Kulturë
Vullnet Mato: Kreshniku i kangës
E enjte, 10.06.2010, 09:55 PM
Vullnet Mato
KRESHNIKU I KANGËS
Kreshniku i kangës Agim Gashi - Elez Alia,
tash sa kohë tue vujtun në shtrat ka ra...
Nat e ditë mbi kryet i pikon e bija,
ia terr dhimbat me lotët e syve të saj.
Shtatin babës ia qetëson me sytë e ballit,
tue i dhanë kurajë me buzagazin e ambël,
tue ia largue dhimbën e sëmundjes e të hallit
me njomzën e shpirtit e bardhësin’ e zemrës.
A dalë zani e paska marrë dhenë,
se sëmundja dhe bajlozët nga krajlia,
duen me ia shue kangën te buza e vet,
e me ia ngri zogjtë e gishtave te sharkia.
Ia ka nis bija e vogël me u trishtue,
e krejt me lot të atin po e mbulon:
Po qysh nana, or babë, me na harrue ?
Qysh Kosova kangët e trimave t’i mohon?
Qysh s’u shembka kulla e kangës me na xanë?
Qysh s’u kthyeka kurbeti në nji muranë!
Qysh s’u shuen rrufetë e liga anembanë
me të shpëtue zanin, o i miri babë?...
Dy riga lot babës për faqe i kanë shkue,
dy fjalë së bijës ia ka lëshue si kangë:
Kurrë ma thekshëm, bijë, s’ke fol me mue,
që për Kosovën më ashtë ndrydh jeta e tanë !
E kam ngrit kullën tonë veç te sharkia,
ku heronjtë i kam ftue me i gostit në kangë !
Hej u nxifshi moj sarajet e kangëve të mia,
dhe vrik në kambë a çue e sharkinë ka zanë !
E ia ka nisë kangës për shpresa ditësh të reja,
e dhimbët e trupit krejt përtokë i kanë ranë,
e vajzën dhe shokët i ka pushtue hareja,
e jeta e tij ashtë zgjatun deri në hanë !...