Kulturë
Fitim Sula: Huni
E hene, 22.02.2010, 10:54 PM
Fitim Sula
- HUNI -
-Shirat, furtunat, shtërngatat dhe stuhitë e kanë skalitur këtë "Hu", duke e shndërruar në mijëra dhe miliarda fytyra të vogla, që të gjitha bashkë, potretizojnë kohën dhe njeriun. Madhështor dhe shpatullkërrusur, vjetërsirë me rini të përhershme mban në këmbë këtë "Hu". I ngulur thellë në tokë, e shumë më thellë i ngulur në ndërgjegje të njeriut, ky "Hu" jetpafund shikon krenar rropatjen e brezave. Palodhshmërinë e egzistencës së genit, që sizifian në shpirt, ecën shpinë kohrave me barren e rëndë të sherrit. Me atë sherr që gjallon në gjakun e pashterur njerëzor…!
- Çfar jet u mendu mor burrë? - e pyeti e shoqa, ndërsa shikonte që mbi ballin e tijë, rrudhat njëqind vjeçare hapnin gojën e çirreshin.
- Huni…, huni, a është akona atje në arën e papunueme? - pyeti duke e çuar zërin fort, ngaqë e shoqja nuk dëgjonte fort mirë nga veshët.
- Aty është, aty. Nuk guzon kush për me e hekë…
- Atë e di, - e ndërpreu Dragon Vigu, - por mendova se mos rrufetë e mbrëmshme e kanë djegë e përcllu. Por jo! Të kishte qënë se do të digjej nga rrufetë, nuk do të kishte pritur kaq gjatë…! Të vjetrit kanë thënë: "Këtë "Hu", vetëm dora e njeriut do ta hekë, e atij njeriu, që do të vendosë me dekë bashk në kohën që do ta shkuli"! Qindra breza kanë ardhë e kanë ikë, por asnjënjeri nuk vendosi të dèsë. Njerëzit kur ishin të rinj, mendonin; se mund ta shkulnin në pleqni; kur njeriut i ngelet pak për me jetue. Po , kur të rinjtë plakeshin; u dhimbeshin ditët e pakta, e nuk merrshin mundin me i hedhë edhe sytë; e jo më për me e hekë! Kur vdekja afrohej për mos me u largue, më pleqtë shfajqësoheshin duke thënë: "U mundova një ditë për me e shkulë "Hunin", por nuk mujsha prej pleqnisë." E atëhere ata shfajësoheshin…: "Do kishim bërë mire ta shkulnim "Hunin" kur ishim të ri, se atëhere kemi pasë edhe forcën e mjaftueshme për me e shkulë." Kështu ka ndodhur moj grua, qysh prej kohëve që smbahen mend, ndaj dhe "Huni" i pashqetësuar bën hije në mesin e "arës së papunueme"… Dragoni, pasi foli edhe disa gjëra, që e shoqja nuk kuptoi gjë prej gjëje, kërkoi me sy shkopin, ndihmësin e tij besnik. E shoqja e kuptoi të shoqin pa folur, dhe me gishtin tregues i tregoi vendodhjen e shkopit. Për çudinë e tijë, një fuqi e pakuptueshme i kishte "hyrë" në trup.
- Më duket se sot do të vdes! – mendoi.
- Pastaj kështu thonë, - foli me zë të vogël nëpër gojë, - përpara se njeriu të vdesë i vjen një fuqi e madhe në trup. Patjetër që kjo ndodh për të mos ofenduar vdekjen. Ajo është një "superfuqi", dhe nuk e përtyp dot idenë, që lufton me të mbaruarit…! Plakut i binin ndërmend fytyrat e pafund të njerëzve; që përpara se të vdisnin; përpëliteshin, ngriheshin, uleshin, shtriheshin, hapnin sytë fort, shikonin me inat, herë buzëqeshnin, po vetëm për pak kohë, e më në fund lironin muskujt e shriheshin përfundimisht sa gjatë-gjërë nën këmbët e marrëses së jetës.
- Ptu, mistrec, - i "bërtiti" plaku shkopit, që rrëshkiti në sipërfaqen e lëmuar të një guri. Edhe ti don të më "tradhëtosh", ti, që më ke zëvendësuar djemtë, vajzat, rininë,…!? Pooo, rininë! Kur ajo ishte, unë nuk kisha nevojë për ty, ty..., dru Thane që nuk të kisha parë ndonjëherë me vëmendje. Shkurre të thonin të tjerët, shkurre mësova të të thërrisja edhe unë. Por ja që ti sot, je shoku im më i ngushtë. Si i thonë: "Edhe pë të shkuar në banjo kam nevojë për ty". Po kot nuk kanë pas thënë: "Të vjetrit pordhën mos ua dëgjo, ndërsa fjalën , po." Dikur, kur njerëzia rropateshin lakuriq, atëherë kur pak gjë i ndante nga kafsha, druri i Thanës ishte i domosdoshëm për jetesën e përditshme. Me të, vritnin kafshët që u rrezikonin jetën, si edhe kafshët me të cilat jetonin duke i ngrënë. Dreqo punë, më duhet të kërkoj falje për mendjemadhësinë që kam treguar ndaj teje, duke të quajtur shkurre, pra…, diçka pa vlerë! Të kisha dëgjuar të vjetrit, do ta kisha respektuar qysh në rini, që të isha ballëhapur para teje sot, që aq shumë ta kam nevojën. Po ti nuk mërzitesh, - tha duke e çuar shkopin para syve. Ne, njerëzit kështu kemi qënë nga hera. Kur s`ta kemi nevojën, as sytë drejt nuk ti hedhim! Ptu, të mori e mira, - shau përsëri, dhe mori hov ti binte kokës së tij. Po ju kujtuan gungat dhe hoqi dorë nga kjo ide e marrë.
-është vonë tani. - u shfajësua.
Këmbët po e çonin në drejtim të "arës së papunueme". Rruga për atje ishte paksa larg, por më e keqja ishte se, ajo kalonte kurriz një kodre goxha të madhe. Energjitë, që ndiente në trup, ia mbushën mendjen se mund ta bënte këtë rrugë, ndaj pa e kuptuar edhe vetë, kishte bërë gati gjysmën e rrugës. Këmbët ishin komanduar nga vetvetja. Iu kujtua përsëri "Huni".
- Sot, ti do ta shkulësh, - u hakërrua dhe këmbët i lëvizën më shpejt në të tatëpjetën e kodrës, që të çonte për te "Huni".
- Ah more "Hu", edhe sikur rrënjë Lisi të keshë lëshuar në tokë, unë do të shkul. Do të shkul dhe do të hedh tej, siç hodhën kokën e Bajlozit…, shekuj e shekuj më parë, të parët tanë.
- Unë nuk do të shkul!? Po ja, ke për ta parë, po sta punova paq. - fliste plaku, ndërsa ishte ndalur dhe po shikonte plakën që kishte mbetur e habitur duke parë plakun që po i ngjitej kodrës.
- Futu moj brënda…! - briti Dragoni, po aty për aty u kujtua që kishte nevojë për vëmendjen e dikujt…! Ndërroi mëndje dhe i tha; - Jo, jo. Më mirë rri e shiko burrin tënd njëqindvjeçarë sesi vrapon për tu ndeshur me "Hunin", me atë "Hu", që ia kishin frikën…. - e la pa përfunduar fjalinë, ngaqë iu kujtua gjithashtu, se e shoqja ishte bërë "tët" nga veshët.
Dhe gruaja, sikur ta kishte kuptuar atë që thonte plaku prej së largu, qëndroi duke vënë dorën mbi sy për të parë më mirë…!
- ia paska mrritë dita sot më duket! – foli plaka ndër dhëmbë, ndërsa shikonte tërë kurehshtje Dragonin që i ngjitej kodrës përpjetë.
- Po sikur ta hedh fare!? - mendoi plaku për shkopin.
- Sa shpejt që harrojmë të mirën ne njerëzit!? - fliste plaku ndërvete. Sapo na duket vetja të fuqishëm, harrojmë ata që na janë gjendur pranë në ditë të vështira. Sa pak fisnikëri ka në trup njeriu?
- Turp të kesh, - i tha vetes , turp të të vijë që nuk je pak njeri. Edhe sikur një thërime të kesh njeri brenda vetes, nuk do të mendoje të hidhje shkopin. Atë shkop, që i është nxirë lëkura duke të mbajtur gjithë këto kohë…!
Plaku ndjeu neveri për atë pak "njeri", që kanë trupat njerëzorë. …, ose që i kanë quajtur njerëzorë, se në të vërtetë asnjë nuk e mësoi se çdo të thotë në të vërtetë fjala "njeri"! Ideja e padukshme se, çkishte kuptuar me fjalën "njeri" ai që e kishte përdorur më së pari, i pushtoi mëndjen plakut, ndërsa ngjitej pa u lodhur…
Nje -ri!?
Ai që e ka përdorur, mbase e ka përdorur kur ka parë një si veten? I habitur duhet të ketë thirrur; "Nje – ri". Pra, "një i ri", si mund të shpreheshim sot, po të na përsëritej i njëti fenomen! Po kjo ska mundësi? Asnjë nuk e pranon që gjuha shqipe,është folur në ato kohë shumë të lashta, kur njeriu u pa më së pari mbi tokë. Mish-mash është bërë kjo punë. Gojë pas goje kemi mësuar se, gjuha jonë është lashtore, ndërsa letërshkruesit...! Po çti kërkojmë të tjerëve, kur edhe sot e gjith ditën, kemi kapur për këmbe shoqi-shoqin, duke mos e lënë të eci para. Edhe "Huni", simbol i egos është. Prandaj i thonë: "huni"; "h+un"; pra, "Un". Dhe kur thua "Un", thua askushi. Sepse je askushi kur don të jeshë i vetëm. Dikushi..., mund të jesh, kur je vetë i dytë, i tretë, e kështu me radhë. Vetëm duke qënë me të tjerë, dhe jo i vetëm, mund të quhesh i qytetëruar. Mund të kesh njësi matëse që të kuptosh se sa vlen, pra kush je në të vërtetë. Thonin se: "Kur u ngul më së pari ky "Hu", u ngul për të treguar se e kujt është "ara", që në atë kohë quhej "ara e të gjithëve". Urani, e nguli ma s`pari, e thirri gjithë kapadaillëk: " Kjo është ara ime. Un e ngul këtë "Hu" këtu, në mesin e arës së të gjithëve, që tash e tutje, do të jetë vetëm e imja. "Huni" jam unë, dhe unë do të jemë, gjithnjë." Po kjo skishte qënë thënë të ishte e vërtetë. Fëmijtë e tij, dhe më kryeneçi ndër to, Kroni, vrau të jatin dhe u bë sundues i "Hunit". Por jo për shum kohë. "Huni" nuk ishte më, si më parë! Trupi i tij u la me gjak, gjak babaj të derdhur nga dëshira për sundim. Gjak mëkatarë, që do të helmonte fushën e veprimtaris së brezave pasardhës, duke i mallkuar me fatalitet…
Plaku nuk po lodhej. Gjithashtu mendja e tij nuk po ngopej duke shëtitur nëpër kohë të vjetra. Plaka e lodhur në këmbë, u ul dhe po shikonte e habitur "çmendurinë" e të shoqit, që po kalonte majën e kodrës, duke iu afruar "arës së papunueme".
…, ah Kron, bir i bushtrës errësirë, - fliste Dragoni sikur të kishte një bashkbisedues me vete, - kujtove se ia hodhe!? Po si s`ta mori mendja, se edhe ti, do të bije i vdekur nga dora e bijëve të tu!? Apo mos ndoshta nuk ta mori mëndja se në brendësi të trupit hyjnor të femrës, qëndronte e mshehur dinakëria, pabesia dhe njëkohësisht dashuria për pjellën e sajë? Rea, jot shoqe, që të mbajti në bark të sajë pjellën tënde, Zeusin e destinuar për të qënë babëvrasës, hakmarrës i gjyshit të tijë, ta hodhi. Në vend të tijë të dha një gurë, që ti e hëngre nga dëshira për ti shpëtuar fatalitetit tënd. Dhe kështu, "Huni", nga pronë e Zotave, u synua edhe nga vdekatarët trup vegjël! Dhe nuk ka rëndomësi më të madhe, se sa kapërdisja e vdekatarit, si zot fuqiplotë në fronin qeverisës. Këta vdekatarë që vinë e ikin duke mos guzuar të shkulin "Hunin", egon vëllavrasëse të sundimit.. Të atij sundimi, që është i dënuar me fatalitet…, vdekjen…! Atë vdekje, që si re e zezë privon njeriun nga rrezet e Diellit të paqtimit…! Do të shkul mor "Hu"…, pastaj, le të vdes! E në vdeksha pa të shkul, do të më vinte keq. Do të më vinte keq…, se mjerë ai që largohet nga kjo botë, pa "luftuar". Dhe nuk ka armik më të keq se "Huni"! Ti, kupton që ke një "armik" që do të duhet ta luftosh pa tjetër, por fakti që ti nuk e ke të lehtë ta dallosh fizikisht, të demoralizon. Demralizimi të përkund në djepin e pesimizmit, dhe ti pastaj, vdes për së gjalli. Dhe kjo është vdekja më e tmerrshme. Kjo është një vdekje e turpshme, e pa fisme, një vdekje e neveritshme, që të kthen në pandjeshmëri totale të përjetimt të jetës, që vetëm njëherë të serviret. Jo or "Hu", jo, nuk do të jap shpirt pa të shkul nga vendi "yt" mijëra vjeçar…, nuk do të vdes, jo…
Këto po mendonte Dragoni, ndërsa po i bënte metrat e fundit gati me vrap.Ktheu kokën andej nga kishte lënë plakën me dorë mbi sy, po tashmë ishte në "arën e papunueme", që ndodhej në mesin e fushës mbi kodër.
- Ky është vrap, - tha me vete, dhe u ul mbi një gurë, që ndodhej karshi me "Hunin" e ngulur.
E Shikoi imtësisht nga vendi ku ishte dhe vazhdoi të kuvendonte me të, sikur të kishte një të barabartë me veten.
…, shumë…, jo shumë po miliona…, jo miliona, po milarda e miliarda njerëz kanë vdekur dhe po vdesin nga dëshira e marrë për të qënë pronarë të trupit tënd…, për të qënë sundues…! Por tani, jo më. Unë do të shkul nga "ara e papunueme" dhe ti do të pushosh së egzistuari. Ti nuk do të mbretërosh më në mendje të asnjërit. Ti nuk do të jeshë më shkakëtarë për vrasje midis vëllezërve…, midis njerëzve. Gjaku njerëzor nuk do të ushqej më egzistencën tënde të pakuptimtë. Unë do të shkul…, pa lëre të vdes…, të vdes me mendimin se ty do të zhduk nga mjedisi njerëzor, ku syresh të shumtë, me njërën dorë mbi "kryet" tënd, e me tjetrën i fusnin thikën në fyt njëri-tjetrit dhe thërritnin me të madhe: ""Huni"është i imi. Tash e tutjè…, un jam i parë."
… Po në fakt i parë su bë asnjëri. Të gjithë ikën me kokë të varur nga dëshira për të "sunduar" "Hunin". Dhe "Huni"është i vetmi që mbijetoi,… dhe skishte se si ndodhte ndryshe. Tani më ngelet mua të të shkul…, dhe më pas të vdes. Të vdes si hero i pavdekur në mendje të njerëzisë. Pasi të shkul, kjo "arë" do të quhet përsëri "ara e të gjithëve". Se dukeqënë e "Hunit", mbeti e papunuar, ndaj të detyruar njerëzia e quajtën "ara e papunueme". Krejt si ajo shtëpia me shumë gra…, ku më pas ngelet bulira pa u mbush me ujë!...
Dragon Vigu iu afrua "Hunit" me një peshë dyshimi mbi krye…
- A do mundem ta shkul se…!? – pyeti veten dhe i ra me shkop për të matur forcat. Çuditërisht një ushtimë, si ushtimat e thellësive të honeve, u dëgjua nga goditja që bëri. Plakut më shumë iu duk ,se dëgjoi skërmitjen e dhëmbëve të një bishe, që gjendej në brendësi të "Hunit". Plaku, njëherë ndjeu frikë, por vetëm për disa caste. Më pas mblodhi fuqitë dhe ia "plasi" në surrat, i zhindosur jashtë mase:
- "Sot është fundi jot, don apo sdon ti."
Pa e mbaruar mirë fjalinë, e kapi "Hunin" belas dhe e hodhi me sa fuqi pati.
Për habinë e tij, "Hunin" e shkuli shumë lehtë, dhe po aq lehtë e vërtiti në ajër. Ndjeku me sy "Hunin", por "Huni" nga shtytja kaloi atmosferën e tokës për në të tjerë planetë, duke i humbur shumë shpejt nga shikimi. Plaku u shtri sa gjatgjërë të priste vdekjen, të profecuar nga të vjetrit. Mbylli sytë, që të mos ia shikonte fytyrën, jo nga frika, por s`donte të sfidonte jetëmarrësen, nga respekti që kishte për drejtësinë e saj…
Nuk e kuptoi se sa kohë kishte kaluar, kur vendosi të hapte sytë e të çohej në këmbë…!
-Çohu tani, se nuk ke më nevojë për ndihmën time. – dëgjoi një zë! U kthy andej nga erdhi zëri dhe nuk pa gjë tjetër përveç shkopit. Vështroi nga vendi ku kishte qënë ngulur "Huni" dhe nuk dalloi gjë. Ndjeu një erë të rëndë, e njëllojtë me erën e myshqeve të një shpelle miliona vjeçare. Mbajti me duar hundët dhe pa u vonuar, vendosi të largohej nga aty.
- Si ka mundësi që nuk vdiqa!? – pyeti i habitur veten.
- Mos vallë profecia nuk ka qënë kuptuar mirë nga njerëzia? Apo profetët, kanë folur me dykuptimësi? Kjo edhe mund të jetë e vërtetë! Gjuha Shqipe e ka këtë favor. Kot nuk thonë se: "Shqipja merr kah ti japësh." Meqë nuk viqa unë, kush do të vdesë…?
Me këto mendime në kokë, kishte arritur pothuaj para shtëpisë së tijë. Plaka po priste aty ku e kishte lënë, dhe dorën e mbante akoma sipër syve.
- Ku shkon ashtu more harbut!? - i bërtiti plaka kur u afrua edhe më.
- A nuk e shikon se të kanë dalur aletet jashtë? – foli përsëri plka.
Dragoni, uli kokën të shihte. E tmerrshme! Organet gjenitale të tijë, ishin rinuar madhërishëm. Hodhi shikimin te muskujt e kofshëve…, pulpave…, preku krahët…! E jashtëzakonshme! ishte krejtësisht një trup i ri …, i bëshëm…, i njëllojtë me trupin në rininë e tij të dikurshme…! Ky ndryshim kishte bërë që rrobat e pleqnisë të coptoheshin nga tupi i rilindur.
- Desha një palë rroba…, o në…në…. – mezi doli Dragon vigu nga situata e paparashikuar.
Plaka, që ia kishte ngulur sytë "aleteve", u shkund mirë përpara se të vinte në vete.
- Ja ti bjen nëna tani more bir. – ktheu kokën plaka dhe pa e kuptuar as vetë, dy pika loti i rrodhën prej syshë, ndonëse kishte vite që i kishin shteruar.
- S`mbahet mend që kur nuk kisha parë…, - mendonte plaka dhe si vajzë e re, vrapoi dhe u pruri një palë rroba të Dragonit.
- Janë të tim shoqi…, të dhëndërrisë…! – sqaronte plaka tu dasht me u vonu sadopak.
- Faleminderit. – tha Dragoni dhe filloi ti vishte.
- Ishin rroba malësorësh. Tirqë, opinga, këmishë e bardhë, xhamadan i stiluar fund e krye me simbolet pellazgjike të Diellit...
Plaka shashtisi kur pà që djali i ri, pasi u vesh me rrobat e hershme, i kujtonte një figurë shumë të njohur…, që e kishte takuar kohë më parë. Futi dorën e vetëdijes në kujtimet e hershme, që kishin zënë ndryshk. Kërkoi nëpër skutat më të èrrta të ndërgjegjes, por vetëm mbasi djali nisi të ikë, mundi të kthjellohet.
- I ngjan tim shoqi…, Dragonit, - tha me vete dhe në sekond pyeti djalin që tashmë ishte larguar disi.
- More djalë, mos e pè një plak të vjetër atje, mbi shpinë të kodrës, te "Ara e papunueme"? Një plak nja njëqindvjeçar, që i marrosur, pak kohë më parë iu ngjit kodrës përpjetë me vrap!?
- Ishte ulë një plak atje lart, e i menduar po pinte duhan me llullë. Nuk e di në është ai që kërkoni ju…! – tha Dragoni dhe aty për aty vendosi të largohej pa i treguar të vërtetën.
Plaka e trullosur tashmë keqas, u ul te vendi dhe me dorën mbi sy, shikonte andej nga priste të vinte i shoqi.
- Unë, - mendoi plaka, - e vjetër jam, do ta pres deri kur të vijë. Fantazmat në këtë moshë që jam unë tani, janë një gjë normale…!
-Eshtë e kotë ti tregoj të vërtetën…! – Mendoi Dragoni për të shoqen. I vinte keq pqr të…, por fàtit nuk mund ti dredhonte askush…!
- Më mirë mos t`a marrë vesh kurrë se ç’ndodhi, sesa ti dalë shpirti me brengë në zemër. – mendonte për plakën.
- Po tani çdo të bëj…? Më duhet të nis jetën nga fillimi…! Çfar fati…! Të gjithë paskan pasur një frikë të kotë, që nuk e kanë shkulur "Hunin" më parë! Profecia është keqinterpetuar. Dikush do të vdiste, por jo fizikisht. Do të vdiste e shkuara…, egoja për të qënë sundues! Do të vdiste dëshira për të qënë zotërues të "Hunit"…
Këto po mendonte Dragon Vigu, ndërsa u gjend në mes të një turme të pafund njerëzish, që kërcenin dhe këndonin hareshëm dhe me fytyra të gëzuara. Në një tabelë të madhe midis miliarda njerëzve që argëtoheshin, ishte shkruajtur me germa të mëdha:
"KULTURA SOKRATIANE E TË JETUARIT MBAROI. TANI DO TË RIKTHEHEMI TE DIONISI PELLAZGJIK"
- Plaka do të jetë duke pritur akoma…! – mendoi i futur në mes të fytyrave të qeshura.
- Skam çbëj…, ajo është e shkuara! Mua më duhet të jetoj të tashmen, pa "Hunin" që ndan njerëzinë. – shfajësoi veten, ndërsa kërcente çakërqejf në mes të njerëzve të gëzuar…!
Komentoni
Artikuj te tjere
Monika Mureshan: Me Adem Zaplluzhën, kur mitet vajtojnë
Përparim Hysi: Xhuveli
Cikël poetik nga Petrit Ruka
Sami Islami: Ngjyrat e ''zeza''
Ferit Ramadani: Poete! Prano uratën time!
Luan Çipi: O sa mirë me kenë shqiptar!
Gani Qarri: Kombi im
Këze Kozeta Zylo: Hapja e Shkollës Shqipe në 2-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Staten Island...
Demir Krasniqi: Kënga e Pren Currit
Blerta Xh. Muqaku: Edhe një sukses i Albana Nocaj
Sabile Keçmezi- Basha: Udhëtimi nëpër ëndrrën e kuqe
Raimonda Moisiu: Intervistë me shkrimtarin Kristaq Turtulli
Zef Mulaj: Malet e mia, të fëminis
Dy poezi nga Ekrem Ajruli
Tahir Bezhani: Koha dhe shqetsimet e një krijuesi
Agron Shele: Poezi nga vëllimi poetik “Pasazh i pafaj”
Çerkin Ismaili: Gjirmë shpirti - Ec e njihe veten
Vehbi Klaiqi: Poezi nga libri ''Loti im''
Cikël poetik nga Bajame Hoxha - Çeliku
Ejup Ceraja: Lirikë e shqetësimit dhe dhembjes