E merkure, 04.12.2024, 09:28 AM (GMT)

Mendime

Arbën Xhaferri: Kapiten Leshi, ose modelimi i shqiptarit të pranueshëm

E marte, 15.06.2010, 08:58 PM


Kapiten Leshi, ose modelimi i shqiptarit të pranueshëm

 

Nga Arbën Xhaferri

 

Rrallë kujt i kujtohet ky personazh i kinematografisë jugosllave, rrallë kush, nga ata që kanë kujtesë të mirë, nuk do të më qortojnë pse e nxjerr atë nga zona e harresës, nga plehu i kotësirave të propagandës asimiluese jugosllave. Kapiten Leshi ishte dhe mbetet metaforë, figurë, pjesë e një projekti të dështuar jugosllav, si shumë të tjerë para dhe pas tij që synonin ta modifikojnë identitetin shqiptar, ose, sipas standardeve të tyre, të papëlqyeshmen ta shndërronin në të pëlqyeshme. Them pjesë e një projekti ngaqë ai njëmend ishte gjithëpërfshirës: në njërin skaj zhvillohej ideja e akulturimit, e ndryshimit të identitetit, duke krijuar një komb të ri, me gjuhë që dallon nga ajo e shqiptarëve të Shqipërisë, me alfabet cirilik, ndërkaq në skajin tjetër parashikoheshin modalitetet për shfarosje fizike.

Pra, jugosllavët, kryesisht serbët assesi nuk gjenin mënyrë që t'i bëjnë për vete shqiptarët, t'i jugosllavizojnë, prandaj nëse do dështonin këto tentativa, i aktivizonin planet vijuese, dëbimin e tyre, si të ishin kolonë e pestë, një armik i pakorrigjueshëm. Përdorën dhunë aq sa kishin kapacitete, i nacionalizuan pronat, i dëbuan nga vendlindjet e tyre, i kolonizuan territoret shqiptare me serbë të kreshtave të Hercegovinës dhe të Malit të Zi, pastaj ua ndaluan gjuhën, shkollimin, prodhimin e vlerave, bënë ç'deshën, por, si gjithnjë në fund dështuan. Mbase, ndonjë i mençur nga radhët e tyre ka sugjeruar një ide më qytetëruese, në përputhje me parimet e ideologjisë komuniste të barazisë për sy e faqe, krijimin e personazhit, modelit "pozitiv" të shqiptarit të jugosllavizuar, të dorëzuar, si ai i kapitenit të pashëm, luajal dhe trim, i cili i ndjek, i ndëshkon, i likuidon ballistët dhe nacionalistët shqiptarë që penguakan integrimin e tyre në sistemin e ri. Ditën i vriste shqiptarët e padëgjueshëm, natën e pushonte trupin në krevatin e ndonjë lëneshe.

Sa më shumë që dështonin projektet serbe për përvetësim të shqiptarëve, aq më shumë akumulohej dhe manifestohej urrejtja e tyre ndaj shqiptarëve. Gjithë kjo armiqësi edhe përkundër dështimeve të vazhdueshme nuk ka të ndalë. Serbët, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, vazhdojnë me kuisjen e tyre neveritëse politike, me lamentin e vjetër: Kosova, vendi i shenjtë pa të cilin ata s' mund të ekzistuakan!

Lehtësia me të cilën ata i ndërrojnë pozicionet, nga ai i llogaridhënësit në atë të llogarikërkuesit është një cinizëm i pa shembull. Të gjithë përfaqësuesit e tyre, pa marrë parasysh ngjyrimet politike, kërkojnë të njëjtën, Kosovën, ose pozitën e hegjemonit në rajon, ose, si thonë sot, të liderit. Në këtë mënyrë, me këtë harresë patologjike ata, mjeshtërisht i ikin llogaridhënies. Presidenti tyre Tadiq, me një sjellje të pabesueshme prej shenjtori, sfilon nëpër skenat ndërkombëtare politike dhe me një ligjërim të banalizuar hyjnor porosit : "Serbia kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës" në vend që të thotë se "Serbia më kurrë nuk do t'i bjerë në qafë Kosovës dhe shqiptarëve." Këtë nga ai e pret e gjithë bota e qytetëruar, mirëpo ai, si kavje eksperimentale, i trajnuar për imunitet ndaj moralit, këtë fjali s'e nxjerr dot nga goja. Madje ai sillet si profet që di se si serbët do të sillen deri në Ditën e Gjykimit.

Figura e këtij personazhi filmor shënonte një projekt politik që, përmes modelit të heroit "pozitiv" të shqiptarit e bënte të natyrshëm asimilimin e tij. Megjithatë, ky personazh, ky model i shqiptarit "pozitiv" që i kundërvihet shqiptarit "negativ", gjithnjë vlerësuar sipas kritereve dhe interesave serbe nuk lë asnjë efekt te shqiptarët.

Kjo formë e përtharjes kulturore që duhet të përfundojë me asimilim të një populli të sunduar është përdorur dhe përdoret gjithkund dhe në çdo kohë, kështu që kemi Kapiten Leshin Çeçen, atë Kurd, Tamil, Tibetian, Ujgur etj. Personazhe të këtilla hasen në çdo kinematografi, në Holivud, Bolivud , në produksionin bashkëkohor filmor turk etj.

Për ta rritur besueshmërinë e këtij projekti, në planin më të gjerë krijohet nostalgjia e re për të vjetrën, për të kaluarën, për Perandorinë Osmane, për Jugosllavinë, për Bashkimin Sovjetik etj. Ata që nuk i njohin këto kohëra, gullagët, internimet, Goli Otokët, Qelekullat, masakrat, haraçet në gjak, nizamët që s'arrinin dot të ktheheshin në vendlindjet e tyre, shumë lehtë bëhen pre i këtyre manipulimeve të projektuare në mënyrë perfide dhe efikase. Këto rrëfime nostalgjike bëhen pjesë e metodologjisë për ndryshim të identitetit që e irriton hegjemonin.

Çdo gjeneratë e politikëve sundues zbulon dhe imponon figurën që e bartë me vete porosinë e re. Kur Kapiten Leshi u bë monoton, ekspertët për disenj mental projektuan idenë e re, atë të "shqiptarit të ndershëm". "Shqiptari pozitiv" ishte shpikje e shërbimeve informative jugosllave( serbe) të periudhës së Rankoviqit, shefit të policisë dhe të shërbimeve të sigurisë së vendit i cili do të largohet nga posti në Plenumin IV të Brioneve (1966).

"Shqiptari i ndershëm"ishte shpikje e ideologëve të nacionalizmit serbë të cilët dolën në skenë pas vdekjes së Titos. Shqiptari i ndershëm nuk bën atë që e bën shqiptari i keq, nacionalisti, i shkolluari që i refuzon idetë serbe për riformatizim të Jugosllavisë, sipas Memorandumim e ASSHA-së, ai që kërkon barazi, që ushtron presion kundër serbëve, që dyshon në të vërtetat serbe, ai që e do më shumë Shqipërinë sesa Jugosllavinë, etj.

Sa më shumë që rritej zullumi serb aq më shpejt zvogëlohej numri i "shqiptarëve të ndershëm". Në fund mbetën aq sa ka gishta në duart e njeriut.

 

Kur dështoi edhe ky projekt, kur Serbia mbeti pa shqiptarë të ndershëm, pa ata matufë dhe pijanecë që pinin birra si hamajtë para dyqaneve të fshatrave rreth Prishtinës, si bie fjala Sejdo Bajramoviqi, anëtari i fundit i Kosovës në kryesinë jugosllave, ajo me nxitim e përuroi modelin e ri, natyrisht sipas standardeve serbe: "shqiptarin e neveritshëm". Ky model i ri i perceptimit të shqiptarit duhet të kishte karakteristika neveritëse, të sajuara, si edhe në rastet tjera nga vetë serbët: fundamentalistë, mafiozë, vrasës, kontrabandues, tregtarë të drogës dhe të qenieve të gjalla etj.

Sot, politikët serbë, ata që nuk i bren ndërgjegjja, ata që nuk kanë ndjeshmëri morale dhe vizione politike, siç janë presidenti i shtetit, Tadiq, një malazias i serbizuar dhe ai ministri i punëve të jashtme, Vuk Jeremiq, i cili, në paraqitjet e tija në opinion ofron çdokujt atë që ai parapëlqen: kur takon liderë myslimanë patjetër e potencon faktin se nënën, një komuniste e regjur, e paska myslimane, ose kurrë merr pjesë në konferenca Latino-Amerikane flet me një gjuhë të kuptueshme për Hugo Çavezin, sot këta të dy ndërtojnë politikë e tyre të jashtme mbi konceptin e "shqiptarit neveritës".

 

Këta të dy, si dhe një grup përkrahësish që kanë mbamendje të rrjedhurish, që nuk hetojnë mbi supet e tyre peshën e krimeve të paraardhësve të tyre kriminelë, vazhdojnë t'i baltosin shqiptarët duke harruar faktin se ata vetë i takojnë një populli me dosje të rëndë krimesh sistematike, abuzimesh politike, shkeljesh të normave morale, standardeve demokratike, konventave ndërkombëtare, formimesh të strukturave ilegale pushtetmbajtëse që i suspendojnë vazhdimisht strukturat legale. Duke marrë parasysh këtë armiqësi patologjike sistematike antishqiptare të kreut serb, këtë amnezion të shtirur, detyrimisht shfaqet nevoja që opinioni të njoftohet me percepcionet shqiptare, me versionin objektiv të veprimeve serbe, të cilët sesi nuk arrijnë të formojnë shtet mbi parimet e ligjit. Dëshmi për një pohim të këtillë janë të njohur: likuidimi i udhëheqësve (i dinastisë proaustrikake të Obrenoviqëve, të ish presidentit të shtetit, Ivan Stamboliqit, të kryeministrit Gjingjiq, të ministrit të mbrojtjes, Bullatoviq, të udhëheqësve të lartë të policisë, të gazetarëve), formimi i strukturave ilegale të pushtetit, "Crna Ruka"("Dora e Zezë" që e likuidoi dinastinë e obrenoviqëve për ta sjellë në fron karagjorgjeviqët pansllavë), kipci saj "Bela Ruka"("Dora e Bardhë", krijuar nga vetë mbreti, Aleksandër Karagjorgjeviqi që më vonë do ta likuidojë alternativën e saj të zezë), krijimi i formacioneve siushtarake prej kriminelëve të regjur që nuk respektonin asnjë normë, hartimi dhe zbatimi i projekteve për shfarosje të shqiptarëve...

Pra, përfaqësuesit e një populli me një listë impozante të njerëzve të vrarë ilegalisht gjejnë hapësirë për t'i akuzuar shqiptarët si të paaftë për formim të shtetit. Shqiptarët mbase kanë mangësi në këtë fushë të ndërtimit të shtetit, por ata nuk krijojnë alternacione ilegale shtetërore, që nga hija i dirigjojnë të gjitha proceset në shoqëri. Në të gjitha krizat historike serbët krijonin struktura ilegale që i suspendonin ato legale, vetëm e vetëm që përmes formacioneve ilegale siushtarake, t'i realizojnë ambiciet e tyre hegjemoniste. Në luftërat e fundit ata në çdo fushëbetejë nxorën njësite kriminale siushtarake që vritnin civilë, ushtarakë, gazetarë, oponentë politikë, plaçkitnin, dhunonin, bënin çdo gjë që u shkonte në interes personal ose grupor.

 

Sot, presidenti serb, Tadiq sillet vërdallë, duke përhapur idenë e pafajësisë serbe dhe duke potencuar vazhdimisht konstatimin se të gjithë qenkemi njësoj. Në çdo takim, ai me një brerore të rreme mbi kokë sillet si ashik i paqes, si lider i Ballkanit. Thonë se qenka i ftuar edhe në Shqipëri që nga aspekti diplomatik do të ishte një fitore e madhe e kauzës serbe. Në vend që të trajtohet si vazhdues i një politike luftënxitëse, ai do ta shfrytëzojë rastin që lehtë-lehtë t'i anulojë kërkesat eventuale të shqiptarëve për dëmshpërblim dhe duke u sjell si paqedashës do të përmbyll një fazë historike në dobi të serbëve. Ky ligjërim imoral i tij është fyerje për të gjitha viktimat shqiptare që u bënë pre e oreksit serb për territore.

Pas periudhës së parë të modelimit "të shqiptarit pozitiv", pas dështimit të kapitenleshëve, në skenë doli modeli i "shqiptarit të ndershëm", si bie fjala ai i Sinan Hasanit. A thua pas figurës së "shqiptarit neveritës" çfarë modeli do të krijojnë? Sipas gjitha gjasave mbetet ai i shqiptarit që do të bëjë vazhdimisht kompromise që të tjerët as në ëndërr nuk i bëjnë. Të gjithë faktorët që kanë pasion modelimin e identitetit të shqiptarit, pas përfundimit të gjitha negociatave, faktikisht të bojkotuara nga serbët, gjithnjë e më hapur sugjerojnë të vazhdojnë bisedat me serbët, kjo do të thotë se do të kërkohen kompromise të reja. Por, problemi nuk qëndron te ideja e kompromisit, për te qëllimi perfid i politikës "së moderuar" serbe për ta shndërruar Kosovën në shtet që nuk mund të funksionojë. Ata vazhdojnë të sillen si armiq, nuk e fshehin atë, madje edhe tallen me shpikjen e tyre, opstrukcionin e vazhdueshëm. Në këtë mënyrë faji për dështim nuk do të kërkohet në përcaktimin strategjik të serbëve për opstrukcion, pengim masiv të funksionimit të të gjitha segmenteve të shoqërisë, por "te paaftësia" e sajuar e shqiptarëve për ndërtim dhe funksionim të shtetit. Sot në Kosovë edhe minoritetet marrin guxim që fare kot t'ua ndalojnë shqiptarëve vlerat historike, si bie fjala problematizimi i ëmblës së komunës së Prizrenit. Por, problemi i ri me të cilin do të ballafaqohen të gjithë ata faktorë që e rrënojnë shtetin e Kosovës do të hapet kur ata, për këto ide nuk do të gjejnë më në mesin e shqiptarëve homo compromisusin.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora