Mendime
Tanush Kaso: Presidenti “konsensual”, që dekoron xhelatët dhe viktimat e tyre
E marte, 15.06.2010, 08:32 PM
Presidenti “konsensual”, që dekoron xhelatët dhe viktimat e tyre
Nga Tanush KASO
Neni më i kundërshtuar nga ish opozita e majtë, në projektkushtetutën e vitit 1994, ishte ai me numrin 84, mbi kompetencat e presidentit. Por, edhe kushtetuta e hartuar prej saj,
sapo mori pushtetin, i jep presidentit po aq fuqi dhe po ato kompetenca, veçse të shpërndara nëpër disa nene.
Që nga miratimi i saj, më 1998, e deri më sot, është provuar disa herë se ç’është në gjendje të bëjë presidenti, me veprimin ose mosveprimin e tij. Kështu, p. sh., ka qenë vendimtar për fatin e së majtës shqiptare, roli i presidentit Rexhep Meidani, në ngjarjet e shtatorit 1998, kur -nga presioni i revoltës mbarëpopullore- u shkërmoq pushteti socialist. Kreu i qeverisë dhe i PS -së, Fatos Nano, për të shpëtuar lëkurën e tij, ia mbathi në Maqedoni. Ministrat dhe zyrtarët e tjerë braktisën detyrën dhe u shpërndanë secili për hesapin e vet, në drejtim të paditur. Televizioni shtetëror ra në duart e demonstruesve. Nëpër sheshet, rrugët dhe institucionet shtetërore nuk shihej asnjë përfaqësues i shtetit, asnjë zyrtar, asnjë polic. Vetë ish ministri i Brendshëm, i ndjeri Perikli Teta, siç ka treguar më vonë, i mbyllur në ministri, priste nga çasti në çast vdekjen e tij nga shpërthimi i turmës; madje, për këtë kishte kryer edhe ritualin e vetëpastrimit (të “abdesit”), që të shkonte i larë në atë botë. Nga mungesa e ruajtësve të rendit, po rrezikohej jeta dhe pasuria e qytetarëve. U dukën shenjat e para të dhunës e të kaosit, kur keqbërësit u vërsulën si ujqër të tërbuar dhe plaçkitën disa dyqane në kryeqytet. Kishte shumë mundësi, që kjo të ndodhte edhe në Durrës, Elbasan, Lushnjë, Fier,Vlorë e vende të tjera. Mund të përsëriteshin ngjarjet e vitit të shkuar, të 1997-ës, që ishin ende të freskëta.
Në këto kushte, disa deputetë të djathtë i kërkuan një takim urgjent z. Meidani, i cili qëndronte i mbyllur në Presidencë, i trembur dhe i hutuar, pa ditur se çfarë të bënte. Deputetët Fatmir Mehdiu, Pjetër Arbnori e disa të tjerë, deshën të bisedojnë me kreun e shtetit për gjendjen e krijuar dhe për normalizimin e shpejtë të saj, gjë që mund të arrihej me përpjekje të përbashkëta e në përputhje me kushtetutën. Mirëpo, presidenti Meidani, besnik i kauzës së tij majtiste-ramiziste, nuk donte ta pranonte rënien e qeverisë “Nano”, prandaj e refuzoi takimin. Për atë dhe kastën që përfaqësonte, ishte më mirë të vazhdonte kaosi dhe anarshia, sesa të pranohej e të shpallej disfata e qeverisjes së koalicionit të majtë. Vuri në përdorim të gjitha mjetet diplomatike dhe lidhjet telefonike, duke kërkuar ndihmën urgjente të disa përfaqësuesve të BE.-së e të SHBA.-së. Dhe -siç dihet- vetëm ndërhyrja energjike e ish ambasadores amerikane, zonjës Mariza Lino, ecejaket e saj në selinë e Partisë Demokratike dhe bisedat kokë më kokë me z. Berisha, bënë që pushteti i popullit, tok me disa tanke-trofe, t’i ktheheshin Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, të trembur për vdekje.
Me pak fjalë, ishte presidenti Meidani ai që e shpëtoi të majtën shqiptare dhe që mbas një vdekjeje klinike që zgjati tre-katër ditë, e risolli në jetë Partinë Socialiste për të qeverisur tetë vjet me radhë e për të bërë ato që nuk mund të harrohen kurrë, siç janë:
-Zhvillimi i një korrupsioni të paparë në administratën shtetërore e në organet e drejtësisë, gjë që e renditi vendin tonë ndër të parët në botë. (Nuk pati asnjë zyrtar a gjyqtar, të dënuar për korrupsion).
-Krijimi i bandave të armatosura dhe lidhja e krimit të organizuar me shtetin. (Nuk u asgjësua asnjë).
-Zhvillimi i trafikut të pandërprerë të lëndëve narkotike, armëve e njerëzve si dhe i prostitucionit, me skafet që lëviznin “non stop”, nga brigjet shqiptare në ato italiane e greke dhe anasjelltas. (Kjo u pasqyrua edhe në disa media të huaja -kryesisht italiane e greke- ku u cituan edhe emra pushtetarësh e deputetësh të majtë, si të implikuar e bashkëpunëtorë).
-Arrestime, vrasje pa gjyq dhe zhdukje pa gjurmë e kundërshtarëve politikë. (Më i bujshmi ka qenë arrestimi në mesnatë i katër ish ministrave të qeverisë demokratike, me metodat e Sigurimit të shtetit;
po edhe të disa shtetasve të tjerë. Pati të vrarë pa gjyq, gjoja në përpjekje me forcat e rendit, si dhe vdekje misterioze si ajo e mësuesit demokrat, që po transferohej me autoburg nga Kruja në Mirditë, etj.)
-Krijimi i një gjendjeje terrori e pasigurie, gjë që detyroi shumë shtetas të largohen nga atdheu.
-Lufta e hapur e qeverisë socialiste ndaj mediave të djathta ose asnjanëse; dhunimi i tyre; goditja me tatime si ato të viteve të para të diktaturës enveriste. (Janë të filmuara sulmet policore mbi “SHIJAK” TV
dhe mbrojtja e tij nga demokratët dhe të përndjekurit politikë të Tiranës; janë të dokumentuara akuzat dhe paditë e rreme, si dhe gjyqet pa fund ndaj disa gazetave të djathta, si ajo “
-Përsëritja e mandatit qeverisës me akte dhune, deri me vrasjen e kundërshtarëve politikë, me mashtrime, falsifikime listash e vjedhje votash, si edhe me “metodën e Dushkut”, që çuditi botën. (U vra në krye të detyrës komisioneri i Partisë Republikane; u rrahën e u dhunuan shumë të tjerë. Mbetën pa votuar dhjetra-mijëra njerëz, në zonat bastione të demokracisë).
-Vjedhja e thesarit të shtetit, me autorë anonimë; por që dyshohen pushtetarë, jo “fshatarë me gomarë”
-Vjedhja mafioze e parave të grumbulluara për rrugën Durrës-Kukës. (E mbetur pa autor).
-Pasurimi i tejskajshëm i mafies së kuqe, me korrupsion dhe grabitje pronash private e shtetërore.
-Varfërimi i shtresave të gjera të popullsisë dhe thellimi i hendekut të pabarazisë. (Asnjë kujdes social nga “socialistët”, asnjë rritje e ndjeshme rrogash e pensionesh; asgjë e mirë në drejtim të fshatit).
-Rritje galopante e shifrave të papunësisë; shfaqja e fletoreve të borxhit nëpër dyqanet ushqimore.
-Çrregullime të mëdha dhe abuzime në furnizimin me energji elektrike. Shifra të larta të atyre që nuk paguanin energjinë; fshatra e zona të tëra, madje edhe qytete që nuk paguanin.
Pra, është e qartë se gjithë këto “të mira” e shumë të tjera si këto, Partia Socialiste dhe e majta në përgjithësi, i pati nga presidenti Meidani, nga qëndrimi i tij i palëkundur e “largpamës”. Ndërsa për shtresat e gjera të popullit dhe për Shqipërinë, ato vite të qeverisjes së majtë, kanë qenë një fatkeqësi e madhe, një frenim i proceseve demokratike dhe vonesë e rrugës për në Europë.
Sapo e mbaroi mandatin presidencial, z. Meidani e hoqi menjëherë maskën e paanshmërisë e të papartishmërisë dhe u rreshtua pa vonesë në “detashmentin” e Partisë Socialiste, së cilës i përkiste, ku kandidoi edhe për kryetar të saj, por që nuk fitoi. (PS u tregua mosmirënjohëse ndaj tij).
Mbi (keq)përdorimin e autoritetit të presidentit nga pasardhësi i tij, z. Alfred Moisiu, (përsëri i majtë), i mbiquajtur “gjeneral-bunkeri”, nuk ia vlen të flasim fare. Për bëmat e tij “zbavitëse” është folur e shkruar shumë. Edhe ai vetë vazhdon të rrëfejë nëpër librat “me vlera të mëdha”, që po boton. Disa e krahasojnë z. Moisiu me ish kryeministrin e diktaturës, Adil Çarçani, të cilit populli i kishte vënë nofkën “tao-tao”; sepse ka mjaft ngjashmëri midis këtyre dy personazheve.
Për z. Moisiu, që ende vazhdon “tu japë mend” politikanëve shqiptarë, qarkullojnë edhe disa barsoleta, si ato për Pal Vatën dikur, ku flitet për shpërndarjen e titujve dhe të dekoratave pa mbarim nga ana e tij si dhe për merakun dhe pengun e fundit, që nuk arriti të ndante edhe disa dekorata të “nënave me shumë fëmijë”, të cilat kanë mbetur stoqe, qysh nga “koha e lavdishme” e Enver Hoxhës...
Po le të ndalemi pak tek presidenti aktual, “konsensual”, z. Bamir Topi, i cili po ecën nëpër gjurmët e dy paraardhësve të tij, duke shkruar faqe të reja në historinë e presidentëve shqiptarë.
Duke pasur parasysh kompetencat e mëdha që ka presidenti në momente të veçanta, me shumë rëndësi për vendin tonë, forcat politike kundërshtare patën përplasje të forta, mbasi secila synonte ta kishte të vetin kreun e shtetit. Logjikisht, meqenëse për dy mandate radhazi, presidenti kishte qenë me prejardhje të majtë, tani do të duhej që ai të vinte nga e djathta. Prandaj, nga kandidaturat e paraqitura, u pranua paraprakisht ajo e z. Bamir Topi, i cili vinte nga Partia Demokratike; nuk kishte qenë komunist dhe supozohej si i djathtë. Por, gjithsesi i privilegjuar nga regjimi komunist (qoftë edhe vetëm për faktin se ai dhe i vëllai, kanë kryer studimet e larta në perëndim, në atë kohë!!...). Kësisoj, ai gëzonte edhe mbështetjen e disa deputetëve të majtë. Megjithatë, nuk plotësohej numri i nevojshëm i votave, të përcaktuara nga Kushtetuta. Pati një ngecje apo “ngërç” politik, të padëshiruar. Mirëpo, siç duket, edhe kjo ishte parashikuar nga ata që bëjnë politikën në Shqipëri. Dhe zgjidhja erdhi krejt papritmas, me “makinën e Zotit” (“Deus ex machina”). Për këtë ishte kujdesur vetë lideri politik i së majtës, z. Nano, i cili dërgoi (apo “katapultoi”) në Kuvend, katër nga besnikët e tij, të cilët disa gazeta i quajtën “kamikazët e Nanos”!...
Të gjithë u çuditën se si qe e mundur, që “lideri historik” i së majtës, të bënte të mundur ngjitjen në kolltukun e presidentit, të një “të djathti”, siç ishte z. Topi. Po Nanua e dinte mirë se çfarë bënte. Dhe nuk u gabua aspak. Ata që dolën thellësisht të zhgënjyer ishin qytetarët e Tiranës e të të gjithë Shqipërisë, me aspirata demokratike të djathta.
Pra, siç shihet qartë, presidenti Topi ishte dhe mbetet produkt i prapaskenave politike, e -natyrisht- edhe skllav i tyre. Me këtë shpjegohen të gjitha veprimet e mosveprimet e tij të deritanishme, në dukje të paanshme, por që janë tërësisht në shërbim të së majtës ekstreme të tipit Rama-Ruçi.
Një qëndrim të dyzuar (“kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq”) ai mbajti për grevën e urisë së Partisë Socialiste. Po kështu edhe në ballafaqimin e palëve kundërshtare (PD dhe PS) përpara tij, për “hapjen e kutive”. Nuk u shpreh qartë se cili ishte -sipas tij- qëndrim i drejtë, në përputhje me ligjet dhe me kushtetutën, dhe cili i gabuar e që duhej ndrequr. Palët dolën nga presidenca ashtu siç hynë, pa asnjë rezultat; në pritje të ndonjë zgjidhjeje nga jashtë, çka vërtetoi edhe një herë paaftësinë e kreut të shtetit tonë.
I ndjekur nga dilema “ta firmos apo të mos e firmos”, ai ka anashkaluar edhe çështje madhore, siç ishte drafti i mazhorancës për pastërtinë e figurës së zyrtarit të lartë dhe për hapjen e dosjeve, që është rekomanduar prej kohësh edhe nga Rezoluta e Këshillit të Europës, për dënimin e krimeve të komunizmit. E mbajti projektligjin mbi tryezë deri në orën e fundit të afatit kushtetues dhe pastaj, duke u përkulur majtas, bëri atë që kishte kërkuar opozita: nuk e firmosi!! Kuptohet lehtë se me këtë qëndrim, ai hodhi edhe më shumë dyshime mbi pastërtinë e figurës së vet.
Ka edhe një varg veprimesh e mosveprimesh të tij, që përputhen plotësisht me qëndrimet e opozitës së majtë. Ai ka vendosur të ndjekë stilin e punës së paraardhësve të tij në atë detyrë të lartë, duke qëndruar në unison të plotë me ta. Madje, në një intervistë televizive, ka pohuar se e ka mbajtur të paprekur edhe stafin e ish presidentit Moisiu, të përzgjedhur sipas shijes ushtarake të gjeneralit në pension, me të njëjtët këshilltarë, sekretarë, rojtarë e oborrtarë.
Mund të jetë, ndofta, prej këtyre këshilltarëve marksistë-leninistë, që presidenti Topi ka bërë edhe disa vlerësime e dekorime që të çudisin. Gjithsesi, atij nuk i falet vendosja verbërisht e dekoratave mbi gjokset e disa ish-persekutorëve e xhelatëve të njohur, përfaqësues tipikë të organeve të diktaturës komuniste, që kanë çuar në plumb e në litar disa nga djemtë dhe burrat më të mirë të Shqipërisë. Do të mbetet një njollë turpi e pashlyeshme për atë, akti ceremonial i dekorimit të ish prokurorit të Gjykatës së Lartë, Skënder Breca, i cili -përpara gjykatësit Fehmi Abdiu- ka kërkuar dënimin me varje të mësuesit dhe poetit Havzi Nela. Dhe ka qenë po ky ish prokuror i tmerrshëm, Skënder Breca, që ka kërkuar me këmbëngulje pushkatimin e intelektualëve të burgosur të Spaçit, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Pretencat e tij kanë qenë vdekjeprurëse dhe ekzekutimi i tyre mban firmën e tij. Po ashtu, me cilësinë e prokurorit, ai duhet t’u ketë dhënë atyre edhe goditjen e fundit me revolver (“colpo di grazia”). Ai duhet ta dijë me siguri edhe vendvarrimin e tyre, ende të pazbuluar.
Por, z. Topi nuk është mjaftuar me kaq. Ka qenë një tjetër ish anëtare e Gjykatës së Lartë të diktaturës komuniste, Fatmira Laskaj, (firma e dytë, pas asaj të Fehmi Abdiut, për varjen e Havzi Nelës), e cila ka marrë falënderimet, vlerësimet, nderimet dhe dekoratën e z. Topi, “për merita të veçanta”!! Po kjo Fatmira, ashtu si dhe i dekoruari tjetër i z. Topi, ish juristi i diktaturës Njazi Jaho, kanë firmosur pushkatimin e të burgosurve Tom Ndoja e Sandër Sokoli, me rastin e revoltës në kampin-burg të Qafës së Barit, më 1984.
Edhe vetëm këto fakte të pakundërshtueshme, do të mjaftonin që presidenti Bamir Topi, të jepte dorëheqjen e parevokueshme, po t’i kishte mbetur sadopak vetëdije qytetare. Po në pamundësi për ta bërë këtë, ai deshi ta lehtësonte ndërgjegjen e vet, duke u dhënë nga një dekoratë “pas vdekjes”, viktimave të tyre!! Mirëpo një veprim i tillë, pa kërkuar më parë falje publike e pa ua hequr dekoratat xhelatëve, ka bërë efektin e kundërt. Ky është parë nga opinioni i gjerë dhe veçmas nga ish të burgosurit politikë, si një akt krejt formal dhe pa asnjë vlerë morale. Ka qenë vetëm një “larje duarsh, si Pilati”.
Më kot përpiqet z. Topi, të krijojë përshtypjen sikur gëzon mbështetjen e të përndjekurve politikë, për dekorimet dhe veprimet e tij të fundit, duke dalë përpara mediave në shoqëri të ndonjë personi, që hiqet si “njëshi i të persekutuarve”, por që nuk ka vuajtur asnjë ditë burg, internim apo dëbim dhe që (ashtu si ai) i ka gëzuar të gjitha të drejtat qytetare në kohën e diktaturës; madje, ka thurur edhe bejte për Partinë e “shokun Enver”. Po ashtu, presidenti thërret e mban pranë, kur ia do puna, edhe ndonjë ish oficer të Enver Hoxhës, që ka rënë në burg për “kanoçe” e jo për ideale politike. Është e drejta e tij të afrojë e të nderojë kë të dojë: edhe falsifikatorët, edhe mashtruesit ndërkombëtarë. Por, ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë të mirëfilltë, shokët e vuajtjeve e të idealeve të Havzi Nelës, Xhelal Koprenckës e të tjerëve, janë thellësisht të zhgënjyer e të pakënaqur nga dekorimet dhe qëndrimet antidemokratike të këtij presidenti “konsensual”.
Ndërkohë, vërehet një prirje e çuditshme e z. Topi, për t’iu kundërvënë pa të drejtë partisë, ku militoi për vite të tëra dhe që e miratoi kandidaturën e tij për president. Këtë ai nuk e bën për t’u treguar i paanshëm, po për t’i shërbyer palës tjetër. Duke gëzuar njëherazi edhe postin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, presidenti Topi po tregohet shumë këmbëngulës e po përdor të gjitha kompetencat e veta, që t’ia sigurojë të majtës vazhdimësinë e monopolit të organeve më të larta të drejtësisë, të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë për aprovim, emra të përzgjedhur nga e majta, ish gjyqtarë, prokurorë apo hetues të diktaturës komuniste. Ai nuk e përfill faktin se gjatë këtyre njëzetë vjetëve të proceseve demokratike, janë diplomuar për drejtësi, brenda e jashtë vendit, me qindra djem e vajza, të gjithë të pajisur me dije e mendësi bashkëkohore, disa prej të cilëve edhe me tituj shkencorë dhe që kanë fituar përvojën e nevojshme. Për z. Topi janë më të preferuar ata “profesionistë”, që kanë torturuar e dënuar shumë shqiptarë të pafajshëm, vetëm për shkak të bindjeve të tyre antikomuniste, demokratike e atdhedashëse; janë më të përshtatshëm gjyqtarët e vjetër, tejet të politizuar e të indoktrinuar me marksizëm-leninizmin e “luftën e klasave”, gjë që e kanë aplikuar edhe në vendimet gjyqësore të dhëna gjatë këtyre viteve të punës së tyre.
Me një kokëfortësi fëminore dhe në mënyrë provokative, ai i dërgon Kuvendit të njëjtët persona, të cilët një herë kanë kaluar për shqyrtim dhe janë kundërshtuar me votim të rregullt, për arsye që i din vetë çdo deputet i zgjedhur nga populli dhe që nuk është i detyruar t’i japë shpjegime të hollësishme, as z. Topi dhe as ndonjë tjetri, i cili kërkon “të fusë hundët” pa qenë e nevojshme. Ajo që dihet është se Kuvendi, me të drejtën e tij të ligjshme e të padiskutueshme, i ka kundërshtuar kandidaturat e paraqitura nga presidenti Topi, për në Gjykatën Kushtetuese dhe në atë të Lartën, kryesisht për dy arsye: ose kanë qenë të implikuar me të kaluarën komuniste e kanë dhënë dënime politike, ose sepse janë përfolur për korrupsion gjatë këtyre viteve të demokracisë.
Është për të ardhur keq se në këtë luftë të heshtur e të paprinciptë, që zhvillon kundër Parlamentit, z. Topi gëzon edhe përkrahjen e ndonjë diplomati mandatsosur e në prag pensioni, i cili para largimit nga “parajsa shqiptare”, ka marrë “ndonjë dorë pare” nga bosët e së majtës. Tanimë, mbas kaq vitesh përvoje e “bashkëjetese” me diplomatët e huaj, asnjë shqiptar nuk beson më se ata janë shenjtorë.
Sidoqoftë, kushdo duhet ta ketë të qartë se as në Afrikë apo në Azi, në Xhamajkë apo në Zululand, askush nuk mund t’i vërë në diskutim ose t’i anulojë vendimet e Kuvendit, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e ligjshëm të popullit.
Për gjithë sa parashtruam më sipër, presidenti “konsensual” Topi, duhet të mendohet mirë e të reflektojë drejt, për hir të “curriculum vitae”-s së tij, për të cilën do të flasë historia.