E premte, 02.05.2025, 11:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Ngjyrat e ''zeza''

E hene, 22.02.2010, 10:04 PM


NGJYRAT  E “ZEZA”

-Tregim-

Nga Sami ISLAMI

Jetonim në  nji shtëpi të vjetër përdhese në mes të katundit. Shtëpia ishte e mbulume me tjegulla të vjetra, të cilat vende-vende ( nga pesha e madhe) e kishin laku edhe  pullazin,  sa kishe përshtypjen se pullazi një ditë ka m’u  shembë krejt. Megjithate  shtëpia ishte e fortë, fundi i fundit ishte sikur çdo shtëpi tjetër e katundit. Ishte vjeshtë e vonë dhe dimni ishte në prag.  Prindët e mi e  kishin hallin si me i siguru ma shpejt zahiret e dimnit.
- Nesër kam me shku në pazar!- tha  baba.
-Besa mirë ban!- ia ktheu nana - se kemi mbetë pa harxh. Dhashtë Zoti e ndalet edhe  kjo erë e veriut, se po zgjati deri  nesër ka me e  zbardhë bora tokën dhe zor se mundesh me shku edhe në pazar! 
Kjo bisedë, se „nesër baba ka me shku në pazar“ dhe  se „nesër bora ka me e  zbardhë tokën“ më gëzoi  pa masë. Zatën nuk thonë kot “bora asht gëzimi i fëmijëve”. Nga familja jonë vetëm dy ishim në shkollë. Unë atëherë isha në klasën e pestë, kurse vëllai jem ma i vogël në klasën e dytë. Të tjerët s’ishin të moshës shkollore… 
Megjithë vështirësitë ekonomike, baba me kohë na i kishte ble librat dhe fletoret mue dhe vëllait tjetër që ishim në shkollë. Edhe bllokun e vizatimit  që e përdorja për orën e artit figurativ e kisha. I kisha edhe disa ngjyra, që quheshin  ngjyra  “të drunit”. Ato ishin disa lapsa por me ngjyra të ndryshme. Këto ngjyra mësuesi nuk na i pranonte ma. Nuk di pse? Ndoshta pse tashi na fëmijët ishim „rritë“. Tash ishim në klasën e pestë!  Ai kërkonte prej neve nxanësve m’ i pasë ngjyrat ” e ujit”.  Këto të fundit nuk i kisha. Dhe,  mbasi që baba kishte me shku nesër në pazar vendosa  me i thanë  me  m’i   ble  këto ngjyra.  Bile ia dhashë një copë letër për mos me  e gabu  emnin e ngjyrave që ai  kishte  me i ble. Mbas darkës, na fëmijët  shkumë  në dhomë  për me  fjetë. Vetëm nana e  baba  mbeten tue bisedu edhe ma tutje nën dritën e zbehtë të llambës së vajgurit...  
Atë natë, vërtetë, era e ftohtë e veriut  nuk pushoi hiç. Katundi  jonë, i cili  shtrihej në një rrafshinë të madhe ishte vendi ku era kapte nga çfarëdo drejtimi që frynte. Edhepse simbas disa gojdhanave „veriu e ka synin qorr“, që domethanë se mundesh m’iu fshefë kollaj, pozita e katundit qe e atillë, që s’kishte kurrfarë mbrojtje natyrore, pra s’mujshe m’iu fshef hiç! Pozitë ma të favorshme kishte katundi fqinj, i cili gjendej buzë malit (në faqen jugore të tij)  dhe kishte pyje të denduna përreth. Ky katund , tue e pasë këtë „privilegjë“ nuk donte me ia ditë ernave të forta, e as  të dimnit... 
Dhe mëngjesi gëdhiu. Nga të gjithë fëmijët,  unë u zgjova  i pari.  Gëzimi jem qe  i  papërshkrueshëm, kur nga dritarja e vogël (me parmakë)  e dhomës ku flenim pashë  se kishte  ra borë!  Bora, e cila po binte ende,  kishte arrijtë deri në gjysmë metër! Çfarë ndryshimi i menjëhershëm!  Dje katundi kishte pamjen e zakonshme vjeshtore, kurse sot bora e kishte mbulu çdo gja me jorganin e saj të trashë  e të bardhë, pra sot po hynim në dimnin e vërtetë! Bora kishte mbulu kopështin , oborrin ,  ahrin,  kotecin, shtëpinë tonë përdhese, e cila nga se ishte vetë e ulët, dukej sikur streha e pullazit dhe bora në tokë edhe pak kishin me u taku! 
Të gjitha pemët, që i kishim në kopësht,  me kohë i kishin hedhë  gjethet në tokë. Kështu ato ishin „përgatitë“ për dimën! Në kopësht kishim edhe  disa ftoj. Ata, për çudi,  nuk i  kishin hedhë gjethet për tokë si pemët  tjera! Ata  sikur donin  me e sfidu edhe   borën! Tue i mbajtë ende gjethet në degë, dukeshin  sikur  donin  me i  thanë borës  : „ Bjer sa të dushë se s’ta kemi frikën! S’ke ç’na ban“! Po nuk qe ashtu, sepse  atë mëngjes, nga bora e madhe që kishte ra, disa degë ftojsh ishin  përkulë thuja deri në tokë.  Disa degë bile edhe  ishin thy krejt! E, çka asht kjo „mendjelehtësia!“
Baba nuk ishte nisë heret për me shku në pazar, ashtu  qysh kishte thanë një natë ma parë. E kishte lanë për ma vonë tregun.  Ai tashi po merrej me hapjen e shtigjeve nga dera shtëpisë e deri te bunari, te ahri, te koteci dhe deri te dera e oborrit. Pastaj ai ua hapi derën edhe pulave (koteci ishte në fund të oborrit , nja 100 metra larg shtëpisë). Ato ishin „mësu“ që posa dikush t’ua hapte derën në mëngjes,  vinin vrap te hajati ku nana  u hedhte drithë. Atë mëngjes, ato sikur  u “habitën” kur e panë  borën e madhe! Dhe s’kishin faj të shkretat se nuk kishin pa kurrë borë me sy! Na   fëmijët , të cilët tashma ishim zgju të gjithë,  po e vështronim nga dritarja e dhomës sonë natyrën e mbulume me borë. Çfarë pamje e interesante! Gjithkah bardh!.. Vëmendjen tonë na e tërhoqi nji zhurmë e çudtishme që vinte mu nga fundi i oborrit. Mendumë mos po ateronte ndonjë helikopter në oborrin tonë! Aq zhurmë e madhe u ba!  Por jo! Po shikonim një spektakël interesant! Pulat, tue e pasë, ndoshta frikën e  borës,  të gjitha përnjiherë vinin tue fluturu! Caku i tyne ishte hajati i shtëpisë, ku i priste ushqimi i zakonshëm! Na  fëmijët u habitëm  se  s’kishim pa kurrë ma parë  që pulat mujnë me  fluturu!.. 
Nejse. 
Me gjithë problemet e mëdha që solli bora për katundin, neve fëmijve na gëzoi shumë. Për shkak të borës së madhe atë ditë na  lajmërunë se  nuk kishte mësim. Na u gëzumë edhe ma shumë se do të kishim tashi kohë gjithë ditën për me lujtë me  borë. Mue më vinte mirë, poashtu,  sepse  baba, pavarësisht  motit, tha se  do të shkonte në pazar. Unë  bile e përcolla babën deri te dera e oborrit  tue  ia ba me dije  edhe një herë porosinë, dhe  i thashë:
-Babë, ngjyrat!
-Po, po.- tha dhe doli.
Edhe nana e përcolli babën deri te dera e oborrit. Rruga  e katundit ishte hapë disi, por vetëm sa me kalu dy rrota të qerres, si thonë. Nëpër këto dy vija ishin të shtrëngumë me lëvizë të gjithë: kerret, njerëzit, shtazët etj.,  sepse s’kishte rrugë tjetër! Bora e kishte mbulu çdo skaj të katundit! Edhe po të doje, s’kishe se si  m’iu  shmangë kësaj vije, sepse po dole jashtë vijës,  bllokoheshe në borë!..

Edhe pse dihet që  ditët e dimnit janë shumë të shkurta,  ajo ditë, mue, nuk  m’u duk aspak e shkurtë. Ble m’u duk dita ma e gjatë e vjetit! Kjo për arsye se  mezi pritja me ardhë baba prej pazari! Dhe dikur vonë, mbasi që kishte ra terri, erdhi baba. Dukej shumë i lodhun  nga punët e ditës në pazar. Bohçen (nji lloj shamie që përdorej për me bajtë  gjasende të ndryshme tue i lidhë të katër qoshet e saj)  me pazaret që  i kishte ba i la me një anë dhe u shtri në kashtoren e ngrohtë të dhomës për me pushu pak.   Nana i nxori nga bohçja  disa molla, të cilat  na i shpërndau të gjithëve. E mora edhe unë një, sado që mendjen, s’e kisha te molla. Mendjen  e kisha te ngjyrat, për të cilat s’kisha guxim me e pytë nëse  m’i kishte ble, apo jo? Thosha me vete: “ Nëse nuk m’i ka ble s’ kam qysh  shkoj  në shkollë?“ Çka kam me i  thanë mësuesit nesër?
Llamba e  vajgurit, e cila qendronte varun në mur bante dritë aq sa me u pa na në mes veti! Asgja ma shumë! Na fëmijët i kishim ngranë mollat. Vëllaznit dhe motrat e mia lunin. Unë jo. Ajo çfarë po pritja unë  me padurim ende s’dukej askund! Desha me e  pytë babën për porosinë teme, por prapë hoqa dorë.
 Mbas pak nana nisi m’i nxjerrë edhe gjanat tjera nga bohçja. Nuk më kujtohet se çka kishte tjetër, por kur vërejta se në mesin e disa  gjanave që kishte ble baba ishin ngjyrat e mia, gëzimi jem qe i papërshkrueshëm! “Nuk e paska  harru porosinë!” – thashë me vete. E hapa kutinë për me i pa nga afër ngjyrat. Për çudi,  në dritën e zbehtë të llambës së vajgurit,  nuk m’u duk se baba m’i kishte  ble ato  ngjyra çfarë e kisha porositë!  I vështrojsha ngjyrat me habi! Habinë time e kishte vërejtë nana!  E dallova se një ishte e kuqe, një e bardhë dhe një e verdhë!..  Të tjerat m’u duken krejt të zeza! Mue m’u pre gazi në buzë. Kutinë e ngjyrave  e mori edhe ajo. Edhe asaj iu dukën tamam të zeza sikur që m’u dukën mue! 
-Sille llambën këtu afër- tha baba- t’i shohim ma mirë!
Unë u çova shpejt e shpejt, e mora dhe e afrova, por prapë ngjyrat dukeshin të zeza! Tash, përveç meje, edhe nana edhe baba u prekën se ngjyrat nuk ishin ato çfarë ishte dashtë me qenë! Vetëm vëllazënve e motrave të mia më të vogla, si duket, nuk u bajshin përshtypje ngjyrat, as shqetësimet tona, çfarëdo qofshin ato! Ata vazhdonin lojën e tyne, derisa u lodhën dhe i zuni gjumi... Mue,  lene që nuk më zente gjumi, po u zhgënjeva aq shumë sa edhe qajta. I shikoja prindët, të cilët edhe ata ishin ba dhé, si thonë,  por në ato çaste  as ata s’kishin çka me ba…  
Edhe pse edhe unë rashë me  fjetë mjaft vonë, nga maraku i ngjyrave,  të nesermen,  u zgjova shumë heret. Kur i hapa sytë e pashë nanën me kutinë e ngjyrave në dorë dhe  mjaft e gëzume më tha: „Shikoji !“ .
Çka me pa! Ishte nji befasi e mirë për mue,  se të gjitha ato ngjyra që mbramë babes,  nanës dhe mue na u dukën të “zeza”, nuk kishin qenë të tilla! Ato kishin qenë  vërtetë ashtu çfarë i kisha porositë, pra ishin edhe të gjitha ngjyrat tjera: e kaltra ,e gjelbra etj. , po që na,  natën e kalume  nuk i kishim dallu ato nga  nga drita e dobët e llambës!


(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx