E merkure, 04.12.2024, 09:14 AM (GMT)

Mendime

Mejdi Asllani: Fjalë rasti

E enjte, 17.06.2010, 08:57 PM


FJALË RASTI

(POST MORTUM)

 

Nga Mejdi Asllani

                                                   I

Në emër timin dhe të familjes time, përshëndes familjen shumë të nderuar të Hakif Berishës, e cila në tri breza dha luftëtarë për çlirimin e atdheut, nga gjyshi i Hakifit, babë Kurteshi dhe vetë Hakifi.

Në këtë përvjetor të parë pas vdekjes, së veteranit të UÇK-së, duke përkujtuar jetën dhe veprën e shokut dhe vëllait tonë Hakif Berishës, nga ditët e vështira për Atdheun dhe kombin. Po e shfrytëzoj rastin për t’i përshëndetë, gjithë ata djem e vasha që me vendosmëri i kapën armët për t’i dalë zot atdheut, kur ai dergjej nga robëria e stërzgjatur dhe kur i kanosej rreziku, ndër më të mëdhenjtë në histori. Përshëndes edhe ata që në çfarëdo mënyre e ndihmuan ose e përkrahën luftën. por me theks të veçantë i përshëndes, ato familje që më të dashurit e vet i ndanë nga zemra dhe ja falën ATEHDUT, PËR T’I BËRË TË PAVDEKSHËM.

Këto, si i thanë parafolësit e mi, janë shumë të vërteta por ka ende për t’u thënë, shpresojmë se brezat e ardhme do t’i thonë. Unë vetëm po e shtoj në emër të të gjithë luftëtarëve të mirëfilltë, se ideali i të gjithë luftëtarëve të gjallë e të vdekur, ka qenë dhe mbetët, çlirimi dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet natyral, ashtu si dhe ku e ka krijuar Zoti. E jo për ndarje në principata, sikur para Agronit e Teutës. Bile edhe më keq, sepse këto principata qeverisen nga të huajt si që janë:Çamëria, Lugina e Vardarit, Lugina e Preshevës, Bujanovci, Vraja, Medvegja, Plava, Gucia, Tuzi e Ulqini, po edhe Kosova tani për tani nuk është shumë më mirë. Disa prej tyre qeverisen nga armiqtë e përbetuar të kombit shqiptar, si që janë: Grekët, Sllavo-Maqedonasit dhe Serbia.

Prandaj unë për të mos i përsëritur fjalët e parafolësve të mi, po e lexoj një këtë tekst, të shkurtër, që ka të bëjë me rastin për çka jemi ftuar.

 Atëherë kur kombi shqiptar gjakosej, dhunohej, dëbohej nga barbaria serbe dhe kasapi i Ballkanit, Millosheviq, patëm nderin që Hakif Berisha, unë dhe shumë burra tjerë të moshuar, të radhitemi krah për krah me djemtë dhe vashat tona të reja, për t’i treguar armikut se as të moshuarit nuk janë plakur por as të rinjtë nuk janë fëmijë, por janë burra që i dalin zotë Atdheut dhe dinë t’i trokasin në ndërgjegjeje popujve të civilizuar, për t’i ndihmuar kësaj race të njerëzimit, të lënë pas dore dhe të harruar.

Po them se patëm nderin, sepse gjithë ata të rinj, i konsideronim si nipa e mbesa, për të cilët në çdo kohë dhe situatë ishim në gjendje t’ua presim breshëritë e plumbave me gjoksin tonë. Po ja se  pa thënë Zoti as nuk lindet as nuk vdiset. Edhe pse disa gojëkqinj flasin e thonë, se ata si kanë luftuar të gjithë janë vrarë. Këtë punë më mirë e dinë ata, që kanë qenë me ne, në vijë të frontit. Nëse kemë luftuar si duhet apo jemi kursyer duke u strukur.

Sikur ta kishte pyetur dikush Hakifin derisa ishte gjallë, ose mua që jam ndër ju për ditët tona të lumturisë më të madhe?- përgjigjja do të ishte: ditët e luftës tonë për atdhe!

 Sepse, atëherë dinim, se bënim diçka për kombin tonë të shumëvuajtur. Prandaj, nga kjo foltore i lus ata gojëkëqinjtë, që nëse nuk na respektojnë, së paku të mos na fyejnë. Sepse ne në luftë nuk kem shkuar vetëm për vete e për familjet tona, por edhe për ata.

Edhe sa të presim ore vëllezër e motra, që disa shqiptarë të mbushen mend dhe për një plesht të mos e djegin jorganin, për inati të rejës të mos i vdektë djali. Ose çka është më keq, nëse një hoxhë apo prift, apo lider partiak e bën një punë të keqe, të përgojohen gjithë hoxhallarët, priftërinjtë ose komplet struktura politike. Njëherë e  përgjithmonë duhet shporrur kjo praktikë. Si i miri, si i keqi, kanë emër dhe mbiemër, nuk duhet përgjithësuar gjërat, sepse kopshti i luleve në vend se të kultivohet, nuk është mirë të shkretnohet.

Aq më tepër, kur, si duket prapë këto lule do t’i hynë në punë Kosovës. Sepse pretendimet e disa popujve që nuk ia duan të mirën kombit shqiptar, realizimi i aspiratave të arsyeshme, shekullore të popullit shqiptar dhe amaneti i Dëshmorëve të kombit, nuk mund të shtyhet deri në pafundësi! Prandaj, obligim i çdo shqiptari është, ta përgatisë veten, familjen dhe rrethin që në rast nevoje të reagohet si komb, e jo si një pjesë e vogël e kombit. Vetëm atëherë nuk do të ketë xhelozi, sepse të gjithë do të jemë me merita të njëjta.

Edhe një herë ju përshëndes dhe ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë ditë përkujtimore.

Lavdi i qoftë veteranit të luftës Hakif Kurtesh Berishës!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora