E marte, 06.05.2025, 11:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Berati në një enciklopedi me 3000 zëra

E marte, 15.06.2010, 06:42 PM


Nga Fatmira Nikolli

 

Pas një pune disa vjeçare, Shtëpia Botuese “Jonalda”, i jep në dorëlexuesit një enciklopedi për qarkun e Beratit. Autor i veprës është gazetari Zylyftar Plaku. Natyrisht, është një nismë private, por botimi ka rëndësi për komunitetin e asaj treve dhe më gjerë. Berati është një qytet me tradita të lashta në arsim, kulturë, arkitekturë, qytetërim të pandërprerë, etj, që së bashku me Skraparin e Kuçovën kanë përmasa më të gjera se sa një trevë e zakonshme në rrafshin kombëtar. Enciklopedia, është një vepër gjithëpërfshirëse që i ka munguar kësaj hapësirë dhe është e para që realizohet në vendin tone në përmasa të tilla rajonale, ndërsa është realizuar me një kujdes të veçantë, duke marrë në konsideratë botimet më të mira të kësaj natyre, apo të përafërta, që janë bërë në vendin ton. Para se të nisej një punë e tillë (dhe në vazhdimësi), është bërë konsulenca e domosdoshme në institucione të specializuara, si Akademia e Shkencave e RSH-së (Qendra e Enciklopedisë), dhe është marrë ndihmë e këshillim metodik dhe shkencor, me qëllim që vepra të jetë sa më dinjitoze. “Berati Enciklopedi” është një vepër sintetizuese e natyrës enciklopedike, e cila është realizuar për një periudhë të gjatë kohe, që nga viti 2001, e cila synon të jetë një vepër gjithëpërfshirëse me vlerat dhe arritjet e të gjitha kohërave, pa asnjë paragjykim, si dhe të gjithëkujt qofshin këto vlera. Vepra ka më shumë se 3000 zëra dhe jepen njohuri të shumta e të plota të veprimtarisë së popullit të trevës së Beratit, Skraparit, Kuçovës nga fusha të ndryshme të jetës. Në vepër përfshihen ngjarje, dukuri, figura, procese, probleme nga më të ndyshmet, në momente të ndryshme dhe me peshë të historisë, që nga kohët më të lashta e deri në vitin 2005. Historia e Beratit, Skraparit dhe Kuçovës i bën nder kësaj vepre, duke evokuar traditat dhe arritjet, ndihmesën dhe rëndësinë e shumë figurave me përmasa shumë të gjera që nga periudha pagane, krishtërimi, koha e bizantit, dyndjet sllave, periudha osmane, vitet pas shpalljes së Pavarësisë, para e pas Luftës së Parë e të Dytë Botërore, familje e figura si Muzakajt, Skurajt, Qyprylinjtë, Vrionasit, etj. Berati, Skrapari dhe Kuçova kanë nxjerrë figura të mëdha, të cilat kanë nderuar kombin. Ata i përkasin kësaj treve, e cila historikisht ka qenë frymëzuese dhe ushqyese për ta, me përgjegjësinë morale dhe qytetare, me karakterin e fortë, me virtytet dhe përkushtimin. “Berati Enciklopedi” është hartuar si një studim shkencor në formën e fjalorit duke respektuar të gjithë parametrat, nocionet dhe kriteret shkencore për fenomenet, ngjarjet, vendet e njerëzit. Synimi i veprës është të nxjerrë në pah identitetin e trevës me tiparet e veçanta dhe origjinalitetin e saj, duke e transmetuar atë në breza, me krenarinë e ligjshme për vendlindjen e të parëve, por edhe me dëshirën që pasardhësit të mësojnë e të njohin rrënjët e tyre, rrugën e përpjekjeve të vendlindjes, të trevës nga kanë ardhur, pavarësisht se ku e ndërtojnë jetën e tyre. Ndihmesën që ka dhënë Berati dhe treva e tij, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, kontributin e qindra personave në momente kthesash, kulmesh e rëniesh, në rrafshin lokal dhe kombëtar, e gjeni në këtë vepër duke ruajtur përpjestimet dhe të lidhur organikisht në bazë të parimit analizë-sintezë. Pjesën më të madhe të zërave në këtë vepër e zënë materialet e shkencave shoqërore si arsimi, shëndetësia e historia, por edhe shkencat natyrore e teknike, si: emërtimet gjeografike të trevës, monumentet e kulturës e të natyrës, flora e fauna, pasuritë natyrore e minerale, artizanati, industria, bujqësia etj. Berati, Skrapari dhe Kuçova janë ngritur e industrializuar me vepra të tilla të kohës, si industria e naftës, uzina e aviacionit, uzina mekanike e kombinatit, kombinati i tekstileve, uzina mekanike e Poliçanit, etj. Berati ka pasur edhe një zhvillim arsimor e kulturor të veçantë duke filluar që nga shkolla e parë në kishën e Shën Vllahernës e deri me hapjen e shkollave turke, greke, vllehe e shqipe.

 

Të dhënat

 

Historia politike, shoqërore, ekonomike, kulturore dhe fetare e Beratit, Skraparit dhe Kuçovës zënë vendin e tyre në historiografinë kombëtare. Lexuesi mund të vërejë se zërat janë ndërtuar në mënyrë të tillë, që japin informacion të gjerë në momentet kyçe të ngarkuara me ngjarje, qofshin këto edhe kombëtare, por që kanë të përfshirë trevën e Beratit, janë zhvilluar këtu apo kanë marrë nismë nga këtej. Për kushtet ekonomike e shoqërore, si dhe lidhjet që ka pasur Berati me Skraparin e Kuçovën, është gjykuar si i vështirë veçimi i veprimtarisë së personave apo ndikimi dhe përfshirja e ngjarjeve në një zonë të ngushtë pa prekur Beratin apo e kundërta. Kjo e bën materialin e kësaj vepre më organik. Ka informacion të gjerë në lidhje me të shkuarën, por është gjykuar se poziconi gjeografik, historia dhe tradita e zhvillimit të Beratit ka pasur specifikën e vet edhe për faktin se ka qenë një qytet qendër, në momente të rëndësishme të historisë dhe ka marrë e ruan shumë emërtime, ngjarje e fenomene që janë të përmasave më të gjera se sa vetë treva Berat, Skrapar, Kuçovë.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar periudhës së Rilindjes Kombëtare apo edhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilat gjejnë paraqitje në shumë zëra të veçantë në këtë vepër, por të zhveshur nga njëanshmëritë dhe ngarkesat politike. Lexuesi do të gjejë për këtë si figurat e Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Partisë Komuniste, ashtu edhe ato të Ballit Kombëtar e të forcave të tjera të skenës politike në qarkun e Beratit. Shumë zëra i’u kushtohen institucioneve fetare, kulturore e shoqërore, sportit, gazetave e televizioneve, letërsisë etj.

Sipas të njëjtit kriter janë përshkruar shkrimtarë të trevës së Beratit, gazetarë, piktorë, skulptorë, aktorë, këngëtarë, valltarë, instrumentistë, por edhe udhëtarë, personalitete e albanologë të huaj që kanë shkruar për Beratin. Kjo fushë e rëndësishme plotësohet me veprimtarinë dhe historikun e institucioneve kulturore, shoqërore, sportive, mediatike, fetare, shëndetësore, postare e telefonike, etj.

Enciklopedia në fjalë është një vepër shkencore për gjithçka që lidhet me qarkun e Beratit. Tematika e kësaj Enciklopedie ka një shtrirje brenda kufijve territorialë të qarkut të Beratit, si ndarje administrative e sotme, por në vitet para 1912-s përfshin ndodhi të një treve edhe më të gjerë për arsye se Berati ishte qendër e rëndësishme administrative ku përfshihej edhe Vlora, Fieri, Mallakastra e Lushnja.

Vepra ka natyrën e saj si fjalor enciklopedik, ndaj jep informacion të ngjeshur, nuk hyn në imtësi, dhe lidhjen ndërmjet fushave apo çështjeve e bën duke përdorur referimin me shënimin përkatës: (shih). Lexuesi mund të këshillohet me shpjeguesin për përdorimin e enciklopedisë. Vepra është hartuar për t’u shërbyer shtresave të gjera shoqërore dhe jo vetëm nga Berati, Skrapari apo Kuçova, sepse ka brenda saj nocione e zëra që rrokin një gjerësi njohurish të vlefshme edhe për specialistë të fushave të ndryshme. Është synuar që ky botim t’i shërbejë gjithashtu brezit të ri shkollor, arsimtarëve, medias, zyrtarëve, specialistëve të fushave të ndryshme, që jetojnë në rajonin e Beratit, por edhe më gjerë, si udhërrëfyesë, specialistëve në institucione të tjera qendrore për shkak se mban në vetvete, në përbërje të zërave, informacion të shumte statistikor për secilin zë veças e në tërësi për qarkun e Beratit.

Botimi i kësaj vepre është fillimi i një pune të madhe, e cila do të shërbejë si bazë për të pasuruar këtë arkiv në të ardhmen, për ta përmirësuar, për një ribotim të mëvonshëm me korrigjimet dhe saktësimet e domosdoshme që i kërkon rrjedha e kohës. Autori i saj, gazetari Zylyftar Plaku, i cili e ka shoqëruar botimin edhe me një letër në zarf, për lexuesin, është i bindur se pas kësaj do të jenë të shumtë ata që do të bëjnë vërejtje dashamirëse, propozime për korrigjime e përmirësime, për përfshirje të zërave të tjerë, të cilët për arsye kohe apo pamundësi informacioni, kanë mbetur jashtë faqeve të këtij botimi. Pavarësisht nga puna e bërë, si botim i parë, “Berati Enciklopedi”, ka edhe mangësitë, për të cilat autori mendon t’i përmirësojë në botimin e ardhshëm pas sugjerimeve që do të bëhen dhe punës në vijimësi.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx