Kulturë
Ndue Ukaj: Tundimi
E premte, 18.06.2010, 09:22 PM

TUNDIMI
Koka e rraskapitur tundet vend e pa vend,
Zoti im sa vështirë e kam ta mbaj drejt
Era e heshtjes e luhat si një fletë qershie
Bota qesh mistershëm
Unë nuk çaj kokën engjëllushja ime
Përkundem në tundimin tim
Aty ku rrëshqet dheu nën këmbë,
Mundësia për të mbajtur boshtin drejt
Është më e vogël si një zero e madhe
Tundimi mban peng kokën time
Rrëmujës së përplasjeve tokë e qiell
Për fjalën e ambël si gjini i nënës
Për shkronjat e emrit tim që i përpiu Liqeni i Shkodrës
Mori krimbash të qelbur ushqyer nga dromcat e vjella nga alkooli
Rrëzë Kalasë së Rozafatit u kryqëzua një grua
Dhe dymbëdhjetë meshkuj dhanë betime të rreme
Tridhjetë e tri shishe të zbrazura
Tridhjetë e tri të mbushura i cakërroj përnjëherë
Pëlcet pikëllimi dhe bërtet:
Sa i mirë është të mos lexosh poezi -
kjo domethënë, thjesht, të mos vrasësh kokën për asgjë,
Vetëm poetët, vetmitarë dinë të duan,
Të duan e të duan pakufi,
Të kapin diellin në shuplakë dore,
E të përqafojnë detin në gji
Vetëm poetët dinë t’i numërojnë
Heshtjet tua të dhimbshme
Të lavdishme, o Shkodra jonë,
Të puthurat e përgjakshme nga Kosova,
Dardania Antike e maja e Stubllës së kryqëzuar
Dhe një emër i përbashkët:
Të vdesësh për të rrëfyer mistere të përjetshme
***
Si të mësohet te shkruhet ardhmëria në dheun
Që rrëshqiti nën këmbët tona elastike,
Ikën frikshëm, sa çel e mshel sytë ikën si era
Ku ta vjedh një pikë uji ta shumëzoj si Krishti,
Ta shumëzoj e det ta bëj
Për pastrim të pluhuri të mykur ka etje
Dhe mendimet e burgosura të lirohen
Lëkura e gjarprit të nemur, O Zoti im
Ngre kokën mbrëmje e mëngjes
Zvarritur tokës së cilës i zihet fryma
Dhe një kope zvarranikësh të dehur
E një mollë e mbjellë pa dëshirë
Në oborrin tonë rrethuar pa dashje
Nga pluhuri dhe merimangat
ehu, po si të digjet pa tym e zjarr...