E marte, 06.05.2025, 06:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Albana Melyshi Lifschin: Pse lehën qentë atë natë…

E shtune, 19.06.2010, 10:47 AM


Pse lehën qentë atë natë…

 

(Nga internimi i familjes bajraktare te Melyshajve, 1945 )

 

Nga Albana Melyshi Lifschin

 

Tërë atë natë qentë lehën e njerëzit në kullë nuk vunë gjumë në sy. Qe një natë e ftohtë dimri me ngricë, një nga netët më të paharruara të jetës sime. Gratë kishin mbledhur fëmijët pranë vetes e psherëtinin. Lehja e qenëve qe ndjellakeqe. Plaku i shtëpisë, gjyshi ynë, u ngrit dy-tre herë e doli në oborr duke u sokëllirë qenve që të pushonin. Mbaj mend gjyshen që i u afrua e i tha:

-Leri o plak qentë, se kurrë nuk kanë lehur si sonte!.

Pastaj ajo lëshoi një ofshamë të thellë :

-Lehja e qenve për ketë shtëpi është lajm i keq! Oh, e mjera unë! Ku i kam djemtë? Ku i kam nipërit?!

-Mbahu plakë, se kurrë s’të kam parë të të lëshojë zemra ! Të pata marrë nga shtëpi trimash.

Gjyshi qe ulur tek vendi i tij, tek oxhaku, e duke përzjerë hirin ende te ngrohtë.

-Mandej as djemtë as nipërit nuk janë më kalamaj e dua të të kujtoj se burrat e kësaj shtëpie të gjithë kanë vdekë nga plumbi e jo nga qyrret!

Unë u ngjesha pas fustanit të nënës sime. Isha dymbëdhjetë vjeç. Në kullë kishim një çift të varfër pleqsh, të cilet gjyshi u kishte dhënë strehë. Ishin bërë pjestarë të familjes, ishin si të gjithë ne. Edhe ata rrinin të tulatur pas njëri tjetrit po nuk flisnin asnjë fjalë. Atë natë askush nuk vuri gjumë në sy. Kur filloi të zbardhte, njerëzit e shtëpisë zunë të hiqnin shulet dyerve e kullës për të dalë jashtë, siç bënin çdo mëngjez..

Papritur nga oborri u dëgjua një zë i plotë burri me dialekt tosk :

-Ndal! Mos lëvizni! Jeni të rrethuar!

Njerëzit në kullë ngrinë. Nuset e reja u tmerruan. Fëmijët tek panë nënat e tyre të trembura ia dhanë të qarit. Çifti i pleqve të vobekët, edhe ata u trembën shumë. Nëna ime u ngrit e i u afrua gjyshit.

- Babë, dikush nga ne duhet të dalë të marre vesh se përse jemi rrethuar. Në më lejofsh dal e flas unë me ta. Im bir e im shoq janë partizanë.

- Do dal vetë! Tha gjyshi. Nëna bëri mënjanë. Gjyshi u dha në derë. Ne mbajtëm frymën. Dëgjuam zërin e tij që i tha dikujt:

-Në ke ardhë për mik, futu në kullë të ngrohesh; në të kundërt na thuaj ç’farë ka ba vaki?.

-Prit këtu, o plak se po thërras komisarin që të bisedoni, qe përgjigja.

Pas pak u dëgjua një zë që foli duke u përpjekur të përshtaste dialektin:

- Tu'ngjat’jeta, bajraktar!

Vonë mësova që foli quhej Petrit Pëllumbi. Nuk do ti'a harronim kurrë emrin që nga ajo ditë që ia mësuam. Në dorë mbante një shufër. Në fytyrë kishte një vështrim të keq. Në zë i ndihej ironia. E pyeti gjyshin se ku i kishte burrat e shtëpisë dhe pastaj i komunikoi urdhërin e internimit për të gjithë familjen që u ndodh aty e do të thoshte: Gjyshi dhe gjyshja, nëna ime, unë me dy vëllezërit më të vegjël, gruaja e xhaxhait me tre vajza të vogla, gruaja e kushëririt të parë me dy djem.( I gjithë trungu i familjes përbëhej nga 23 veta). Dy pleq e vobekët që jetonin në shtëpinë tonë nuk ishin përfshirë në listën e interrnimit, por ata e ndjenë veten më keq se të gjithë. Kush do kujdesej për ta? Si do të bënin pa ne?

Komisari bëri apelin e na nxorri të gjithëve jashtë nga shtëpia duke urdhëruar të mos merrnim asgjë me vete me përjashtim të rrobave të trupit. Kullës sonë qe vendosur t’i vihej flaka. U mor shpejt e shpejt bar nga mullarët e u fut në të dy katet e kullës dhe pastaj asaj iu vu zjarri. Nëna ime, që partizanët i quante shokë të të birit, pasi edhe ai ishte partizan, lëshoi zë:

- Bëni tutje djemtë e nënave se kjo shtëpi ka qënë e pushkës, e bukës dhe e besës, por muret e saj janë të blinduara me armë e municion.

Sa mbaroi nëna këto fjalë, u dëgjua shpërthimi i tyre. Partizanët bënë disa metra larg që në krismën e parë.

Ne ishim mpirë të gjithë. Na dukej e pabesushme pamja që po na shihnin sytë. Po digjej shtëpia jonë, kulla e bajraktarit që ishte ndërtuar në mes të kryqëzimit të monopateve, që i kishte mbajtur hapur dyert e saj për shtetgëtarin e panjohur ditën dhe natën, që mbante këmbët i lodhur në oborrin tonë, tek leshonte zë: A do miq o i zoti i shtëpisë?

Po digjej shtëpia që kishte pritur partizanët e uritur, kujtimin e të cilëve e kishin ende të freskët edhe më të vegjëlit e shtëpisë. Xhaxhesha mbushte furrën me bukë e nëna jonë u mbushte torbat me ushqim. Ishte e pabesushme që kulla të digjej pikërisht nga ata!

Flaka vazhdonte të dilte nga të shtatë dhomat e saj dhe nga kuzhina e gatimit. Gjuhët e flakëve dilnin nga dyert e dritaret e bëra prej pishe. Nga brenda digjeshin sendyqet e drunjtë të grave të shtëpisë. Ne fshinim lotët, por askush s’thoshte asgjë. Komisari kishte porositur të na vëzhgonin me kujdes të gjithëve gjatë djegjes së kullës. Zjarri zgjati deri pasdite..Në perëndim të diellit i ra fuqia. Gjyshi i u afrua komisarit partizan e i tha:

-Ju i dogjët të gjitha pa menduar se kjo shtëpi ka dy parti. I ka dhënë luftës dy partizanë, tim bir, Nikollin e tim nip, Palin, i biri i tim biri. Nuk ruajtët të paktën as dy dhoma për ta, kur të kthehen nga lufta. Dhe ca më keq : U internoni familjen. Unë di që kjo luftë u bë për drejtësi?!

I pashë se si ata u mblodhën kokë më kokë për disa minuta. Pastaj u shpërndanë pa i dhënë përgjigje gjyshit. Na vunë në rresht një kollonë e kështu morëm udhëtimin atë natë dimri për në internim. Kaluam shtigje e përrenj e pas dy orëve rrugë të shoqëruar para e pas me partizanë të armatosur mbrritëm në Shën Pal. Bagëtitë e sekuestruara na ndoqën nga pas.

Në Shën Pal na mbajtën të mbyllur pa ngrënë e pa pirë, pa ujë e pa dritë për njëzet e katër orë në një barakë të vetme të gjithëve. Unë nuk qaja, por fëmijët qanin pa rreshtur e të rriturit flisnin me zë të ulët. Ajo barakë u bë shtëpia jonë për dy javë. Pranvera qe ende larg. Kishim të ftohtë në trup e akull në shpirt. Nëna ime fliste me vete: Ku është im shoq? Ku është im bir? A i dijnë ata këto që po na ndodhin ne ? Fliste e psherëtinte vazhdimisht. Më vinte shumë keq për nënën. S'e kisha parë kurrë më të dëshpëruar. I rrija afër si më e madhja e fëmijëve, po nuk dija si ta ngushëlloja. Një lloj si nëna edhe unë pyesja veten: ”A thua e di baba ç’na kish ndodhur? Po im vëlla? Pse nuk vinin për të na shpëtuar? Pse po na internonin shokët e tyre, partizanët? Përse?

Se si mund të ndodhte kjo me dy partizanë në shtëpi? Për ne ishte një pyetje shumë e vështirë. Më e vështirë se çdo enigmë. Nëna përpiqej të më mbushte mendjen me zë të ulët: "Babai është i zënë me punë ushtarake në Tiranë. E yt vëlla ndoshta punon në terren". Duhej të bënim durim sa të sqaroheshin të gjitha. Por edhe ajo edhe unë e kuptonim se kjo nuk qe aq e thjeshtë.

( Nga rrefimi i nenes sime)

 

(Shenim: Internimi i familjes Melyshi vazhdoi 12 vjet, nga 1945 deri ne 1957,kur Pal Melyshi u shpall Hero i Popullit. Grafika e dhimbjes, e zhgenjimeve, është e gjatë dhe rrengjethese. E verteta nuk mund te jete e vertete kur jepet e cenuar dhe shpesh e keqinterpretuar nga infantilizmi politik, apo ca me keq nga llumi i ligesise njerzore)

 



(Vota: 9 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx