E marte, 06.05.2025, 05:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Shkrimtari i njohur i bën thirrje shtetit për të ndihmuar familjen Marko

E merkure, 09.06.2010, 08:20 PM


Apel solidariteti në “Shqip”

 

Dritëro Agolli lëshon një lumë fjalësh kur dëgjon emrin e Petro Markos. Nuk pret t’i rendisë. Lajmi i gjendjes në kufijtë e ekzistencës së familjes së shkrimtarit e ka tronditur. Tregon se natyrshëm një fat i tillë mund t’i kishte takuar edhe atij. Por a e meriton Petro Marko një trajtim të tillë? Dritëro Agolli i bën së pari apel shtetit dhe gjithë shoqërisë shqiptare. “Petro Marko hyn në plejadën e shkrimtarëve më të shquar të vendit tonë, jo vetëm si shkrimtar apo artist, por edhe si një qytetar i madh dhe intelektual i shquar i vendit tonë. Ishte ndër ata që mori pjesë në luftën e Spanjës kundër fashizmit, njeriu antikonformist që me përpjekjet dhe aktivitetin e madh ka luftuar për lirinë e vendit. Me shembullin e tij ka frymëzuar edhe shumë shkrimtarë të tjerë. Ndonëse meritonte shumë, Petro vuajti edhe në kohën e komunizmit. Për një periudhë nuk u lejua të botonte duke e konsideruar “disident”, prandaj është koha që shoqëria shqiptare t’ia kthejë këto hua që i ka. Unë mendoj që shteti shqiptar duhet të ndihmojë familjen e tij të dalë nga një varfëri e tmerrshme: e shoqja, Safoja, piktore dergjet në shtrat, po ashtu i biri i sëmurë, një familje që nuk ka minimumin e të ardhurave për të jetuar. Shoqëria jonë duhet ta ndihmojë”, shprehet Agolli, në tonin e të cilit ndihet edhe zemërim. Petro Marko i la thesare letërsisë shqipe, por as vetë dhe as familja e tij nuk mundi të gëzonte ndonjë të mirë materiale, qoftë edhe për të drejtën e autorit. Në fakt kjo gjendje ka vite që është ulur këmbëkryq në familjen Marko, por e kanë përballuar të vetëm dhe në heshtje. Sot ndodhen në kufijtë e ekzistencës dhe kanë nevojë për ndihmë. Dritëro Agolli në këtë rast thekson se nuk duhet të mjaftohemi me ndonjë ndihmë që mund të japë ndonjë zemërmirë apo ndonjë biznesmen i vendit. “Shteti duhet ta çmojë familjen e Petro Markos. Njerëz si ai janë muze dhe meritojnë përkujdesje. Nëse do të ishte gjallë do të merrte shpërblim të veçantë, i cili në këtë rast duhet t’i kalojë trashëgimtarëve të tij. Në raste të tilla, për njerëz të shquar, shteti duhet të nxjerrë një ligj të veçantë që parashikon ndihmë si për ata ashtu edhe për familjet e tyre kur ndodhen në nevojë. Nuk po them të jetë një ligj gjithëpërfshirës. Mund të rastisë që djali i një shkrimtari mund të jetë edhe biznesmen dhe nuk ka nevojë. Në rastin e familjes Marko nuk po them t’u japin një veturë për të shëtitur, as një shofer që ta ngasë, por t’u jap të hanë”, përfundon shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli. I pezmatuar nga lajmi që i ka takuar të mësojë familjen e një kolegu, Agolli shpreson që ky sensibilizim të mos mbesë vetëm në rreshtat e gazetës.

Redaksia e gazetës “Shqip” fton individë, subjekte, institucione, shoqata e fondacione të shprehin një akt solidariteti jetik në numrat e llogarisë në Raiffeisen Bank

Në lekë: 0000251473

Në euro: 0001251473

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx