Shtesë » Lajme
41 intelektualë, letër Ramës
E hene, 10.05.2010, 09:58 PM
Nga Erald Kapri
Një grup artistësh, njerëz të letrave dhe skenës, i kanë dërguar një letër të hapur kreut të opozitës, Edi Rama, që të ndalë grevën e urisë. Në letrën e hapur, 41 artistët kërkojnë që të mos preket liberalizimi i vizave dhe në mënyrë simbolike kërkojnë “heqjen e pritës” nga kreu i opozitës. “Zoti Rama, hiqeni pritën! Lërini shqiptarët të mbërrijnë në shtëpiI!”, kështu nis letra e hapur e personaliteteve të artit, e firmosur nga artistë të njohur si Mirush Kabashi, shkrimtari Fatos Kongoli, Tinka Kurti, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti, Myfarete Laze, Amik Kasaruho etj., që nga organizuesit e letrës së hapur cilësohen si elita e kombit. Ata shprehen në letrën e tyre se “ne të gjithë arritëm këtu, duke ecur nëpër kalldrëmin e këtij tranzicioni kaq të gjatë. Ne kemi ecur dalëngadalë, duke e tronditur herë pas here besimin e të gjithë atyre që na mbështetën. Por… më në fund… ne tani jemi në prag, (duke iu referuar liberalizimi të vizave). Na duhet t’ua rikujtojmë të gjithëve se tamam në ditën kur 12 ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian mbështetën publikisht heqjen e vizave për Shqipërinë, një grusht figurash politike dhe militantësh të partisë suaj u ndrynë në një grevë urie në zemër të Tiranës. Për fat të keq, ky izolim i ngjashëm me ngujimin absurd dhe aspak ekzistencial, çdo ditë e më shumë po humbet kuptimin e dimensionit të lirisë, po humbet perspektivën, kthjelltësinë dhe po kthehet në përhumbje, amulli dhe dëshpërim. Kjo është arsyeja, e cila na shtyn t’ju bëjmë këtë thirrje publike, që të rigjeni Kuvendin, politikën, dialogun”, thuhet më tej në letrën e artistëve drejtuar Edi Ramës. Më tej ata shprehen se rruga e ndjekur me anë të grevës së urisë nuk është e hirshme. “Vetëflijimet nuk janë kurrë të hirshme. Zoti ynë i përbashkët na e ka falur jetën që ta përdorim sipas hirit të tij. Ai nuk e ka eksperiencën e së keqes. Ndaj edhe u rri larg gjithë përvojave vetëflijuese. Besojeni se ne nuk mund të vazhdojmë të bëhemi gazi i botës për asnjë arsye. Dinjiteti ynë kombëtar nuk mund të përdhoset për asnjë shkak. Ne e meritojmë lirinë dhe të ardhmen e qytetëruese”, shkruhet në letër. Ata thonë më tej se “në këtë rrjedhë historie, ky komb ka pasur edhe antiheronj, njerëz që i kanë pirë gjakun e i kanë shuar lirinë, njerëz që i kanë cenuar dinjitetin e i kanë vrarë shpresën”. Në fund të letrës, kreut të opozitës i bëhet apel të ndërpresë grevën e urisë, duke i thënë që të mos bëhet antiheroi i radhës i historisë shqiptare. “Zoti Rama, hiqeni pritën! Lërini shqiptarët të mbërrijnë në shtëpi! Mos u bëni antiheroi i radhës, i kohëve moderne! As ju nuk e vrisni dot destinin tonë!”, mbyllet letra e artistëve.
Intelektualët që kanë firmosur letrën
Mirush Kabashi Artist i Popullit
Agim Krajka Mjeshtër i madh
Irini Qiriako Këngëtare, Mjeshtre e Madhe
Skender Kamberi Piktor, Artist i Popullit
Fatos Kongoli Shkrimtar
Agron Aliaj Koreograf, Artist i Popullit
Drita Pelingu Aktore, Mjeshtre e Madhe
Nestor Jonuzi Piktor, Artist i Popullit
Tinka Kurti Artiste e Popullit
Luiza Papa Artiste e Merituar
Edmond Tupja Përkthyes, Profesor
Dhimitraq Orgocka Regjisor, Artist i Merituar
Margarita Xhepa Artiste e Popullit
Guljem Radoja Artist
Ali Oseku Piktor i Popullit
Armaldo Kllogjeri Tenor i njohur në skenat botërore
Marjana Leka Soprano
Etleva Golemi Soprano
Gerti Vaso Solist i TOB
Lili Cingu Mjeshtre e Madhe
Anila Zajmi Piktore
Genc Shkodrani Piktor
Buron Kaceli Piktor
Rexhep Çeliku Mjeshtër i Madh
Orjon Shima Piktor
Zerina Kuke Artiste
Zhani Ciko Mjeshtër i Madh
Elvira Diamanti Aktore
Xhelal Tafaj Artist, Urdhri "Naim Frashëri i Artë"
Lajla Agolli Kompozitore
Ylber Gjini Bariton
Myfarete Laze Këngëtare
Suela Konjari Aktore
Perikë Gjezi Aktor
Helga Saraçi Valltare
Genc Përmeti Piktor
Sabahet Vishnja Këngëtare
Donika Çili Pianiste
Manjola Konjari Mezo soprano
Ardian Isufi Piktor
Amik Kasaruho Shkrimtar, përkthyes
Rama: Keqardhje për intelektualët e Berishës
Kreu socialist iu përgjigj dje letrës që intelektualët i dërguan dje Edi Ramës për të ndërprerë grevën e urisë. “Fjalën e parë e kam sot për ca intelektualë siç e quajnë ata vetën, por edhe siç i quajnë të tjerët ata. Intelektualë që shkruajnë se kjo grevë u duket e ekzagjeruar, u duket e tepërt madje se kjo grevë u dukej e rrezikshme për stabilitetin ekonomik dhe politik për vendin sipas njërit prej tyre. Fjala ime për ta është vetëm një: keqardhje! Keqardhje për kapardisjen e tyre në
haremin mediatik ku vallëzojnë çingijet e oborrit të mbretërisë të pashpallur.
Dhe neveri për këtë harem sazexhinjsh të ushqyer me fondet e oborrit për të mbytur me zhurmën e shpifjeve dhe fyerve jehonën e përpjekjes tonë në zemrat e shqiptarëve. Dhe sot dëshiroj ta përsëris për të gjithë ata daullexhinj të haremit mediatik të Sali Berishës. Ata janë fytyra e pushtet të korrupsionit dhe gënjeshtrës që nuk e la dje popullin të zgjedhë”, u përgjigj Rama.