciganëve...

 

 

KOHË TEK SHTYLLAT E HERAKLIUT

 

Më në fund...

Më në fund mbërrita

tek Shtyllat e Herakliut

 

Gdhendur në njërën

(Ndoshta prej parambërritit tim

A ndoshta prej mbërritit të parë

pas Herakliut)

deri në shpirt te shkëmbit

gati në thërrmim gjeta fjalët:

“KOHA SHËRON GJITHÇKA,

PAÇKA SE ME VONESË”

 

Në hutimin tim,

në të pabesë më puthi

Perëndia e Diellit

 

Unë riktheva të puthurën

po në të pabesë

Në gdhendje tek shtylla tjetër:

PO NËSE S’KE MË KOHË,

MOS NDOSHTA ME PLAGË TË PASHËRUARA

TË DUHET TË VDESËSH?”

 

Më në fund...

Më në fund mbërrita

Tek Shtyllat e Herakliut

Para më pak se të më dilte gjumi...

 

 

DEDIKIM MUA

 

E mora zemrën në njërën dorë

Dhe me dorën tjetër në zemër,

U nisa…

 

Trokita në një derë lyer me bojë të artë

Prita.

Dhe drynin me ndryshk,

vetëm atëherë e pashë

Atëherë kur qe bërë natë

(Mallkuar sytë e mi

që dinin të shihnin veç natën)

 

E mora dorën ngarkuar

me sytë e mallkuar

dhe e futa në xhep

(Në një xhep të verbër

që ish ‘pagëzuar nga soji i banorëve të tij)

 

U ktheva…

 

Veten s’e gjeta atje ku e lashë

Gjeta vetëm qenin besnik

që ruante shtëpinë e braktisur

 

Atëherë u ula të qaja

për vete, për zemrën e ikur,

shtëpinë e braktisur,

për sytë e vjedhur nga xhepi

dhe atë tatuazhin e vajzës,

vdekur në asfaltin e thatë

që s’kishte kush ta lante më me lotë

 

U ula të qaja dhe qesha

Kisha harruar se të qash pa sy

dhe me zemër të lënë diku,

Është e pamundur

 

U ngrita i verbuar dhe eca drejt vetes

Truri më tha t’i thosha vetes i bindur

se kisha vdekur më në fund…

 

* * *

Ëndrra thonë që është e shkurtër,

por ajo që le pas, është e gjatë

Më e gjatë se gjatësia e jetës së fundme

Dhe pak më e shkurtër

se gjatësia e jetës së përjetshme

 

 

...JO ME LOTË NË SY, POR...

 

...me sytë në lotë

Në një akuarium grushtash,

Eci rrugëve të verbëra të detit

Për të gjetur ty shpirt

 

Egziston,

a je imazh iluzionesh vallë... ? !

 

 

AUTOPORTRET

 

Ngjitur shtyllave të rrugëve

 

- Si në kohët e lashta,

lajmërimet e vdekjeve, - pëshpëris

 

(Ej, bukuroshe, kjo erë vjeshte

ta zhbën nocionin kohë?)

 

Fletës së letrës,

në këmbë i ka ngelur vetëm një gisht,

i mjafton balerinës virtuoze

të bëjë vallzimin e vdekjes

nën ritmin e erës

 

Fryma po i del çikë e nga një çikë

 

Ekspozitë...fotografike

Modele...- Biondia...e...Detit

Fo...to...graf...-me...ndjet... ...e... ...

              a...dh...u...r...u...e...s...v...e...

                  ...t...ë... ...s...a...j...

 

Shpirti i fluturoi

rrathëve të ferrit - rrugicave vjeshtake

Per t’u bastarduar

Nënkëmbëve të kushedi kujt

Fotograf - Mendjet e adhuruesve të saj

 

E fiksuar fotografive nga mendjet

Në çastet më fatlume a fatkeqe

sjellë adhuruesve të saj

 

Një vetull perfekte në ironi të dashurisë

e vjedhur një fije floku e verdhë,

e mbajtur fatsjellës,

një arkivol sysh - guackë perle kënaqësi,

një buzëqeshje vrasëse pa pagesë,

buzë të kopjuara me karbon të kuq buzësh

për t’u risjellë pranë netëve ogurzeza,

një gjoks ngacmues, përtej dekoldeve

                                    dhe bluzave të ngushta,

mantel të kuq gëzofësh - mburojë shigjetash,

një lot i zi,

përzier me helmin e dhimbjes e rimelit,

duar të sikletshme, përherë në mbajtje të shanceve,

ëndrra të mëdhaja,

pa ditur ditën e lindjes e vdekjes,

mendje në lojëra fantazie,

hipnotizuese për të tjerë

 

E gjitha e ndarë,

në një labirinth mendjesh,

E ngelur në të njëjtin vend,

E ngelur në të njëjtën moshë,

E gjendur në të njëjtën bukuri Beatriçase

 

Ekspozitë e parë me shpirt të rrënuar,

E paçuar gjer në fund,

E trembur nga bukuria e dikurshme,

Nga adhuruesit e shumtë gati mitikë,

Nga ëndrrat të ëndërruara dikur fatlume

 

Me shëmtimin krijuar prej zhgënjimit,

Me çmendurinë prapë pinjoll të zhgënjimit,

Eci rrugëve duke mbledhur gjethet e vjeshtës,

Me përfytyrime - fotografitë e mendjeve të adhuruesve

Pa i parë

Vetëm duke iu trembur

Bastardimit nga nënkëmbët

                         E kushedi kujt...

 

 

ARUSH NË FUNDFERR

 

Malli më la me dhimbje

Dhimbja më la pa zemër

Egërsia zuri vend në poltron të saj

 

Nëntë muaj kalova

nëpër nëntë rrathët e ferrit

 

Në fund m’u shfaq një arush

me dy zemra në putrat e tij

Midis tyre kishte ende vend

të më merrte dhe mua

 

E ndjerë mirë,

has një manjak çmimesh:

-Sa të ka kushtuar ky arush?

 

-Nëntë muaj trishtim

Një shëtitje përgjatë ferrit

Kaq më ka kushtuar ky arush

 

Shtrenjtë apo jo?...

 

 

IDIL

 

Më mungon...

duke të pasur në shtrat

në një përqafim hyjnor;

Ku hapësirat përflaken

duke i shkrirë kufijtë;

Ku kohërat digjen

duke humbur nocionet;

Ku ajri prushohet

nga afshi i puthjeve

 

Kam mall...

edhe pse jam duke ndier

prekjen e çdo poreje të trupit tënd,

lëvizshmërinë e çdo fijeje floku,

drithërimën e çdo fijeze shpirti

 

Kam frikë...

se bëj zhurmë me frymëmarrjen time

Heshtoj të rrahurat e zemres

të dëgjoj të rrahurat e zemrës tënde

 

Ankthshëm ...

drithërohem të dremis

se më ikën

dhe një sekondë jete pa ty

 

Kam mall...

duke të pasur brenda meje

Më mungon...

duke qenë një të dy

Ndaj per nje çast

pushoj së jetuari

Të ndiej si jeton ti

shpirti im i embel...

 

 

VITE MBI KARUSEL GJENDJESH

 

Në dëshirë për të krahasuar,

Brenda një magjie të bardhë,

Hipur mbi një karusel gjendjesh,

rendis vitet e mi

 

Për të mos humbur në kohë,

një ditë e brishtë shkurti

merret me rrotullimin

 

Në marramendje kushtesh të barabarta,

etja për pushtet e viteve

bëhet zotëruese

Dëshirë e çmendur për kurorë

pa le të jetë dhe kurorë me gjemba

 

...Por në rrotullim karuseli,

në marramendje çjerrjesh,

në marramendje nxjerrje sysh

                              të njëri - tjetrit,

Rrëzojnë një vit që ngelet i vdekur

 

Karuseli hesht...

Vitet heshtin...

Gjithçka hesht...

 

Të gjithë po shkojnë

Në varrim të vitit të vdekur

Të gjithë pa kurorë

 

Pa kurorë?

 

Keni dëgjuar ndonjëherë

Për të mirin që s’ka të mirë?

Për të mirin e pa fat?

 

...  ...  ...  ...

 

Dita e brishtë mori fund

Koha e konkurimit mbaroi

 

 

FLOKË TË NGRËNË PREJ QIRINJSH

 

Një dhomë gjysmë e errët,

Brenda saj, gjysmë det,

ngritur në gjysmë dallgë

Qiri i ndezur ngrënë gjysmë

prej urisë së vet

 

I pangopur prej vetvetes,

ha dhe gjysmën e flokëve të mi

(ate çast, çadër të tortës së ditëlindjes)

Duke kapërdirë në shijim më të mirë

me dy gjysma loti të ndryshëm

 

Për të më ripërtërirë shpirtin,

vijnë dy gjysma delfinësh në byzylikë,

Karafila gjysmë të freskët,

(gjallëruar prej urimit tënd)

Cigare të fikura përgjysmë,

Harrim brenge e pamerituar,

Gota pijesh lënë përgjysmë,

Kujtesë e egzistimit të diçkaje,

Kujtesë edhe e të qenit tjetër njeri

nga dashuria jote, nga dashuria ime

 

Brenda gjysmëlotit tim të marr

Gjysmëlot i ngelur përjetësisht në sy

Për të të pasur ty përjetësisht pranë vetes

Me të, të përkëdhel sybukuri im

Korridoreve të gjysmëlotit,

zëri im jehon

deri në gjysmë det,

ngritur në gjysmë dallgë,

“Të dua, të dua marrëzisht shpirt”

 

Muzikë përgjysmë, përgjysmë fjalë

i ëmbë...shpir...zemë...engjël...

Brenda një puthjeje epshi

                         tejet të gjatë

Të gjitha gjysmat e tjera,

brenda një hijeje

që londron në mur

me një palë e gjysmë flokë...

 

 

KORRESPODENCË

LETËR ZEMRËS

 

Nëse e kaltërta do të vdesë një ditë,

Atë ditë do vdesë dhe qielli,

Edhe deti me jetë në mes,

Do vdesin sytë e tu,

Dashuria brenda tyre,

Do vdesë gjithë bota,

Nëse një ditë e kaltërta do vdesë

 

 

PËRGJIGJE E ZEMRËS PAS NDARJES

 

E kaltërta nuk gjeti asnjë ditë për të vdekur

Dhe s’vdiq

Nuk vdiq as qielli, as deti

Jeta e tyre s’u këput në asnjë pikë

 

Por sytë e mi vdiqën

Vdiq dashuria e palindur

e jetuar mes moslindjes

Duke më dhembur më shumë

se vdekja e të lindurës së jetuar

e parë me sy

 

Sytë vdiqën, vdiq dhe dashuria

Por bota rrojti si më parë

E kaltërta nuk vdiq, por vetëm lotoi

Duke marrë një nuancë zibardhë...         

 

 

ANKTHSHEM

 

Ndjesia e zvarritjeve të plakura

të një sythi të prerë

a të vrarë nga acari,

ngërthehet në imitime dëshirash

 

 

MBAN ERË SHIU

 

Në gostinë e shtirur të mjegullës,

mbante erë shiu

                        si sot

 

E njerëzit përpiqeshin,

t’i vidhnin shpirtin njëri – tjetrit

 

Hajdutshpirti kampion,

u zvarrit piedestalit lëmimvrasës

 

Duke u shndërruar

në Zot të Zbrazëtisë



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx