E marte, 06.05.2025, 05:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Muka: Mjeshtrit e arkitekturës kosovare

E enjte, 10.06.2010, 08:43 PM


Mjeshtrit e arkitekturës kosovare

 

Nga Dr. Ali Muka

 

Diku në faqet e para të veprës së tij “GJURMË E GJURMIME”, akademiku i nderuar Prof Mark Krasniqi pohon se:

“Dashuria ndaj popullit nuk mund të jetë e sinqertë në se nuk çmohet dhe duhet kultura e tij”. Ndonëse librin e Flamur Dolit e pata në dorë këto dy-tre ditët e fundit, gjatë leximit të përshpejtuar ndjeva që në sfond të tij qëndron thënia e mësipërme. Pra, dashuria për arritjet e popullit të vet, është motoja që e ka udhëhequr autorin në tërë punën dinjitoze që ka bërë për realizimin e kësaj monografie. Pa marrë përsipër një shqyrtim të gjerë e analitik, pasi do të dilte disi jashtë qëllimit themelor të këtij tubimi të nderuar, do të përpiqem të ndalem në ndonjë aspekt të librit, i bindur se do të mbetem borxhli ndaj autorit, dhe mundit që ai ka derdhur në këtë vepër.

Cilido që është marrë me studimin e arkitekturës popullore shqiptare, konstaton se ndërsa janë relativisht të shumtë artikujt studimorë, numri i monografive është relativisht i pakët. Veçanërisht kontribute në këtë aspekt kanë dhënë doktorët e shkencave E. Riza, P. Thomo e akademiku M. Krasniqi. Monografive të botuara deri tani u shtohet edhe monografia për të cilën po flasim. Vështruar gjerë, ajo është një vazhdim e plotësim i tyre, por njëherazi ka karakter të theksuar individual. Ky individualitet qëndron tek treva që vë në qendër të vëmendjes. Një tematikë e tillë e pasqyruar në tërë strukturën e monografisë, e rrokur sipas një këndvështrimi të vetin, duhet thënë se takohet për herë të parë në këtë gjerësi trajtimi analitik në literaturën tonë të kësaj fushe. Aty spikat përvoja e arkitektit që e sheh krijimtarinë e popullit të vet si një organizëm të gjallë dhe kërkon t’i prekë me përkushtim dhe me profesionalizëm çdo damar të tij.

Përvoja e arkitektit, madje edhe projektuesit restaurator, siç kuptohet më se njëherë në libër, nuk do të mjaftonte, po të mos ishte e kombinuar me njohuritë e studiuesit, me njohuritë e historianit të arkitekturës.

Në libër ndjen shqetësimin e autorit e njëherazi përkushtimin e tij, se në këtë fushë studimore vështirë të realizosh objektivat që i vë vetes pa gjurmim ngulmues në terren. Është ky gjurmim në terren dhe materiali i mbledhur që e bëjnë veprën të argumentuar e bindëse në tërësinë e saj. Mjaft të kujtojmë që në 220 faqe libër, autori sjell mbi 100 skica të natyrave të ndryshme, përveç fotografive. Dhe kjo nuk është veçse “maja e ajsbergut”, pasi siç dëshmohet edhe në shumicën e fusnotave të sjella, lexuesit i jepen adresat konkrete edhe të rreth 200 objekteve të tjera në të cilat autori ka konstatuar dukurinë që shqyrton.

Vëmendjen në monografi ta tërheq edhe niveli i lartë me të cilën është paraqitur aparati grafik, i realizuar nga vetë dora e autorit. Kjo e ka ngritur ndjeshëm cilësinë e monografisë, dhe kjo jo e kuptuar thjeshtë në vështrim estetik formal, por duke e vlerësuar çdo skicë si dokument me vlera autentike.

Një dukuri tjetër që i tërheq vëmendjen lexuesit të kësaj monografie, është angazhimi i autori për të bërë inkursione jo vetëm hapësinore brenda e jashtë Kosovës dhe Shqipërisë në tërësi, por edhe inkursione kohore, duke kaluar nga ditët tona deri në periudhën ilire, madje edhe në ballafaqim me elemente të arkitekturës klasike greke. Dhe ky angazhim nuk buron thjeshtë nga ndjenja e dashurisë për “të vetën”, po e ka bazën në kulturën e gjerë të autorit dhe në bindjen e tij se ballafaqimi me logjikë e objektivitet është shumë më i shëndetshëm se heshtja ose anash kalimi. Njëherazi autori nuk e mohon, por përkundrazi e pranon se popujt gjithmonë japin e marrin midis tyre, duke kontribuar kështu secili me mundësitë, trashëgiminë dhe potencialin e vet në thesarin e përgjithshëm të kulturës. Ai pohon se pushtimi turk sado i gjatë nuk ka arritur të mposht vitalitetin krijues të popullit tonë.

Në fokusin e shqyrtimeve të tij, në të dy pjesët e monografisë, autori nuk ve vetëm banesat fshatare apo qytetare në trevën e Kosovës, por shtrihet dhe sjellë prova e argumente edhe nga shembujt konkretë të gjinive të tjera të arkitekturës të kësaj treve, nisur nga mendimi logjik se, në fund të fundit, ndërtues i tyre ka qenë mjeshtri shqiptar. Kështu në morinë e shembujve nuk mungojnë ndërtime kulti, apo shoqërore e deri komplekse nga pazaret, por edhe ndërtime ndihmëse e ekonomike si koshat apo mullinjtë e blojës. Ndonëse ndalet gjatë tek banesat me çardak të ndërtuara në disa qytete të Kosovës, më duket (dhe autori të më falë sinqerisht nëse e kam keqkuptuar) se pika “më e dobët” e tij mbetet kulla e Rrafshit të Dukagjinit. Dhe kjo nuk është rastësi. Duke u ndalur te kulla si banesë, autori thekson vlerat që ajo bart në brendësi, përsa i përket kulturës së banimit. Njëherazi, duke dashur të na kujtojë filozofinë që ajo bart, thekson se ajo gjithmonë e për këdo mbetet simbol i qëndresës shqiptare dhe pse jo edhe simbol i krenarisë sonë kombëtare. Mendimi i autorit se ka fshatra të Kosovës, në të cilët mbizotëron ende si banesë kulla dhe për këtë ato duhen vënë në mbrojtje tërësore, më duket shumë i drejtë. Madje, njërin prej tyre që përmend autori, kam pasur rastin ta vizitoj shumë shkurt para 16-17 vjetësh. Fjala është për Nivokazin (Gjakovë).

Vepra në tërë përmbajtjen e saj nuk rrjedh qetë e qetë, pra, si të thuash, nuk përshkohet thjeshtë nga logjika e ftohtë e studiuesit a specialistit dhe aq. Përkundrazi, mbi logjikën e ftohtë të studiuesit ndjehet diku-diku edhe fuqishëm, zëri i intelektualit patriot, për dëmet fatale e të pa korrigjueshme që ka pësuar e po pëson trashëgimia në këtë fushë të krijimtarisë së popullit, si rezultat i qëndrimit anti human e anti kulturorë të serbomdhenjëve. Dhe zëri i këtij intelektuali në faqet e monografisë nuk është çjerrës e zhurmues, por sa njerëzor e i thellë aq edhe i argumentuar e bindës. Ai me dhimbje pohon se perla të arkitekturës janë zhdukur e zhduken në Prizren e Pejë, në Prishtinë, Gjakovë e Mitrovicë etj., pa lënë në harresë fshatin kosovar dhe pasurinë e tij në këtë fushë.

Dhe duke lexuar monografinë me sytë e mendjes e të zemrës, e ndjen se ky intelektual i së tashmes dhe i së ardhmes, është i gjerë në gjykimet e tij, në vizatimet e tij. Shikoni qoftë edhe vetëm fusnotat dhe aty do të gjeni disa autorë të njohur jugosllavë, siç janë, fjala vjen, Branislav Kojiq apo Sotir Tomoski, Ndonjë thënie vlerësuese pozitive të tyre, nisur nga gjykime objektive për krijimtarinë e popullit tonë, autori nuk heziton ta vë në dukje.

Duke e lënë të hapur bashkëbisedimin me autorin për monografinë e përgaditur prej tij, dëshiroj të theksoj nëpërmjet fjalëve të tij se: “Me një punë që do të vazhdojë, tezat e shtruara në këtë libër do të thellohen e zgjerohen edhe më tej, duke i saktësuar ato gjithnjë e më shumë, në funksion të së vërtetës shkencore”. Pra, siç thotë ai, me këtë monografi hidhen bazat për studime të mëtejme, më të zgjeruara dhe më të thelluara. Në kuptim figurativ mund të them se kjo monografi është një gurë solid në monumentin që meriton mjeshtri shqiptar.

Dhe në mbyllje një urim nga zemra: U takofshim në tubime të tjera si ky, me Flamur Dolin e me autorë të tjerë shqiptarë, që i janë përkushtuar e do t’i përkushtohen edhe në të ardhmen studimit të kulturës së këtij populli gjithë vitalitet.

 

Qershor 1993

Instituti i Kulturës Popullor

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx