E premte, 03.05.2024, 10:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Mustafa Xhepa: Lekë Tasi ndriçon të vërtetën

E merkure, 16.06.2010, 09:57 PM


Lekë Tasi ndriçon të vërtetën

 

Nga Mustafa Xhepa

 

Shopenhauri thotë se njeriu bie në dëshpërim, kur e di se do të ndodh ajo që nuk dëshiron, ndërsa ajo që kërkon s’ka për të ngjarë kurrë.   

Kështu ndodh me Lekë Tasin, “E hidhur është,” thotë Leka “kur kërkon shenja vërtetuese të asaj që je i bindur se po ndodh...”  Lufta e klasës e internon në Grabjan, në fshatin ferr, atje ku janë të vendosur me forcë “armiqt e klasës”. “U ngushtua edhe më rrethi, çarku. Vetëm burgu ndodhet poshtë nesh tani...”, thotë ai. 

Në pamundësi të kontrollojë rrjedhën e fatit, Leka do të drejtohet drejt së vërtetës vetëm nëpërmjet karkterit të tij të fortë, “Dua t’i shënoj ngjarjet që do vijnë, si një spektator i mënjanuar; që me to të formoj më pas një histori, një nga të shumtat e kësaj epoke, që është e mbushur me të tilla, fate njerëzish në qytet e në fshat dhe sidomos në vendet e mbyllura, burgje e kampe, një sferë kjo majft e njohur për familjen tonë...” 

Me burgosjen e babait, xhaxhait, vëllait e më vonë motrës për familjen e tij lufta e pamëshirshme për mbijetesë nën kërcënimin e përhershëm të persekucionit do të çfaqet me të gjitha format e saj.  

Jeta e Lekë Tasit shpalos historinë e dhimbshme por heroike të një pjese të ndershme dhe patriotike të popullit tonë. Vetëm të qenurit anëtarë i një familje intelektualësh atdhetarë do të mjaftojë për regjimin komunist ta etiketojë atë të padëshirueshëm dhe ta mbërthejë me darën e hekurt të luftës së klasës. Ja si e përshkruan ai momentin kur shkon për të marrë vendimin e internimit. “Gjeta ne korridorin e ngushtë të Këshillit një tjetër fatkeq si unë që po priste. Sa e pashë mendova me vete: Ja një nga ata, për të cilët dëgjojmë ‘e futën brenda filanin, e hoqën me kamion filanin’. Edhe vetë emri i tyre sikur ndjell gjëra të tilla, ca emra, si: Burimi, Bregu etj. Ato janë kalamitat e luftës së klasave gjatë dekadave, gjothmonë po ata. Sa i pambrojtur, i pakët m’u duk atë çast, i dënuar që në fillim të ekzistencës së tij..., të pozojë përherë në rrumbullaken e shënjestrës së tyre”. 

I destinuar të ketë një fund tragjik, Lekë Tasi do të kalojë një jetë me periudha të gjata errësire. Eshtë kjo jetë nën terror që Leka kap dhe distilon tek - Grabjani rrëzë kodrave, - “Enciklopedia e vuajtjeve”, siç e quan përkthyesi Islam Spahiu - një vepër monumentale, e cila  e vendos autorin në qendër të historisë politiko-letrare, një analizë sociale në prozë, model biografie narrative në formë ditari si asnjë vepër tjetër. Me stil shumë të veçantë që do të influencojë shkrimtarët në dekada, ndonëse të duket se mund të imitohet, nuk është e lehtë të prodhosh atë lloj force dhe orgjinaliteti. Kjo ndodh ngaqë stili i Lekës lind nga vete ai, nga eksperienca e tij, nga nevoja për të krijuar diçka që nuk fillon me stilin, por me ndjeshmërinë e tij.

Arti i Leke Tasit zë rrënjë në muzikë. Kur përshkruan ngjarjet, skenat, personazhet me detaja të holla e të mbushura me fakte, fjala e tij të duket e thjeshtë, ashtu siç përdoret në gjuhën e ditës, me ritmin, shprehjen, përsëritjen e zakonshme të saj. Asgjë nuk është aty pa lidhje. Çdo fjalë  është e llogaritur mirë, dhe të gjitha sëbashku shkrihen në një tonalitet.   

Grabjani rrëzë kondrave është historia e tmerrshme e persekutimit dhe e vuajtjeve të  familjes Tasi. Leka dhe pjestarët e familjes tij janë karakteret më prominantë, ndonse ka dhe shumë të jerë që jepen si portrete të gjalla. Libri është rreth fatit të tyre, rreth horrorit si mënyrë jetese. “E shikoni këtë?’ tha Lika, sekretar i partisë për bujqësinë, duke treguar Muamerin me gisht. Toni i tij ra si thikë, u ndje menjëherë se do të bëhej demaskim... ‘Ne i kemi dhënë dorën, ai vjell vrer. Është gjarpër! E kemi liruar nga internimi, po s’heq dorë, se është armik, nuk i pëlqen shoqëria jonë, s’i pëlqen Socializmi! Po mos kini merak! Diktatura e proletariatit ia shtyp kokën, këtij dhe atyre që mendojnë si ky. U kemi dhënë të drejtën e punës, të drejtën e dyqanit, po këta e duan ndryshe... të hapni sytë me këta. Kur të tjerët të derdhin djersë, këta të derdhin gjak!”  

Kush ishin këta që duhet të derdhnin gjak? Pjesa më e ndershme, më patriotike, ajo që në zemër kishte Amerikën, lirinë, perëndimin, ajo që do të kryqëzohej si krishti për të vërtetën. Ndërsa sot, Lika dhe kriminelë si ai, me në krye Ramiz Alin dhe Nexhmije Hoxhën në vend që të gjykohen e dënohen për krimet që kanë kryer ndaj njerëzimit, priten me qilim të kuq në aeroportet e perëndimit. Sot Likat dhe bijt e tyre punojnë në organet më të rëndësishme dhe të besuara të demokracive perendimore, janë Likat që kanë “top clearance”, janë Likat që ashtu si dje na pergjonin dhe spiunonin tek UDB-ja, KGB-ja, Sigurimi i shtetit; na përgjojnë e spiunojnë sot. Çfarë tragjedije, çfarë poshtërsie, çfarë tradhëtije ndaj së vërtetës, ndaj Zotit?         

Çdo ditë e ditarit është zgjedhur mjeshtërisht për të shprehur në mënyrë graduale, me realizëm të thellë se dëshpërimi është e vetmja gjendje që provohet në ferrin e zi, ku shkatërrimi shpirtëror është i pashmangshëm. Brenda këtij ferri, elementi “armik” është i destinuar të asgjesohet. Mbijetesa këtu ka të bëjë me rastësinë. 

 “Nga episodet e hidhura në Odisenë e familjeve të internuara qysh në fillim, është ajo e dy bashkëshortëve... Po transferohej kampi i tyre nga Berati në Tepelenë dhe në ato rrugë të këqija u batua makina në një skarpatë. S’pati të tjera viktima veç një çifti, i cili mbeti në vend. (Petrela mbiemri) Gruaja ishte motra e madhe e Bardhit. Martuar me një tregtar tiranas. Këtë histori e kam nga Vera Kuca, komshija jonë, ka qenë prezente në atë skenë të lemerishme. Gratë e tmerruara të asaj makine i mbanin katër fëmijët e vegjël, çuna, që qanin mbi prindërit e vrarë, ndërsa burrat hapnin varrin, si të mundnin. Rojet nuk deshën t’i merrnin kufomat me vete, që të varroseshin në destinacionin ku ishin nisur..., kështu që varri u hap aty nën rrugë, tamam me thonj.” Këtu edhe Pol Poti, i cili kërkoi të kthejë civilizimin në “vitin zero”, të duket më i butë. 

Terrori gjallon aty ku injoranca është më e madhe dhe këtë gjë e dinte mirë krimineli Enver Hoxha, i cili shfarosi me qindra e mijra njerëz që nuk u mposhtën, nuk u thyen, por i thanë të bardhës e bardhë, e të zezës e zezë. 

Ja si zbulon një aspekt tjetër të këtij terrori Lekë Tasi. Të shprehurit në mënyrë civilizuese, konkludon ai, është një dhuratë vdekjeprurëse që posedon i internuari. Aftësia intelektuale për të mbrojtur verbalisht veten është evidencë e mjaftueshme që pjesa tjetër të gjykojë fajtor të internuarin. Këtu, vetëm të internuarit janë ata që kanë me vete një kulturë, një formim, një të shkuar të vërtetë, e cila ngjall lakmi, zili dhe urrejtje për pjesën tjetër të fshatit, ku njeriu i ri, modeli i injorancës komuniste, është në shkallë sipërore. “Ylli deshi t’i japë brigadjeres një shënim me dimesnsionet e punës së bërë, që të mos i mbetej pa matur. Ky sipas tyre ishte faj i madh, sepse i paskësh hyrë në kopetenca! Ajo ia raportoi sekretarit të partisë për bujqësinë, Likës dhe ky doli të nesërmen në plan dhe e demaskoi... ‘Ke fotografuar punën!’ ‘Inxhinier kotrabandë!’...” i tha ai.     

Eventualisht çdo llojë dije që është përvetësuar apo ka lidhje me të shkuarën e bën zotëruesin e saj me “njollë”, të padëshirueshëm për sistemin, e kthen atë në pre të “organeve kopetente”. Çdo fushë e dijes aty gjykohet të jetë subversive, armiqësore. Këto të vërteta të argumetuara në mënyrë reale, të rrjedhshme, me shqipe brilante e bëjnë Lekën po aq të madh sa edhe Shollzenicini me Gulagun e tij.  

Shpesh herë, Leka zbulon frikën që e pushton të internuarin se ideja e një jete normale nuk ekziston më në botë. Ai shkon deri aty sa të mendojë se nuk do të jetojë dot deri sa të prekë të ardhmen, lirinë, por edhe kur abstragon për të, nuk i ndahet frika se e ardhmja do të jetë veç se një modifikim i lehtë i së shkuarës. 

“Që të zbardhësh të shkuarën duhet të kesh dëshirë për ta bërë këtë. Ne fshihemi, nuk jemi njerëz të vërtetë, çdo gjë që e bëjmë e fshehim...,” – thotë ish i burgosuri politik Maks Velo.

Ndërsa Leka si një shkencëtar zbulon esencën e së vërtetës - E vërteta, arsyeton ai, rilind nga marrëveshja që ka lidhur me vetveten. Pra asgjë nuk mund ta fshehë apo shtrembërojë atë për gjithnjë

“Për sa kohë nuk do të dënohen krimet e komunizmit, ne nuk do të kemi paqe”, – konkludon Leka. 

Falemiderit nga zemra miku im Lekë për këtë dhuratë pa çmim dhe Grabjanit rrëzë kodrave udhë të mbarë në misjonin e shenjtë – dritë, dritë... pak dritë mbi të vërtetën! 

 



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora