Mendime
Besnik Prishtina: Albin Kurti u burgos nga mercenarët vendor me urdhërin e Brukselit
E hene, 14.06.2010, 08:58 PM
ALBIN KURTI U BURGOS NGA MERCENARËT VENDOR ME URDHËRIN E BRUKSELIT
Nga Besnik Prishtina
Sjellja brutale mesjetare e bandave të armatosura mercenare ndaj bashkëkombësve të vet në përpjekje të zbatimit të sundimit të ligjeve të huaja antishqiptare, tregon nivelin idiotesk të atyre që kana hartuar plane e urdhra, të atyre që kanë ekzekutuar ato dhe të atyre që përkrahin vendime të tilla antikombëtare. Idiotia e tyre shihet nga ajo se ata nuk mësuan as gjë nga gabimi i parë kur morën pjesë në vrasjet e 10 shkurtit 2007, as nga gabimi i dytë skandaloz kur morën pjesë në përpjekje për të e arrestuar Albin Kurtin te Varrezat e qyteti në Prishtinë, në ditën kur po varrosej tribuni kombëtar Ali Aliu, dhe po shihet se as nga ky gabim i tret i tyre, ata nuk do të mësojnë asgjë.
Për krimet e pas 1999 nga pozitat e terrorit shtetëror në Kosovë, ndajnë përgjegjësi të barabartë juridike e politike faktori vendimmarrës ndërkombëtar dhe ai vendas, edhe në Bruksel edhe në Prishtinë. Kjo përgjegjësi është konkrete e personale dhe ajo ka të bëjë me bartësit e funksioneve kryesore dhe të varësive të tyre të UNMIK / EULEKS / KFOR-it dhe me Presidentin, Krye-parlamentarin (bashkë me komisionet përkatëse), Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe me Drejtorin e Policisë. Pastaj përgjegjësia i ndjek pas edhe të gjitha ata që kanë marrë pjesë në këto krime që nga spiunët-informator brenda Lëvizjes Vetëvendosje e deri te ata qe morën pjesë në arrestime të aktivisteve të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, ata që po veprojnë kundër të drejtës së popullit të vetë në vetëvendosje, herët a vonë do të ballafaqohen me përgjegjësinë e vet për këto vepra të turpshme. E dimi se ata i përdori Brukseli me nxite vëllavrasje mes shqiptarëve, por kjo nuk do të funksionoi si duan ata! Përçarje nuk do të ketë. Do të ketë përgjegjësi personale të secilit në veçanti!
Prandaj ju bëjë thirrje politikanëve, oficerëve ushtarak e policor, juristëve dhe gazetarëve vendor dhe ndërkombëtar, që të mos bëhen pjesë e këtyre krimeve dhe me kohe te distancohen nga pjesëmarrja në ketë terror shtetëror si dhe të gjykojnë këto krime publikisht.
Shndërrimi i një lideri studentor të lëvizjes së rezistencës ndaj regjimi të diktaturës pseudo-komuniste të Beogradit, në DISIDENT politik kundër BE, nuk mundet të quhet mençuri e Brukselit. Sidomos nuk përputhet me respektimin e parimeve themelore të drejtave të njeriut dhe me respektimin e të drejtave të popujve në vetëvendosje, me të cilat krenohet Bashkimi Evropian në deklarimet e veta publike.
Bashkimi Evropian që e ka gojën plot kritika për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe që vazhdimisht ju del në mbrojtje disidenteve antikomunist në Kinë e gjetiu, tani në Kosovë ka fillua të sillet si regjimi komunist kinez, ndaj shqiptarëve – por jo edhe ndaj serbëve. Në të vërtet, Bashkimi Evropian me sjelljet e veta, dal nga dal, po i merr tiparet e ish Bashkimit Sovjetik!
Lëvizja Vetëvendosje ishte vetëm një hallkë e re në zinxhirin historik të Lëvizjes për Pavarësi Kombëtare e cila zhvillohet në kontiunitet në periudhat:
1) 1878 – 19812 për pavarësi nga Perandoria Osmane ;
2) 1912 - 1999 për pavarësi nga sundimi sllavo-grek dhe
3) 1999 – 2010 për pavarësi nga sundimi i përbashkët sllavo-grek dhe Perandoria Globaliste e BE !
Nuk po thellohemi shumë në të kaluarën e afërt, por po ndalemi te historiku i shkurtër prej se ka fillua të veproi Lëvizja Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje u krijua atëherë kur kaluan 3 vite nga Konferenca e Rambujesë, kur nga iniciuesit e saj nuk u respektua afati për deklarimin e popullit për statusin e vet të ardhshëm dhe kur u pa se e drejta e popullit tonë në vetëvendosje nuk do të respektohet nga Brukseli, por se do të imponohet një status i dhunshëm.
Krijimi i Lëvizjes Vetëvendosje u pa shumë me vend kur opinionit ju prezantua Plani i Ahtisarit i cili fund e krye ishte antishqiptar. Sepse Plani i Ahtisarit në tërë hapësirën e vet merrte nën mbrojtje vetëm minoritetin e kolonisë serbe dhe njëkohësisht merret me shpërbërjen e strukturës të identitetin nacional të Kosovës.
Nga vet përbërja e Lëvizjes Vetëvendosje shihet qartë se aty janë prezent fëmija e patriotëve të gjeneratës se me parme që ishin lokomotiva të epopesë së 1981, të cilët nuk po bëjnë diç tjetër pos që po e vazhdojnë rrugën e prindërve të vet drejtë arritjes së pavarësisë dhe bashkimit kombëtar në një shtet unik, sovran dhe të pavarur.
Nga ky fakt Brukseli duhet ta kuptoj se këta njerëz që e luftuan gjeneratë pas gjenerate çdo sundim të huaj, pavarësisht se fjala ishte për Perandori dhe Fuqi të mëdha ose shumë herë me ta mëdha se shqiptarët, nuk do të pajtohen as me një Kushtetutën të imponuar me dhunë nga Brukseli dhe as me një pushtet vasal nën kontrollin e Brukselit.
Brukseli ka qenë i paralajmëruar me demonstratën e Lëvizjes Vetëvendosje të 28 Nëntor 2006 se Populli Shqiptar nuk do të pranoj as një status i cili është në kundërshtim me vullnetin e ti dhe këtë e ka dëshmua edhe me 10 shkurt 2007, kur në rrugët e Prishtinës u përgjak Plani i Ahtisarit në demonstrata të cilave ju printe Adem Demaçi krah për krah me Albin Kurtin. Atë ditë të kobshme policet nga vendet e BE vranë 2, plagosen 83 dhe rrahën e burgosën disa qindra shqiptar, pse ata kërkuan vetëvendosje për vendin e vet.
Tani gjykata e EULEX-it për krimet e policëve të vet, ka fillua një gjykim politik kundër Albin Kurtit. Ky gjykim nuk është vetëm kundër Albin Kurtit, por është proces gjyqësor kundër të drejtës së Popullit Shqiptar në vetëvendosje. Një proces të tillë gjyqësor e ka zhvillua Perandoria Osmane para shkatërrimit të vet ndaj udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të njohur, te ne, si EPOKA PARA GJYQIT! Kësaj radhe, përgjegjësinë historike që kishte Stambolli, në atë kohë, tani në këtë kohë po e merr Brukseli.