E enjte, 01.05.2025, 09:35 PM (GMT+1)

Mendime

Avdi Gjata: Arrestimet dhe dhuna në Kosovë për çështje politike nuk kanë të ndalur

E hene, 14.06.2010, 09:58 PM


Arrestimet dhe dhuna në Kosovë për çështje politike nuk kanë të ndalur

 

Nga Prof. Avdi Gjata

 

Edhe pas mbarimit të luftës në Kosovë, situata politike dhe ekonomike nuk është duke u rregullua po është duke u keqësuar gjithnjë e më shumë. Kjo shihet prej propagandës që është duke zhvilluar në të gjitha sferat, e që po nxitë tendosje edhe shpërthime krizash, jo vetëm politike po edhe të natyrave tjera. Në kushte normale dhe ku vepron ligji ,Qeveria e Kosovës po edhe Euleksi, nuk do të kishin mundur në asnjë mënyrë t’a sjellin Kosovën në pozitën që është, sikur mos të krijonin artificialisht rrethana e skena për mbajtjen e popullit nën presion për të fshehur gjendjen reale politike dhe ekonomike që gjindemi.. Jemi të gjithë dëshmitar të asaj se çka po ndodh në Kosovë, kur udhëheqësit politik vendor e ndërkombëtar me plot gojën flasin për demokracinë, për luftën kundër korrupsionit, për shprehjen e lirë të mendimit dhe për funksionimin e shtetit ligjor. Deri më tani në asnjë nga këto lami nuk është parë ndonjë përparim apo masë për ndalimin e tyre, përveç masës për ndalimin e shprehjes së lirë të mendimit dhe kundërshtimit të çështjeve që janë kundër vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës.

Momentalisht në Kosovë si opozitë ka vepruar vetëm Vetëvendosja e cila publikisht ka kundërshtuar Qeverinë e planin politik të Ahtisarit, i cili është në kundërshtim të plotë kundër kërkesave e popullit shqiptar dhe kundër vullnetit të tyre politik. Kosova duhet të jetë shtet i cili punon për qytetarët e saj e jo vetëm të deklarohet se është shtet, që realisht nuk funksionon asnjë sektor i shtetit, ashtu siç duhet e siç funksionojnë në vendet e lira e demokratike evropiane.. Për këtë qëllim duhet të bëhet një transformim i tillë i cili sjell një ndryshim të praktikave qeverisëse po ashtu edhe të kulturës politike. Mirëpo, edhe përkundër deklaratave të herëpashershme të kryeministrit Hashim Thaqit, kryeparlamentarit , Jakup Krasniqit dhe ministrave të Kosovës, gjendja nuk është përmisuar fare, po ka ardhur e vjen duke u thelluar edhe më shumë në të gjitha drejtimet. Para disa ditësh Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës z. Bajram Rexhepi para mjeteve të informimit pat deklaruar se i gjithë rasti në të cilat pjesëmarrësit e ardhur të policisë që i kanë tejkaluar autorizimet e tyre në ditën e varrimit të atdhetarit dhe veprimtarit të njohur shqiptar Ali Aliut është e mirë dhe na ka gëzuar shumë deklarata e tij. Po nuk është mirë pse edhe Kryeministri i tanishëm i Kosovës nuk ka kërkuar e nuk kërkon të hulumtohen të gjitha rastet e tejkalimit të kompetencave, kur janë rrahur disa dhjetëra dhe janë lënduar disa dhjetëra pjesëmarrës në varrim. Në Kosovë nuk është fjala fare për tejkalim të autorizimeve, po fjala është se në Kosovë shteti po ushtron dhunë ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me qëndrimin zyrtar të Qeverisë. Pra, ja që kjo ndodhi përsëri dje më 12 qershor 2010 në mes të kryeqytetit të Kosovës ku njësitë speciale të policisë së Kosovës iu vërsulën në emër të arrestimit të liderit të ‘ Vetëvendosjes’ , z. Albin Kurti ku përdorën të gjithat mjetet në dispozicion, sikur të ishin policia serbe e para dhjetë viteve. Pamje të tilla nuk shihen as në filmat e imagjinuar e le më të jenë realitet, po, ne qytetarët e Kosovës të mësuar qe tridhjetë vite pa ndërprerë me këso veprimesh, jemi adaptuar me skena të tilla e nuk na duken diçka jo normale. Nuk na çuditë intervenimi i policisë ndaj djemve tanë, pasi ata janë të urdhëruar nga eprorët e tyre që edhe dje kështu i kanë urdhërua ,pasi ata janë të njëjtit njerëz, në të njëjtat pozita e me të njëjtin mentalitet si më parë, po na bënë të çuditemi nga djemtë tanë policë se ku e kanë marrë, e si arritën t’a krijojnë tërë këtë urrejtje ndaj fëmijëve të tyre, po edhe ndaj shokëve të vetë, që luftuan krah përkrah në vijën e parë të zjarrit. Njeri nga ata djem të luftës është edhe lideri i ‘Vetëvendosjes’ Albinë Kurti i cili gjatë kohës së luftës ishte zëdhënës i UÇK-së së bashku me Adem Demaçin , që u burgos e u maltretua nëpër të gjitha burgjet serbe, vetëm se iu mbrojti politikisht dhe iu përkrahu nga Prishtina, për luftën tuaj të drejtë. Iu mbrojti para paramilitarëve dhe ushtrisë serbe, para qendrës komanduese fashiste, pa pasur asnjë mbrojtje e pa asnjë armë në dorë që ishte shumë më vështirë se të ishte në frontet e luftës.

Në anën tjetër për të dyshuar edhe më shumë në arrestimin liderit të vetëvendosjes së Albin Kurtit, në ditën më të rëndësishme të historisë të Kosovës,siç është dita e hyrjes të trupave të Nato-s më 12 qershor 1999 dhe largimi i trupave ushtarake dhe paraushtarake serbe. Nuk mund të harrohen ato emocione të krijuara nga qytetarët para 11 viteve që i pritën me lule paqeruajtësit teksa hynin ata me makinerinë ushtarake. Kosova sot ka mbushur dy vjet që e ka shpallur pavarësinë dhe ka marrë verdiktin e një numri të madh të shteteve të cilat e kanë pranuar. Edhe pse jemi në muajin qershor, i cili tek ne në Kosovë është muaji i festave, arrestimi dhe dhuna që u përdor dje ndaj lëvizjes së Vetëvendosjes e prishi imazhin e saj. Me formën dhe mënyrën sesi u zhvillua ngjarja për pak çaste kishte mundësi të shndërrohet në dhunë, po fal trimërisë dhe mençurisë të anëtarëve të Vetëvendosjes të cilët janë të vet dijshëm se duhet të veprojnë me forma demokratike ashtu siç i kanë të parapara në programin e tyre. Ndërhyrja me forcë, me gaz lotsjellës e përdorimin mjeteve të forta nga ana e njësive speciale policore të Kosovës është një provokim i llojit të vet, e që udhëheqja politike e Kosovës dhe institucionet më të larta politike duhet të ulen e me gjakftohtësi të bëjnë një analizë mbi gjendjen politike dhe t’i gjejnë njerëzit që janë duke u munduar ta destabilizojnë Kosovën. Ajo çka ndodhi më 12 qershor, është një ngjarje e shëmtuar e aspak e këndshme për ne dhe mjaft e rrezikshme për ardhmërinë e Kosovës si shtet i ri. Të gjithë ata që e përcjellin situatën politike e dinë se sot në Kosovë, ka shkelje e të drejtave të njeriut, por kjo shkelje bëhet nga pushteti i cili po ushtron dhunë politike, edhe ekonomike ku pjesa dërmuese e popullsisë është duke vuajtur nga gjërat më elementare për jetesë . Është punë e kotë të përpiqesh që ti bindësh qytetarët e Kosovës se për gjendjen e krijuar fajtor janë ata dhe vetëvendosja, pasi këtë e dinë të gjithë ata që kanë vetëm pak njohuri. Deri dje, dhuna që shkaktohej nga pushteti ndaj ‘Vetëvendosjes’ dhe përkrahësve të saj arsyetohej se nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e qeverisjes në Kosovë le të dalin në zgjedhje pasi kjo është e vetmja rrugë demokratike e zgjedhjeve të problemeve të Kosovës. E më në fund kur ata para mjeteve të informimit u deklaruan se ‘Vetëvendosje ‘ ka marr vendim nga anëtarësia e gjerë të shndërrohet në subjekt politik e të marr pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, më pas lideri i kësaj lëvizjeje Albin Kurti u arrestua nga njësia speciale e Kosovës, bashkë me anëtarët e tjerë të kësaj lëvizjeje me të vetmin qëllim për ta penguar dhe për ta etiketuar si një lider çrregullues të gjendjes politike në Kosovë. Është një fat i mirë se qytetarët e Kosovës e njohin mirë Albinin po edhe Albinat e tjerë të cilëve nuk po iu krijohen kushte dhe rrethana të volitshme për ta dhënë kontributin e tyre në sendërtimin e shtetit , sepse qysh pas luftës e këndej Kosovën e qeverisë një qeveri mafioze e cila e ka dëmtuar mjaftë imazhin e sajë të brendshëm dhe ndërkombëtarë .

Kjo nuk ka koment?

 

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx