Mendime
Lebit Murtishi: Lironi Albinin!
E hene, 14.06.2010, 08:59 PM
Lironi Albinin!
Nga Lebit Murtishi
Tërbimi i përsëritur i policisë kosovare mbi të rinjtë e paqes, mbi njerëzit e së ardhmes të atdheut, mbi njerëzit që duan liri për të gjithë, jo vetëm që vrau fjalën e lirë, jo vetëm që dhunoi pafajësinë, jo vetëm që rrënoi raportet e rrënuara mes qeverisë dhe popollit, por rrënoi edhe ëndrrën e fundit të ndonjë ëndërrtari, se me këtë garniturë politike, se me këtë klan të korruptuarish mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë.
E djeshmja e errët siç duket do t`i mbesë varur për qafe edhe për një kohë Kosovës.
Edhe pse u dëbuan me shumë gjak e sakrifica, hijet e errësive të mesjetës prapë rreth nesh qenkan, prapë rreth nesh sillen.
Nuk dihet ç`emër patën ato forca të errëta, që dikush i quan “forca rendi”, po me skenat e përgjakta që nazhdojnë t`i përsërisin sa herë i duhet dikujt gjak shqiptari, nuk dallojnë shumë nga forcat e errëta që ikën në pakthim, që ikën e që morën edhe mijëra bijë e bija nënash që nuk u dihet as vendi i prehjes.
Nëse dikush akoma mendon ta rrahë e ta tremb Kosovën, nëse dikush mendon të na fshijë nga mendja Mitrovicën e shitur, herët a vonë do të zhgënjehet, herët a vonë do të pendohet.
Skenat e përgjakta që përkujtojnë skenat e luftës, kur i njejti Albin rrihej e përgjakej, kur e njejta rini vritej e përgjakej, do të duhej t`u përkasin arkivave të historisë sonë të dhimbshme, dhe jo të përsëriten në stilin e njejtë dhe në vendin e njejtë.
Historija edhe mund të përsëritet ndonjëherë, mund të ketë dhe aktorë të njejtë, por çmimi i dhimbjes nuk është i njejtë; dhimbja e ka koston më të lartë.
Gangsterët që shfrynin dufin mbi bijtë e popullit, me siguri që kishin bekimin e nëmur nga „lartë“, me siguri që u ish bërë „shugurimi“ më herët, madje shumë më herët, që nga çmenditë e Naçertanies së Garashaninit, që nga epokat me maska. Dhe ja, kemi dhe përsëritjen e aktit të rradhës, dhe se ç`do të sjellë e nesërmja s`është e vështirë të imagjinohet.
Krimi u krye, krimi ndodhi, tash rradhën e kanë opozitarët trushterpë që të ndajnë leksione paqeje, të mbështesin forcat e rendit; forcat që vetëm shqiptarë dinë të rrahin edhe të vrasin, forcat që ndajnë Kosovën me kodoshët e huaj.
Kosova po duron sepse di të durojë, Kosova po hesht sepse di edhe të hesht, por Kosova di edhe të shpërthejë, Kosova di edhe të gjëmojë. Ishte shpërthimi dhe gjëmimi i saj në vitet që lamë prapa me nder dhe krenari, ishte shpërthimi dhe gjëmimi i saj që detyroi botën t`i kthejë sytë nga ne. Jeni tepër të vegjël për të rrahur Kosovën e djegur mijëra herë, jeni tepër të mjerë nëse harroni që jeni fëmijë të saj.
Këndelluni ju zoterinjë që u mashtron ngjyra e kollareve, thirrni mendjes sa nuk është vonë, kërkoni falje popullit që ia përsëritët historitë e vjetra, dhe rrihuni me serbët për Mitrovicën e shitur, dhe rrihuni për minishtetet që po lulëzojnë nëpër Kosovë, dhe rrihuni për minibosnjat që po u mbijnë në çdo lagje; dhe lironi Albinin t`i prijë rinisë, lironi t`i prijë Kosovës se mund tu vrasë mallkimi i gjakut, se mund tu vrasë mallkimi i nënave.
Kosova shkeli errësitë dhe nuk shtrohet më me maska.
Mos humbni kohë t`ia zini udhët; pendohuni zoterinjë, bini në këmbët e saj, Kosova di të falë, Kosova di të falë…
14.06.2010
Bern