Kulturë
Haki Zllami: Furtunat nxjerrin poetë, rrufetë lëvizin kritikët
E diele, 13.06.2010, 06:55 PM
Furtunat nxjerrin poetë, rrufetë lëvizin kritikët
“MAKTHI”- ëndrra që zgjoi poetin Asllan Osmanaj
Poeti Lulzim Logu, kryetar i klubit letrar të Tropojës shprehet; se kemi përuruar shumë libra cilësore të autorëve vendas dhe kosovarë, por libri “Makthi” i Asllan Osmanajt, është përpirë nga një uri mbresëkujtesuese, kryesisht në viset shqipfolse përrreth, si një vëllim me vlera ideoartistike të përmasave të mëdhaja.
Nga HAKI ZLLAMI
Po e them atë, që ndoshta, duhet thënë ma vonë; të gjitha poezitë e këtij libri poetik, janë të atij niveli që ia vlen të folësh e t’i analizosh me specialistë e studiues. Poetin në këtë libër duket sikur e lëshoi ankthi, ku ka të “ngjarë se edhe e kapi atë” dhe kaq mjaftoi për t’i kërkuar çfarë t’i dëshironte zemra. Duket se poeti e gëzoi të drejtën për ta bërë një libër të përsosur. Dhe kështu u bë. Asllanit iu desh një periudhë e gjatë për t’i menduar e peshuar idetë që do ta përshkonin këtë vëllim, duke i limuar vargjet me një durim të jashtëzakonshëm e duke i përkdhelur e duke u zënë me to. Ai arrinë gjer në zëmërim dhe shpeshherë deri në tejskajshmërinë e rebelimit.
Poeti, që në faqen e parë, shkruan: “ Ta lë librin, pa para as pasthënie”, duke vendosur vet një gjë të tillë. I ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë që kritika e sotme t’i përgjigjet më mirë kërkesave të letërsisë bashkëkohore për të vlerësuar librat që botohen. Që t’i përgjigjet mendimeve e vështrimeve të kohës. Poezia është e vërteta ndaj është e bukura.
Poeti Asllan Osmanaj në këtë vëllim ka bërë më të mirën, duke na dhënë
vargje që ndoshta nuk i gjen në librat e të tjerëve. E veçanta: ai filozofon me fjalën, me vargun përmes poezive të shkurtëra me shumëllojshmëri artistike. Për një poet të tillë, sadoqë flet apo shkruan nuk mjafton, se duhet thënë ë thënë. Për t’i analizuar vargjat e këtij vëllimi m’u duk si e vështirë dhe m’u desh studim i kujdesshëm. Punë me durim ka bërë me gjuhën, ku vihet re përvoja e tij shumëvjeçare si redaktor e publicist. E gjithë kjo ka të bëjnë shpesh me analiza të thella psikologjike e me dëshira e qëllime të mëdha fisnike të zërit të tij poetik .
Sapo përfundon së lexuari këtë libër, të shkon mendja tek burimi i mirëfillët i këtyre vargjeve, tek trolli poetik tropojan. Këtë e kupton sapo të lexosh qoftë edhe një poezi. Pra, “mjafton një kokërr drethëze për ta ditur ku është rritur ajo”- siç thotë urtësia popullore. Duhet thënë se secili varg është mbresëlënës e domethënës i veçantë. Megjithatë prap duhet pasur kujdes se përsëri, ka të strukur ndonjë kuptim të shumëfishtë, gjë që përmes metaforave e simboleve të shumëta: lexojmë “Në ferr freri i stihisë” “Loti i pishës ” , “Kthetrat e errësirës”, “Hije me ëndërra të shitura”, “Sherrçmendurit”, “Shtëpitë e vdekjes a varrezat e të gjallëve” , “Thonjtë e mortit” “Njerëzit hijesirë” etj. Që të gjithë titujt e këtyre poezive, papërjashtim të ngacmojnë, të joshin për t’i lexuar. Ngjyrat imagjinative në secilën prej tyre janë të pranishme dhe fantastike.
Në vargjet e vëllimit “Makthi” në shumicën e tyre të bie në sy raporti: njeri – botë, ku parasëgjithash spikat, madhështia e njeriut. Përmes lëvizjeve si në garë të metaforave e simboleve, ku përherë kemi përqasje e herë rezonancë. Mbi të gjitha dëgjohet shpesh si me gjysëm zëri e vërteta, si një vegim ku zor të lenë për të marrë frymë “ katallani i zi” ..Citojmë:
“Errësira nxjerr poetë, rrufetë kritikë”.. Po, ka nga ditët e sotme që u ngjajnë errësirave, por që poetët zgjohen, nuk flejnë, stuhia me forcë nxjerr vargje shigjetë:
“Paska,
vdekje pa mërzi’
ngushëllim pa dhimbje…”.
Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi qartësisht del se jeta flet në emër të shpresës, të flijimit për të jetuar. Poeti trazon tema e motive që lidhen fort me brezat, siç është poezia “Hiqmini ethet “, ku përmes simboleve e metaforave, lutet që t’ua heqin ethet, ku siç këput zogu këngën nga vetmia e cila i shiton, njerëzit pa dashurinë e njerëzve dhe arrinë gjer atje të shpreh keqardhjen për rrezikun që i kanoset nga “mërdhitja e brezave’’.
Mjeshtërsisht poeti përshkruan vendlindjen e tij, si njeri nga fshatrat më të bukura të kësaj treve, si fshat i ri e i lashtë: me muret e vjetëra, lutet e bën gjithshka që mos të mbetën si “muze gjallese”. Me vargje të zgjedhura jepen detaje të mrekullueshme si ai i gjapërit bacalok të kronit, si orë e trollit, si shprehje e dashurisë dhe nderimit për njerëzit e vendlindjes ku shprehet :
”në çdo rrasë shkruamani epitafin”. Kuptimplote jepen vargjet për amanetin
e bac Zenelit, për të mos harruar traditat: “Bukën jepni me bujari”, këtu poeti shpreh iden se ne nuk duhet ta harrojmë vetën. Lidhur me këtë le të kujtojmë vargjet e Xh.Bajronit: “Sa pak dimë se kush jemi ? “Prandaj poeti përsëri na këshillon që nuk duhet të mërzitemi nga vetmia, se jeta është e shkurtër dhe e gjatë, është mërzia…
Vetëm pesë vargje të shkurtëra, tek poezia “Lisi “i mjaftuan për të thënë shumëshka, duke operuar përmes paralelizmit e analogjisë të lisit me fisin.Qartë, shpreh idenë e bashkimit e të nderimit të ndërsjelltë të njeriut për njeriun dhe ashtu siç është lisi i moçëm, ashtu është edhe fisi, ndaj edhe i pëlqen “nga rrënja tek gjethet”. Kuptohet se edhe njerëzit kanë historinë e tyre, prandaj edhe poezia e shpreh atë, siç shkruante poeti Gëtë :”Historia e njerëzimit është poetesha më e madhe …”
Përsëri për vlerat e këtij libri .
Po të nisemi nga figuracioni që hasim, nga fjalori shumë i pasur, pa përseritje idesh dhe as të leksikut personal dhe i ngjeshur për merak, si dhe puna e kujdesshme me gjuhën, mund të themi se libri “Makthi “është i përsosur. Të përmendim vetëm fjalët e përngjitura të cilat i ka “ngjitur” aq mirë sa të duket se kështu janë thënë e shkruar gjithnjë: shijemirë, sherrçmendurit, fatpërmbysurit, zëegër, gacqarri, ose epitet metafora: majecullalk, i tamëlzuar etj. Punë të mirë ka bërë edhe me vargjet e strofat duke përdorur të strofat, metrikat, nga format më të ndryshmet, duke etyduar e me anë të evarive…
Thjeshtësia, madje modestia e tepruar, shpërthimi i egër ndaj dukurive të shëmtuara i dalin vetvetiu si largim veprues, ku shprehet; S’jam kafshë, as hyjni. Në mjedise krejt qorre, s’mund të rri.. Apo ..mostjetërsimi im, për kohën ç’rregullim.. Atë karakter të fortë Asllani e ka treguar si mësues, ushtarak, drejtor kulture, gazetar, publicist, redaktor botimesh duke shërbyer nga baza deri në institucione të larta. Pra poezia e Asllan Osmanajt është poezia zanafilljane, jetësore e karakterit dhe personalitetit të tij.
Përpikmëria e përzemërt e autorit me kolegun redaktor e poet Tahir Bezhani i ka lartësuar e gurëzuar në të gjitha shtresat hapësinore vlerat e librit “Makthi”.
Ndër të tjera Tahiri shprehet: “Nderim e kënaqësi të bashkëpunosh me krijues të tillë të talentuar, shpërthyes e të guximshëm si Asllan Osmanaj”.
Do të ishte në të mirë të këtij libri me poezi, sikur të mos “ luante” me “rrezikun e guximshëm deri në çmenduri të atij agu të dlirë” të parathënies. Njëkohësisht të ishte më i thjeshtë në shpalosjen e ideve, mesazheve, dhe figuracioneve simbolike, se thellësia e tij, paraqet vështërsi për lexuesin e pa selitur.
Sidoqoftë, libri ka vlera të mëdha dhe lexuesi ka çfarë të mësojë nga këto poezi brilante, me besim se në të ardhmën, libra të tjerë po kaq dinjitoz do të lexojmë nga poeti Asllan Osmanaj.