E enjte, 24.07.2025, 11:20 PM (GMT+1)

Mendime

Lorenc Vangjeli: Shqipëri-Turqi, dritëhijet e një Memorandumi

E enjte, 25.02.2010, 10:46 PM


Shqipëri-Turqi, dritëhijet e një Memorandumi

Nga LORENC VANGJELI, MAPO

Eshtë firmosur nga Edit Harxhi, zëvendësministre e Jashtme në 10 dhjetor të vitit të kaluar. Ka kaluar si një shtesë e marrëveshjes së hershme të shkurtit të vitit 1998 mes dy ministrive të jashtme të Tiranës dhe Ankarasë, të firmosur nga ish-ministri i jashtëm Paskal Milo dhe homologu i tij turk. Memorandumi i jep mundësi të dy vendeve që të përfaqësojnë njëri-tjetrin në vendet ku nuk kanë seli diplomatike. Një traditë e ngulitur në diplomaci, por që në rastin konkret ngre disa pikpyetje për Tiranën. Revista MAPO siguron dokumentin e plotë

Nuk ka mundësi të jetë ndryshe! Marrëdhëniet shqiptaro-turke janë të shkëlqyera! Drejtuesit e të dy vendeve, të të gjitha niveleve, në të gjitha qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë të paktën në këto 20 vitet e fundit, por dhe më parë, nuk harrojnë kurrë të nënvizojnë se e tashmja e shkëlqyer e këtyre marrëdhënieve, buron dhe nga një miqësi historike, e cila, natyrisht, parashikon të prodhojë dhe një të ardhme edhe më të nxehtë dashurie mes dy kombeve. Një gjë e tillë u konfirmua dhe në vizitën e fundit në Tiranë të Presidentit të Republikës së Turqisë, zotit Abdullah Gyl. Miku i nderuar e dëgjoi të përsëritur këtë slogan të pandryshueshëm miqësie si në Presidencën shqiptare, si në selinë e kryeministrisë, ashtu dhe në Kuvend. Më parë ato ishin dëgjuar dhe në vizitat e shpeshta e të ndërsjellta në linjën Tiranë-Ankara nga të gjithë faktorët politikë në vend. Dhe në të vërtetë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Dy vende që vijnë nga një e shkuar që i ka bërë bashkë e kanë ndarë fat jo aq të ngjashëm nën të njëjtën "çati", pavarësisht se njëri ishte pushtuesi dhe tjetri i pushtuari; ndanë dhe dhanë pothuaj të njëjtën kulturë dhe besim fetar. "Në Tiranë unë ndjehem si në shtëpinë time", u citua Presidenti Gyl nga media shqiptare në vizitën e tij të fundit dy ditore në Tiranë. Pothuaj të njëjtën frazë, mund ta thonë besnikërisht edhe zyrtarët e lartë shqiptarë, deri dhe qytetarët e thjeshtë shqiptarë në Turqi. Sepse kështu është e vërteta. Vetë Presidenti Bamir Topi dhe Presidenti Gyl i thanë njëri-tjetrit se: "... do të ngrejnë nivelin e marrëdhënieve politike, që ata i cilësojnë si të shkëlqyera edhe nivelin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve". Në takimin e dy presidentëve u njoftua dhe se dy vendet do të dërgojnë trupa shtesë në Afganistan, në kuadër të trupave të NATO-s që ndodhen aty prej gati një dekade.
Kryeministri Berisha u shpreh se "... ndihej shumë i lumtur dhe i nderuar që priste Presidentin e një vendi dhe kombi mik të Shqipërisë, si dhe një mik të tijin personal dhe një mik të madh e të shquar për popullin shqiptar". Berisha e vlerësoi vizitën e Presidentit Gyl si një vizitë shumë të rëndësishme, e cila rikonfirmoi edhe njëherë marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, qeverive dhe popujve, por edhe do të japë një kontribut të madh përpara në këto marrëdhënie".
E njëjta monedhë miqësie kthehet dhe nga Presidenti Gyl: "Turqia do të vijojë të jetë një aleate e ngushtë e Shqipërisë, në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të mbështesë atë, si në përpjekjet e saj për integrim në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në të gjitha përpjekjet për zhvillim e progres në fusha të tjera".
Por nga të gjitha detajet e vizitës rikonfirmuese të miqësisë, një prej tyre të paktën nuk u bë publik. Mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë, u nënshkrua dhe një memorandum mirëkuptimi, për të cilin pothuaj nuk u fol publikisht. Të paktën në site-t zyrtare qoftë të Këshillit të Ministrave, qoftë të Ministrisë së Jashtme, ky dokument nuk përmendet. Dhe është në fakt mjaft i rëndësishëm.

Dokumenti i "harruar"

Eshtë një Memorandum Mirëkuptimi mes dy vendeve, i titulluar "Për një shtesë në marrëveshjen për bashkëpunimin dhe këshillim politik...", mes dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Turqisë. I pari i këtij lloji dhe jo zyrtarisht, i paralajmëruar se nuk do të jetë i fundit, por që do të pasohet nga shtesa të ngjashme të firmosur me vende të tjerë. Ky Memorandum Mirëkuptimi, që do të shtohet në marrëveshjen e nënshkruar në Ankara në 12 shkurt 1998, nga ish-ministri i jashtëm Paskal Milo, u firmos në Tiranë në datën 10 dhjetor nga zëvendësministrja e jashtme, Edit Harxhi. Ka hyrë në fuqi në ditën e firmosjes së tij dhe është vetëm një faqe format A4. Memorandumi teorikisht është konceptuar sipas një praktike të ngulitur diplomatike dhe jo fort të rrallë.
Zakonisht realizohet mes dy vendeve, një "i vogël" dhe një "i madh", si në rastin e Shqipërisë dhe Turqisë. Dhe memorandumi i Tiranës këtë përcakton që në kreun e tij: "Një palë, në shtetet pritëse ku Pala tjetër nuk përfaqësohet, për të mundësuar kryerjen e shërbimeve diplomatike për këtë palë, afron mundësitë për të siguruar ndihmën e nevojshme administrative dhe logjistike në kuadrin e të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare". Dhe më tej: Një Palë, në shtetet pritëse..., me miratimin e këtij shteti dhe mbështetur në procedurat e saj ligjore dhe administrative, do të vlerësojë mundësinë për marrjen e masave të nevojshme për caktimin e përfaqësuesit në nivel agjenti diplomatik në misionet diplomatike të njëri-tjetrit". Dhe më tej akoma dhe më "miqësisht" akoma, thuhet se: Palët..., për të siguruar shërbime ndaj shtetasve dhe për të mbrojtur interesat e tyre të ndërsjellta, do të shqyrtojnë mundësinë për krijimin e një zyre, e cila do të jetë pjesë e misionit diplomatik të palës tjetër të përfaqësuar në shtetin pritës". Me fjalë të tjera, Memorandumi bën të mundur që në vendet ku Shqipëria nuk ka ambasadë, por ka marrëdhënie diplomatike, të ketë një asistencë të plotë turke për të përmbushur misionin diplomatik. Madje, aty ku është e mundur fizikisht, edhe të hapë një zyrë të sajën në "oborrin" e ambasadës turke.
Memorandimi i hyrë në fuqi, ju jep të drejtë të dy vendeve, që zbatimin e saj ta kryejnë pas një vlerësimi të veçantë rast pas rasti duke u nisur edhe nga mundësitë fizike e administrative të palëve, si në shtetet pritëse, ashtu dhe në institucionet ndërkombëtare. E thënë sërish me fjalë të tjera, Shqipëria dhe Turqia, angazhohen të "plotësojnë" njëra-tjetrën në fushën e veprimtarisë diplomatike. Por ajo që në teorinë diplomatike është krejt e saktë, në zbatimin praktik, ka disa anë që nuk janë të sqaruara qartë.

Qortimi i Memorandumit

Një lexim i vëmendshëm i Memorandumit të Mirëkuptimit, ngre disa pikpyetje.
Së pari, është e kuptueshme që kjo ndihmë vjen thjesht dhe vetëm në një linjë vektoriale: Turqia ndihmon Shqipërinë dhe pothuaj në asnjë rast të vetëm jo e anasjellta. Sepse Turqia, si një fuqi me peshë dhe rol të fortë në politikën ndërkombëtare, ka seli diplomatike në të gjithë botën, kurse Shqipëria, pavarësisht ekspansionit të dhjetëvjeçarit të fundit, ka vetëm rreth 50 të tilla. Pavarësisht frazeologjisë "bilaterale", e vërteta është krejt e njëanshme: Shqipëria nuk ka çfarë të afrojë!
Së dyti, zgjedhja e Turqisë - të tjera vende mendohet se do të nënshkruajnë memorandume të ngjashëm me Shqipërinë - ka në vetvete dhe disa siklete që në Ballkan e në marrëdhënie me vendet ballkanike nga të tretë, nuk anashkalohen lehtë. Lehtësisht mund të jetë e kuptueshme "hatërmbetja italiane", për shembull, për këtë parazgjedhje turke të qeverisë shqiptare.
Së treti, pavarësisht përmirësimit të dukshëm të marrëdhënieve reciproke të Turqisë me Greqinë, gjithashtu është lehtësisht e kuptueshme që një zgjedhje e tillë, nuk e ka bërë fort të lumtur Athinën zyrtare. Rivaliteti mes tyre për "zemrën dhe dashurinë" e Shqipërisë, nuk është një gjë e panjohur.
Së katërti, Shqipëria, edhe për shkak të angazhimeve të saj, tradicionalitetit, raportit tejet preferencial e sidomos dhe vokacionit të politikës dhe shoqërisë shqiptare, ndodhet më afër se me çdo vend tjetër me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën formalisht, një "ofertë" e tillë mirëkuptimi dhe miqësie, do të duhej të dërgohej dhe në Uashington.
Së pesti, në praktikën diplomatike në këto raste, zakonisht zgjidhet një partner që nuk ngjall xhelozinë e askujt. Në rastin shqiptar, Austria, fjala vjen, apo dhe ndonjë shtet tjetër evropian "larg" Ballkanit, mund të ishte një zgjedhje aspak problematike. Megjithatë, Shqipëria zgjodhi Turqinë. Duke rikonfirmuar edhe njëherë preferencën e saj historike dhe miqësore. Në fund të fundit, edhe në Afganistanin e largët musliman, djemtë shqiptarë luftojnë bashkërisht dhe nën të njëjtin flamur dhe asqerët azganë turq. Shqipëria do të rrisë me 85 ushtarë kontigjentin e saj në Afganistan, Turqia ka shtuar së fundmi me një mijë trupa praninë e saj në Afganistan. Tani, pas Memorandumit të Tiranës, do të duhet të mendojë të shtojë dhe ndonjë zyrë diplomatike në ambasadat e saj nëpër botë për llogari të burazerit të saj shqiptar. 

Kush firmosi

Firmën mbi Memorandumin e Mirëkuptimit e ka hedhur për palën shqiptare zëvendësministrja e jashtme Edit Harxhi. Sipas jetëshkrimit të saj, 38 vjeçarja Harxhi, ka një lidhje specifike me Turqinë. Bashkëshorti i saj është shtetas turk, ajo vetë ka studiuar në Ankara dhe ka kaluar një përvojë diplomatike në ambasadën shqiptare në Ankara në mes të viteve 90´. Më herët zonja Harxhi ka punuar si Konsulente Ndërkombëtare pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD. Ka shërbyer si këshilltare ndërkombëtare për tre Kryeministrat e Kosovës duke mbuluar sektorin e politikave të sigurisë. Po në Prishtinë ku ka qenë dhe lektore, ka shërbyer si e ngarkuar me punë nga Zëvendës Administratori i Kosovës. Ka drejtuar Zyrën për Barazi Gjinore të UNMIK-ut në Kosovë për rreth një vit e gjysëm dhe ka administruar politikat e barazisë gjinore në Kosovë. Ka kryer dhe detyra të tjera të rëndësishme, gjithashtu në Prishtinë. Zonja Harxhi, e rikthyer në Tiranë në fillim të vitit 2005, u bë e njohur në Tiranë kryesisht për një material studimor të saj për krizën shqiptare të vitit 1997. Bashkautore në këtë studim me një tjetër diplomat, Harxhi nxirrte përfundime mjaft të debatueshme, sipas të cilave, thelbi i krizës shqiptare atëherë ishte fruti i hidhur e tragjik "i ndërhyrjes së qarqeve greke dhe të CIA-s amerikane". Pa harruar as komunistët shqiptarë. Ky studim ka qenë dhe arsyeja kryesore që ish-presidenti Moisiu nuk e firmosi kandidaturën e saj në postin e ambasadores shqiptare në SHBA. Pak kohë më pas, në 14 dhjetor të 2005, kryeministri Berisha e futi atë në kabinetin e tij ku mban ende detyrën e zëvendësministres. 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Rexhep Murseli reagon ashpër ndaj librave të muzikës së klasës së gjashtë Halit Bogaj: Ethet e pushtetit Vebi Xhemaili: Deri kur ne shqiptarët do të shërbejmë si mercenarë për hir të politikës ditore Gani Qarri: Reagimet e Drejtorëve të Shkollës dhe Qëndrimi i Komandirit të Policisë Arif Molliqi: Letër kryetarit të parlamentarit Agim Vuniqi: Festa e ditës së pavarësisë dhe kundërthjet brenda shqiptare Rexhep Elezaj: Bashkimin LDK- LDD si dhe unifikimin e rugovistëve mund të bën vetëm z. Hafiz Gagica Selim Hasanaj: Shejti i Dardanisë Blerim Uka: Një grua nga Ballkani e denoncon veten e saj në policinë kanadeze Albert Zholi: Flet kryetari i shoqatës së emigrantëve në Kretë të Greqisë, Shkëlqim Braushi Mirela Bogdani: E verteta mbi islamiket ekstremiste (FMSH), kandidimin tim dhe... BISHZ: Kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, liderit të Vetvendosjes Milazim Kadriu: Drejtësia ndërkombëtare dhe kjo në Kosovë ende nuk mund të quhet drejtësi Bardhyl Mahmuti: Kambanat e alarmit të ekstremizmit politik antishqiptar dhe fundamentalizmit ortodoks në Maqedoni! Besnik Prishtina: Ditëlindja e dytë e foshnjes në inkubator Bajrush Behrami: Porosia e ambasadorit Dell Selim Hasanaj: Gjyshi i pasaardhësit Ndriçim Kulla: Shkrimtarin që duhet ta nxjerrim nga “burgu” Neki Lulaj: Trinomi i shtetësisë së Dardanisë ishin Dr. Ibrahim Rugova, akademik Fehmi Agani dhe intelektuali Sali Çekaj Bardhyl Mahmuti: “Skopje 2014”- Watrloo e Nikolla Gruevskit!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx